Naum Prifti: LEPURI VJEDHACAK, TREGIM

Lepuri e kish ndërtuar shtëpinë nën një gëmushë, afër një pylli me pisha. Tok me lepurin e madh rrinin edhe katër lepurushë të vegjël. Edhe ata veshët i kishin të mëdhenj, sytë të rrumbullakët dhe këmbët e pasme të gjata. Ngaqë këmbët e para i kishin shumë të shkurtra, kur ecnin, dukeshin sikur kërcenin. Për këtë shkak, kafshët e tjera thoshin se lepurushët ishin aq të gëzuar, sa gjithë ditën e ditës s’bënin gjë tjetër veçse kërcenin.
Sa ishte verë, ata e kalonin kohën për bukuri. Kur i merrte uria, shkonin në pyll për të kullotur dhe atje me dhëmbët e tyre të mprehtë, brenin lëkurën e njomë të pemëve. Pastaj lodronin mbi bar, gërmonin tokën me këmbët e para dhe luanin kukafshehti, ose vraponin mbi lëndinë. Për dimrin që po vinte, as që kujdeseshin fare të ruanin ndonjë ushqim.
– Mos kini merak, – u thoshte lepuri i madh. – Në dimër ne do vemi te ai kopshti afër fshatit dhe do hamë sa të ngopemi.
Një ditë filloi të binte dëborë.
-Çfarë është kjo gjë e bardhë? – pyeti një nga lepurushët e vegjël.
-Kjo është dëbora, – tha lepuri i madh.
Ata dolën dhe filluan të hidheshin mbi dëborë.
-Mua më pëlqen shumë kjo dëbora, – tha njeri prej tyre, – se tani mund të luajmë sa të duam dhe s’na vritet kurrizi nëpër gurë si më përpara.
Një lepurush tjetër futi turirin në shtresën e bardhë dhe filloi ta hante, sepse iu duk si sheqer. Mirëpo sa e fuste dëborën në gojë, ajo shkrinte dhe veç kësaj nuk kishte asnjë shije.
– S’paska asnjë shije, – tha një lepurush duke turfulluar.
Në darkë ata u nisën nga shtëpia dhe fshehurazi iu afruan fshatit. Lepuri i madh u tha të vegjëlve:
-Unë do hyj në kopsht, kurse ju më prisni këtu.
Lepuri i madh gjeti një vrimë në gardh, u fut brenda në kopsht dhe filloi të brente lëkurën e njomë të pemëve që sapo ishin mbjellë.
Më shumë nga të gjitha lëkurat e tjera i pëlqeu lëkura e mollëve të reja dhe e dardhave. Pastaj vajti atje ku ishin lakrat, mori një lakër dhe ua shpuri lepurushëve që prisnin prapa gardhit.
Lepurushët e provuan lakrën dhe mbetën të kënaqur. Shijen e kishte të mirë dhe atyre u pëlqente se kërciste në gojë.
-Tani të ikim, – u tha lepuri. – Nesër në mbrëmje do të vijmë përsëri se në kopsht ka plot lakra të njoma.
Mirpo të nesërmen, kur rojëtari, xhaxhi Tasi, vuri re lëkurën e rrjepur të mollëve dhe çfarë ishte bërë në kopsht, menjëherë e kuptoi se kush ishte fajtori për dëmin. Xhaxhi Tasi mori qenin e madh Balo, e shpuri në kopsht dhe i tha:
-Ti, Balo, do të rrish sonte këtu dhe do të ruash kopshtin, se natën e kaluar ka ardhur një hajdut dhe na ka prishur filizat e pemëve. Përveç këtyre na ka vjedhur edhe një lakër.
Balua u fsheh në kasollen prej kashte, mbylli sytë dhe bënte gjoja sikur flinte. Po në të vërtetë përgjonte se kush do vinte natën në kopsht.
Kur gjatë natës, gardhi kërciti, dhe lepuri, ashtu si natën e kaluar, lepuri filloi të brente lëkurën e njomë të pemëve.
-Ah, kush na qenka! – tha Balua, dhe lehu me forcë.
Lepuri, me ta dëgjuar, ngriti veshët përpjetë dhe pastaj ua mbathi këmbëve me sa fuqi që kishte. Lepuri ik e qeni ndiq. Lepuri ik më shumë, qeni ndiq edhe më shumë, gjersa më në fund qeni iu afrua dhe tak! – ia kapi bishtin. Mirëpo lepuri kishte marrë kaq shumë vrull, sa gjysmën e bishtit e la në gojë të qenit dhe iku me vrap në kasollen e tij.
-A na solle lakër? – e pyetën lepurushët.
-Ç’lakër, – tha lepuri, – unë për pak lashë edhe kokën.
Ai u tregoi bishtin e këputur.
Prej atëherë lepurat e kanë bishtin të shkurtër dhe çdo qen, sapo shikon një lepur, fillon ta ndjekë sepse ende nuk i ka dalë inati për vjedhjen e lakrës.