Kohët e fundit qarkulloi nga Shtëpia Botuese “Literatus” e Selanikut përmbledhja antologjike dhe biobliografike “Proza tregimtare greke” (530 faqe, format i madh) përgatitur nga Stavri J. Dajo në të cilën përmblidhen 78 tregimtarë bashkëkohorë grekë me 92 tregime; marrin pjesë 38 përkthyes; 34 janë përkthime tregimesh të reja, botuar për herë të parë dhe 27 të ribotuara dhe të rivështruara: 20 tregime të përkthyera janë vjelë nga botime të ndryshme antologjike ose jo, dhe 40 nga periodiku shqiptar përgjatë kohërave, që nga viti 1923 deri në ditët tona; 16 nga shtypi i paraluftës dhe 24 nga periodiku i pasluftës, kryesisht nga revista “Nëntori” dhe gazeta “Drita”, organe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1945-1991), me shqipërime të mjeshtreve të mëdhenj të përkthimit si Dhimitër Falo, Sterjo Spasse, Petro Marko, Spiro Çomora, Spiro Xhai, Vasil Koçi, Aleks Çaçit, Llambro Ruci etj., ndaj libri u blatohet pikërisht përkthyesve të letërsisë bashkëkohore greke në shqip gjatë qindvjeçarit të fundit.
Në përmbledhje janë evidentuar 388 zëra bibliografikë që lidhen vetëm me autorët ose përthyesit që janë përmbledhur në vëllimin e pranishëm.
Ky vëllim antologjik është fryt i një pune shumëvjeçare kërkimore, shkencore dhe bibliografike dhe mundi përkthimor i një grupi pune në drejtimin e Stavri Dajos. Për hartimin e antologjisë janë kontrolluar 122 tituj periodikë të paraluftës dhe 38 të pasluftës, janë konsultuar të gjitha botimet bibliografikë të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (1912-2004).
Interesi i hershëm dhe diakronik lexuesit shqiptar për qytetërimin grek, nuk mund të shpjegohet vetëm me fqinjësinë gjeografike të dy vendeve, por dhe me të vërtetat e gjithmonshme që mbart kultura greke, me cilësinë e lartë estetike dhe stilistike të saj si dhe me sinkretizmin shpirtëror të dy popujve të moçëm të Ballkanit, që bashkëjetojnë për tre mijëvjeçarë.
Përkthimi i letërsisë së mirëfilltë greke fillon me themeluesin e gjuhës letrare kombëtare shqipe Naim Frashërin, i cili shqipëroi pjesë nga rapsoditë e Homerit.
Një emër i veçantë në kolanën e përkthyesve të letërsisë greke zë Dhimitër Falo, i cili pa ekzagjerim, mund të kualifikohet përkrah përkthyesve të ndritur bashkëkohës të tij: Sotir Cacit, Dhimitër Paskos, Fan Nolit, Vedat Kokonës etj. Vepra e tij si diturak dhe përkthyes nuk është studiuar ende nga historiografia shqiptare.
Në vitet ’30 letërsia greke zinte, bashkë me shkrimtarin e shquar bullgari Elin Pelin, kryet e vendit në përkthimet e periodikut shqiptar.
Pas vitit 1945, Greqia dhe Shqipëria u takonin dy kampeve të ndryshme politike, ideologjike dhe ushtarake, Greqia-perëndimit, Shqipëria-lindjes. Kësisoj, edhe pse Shqipërinë dhe Greqinë i ndante një vijë ndarëse kufitare, shpesh njohja e letërsive kombëtare e të dy vendeve bëhej me ndërmjetësimin e Moskës dhe të Parisit: Menalaos Lountemis erdhi në Shqipëri me përkthimin nga rusishtja të Spiro Mitrushit, po kështu Mitsos Alexandropoulos, përkthyer nga Mina Qirici, ndërsa librat e Ismail Kadaresë u botuan në Greqi të përkthyera nga frëngjishtja, pasi ishin botuar më parë në Francë. Në këtë periudhë për shkak të kufizimeve ideologjike letërsia e re greke nuk u përfaqësua me vlerat e saj të vërteta.
