Flet për Nacional poetesha azerbajxhanase TARANA TURAN RAHIMLI, fituese e 50 çmimeve prestigjioze ndërkombëtare

Flet për Nacional poetesha azerbajxhanase TARANA TURAN RAHIMLI, fituese e 50 çmimeve prestigjioze ndërkombëtare

TARANA TURAN RAHIMLI: TOKA E KARABAKUT MË DHA FRYMËZIMIN DHE DASHURINË PËR BOTËN DHE NJERËZIMIN

A. Kosta: Përshëndetje Tarana. Kënaqësi t’ju kemi në gazetën prestigjioze Nacional. Ju lutem a mund t’u tregoni lexuesve diçka për jetën tuaj… ku keni lindur dhe ku jeni rritur?

– Përshëndetje, e dashur Angela! Faleminderit shumë për mundësinë që më krijuat të intervistohem në Gazetën Nacional! Me dashuri dhe respekt nga Azerbajxhani, përshëndes me shumë mirënjohje Drejtorin e kësaj gazete mjaft e lexuar në vendet ballkanike, poetin me famë nderkombëtare dhe studiuesin e letërsisë dr. Mujo Buçpapaj, ashtu sikurse të gjithë stafin pa lënë mënjanë lexuesit. Do t’ju tregoj shkurtimisht diçka për jetën time e cila është e lidhur tërësisht me letërsinë. Me këtë dua të them që letërsia dhe familja ime i japin kuptim të plotë jetës sime.
Unë kam lindur në Baku, në kryeqytetin e Azerbajxhanit. Ky qytet shumë i lashtë, është një qendër kulturore e cila kombinon me sukses kulturën lindore dhe atë perëndimore. Vitet e fëmijërisë i kalova si në Baku, ashtu edhe në tokën e Karabakut, në atdheun e gjyshes sime, në qytetin e Bardës i cili ishte një nga qendrat kryesore tregtare të vendit tim gjatë shekujve të kaluar, ashtu sikurse edhe kryeqyteti i lashtë i Azerbajxhanit. Kam kaluar një pjesë të viteve të shkollës në Baku, kurse pjesën tjetër në Barda. Që nga rinia e hershme e deri më sot, jeta dhe aktivitetet e mia janë kryesisht të lidhura me kryeqytetin e vendit tim. Unë jetoj me bashkshortin, nënën dhe dy vajzat pikërisht në qytetin e vendlindjes time ndërsa aktualisht vajzat e mia jetojnë në Turqi pasi atje po mbarojnë studimet universitare.

A. Kosta: Sa libra keni shkruar?

– Deri tani kam publikuar 9 libra ndërsa 4 të tjerë janë gati për botim:

1) Ndjekësi i Denjë i Brezit të Madh
(Monografi rreth akademikut Kemal Talibzadeh) Shtëpia Botuese ADPU, (Baku, 2002)

2) Pëshpëritja e Pikëllimit (Poezi), Shtëpia botuese ADPU, (Baku, 2007)

3) Problemet Krijuese të Letërsisë dhe Kritikës Letrare, Shtëpia botuese “Evropa”, (Baku, 2009)

4) Do Të më Njohin nga Dashuria ime (Poezi), Shtëpia Botuese KIBATEK, (Izmir – Turqi, 2013)

5) Poezinë që Nuk ta Shkrova (Poezi), Shtëpia Botuese SAHİL KİTAP (Ankara – Turqi, 2013)

6) Nga Letërsia në Përjetësi, Shtëpia Botuese YSEQ, (Baku, 2015)

7) Proza dhe Kritika Azerbajxhanase, Shtëpia botuese “Shkenca dhe Arsimi”, (Baku, 2017)

8) Retë Vjollcë (Përkthime të poezive botërore), Shtëpia Botuese ADPU, (Baku, 2018)

9) Dashurova Madje edhe Gurin (Poezi), Shtëpia Botuese Cuscino di Stelle, (Itali, 2023)

Gati për botim kam dy libra me poezi, një libër me proza, dy vepra shkencore, një përmbledhje artikujsh dhe një monografi. Së shpejti këto libra do të jenë në duart e lexuesve.

