“Njeri me hënë”, ROMAN I RI NGA SHKRIMTARI I NJOHUR SKËNDER BUÇPAPAJ

“Juve ju solli në Majën e Thellës sëmundja e detit. E di: Nuk ka sëmundje më të rëndë se sëmundja e detit.” Ky ishte mendimi im i fundit i kësaj bote. “Veç në qoftë më e rëndë sëmundja e maleve,” folën me një zë Bleri dhe Blera. Dhe ky ishte mendimi i parë që unë dëgjova në atë botë.
Herë më afrohen, për të parë se ata janë Bleri dhe Blera, herë më largohen, që unë të hamendem nëse ata janë vërtet Bleri dhe Blera. At janë fytyrëlule, janë më fytyrëlule se të gjithë fytyrëlulet. Unë afrohem dhe Bleri e Blera më afrohen. Derisa nën këmbët e mia shfaqen re të bardha të cilat notojnë në hapësirë. Mbi koburin tim rrokulliset, sa një gogël, rruzulli i Tokës.
Dallëndyshet e mia më dorëzojnë dhe kthehen andej nga erdhën.
Kam folur një jetë me fjalët e mendjes. Sa kam dashur të flas me fjalët e gojës dhe t’ju them: “Mos harroni, o njerëz! Gjumin e fundit e kemi të gjithë ndaras, dikush më herët, dikush më vonë. Por zgjimin e përjetshëm e kemi të gjithë përbashkët, as dikush më herët, as dikush më vonë.”
Fragmenti është shkëputur nga romani në process botimi “njeri me hënë:, I Skënder Buçpapajt, botim i Onufrit.