Prof. Dr. Ukë Buçpapaj: Nëntë muaj e dy javë për të sjellë në shqip Tagorën

Buçpapaj zbulon punën pas përkthimit të një vepre madhështore, duke zbuluar një prej autorëve më me ndikim të fillimshekullit XX, por thuajse të panjohur për lexuesin shqiptar…

Nga Suadela Balliu

Në daç paqe dhe qetësi, lexo Rabindranat Tagorën!… Thuhet se leximi vetëm i një vargu të poezisë së tij, të shpëton pa u mbytur në detin që ngre tallaze të tërbuara brenda dhe jashtë teje, të nxjerr në breg shëndoshë e mirë, të shpie te shtëpia e shpresës dhe e fuqisë.
Flijime kënge janë ato që poeti Bengal shkroi më 1912–ën dhe që për lexuesin shqiptar vijnë me shqipen e Ukë Buçpapajt dhe botimin e shtëpisë botuese “Albas”.
Përkthyesi, i cili e quan procesin e përkthimit si procesin e ngjizjes dhe lindjes së një jete të re, rrëfen se e ka njohur dijetarin Bengal, fituesin e Nobelit të Letërsisë më 1913-ën, duke u bërë kështu i pari jo-europian i nderuar me këtë çmim, jo në rininë e tij, por vonë.
“Asnjë mësues letërsie nuk na e zuri emrin e tij në gojë” – rrëfen Buçpapaj, ndërsa pohon fuqinë shpirtërore që kanë vargjet e tij. “Jam i bindur se kur lexon këtë libër, në qofsh i shtruar në çmendinë, të vijnë mendtë, shërohesh, në qofsh në shtratin e vdekjes, ngrihesh, ngjallesh, në qofsh i lidhur me zinxhirë dëshpërimi, i shkrin, i kthen në lumenj gëzimi”.
Rabindranat Tagora, dijetari bengal e riformoi letërsinë dhe muzikën bengale, si edhe artin indian me Modernizmin Kontekstual në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Autor i Gitanjalit dhe i vargjeve të tija thellësisht të ndjeshme, të freskëta. Në përkthimin e poezive është parë si shpirtëror dhe i gjallë e pavarësisht kësaj “proza e tij elegante dhe poezia magjike” mbetën të panjohura jashtë Indisë… Edhe në Shqipëri, pohon Buçpapaj, ai është pak i njohur dhe thuajse aspak i përkthyer. Nëse dikush do e sillte të plotë veprën e tij do të ishte dhuratë, uron Buçpapaj.
Shpesh i thirrur si “Bardi i Bengalit ”, Tagora prezantoi prozën e re dhe formën e vargun dhe përdori gjuhën bisedore në letërsinë bengale, duke e çliruar nga modelet tradicionale të shkruara në sanskritishten klasike. Ai ishte tejet ndikues në prezantimin e kulturës më të mirën indiane në Perëndim dhe anasjelltas.
Tagora nisi të shkruajë poezi qysh kur ishte tetëvjeçar. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare ai botoi të parat poema thelbësore nën emrin e artit Bhānusimha ( Dielli Luan), që ishte mbërthyer nga autoritetet letrare si një klasik i humbur. Më 1877–ën u diplomua me tregimet e shkurtra dhe dramat, të botuara me emrin e tij të vërtetë. Si një humanist, universalist, ndërkombëtarist dhe anti-nacionalist i flaktë ai denoncoi Raxhin Britanik dhe advokoi pavarësinë nga Britania. Si një eksponent i Rilindjes Bengale, ai përparoi kanun e gjerë që përfshinin piktura, skica dhe karikatura, qindra tekste dhe rreth dymijë këngë; trashëgimia e tij ka rezistuar në institutin që themeloi, Universiteti “Visva-Bharati’.