A. Kosta: Cila është panorama juaj letrare dhe gazetareske?

– Unë kam studiuar në universitetin më të madh në vendin tim, i cili ka një histori mjaft të pasur. Ky universitet, vepron që nga viti 1921 dhe është Universiteti Shtetëror Pedagogjik i Azerbajxhanit, i cili ka edukuar poetët, shkrimtarët dhe shkencëtarët më të mëdhenj të vendit tim. Unë jam diplomuar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Pedagogjik Shtetëror të Azerbajxhanit. Dëshiroj të përmend se kur isha ende studente, emri im u shfaq në shtypin kombëtar me shkrimet dhe poezitë e mia gazetareske dhe kur isha akoma studente në vitin e parë, mora një ofertë për të punuar në disa gazeta. Ata botuan pa redaktim qoftë një fjali të vetme të artikujve që i paraqita gazetave dhe revistave ndaj ky aspekt më inkurajoi shumë. Ndërsa kur studioja në vitin e dytë, punoja si reportere në gazetën “Ganj muellim”. Kur isha në vitin e 4-t të universitetit, u pranova si anëtare e Unionit të Gazetarëve të Azerbajxhanit. Duke marrë parasysh aktivitetin tim produktiv gazetaresk dhe numrin e artikujve të mi, ata më bënë anëtare të kësaj shoqate pa mbaruar ende studimet. Më vonë, punova si sekretare përgjegjëse dhe redaktore në gazetës “Ganc muellim”. Përveç kësaj, kam punuar në fushën e gazetarisë si kryeredaktore e gazetës “Azerbajxhan Mubarizlari” dhe sekretare përgjegjëse e gazetës “Zaman”. Karriera ime akademike në fushën e letërsisë ishte e lidhur edhe me universitetin ku unë studiova. Në vitin 2004, mora titullin Doktor i Filozofisë në Filologji dhe Doktor i Filologjisë Shkencore (2021), gjithashtu mora diplomën akademike dhe titullin shkencor si Pedagoge. Prej 33 vitesh u jap mësim studentëve në Universitetin Pedagogjik Shtetëror të Azerbajxhanit. Gjatë këtyre viteve, përveç karrierës akademike, kam punuar edhe në fushën e gazetarisë.

A. Kosta: Ju jeni përkthyese e mbi 200 poetëve botërorë. Çfarë mendoni për poetët në përgjithësi dhe për shkrimin me cilësi të lartë në veçanti?

– Mendoj se të jesh poet nuk është zgjedhje e askujt, të jesh poet është fat. Poezia është një shkrim i shkruar dhe një talent i dhuruar nga Zoti, ndërsa poeti është një person i përzgjedhur nga vetë Ai. Prandaj nuk i kuptoj ata që aspirojnë artificialisht artin, ata që e konsiderojnë veten poetë edhe pse nuk kanë talent.
Po është e vërtetë. Unë kam përkthyer veprat e më shumë se 200 autorëve. Midis tyre janë veprat e prozës, por shumica e tyre janë poezi. Kjo ka qenë për shkak të pjesëmarrjes sime në projekte të shumta përkthimi. Ndonjëherë përktheja edhe krijimet e miqve të mi poetë. Por në të dyja rastet, iu afrova kësaj pune me përgjegjësi serioze. Sepse përkthimi i poezisë është një punë shumë e përgjegjshme. Natyrisht, niveli i çdo vepre dhe mjeshtëria e talentit i çdo poeti zbulohet si kur lexon poezinë, ashtu edhe gjatë proçesit të përkthimit. Përkthimet cilësore më lumturojnë gjithmonë, pasi mësojmë gjithmonë diçka të re nga një vepër e shkruar me shumë talent. Kur e përkthejmë një vepër të tillë në gjuhën tonë amtare, ndikojmë edhe në zhvillimin e shijes letrare të vetë popullit tonë.

A. Kosta: Ju keni botuar një libër edhe në itali. çfarë mendoni për letërsinë evropiane? I keni lexuar vargjet e klasikëve dhe nobelistëve italianë?