Rënia e sistemit komunist në Shqipëri dhe emigrimi masiv si shqiptareve në Greqi solli si një ndër pasojat njohjen më të mirë të qytetërimit grek, dhe, paralelisht, një plejadë nxënësish dhe studentësh shqiptarë mbaruan shkolla të larta greke dhe u bënë bartës të rinj të vlerave shpirtërore të të dyja kulturave.
Po afirmohet një brez i ri shqipëruesish, nga dy rezervuarë: nga minoriteti grek në Shqipëri, dhe nga intelektualë shqiptarë të emigruar në Greqi.
Në krye të listës së veprave të përkthyera qëndron Nikos Kazantzakis, me 25 regjistrime, 34 Kostas Varnalis, 24 regjistrime, Antonis Samarakis, 19 regjistrime etj.
Antologjia e pranishme përmbledh prozë tregimtare të afirmuar dhe të vlerësuar nga studimet akademike greke dhe të pëlqyer nga lexuesi; gjithaq, janë zgjedhur dhe ato tregime që janë bërë pronë shpirtërore edhe e lexuesit shqiptar nga botimet e periodikut përgjatë viteve. Për këtë arsye, përveç shqipërimeve të reja veprash të njohura të kohës, autori ka zgjedhur dhe botimet më të spikatura të së kaluarës në shtypin shqiptar. Më anë tjetër, tregime të këtij karakteri si të Christos Christovasilis-it, ‘Vllamërija’, Th. D. Moschonas-it, ‘Besa e shqiptarit’ dhe Kostas Krystallis ‘Tabloja’ nxjerrin në pah vlerat më të mira morale të të dy popujve.
Përkthimet janë bërë posaçërisht nga origjinali dhe jo nga gjuhë të dyta, me përjashtim përkthimet e dy emrave të nderuar të përkthimtarisë, Enver Fico dhe Mina Qirici, përkthimet e të cilëve dëshmojnë një nivel të lartë cilësor.
Vlen të përmendet se në të janë përmbledhur përkthime nga gurra leksikore e të dyja kryedialekteve, toskë edhe gegë, siç ishin botuar në krye të herës në periodikun e kohës, ku vihet re bukuria e përnjëmend e të dyjave dhe, sidomos, begatia leksikore dhe figurative e gegërishtes, e cila është paragjykuar në ndonjë rast. Kësisoj, ky botim antologjik mund të shërbejë edhe si laborator për përkthyesit e rinj të letërsisë, pasi akumulon një përvojë gati shekullore në përkthimin e letërsisë artistike greke.
Proza e re greke, thesar i vyer shpirtëror i popullit grek, është afirmuar dhe njohur me të drejtë dhe jashtë kufijve të Greqisë, çka e dëshmojnë studimet helenistike kudo në botë, në të njëjtën kohë, përmes shqipërimeve u bë dhe vlerë dhe kënaqësi estetike edhe për lexuesin shqiptar. Kjo prozë e formateve të mëdha në të gjitha strukturat e saj është bartëse e mesazheve mbarënjerëzore, e predikimeve me vlerë të përhershme, me pasuri e begati stilistike, mjetesh dhe figurash artistike, karakteresh të papërsëritshme dhe teknikash të artit letrar nga më të arrirat në botë. Për këtë arsye kjo letërsi pëlqehet në të gjithë rruzullin dhe ka vlerë universale. Si të tillë edhe lexuesi shqiptar gjithmonë e ka pritur me interes të veçantë.
Pas përkthimit të suksesshëm të romanit të mirënjohur “Zorba” të Nikos Kazantzakis-it Stavri Dajo na sjell jo vetëm faqe të panjohura nga ajka e prozës së shkurtër tregimtare greke, por edhe përkthime po aq të arrira dhe cilësore.
Më 5 prill 2024 në mjediset e qendrës “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë do të bëhet prezantimi i librit.