Gitanjali (Flijime kënge), Gora ( Fytyra e pastër) dhe Ghare-Baire (Shtëpia dhe Bota) janë veprat e tij më të njohura dhe vargjet e tij, tregimet dhe romanet janë vlerësuar për lirizmin, ligjërimin bisedor, natyralizmin dhe soditjen e panatyrshme. Kompozimet e tij janë zgjedhur si himnet e dy shteteve “Jana Gana Mana” e Indisë dhe “Amar Shonar Bangla” e Bangladeshit. Disa burime thonë se edhe Himni Kombëtar i Sri Lankës është shkruar nga Tagora, ndërsa të tjerë thonë se është frymëzuar nga vepra e tij. Disa poema përfshijnë tema të lidhura me natyrën, por këtu shpirtërorja është tejet e pranishme …. Gitanjali në versionin anglisht u bë shumë i njohur në Perëndim dhe u përkthye në shumë vende. Tagora ka qenë edhe një kompozitor prodhimtar me 2230 këngë të krijuara. Këngët e tij, njihen si rabindrasangit (Këngët e Tagorës), të cilat shkrihen rrjedhshëm në letërsinë e tij, pjesa më e madhe e së cilës – poema apo pjesërisht romane, tregime apo drama – janë bërë lirike.
Në daç paqe dhe qetësi lexo Tagorën… ose dëgjo ninullat e kompozuara prej tij, magjike jo vetëm për të përkundur nëpër ëndrra një foshnjë por edhe për t’ia lehtësuar shpirtin të gjithë të trazuarve që mbajnë…
Sa kohë ka që vendosët të sillnit në shqip këtë libër të Tagorës, cilësuar edhe si një prej kryeveprave të tij dhe si bashkëpunuat me shtëpinë botuese “Albas” për ta sjellë në shqip?
Nëntë muaj e dy javë, aq sa i duhet NANËS për të sjellë në jetë NJERIUN, për të përsëdytur VETEN dhe NJERËZIMIN njëherazi. Por edhe qindra mijëra mote, sepse, duke kënduar me TAGORËN, kam jetuar nga dhjetë mijë vitet në çdo frymëmarrje. Për mua, ka rëndësi që “foshnja” nuk lindi duke qarë, por duke qeshur. Po, kjo më gëzon fort. Dhe kam arsye: Autori i gjuhës burimore, në secilën fjalë, flijohet një herë, kurse autori i gjuhës përkthimore flijohet dy herë. Bashkëpunimi me shtëpinë botuese “ALBAS” është dhuratë e drejtuesve të saj, këngëtares kryengritëse, mikes sime krenare, Rita Filipi, si dhe e të fismit, të cilin unë e quaj “Uki i Sharrit”. Ndihem i lumtur dhe i nderuar. Ky bashkëpunim do të vazhdojë sa të më punojnë shpirti, mendja dhe shtati.
A ka qenë një libër angazhues? Cilat kanë qenë vështirësitë e të kthyerit në shqip Tagorën, në një libër që vetë autori pasi e shkroi në gjuhën bengale e përktheu në anglisht?
Ky libër, më tepër sesa angazhim, ishte mundësi për t’u lutur dhe për të dashuruar dashurinë, ishe “dyluftim” shpirtëror, kuptimor, gjuhësor, dhe kulturor, nga i cili, të dy palët dolën të fituara, bile duke e pasuruar njëra-tjetrën. Në fushëbetejë nuk u derdh gjak, por dituri.
Gitanjali apo flijime kënge, çfarë merr lexuesi nga poezia e Tagorës?
Lexuesi merr shtëpinë, ku përjetësisht banon shpresa. Lexuesi merr frymën hyjnore të katër “Librave të Shenjtë”. Lexuesi merr ilaçin që i duhet për të mos e lënë t’i avitet sëmundja e zbrazësisë së shpirtit, sëmundje e rrezikshme gjer në vetasgjësim, sidomos për rininë.
Sa e pasqyrojnë kulturën indiane, për të cilën vetë Tagora ishte një avokat i mirë për të përcjellë më të mirën në sferën ndërkombëtare dhe sa universale janë temat e tij?
Duke rimarrë thelbin e TORAHUT, të BIBLËS dhe të KURANIT, nëpërmjet BUDIZMIT, ai i ka shtuar dijes njerëzore përmasën e mjaltimit të JETËS që shijohet vetëm nëse nuk bihet pre e frikës së VDEKJES, kësaj të pashmangshmes.