– Italia është një botë tërësisht brenda një bote për mua. Shpirtëzimi italian, një vend mjaft i bukur i cili është sintezë e lashtësisë dhe e modernitetit, me fytyra të qeshura e zemra bujare… Dëshiroj ta vizitoj shpesh Italinë, pasi nuk arrij dot të shijoj bukuritë përrallore të këtij vendi brenda një kohe të shkurtër. Komunikimi me miqtë e mi italian, më risjell emocione të bukura dhe sublime.
Në Itali, përmbledhja e poezive të mia “U Dashurova Madje edhe Gurin”, u botua në vitin 2023 nga Shtëpia Botuese “Cuscino di Stelle”, dhe u përkthye nga poetja e njohur dhe shoqja ime e dashur Claudia Piccinno, së cilës i jam shumë mirënjohëse për punën e saj të vyer në realizimin e këtij libri. Poetët dhe kritikët e njohur italianë e vlerësuan dhe e pritën mjaft mirë librin tim dhe po përmend këtu: Sergio Camelini, Renzo Montagnoli, Domenico Pisana. Ata shkruan artikuj për librin tim dhe i botuan në revista prestigjioze të ndryshme ndërkombëtare.
Letërsia evropiane është shumë e njohur për mua. Meqë për shumë vite mësova lëndën e letërsisë botërore, si dhe letërsinë evropiane dhe atë të vendeve perëndimore në universitet, më dukej sikur letërsia përthithej në gjithë shpirtin dhe qenien time. Letërsia evropiane ka pasur një ndikim të rëndësishëm në letërsinë e të gjithë popujve të botës. Ajo hapi rrugën për zhvillimin e letërsisë tjetër me prirjet e saj kryesore të zhvillimit dhe drejtimit. Letërsia italiane është një degë shumë e rëndësishme e letërsisë evropiane e cila po përparon vazhdimisht. Kam njohuri nga afër me fazat e zhvillimit të letërsisë italiane, duke filluar nga Dante e deri tek letërsia e sotme.
Duke marrë parasysh se jam autore e shumë programeve të kursit dhe artikujve për universitetet mbi letërsinë evropiane, kjo për mua është krejt e natyrshme. Ka shumë vepra të letërsisë italiane që i dua. Romani “Princi” i Nicola Machiavellit është një lavdi e pamohueshme e letërsisë italiane. Më pëlqen shumë laureatja e çmimit Nobel, Grazia Deledda, “Hiri”, “Nëna”, “Sekreti i një njeriu të vetmuar”, “Vula e dashurisë” e shumë libra të tjerë. Ajo është një shkrimtare që kontribuoi në letërsinë botërore me rreth tridhjetë romane. Ndoshta, asnjë shkrimtar nuk do të jetë kurrë në gjendje të lavdërojë dhe përshkruajë Sardenjën, njerëzit e saj me zemër të ngrohtë apo natyrën e bukur dhe misterioze si Grazia Deledda. Më pëlqejnë shumë veprat e shkrimtarit, fitues i çmimit Nobel Luigi Pirandello “Henri 15” dhe romani “I ndjeri Mattias Pascal” të cilat janë dhe do të mbeten të paharrueshme për mua.
Sot poezitë e poetëve modernë, botohen shpesh në faqet e mediave online letrare ndërkombëtare dhe kjo e bën letërsinë italiane të njihet në mbarë botën. Në Azerbajxhan, kam përkthyer krijimet e poeteve Claudia Piccinno, Maria Miraglia, Lidia Chiarelli dhe Emmanuela Rizzo.

A. Kosta: Cili është mesazhi kryesor që i trasmetoni lexuesve me vargjet tuaja?

– Edhe pse temat e poezive të mia janë të ndryshme, mesazhi që i drejtohem njerëzimit është gjithmonë i njëjti. Në vargjet e mia u bëj jehonë njerëzve të mbrojmë botën ku jetojmë, për të vlerësuar atë që na ka dhuruar Zoti. Shpresoj të shoh sa më shpejt marrëdhënie vëllazërore midis popujve të botës, të lirë nga diskriminimi kombëtar, fetar dhe racial. I ftoj të gjithë bashkë në unitetin, paqen dhe miqësinë e vërtetë. Sepse nëse një person zbulon bukurinë brenda vetvetes, ai do të lartësohet në përsosmërinë shpirtërore dhe do ta zbukurojë së tepërmi botën tonë me pozitivitetin e tij.

A. Kosta: Ju jeni studiuese e letërsisë së kulturave të ndryshme. çfarë mendoni për këtë botë shumë – etnike në të cilën, falë teknologjisë, sot ndajmë dhe mbështesim gjithçka?

