Poezi nga Viktor Hygo, Pol Elyar, Pier Paolo Pazolini, Çarls Bukovski. Përktheu : Ylli Ymeri

Poezi nga Viktor Hygo, Pol Elyar, Pier Paolo Pazolini, Çarls Bukovski.
Përktheu : Ylli Ymeri

1.Viktor Hygo (1802 – 1885)

NESËR NË AGIM

Nesër në agim, kur fusha të zbardhet,
do të nisem
Shiko, e di që më pret.
Do të endem përmes pyjeve,
do të bredh nëpër male,
nuk mund të rri gjatë larg teje
Do të eci me sytë e fiksuar
tek mendimet e mia,
pa parë asgjë jashtë, pa ndjerë asnjë zhurmë,
vetëm, i panjohur, kurrizi i përkulur,
duart e kryqëzuara,
i trishtuar,
dhe dita për mua do të jetë si nata.
Nuk do të shoh as arin e mbrëmjes që perëndon,
As velat që në largësi,
zbresin drejt Harflorit,
e kur të arrij, mbi varrin tënd do të vë
një buketë lulesh të gjelbra
dhe shumëngjyrëshe në lulëzim.

( Poezia i kushtohet të bijës Leopoldine, e mbytur aksidentalisht në moshën 19 vjeçare )

2. Pol Elyar (1895 – 1952 )

NE TË DY

Ne të dy,
të kapur për dore,
kudo që jemi
besojmë të jemi në shtëpinë tonë.
Nën pemën e ëmbël,
nën qiellin e nxirë,
nën çdo çati në intimitet
në rrugën e zbrazur e plot diell,
në vështrimet e turmës,
mes të marrëve e të urtëve,
mes fëmijve e të rriturve.
Dashuria nuk ka sekrete,
ne vetë jemi dëshmi për këtë,
Besojnë të jenë në shtëpinë tonë
të gjithë të dashuruarit

DY E NGA DY

Nuk e arrijmë qëllimin
Një e nga një.
Në se njihemi dy e nga dy,
ne do të njihemi të gjithë,
dhe fëmijët një ditë
do të qeshin
me legjendën e zezë
ku një njeri qan
në vetmi .

3. Pier Paolo Pazolini ( 1922 – 1975 )

ULËRIMA

Është e pamundur të gjesh,
Ç’lloj ulërime është kjo e imja,
është e vërtetë që është e tmerrshme,
aq sa të më përçudnojë të gjitha tiparet,
duke i bërë të ngjashme me gojën
e një shtaze,
por, në një lloj mënyre,
është edhe ngazëlluese,
aq sa të më kthejë në një fëmi.
Është një britmë
e bërë për të kërkuar vëmendjen e dikujt,
ose ndihmën e atij,
por edhe, ndoshta, për ta mallkuar.
Është një ulërimë
që në këtë vend të zbrazur
don të bëjë të ditur që unë ekzistoj ,
ose, që jo vetëm jam, por edhe që di.
Është një britmë në të cilën,
në thellësi të ankthit,
ndihet ndonjë theks
i një shprese të kotë,
ose ulërima e një sigurie
tërësisht të pakuptimtë, brenda së cilës,
i qartë kumbon dëshpërimi.
Sidoqoftë, një gjë është e qartë:
çdo gjë që të jetë,
çdo gjë që kjo ulërima ime
don të shprehë,
ajo është e destinuar të zgjasë
përtej çdo fundi të mundshëm.

4. Çarls Bukovski ( 1920 – 1994 )
Poet e shkrimtar amerikan. Ka shkruar romane, qindra tregime e mijra poezi, të përfshira në
gjashtëdhjetë libra.

NUK KAM RRESHTUR SË MENDUARI

Nuk kam rreshtur së menduari,
do të doja shumë të ta thoja.
Do doja të të shkruaj
që do të më pëlqente t’u ktheje,
që më mungon,
e të mendoj.
Por nuk të kërkoj,
nuk të shkruaj as lamtumirë.
Nuk e di si je?
e më mundon ta di.
Ke projekte ?
Ke buzëqeshur sot?
Çfarë ke ëndërruar?
Del ? Ku shkon?
A ke ngrënë?
Do të më pëlqente ta dilja, e të të kërkoja,
por nuk kam forcë, dhe as ti nuk ke.
E atëherë le të rrimë e të presim më kot,
e të mendojmë njëri tjetrin.
Dhe më kujto,
kujtohu që të mendoj.
Ti nuk do ta dish kurrë
por të jetoj çdo ditë,
dhe shkruaj për ty.
Por kujtohu se të kërkosh e të mendosh
janë dy gjëra të ndryshme.
Dhe unë të mendoj,
por nuk të kërkoj.

DUHET TË IKIM…

Në një çast çfarëdo
Duhet të dish të ikësh.
Unë jam nga ata tipa
Që gjithmonë duan
Të qëndrojnë deri në fund,
derisa festa nuk ka mbaruar,
derisa nuk thuhet qartë:
‘’është koha të ikësh’’.
Në të kundërt, duhet të mësosh,
të zhdukesh në një moment,
sepse shpesh, njerëzve
u pëlqen ta ndjejnë
mungesën e dikujt ,
më shumë se prezencën e tij:
Ndodh kështu: thonë se do të donin
që dikush të mos ikte kurrë,
pastaj e gjejnë, e takojnë…
dhe e dini për kë mendojnë ?
Për atë që mungon !