Sa i njohur është Tagora për lexuesin shqiptar dhe sa e përkthyer është vepra e tij në shqip?
Pothuajse i panjohur. Pothuajse i papërkthyer. Sjellja e veprës së tij të plotë në gjuhën shqipe do të ishte mrekulli e vërtetë. Nëse ky është vullneti i ZOTIT të LUM, do ta bëj këtë punë.
A keni në plan një tjetër libër prej këtij autori? -Ju vetë si jeni njohur me këtë poet – njeriu që riformësoi kulturën dhe muzikën indiane ? A është “Gitanjali” një seancë e gjatë shpirtërore ndërsa lexohet, por edhe ndërsa përkthehet?
Tani për tani, një përmbledhje me poezi. E kam njohur nëpërmjet leximeve. Vonë. Jo në rini. Asnjë mësues letërsie nuk na e zuri emrin e tij në gojë. Jam i bindur se kur lexon këtë libër, në qofsh i shtruar në çmendinë, të vijnë mendtë, shërohesh, në qofsh në shtratin e vdekjes, ngrihesh, ngjallesh, në qofsh i lidhur me zinxhirë dëshpërimi, i shkrin, i kthen në lumenj gëzimi.

Blatime me aromë vargjesh
Fjala “Gitanjali” e gjuhës burimore, bengalisht, në kuptimin “flijime kënge”, është titulli i përmbledhjes me prozë poetike të Rabindranat Tagorës (1861-1941), e cila u botua më 1913. Po në të njëjtin vit, për shkak të madhështisë së kësaj vepre letrare të përkthyer në anglisht nga vetë autori, ky i fundit fitoi çmimin “Nobel”. Në daç paqe dhe qetësi, lexo Rabindranat Tagorën! Kaq e vërtetë është kjo, sa thuhet se leximi vetëm i një vargu të poezisë së tij, të shpëton pa u mbytur në detin që ngre tallaze të tërbuara brenda dhe jashtë teje, të nxjerr në breg shëndoshë e mirë, të shpie te shtëpia e shpresës dhe e fuqisë. Begatia e mendimit dhe thjeshtësia e gjuhës së kësaj poezie të shkakton përtëritje shpirtërore dhe mendore të pareshtur. Aty gjendet gjithë frymëzimi i njerëzimit. Kështu, duke lexuar këtë poezi, përjeton ndjesinë e bukurive dhe të domethënieve të dukshme, sheh zogjtë që zbresin nga pemët dhe të ulen në duar, sepse ndërtimi i saj përputhet me doktrinën e Niçes, që thotë se nuk duhet besuar në ato bukuri morale apo intelektuale, të cilat, me kalimin e kohës, nuk arrijnë të lënë vulën e vet në gjëra të prekshme. Për këtë arsye, nuk ke se si të mos biesh përjetë në dashuri me këtë poezi që në leximin e parë. Megjithëse i përket një kulture të epërme, kjo poezi shfaqet si bari dhe lulet që mbijnë në një tokë të zakonshme. Aty sheh se tradita, ku poezia dhe feja shkrihen në një, ka rrjedhur nëpër shekuj, duke u pasuruar me metaforën dhe emocionin e të shkolluarit dhe të pashkolluarit, për të sjellë te njerëzimi mendimin e dijetarit dhe të fismit. Rabindranat Tagora është tejet i pasur në shprehje, tejet i vetvetishëm, tejet guximtar në pasqyrimin e pasioneve të veta, tejet i ngarkuar me befasi shpërthyese, sepse shkruan për diçka që nuk është e çuditshme, që nuk është panatyrshme, që nuk që ka nevojë të mbrohet. Në çdo çast, poezia e këtij poeti rrjedh duke t’u derdhur në shpirt pa rrëmbim dhe pa drojë, sepse mishëron thelbin e jetës njerëzore. Një qytetërim i tërë, jashtëzakonisht i panjohur për ty, merr trajtë përfundimtare në imagjinatën e këtij poeti. Por ty nuk të prek kjo e panjohur, përkundrazi, ty të prek takimi me imazhin vetjak, madje të duket se ke dëgjuar zërin tënd si në ëndërr, gjë që mbase ndodh për herë të parë në letërsi.