– Studimi i letërsisë së kombeve të ndryshme si studiuese më ka mësuar se çdo kulturë në botë ka vendin e vet unik dhe të vlefshëm. Njohja e përfaqësuesve të secilës letërsi nuk është vetëm interesante, por edhe shumë e domosdoshme. Prandaj, është e nevojshme që dallimet dhe veçantitë kombëtare të pasqyrohen plotësisht në letërsinë e çdo kombi. Të njohësh kultura të ndryshme do të thotë të mësosh dhe të zhvillosh aftësi të reja. Një person që studion është vazhdimisht në evulim. Epoka e teknologjisë na ka krijuar shumë mundësi në këtë drejtim. Rrjetet sociale luajnë një rol të rëndësishëm në hyrjen e çdo autori në mjedisin letrar ndërkombëtar. Komunikimi letrar po zhvillohet më shpejt tani dhe kjo sigurisht falë teknologjisë.

A. Kosta: Ju fituat një çmim të rëndësishëm në kosovë. a keni dëgjuar edhe për shqipërinë? Do të dëshironit ta vizitonit?

– Po, unë jam vlerësuar me shumë çmime nga Kosova. Çmimi Ndërkombëtar “Iva Bogdani”, i prezantuar nga profesor Jeton Kelmendi, shkencëtar dhe poet i shquar, është një nga çmimet e mia prestigjioze. E dua shumë Kosovën dhe Shqipërinë. Edhe pse nuk kam qenë kurrë në këtë vend, shumë dashamirës më kanë dhënë një përshtypje të lartë për popullin shqiptar. Shevket Balla, i cili përfaqësoi Shqipërinë në festivalet letrare KIBATEK në Turqi, kur e takova për herë të parë, më bëri mjaft përshtypje kultura e tij e gjerë, talenti i madh dhe intelekti i tij i spikatur. Miku im i madh poeti dhe gazetari Agron Shele, më bëri ta dua popullin shqiptar me veprat dhe personalitetin e tij. Jam njohur me të në vitin 2016 në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Itali. Gjatë viteve tona të shumta të miqësisë, gjithmonë e kam njohur si njeri të ndershëm, me shpirt human dhe dashamiras ndaj të gjithëve, intelektual i cili e nderon popullin e tij dhe e bën kombin shqiptar të dashurohet nga e gjithë bota. Më pas, kam njohur poetë dhe studiues të tjerë shqiptarë, të cilët konfirmuan edhe një herë çiltërsinë dhe mirësinë shqiptare. Jeton Kelmendi, Marjeta Shatro Prapaj, Delo Isufi, ju Angela Kosta dhe miq të tjerë shqiptarë poet e shkrimtarë të cilët formuat tek unë respekt, dashuri dhe simpati të pakufishme e të veçantë për popullin shqiptar. Shpresoj që një ditë ta vizitoj vendin tuaj të bukur për t’u njohur nga afër me kostumet, traditat, muzikën, artin dhe specialitetet e gatimeve tuaja.

A. Kosta: Cili është zhanri juaj i preferuar në krijimtari?

– Preferoj poezine. Në poezitë e mia nuk ka ndonjë subjekt të veçantë kompozimi, pasi ato janë të shumta. Duke filluar nga nëna ime, bashkëshorti, fëmijët, të afërmit, miqtë e mi, etjer janë heronjtë dhe idhujt e preferuar të poezive të mia.

A. Kosta: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?

– Projektet e mia të ardhshme janë të shoh sa më shpejt nëpër librari veprat e mia të cilat janë gati për botim, të fitoj pozicione akoma më prestigjoze në karrierën time akademike, të zgjeroj hapësirën e kërkimeve dhe studimeve të mia e gjithashtu të botoj e promovoj veprat e shkrimtarëve bashkëkohorë botërorë në Azerbajxhan.

A. Kosta: Ju falenderoj për intervistën mbresëlënëse duke ju uruar suksese në realizimin e projekteve tuaja.

Dr. Tarana Turan Rahimli ka lindur në një familje me vlera të pasura kulturore më 20 shkurt 1970 në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit. Ajo është poete, shkrimtare, gazetare, përkthyese, kritike letrare, mësuese, akademike dhe anëtare aktive në Agjencinë Ndërkombëtare të Letërsisë në: Turqi, Azerbajxhan, Filipine, Kazakistan, Itali, Oman, Belgjikë, SHBA. Tarana është Doktore e Shkencave Filologjike, profesore, autore e 9 librave dhe e më shumë se 500 artikujve. Ajo është Kryeredaktore dhe redaktore e 25 monografëve dhe librave me poezi. Poezitë dhe veprat e saj të prozës janë përkthyer në 35 gjuhë dhe janë botuar në më shumë se 45 vende perëndimore dhe lindore. Poezitë e saj janë botuar në: Azerbajxhan, Angli, Itali, Spanjë, Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Belgjikë, Bullgari, Bosnje – Hercegovinë, Kili, Kinë, Turqi, Rusi, Rumani, Indi, Portugali, Arabi Saudite, Egjipt, Ukrainë, Kazakistan, Serbi, Uzbekistan,
Kirgizistan, Maqedoni, Meksikë, Greqi, Marok, Kosovë, Japoni, Venezuelë dhe në vende të tjera të ndryshme. Përveç kësaj, artikujt dhe poezitë e saj janë botuar në shumë faqe uebi ndërkombëtare në të gjithë botën, në revista periodike dhe antologji. Poetë të shquar dhe kritikë letrarë nga 15 vende kanë shkruar artikuj rreth poezisë së saj dhe disa nga këto intervista janë botuar në 27 vende. Tarana është nderuar me 50 çmime ndërkombëtare dhe me më shumë se 300 çertifikata nderi.
Dy nga librat e saj janë botuar në turqisht, një në italisht dhe gjashtë në Azerbajxhan. Midis viteve 1977 dhe 1987 ajo studioi në Shkollën e Mesme Nr. 48 në Baku dhe në Shkollën e Mesme Nr. 1 në qytetin e Bardës. Në vitin 1990 vazhdoi studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Pedagogjik Shtetëror të Azerbajxhanit, në të cilin u diplomua në vitin 1995. Gjatë viteve të studimit (1991-1994) punoi në gazetën “Ganj Muallim” – ASPU. Pas diplomimit, punoi si sekretare përgjegjëse e kësaj gazete (1994-2000), e më pas u emërua Kryeredaktore (2000-2007) e së njëjtës gazetë. Ndërkohë, gjatë viteve 1996-1997 ajo ishte sekretare përgjegjëse në gazetën “Zaman – Koha”. Në vitin 1999 punoi si Kryeredaktore e gazetës “Luftëtarët e Azerbajxhanit”. Gjatë viteve 2007-2008 u emërua Kryeredaktore e gazetës “Tahsil problemleri – Probleme arsimore”. Tarana ka punuar në Universitetin Pedagogjik Shtetëror të Azerbajxhanit për 33 vjet dhe ka pasur një rrugëtim shkencore karriere nga asistente laboratorike si profesore partnere. Në vitin 2004 ajo mbrojti Kandidaturën e Shkencës me temën “Veprimtaria krijuese e Kamal Talibzade”, ku mori titullin e Kandidates së Filologjisë. Në vitin 2021 mbrojti tezën për të marrë titullin shkencor “Doktore e Shkencave Filologjike”. Tarana kryen kërkime në fushat e letërsisë azerbajxhanase, letërsisë turke, letërsisë Bati Trakya, letërsisë ruse, letërsisë japoneze, të letërsisë së vendeve perëndimore, të kritikës letrare azerbajxhanase. Për shumë vite, ajo ka dhënë leksione mbi historinë e studimeve letrare azerbajxhanase, marrëdhëniet letrare, letërsinë e vendeve perëndimore, letërsinë e popujve sllavë lindorë, letërsinë japoneze, letërsinë moderne azerbajxhanase, letërsinë e popujve turq në Azerbajxhan në Universitetin Pedagogjik Shtetëror të Bakusë.
Që nga viti 1992 Tarana është anëtare e Unionit të Shkrimtarëve azerbajxhanas, (mbi poezinë), që nga viti 1998 është anëtare e Këshillit Përbërës të Shkrimtarëve të Rinj Turq të Botës, që nga viti 1999 është anëtare e Unionit të Shkrimtarëve azerbajxhanas, që nga viti 2007 është anëtare e Organizatës së mirënjohur të Nderuar të Letërsisë në Turqi. Tarana është anëtare e stafit të revistës akademike “Historia dhe mendimi” e Organizatës Turke për Studime Botërore.

Tarana është Themeluese e Unionit Letrar: “Qar Chicheyi” (Primula) dhe “Addimlar” (Hapat) (ASPU), si dhe anëtare e Unionit të Shkrimtarëve të Rinj Turq të Botës. Ajo ka qenë aktive në përpilimin dhe botimin e antologjive poetike me titull “Qar Chicheyi”, “Addimlar” dhe “Zëri i turkut”.
Tarana punon në poezi, prozë, kritikë letrare, gazetari dhe përkthim. Punimet e saj shkencore janë botuar në: Turqi, Rusi, Ukrainë, Kirgizistan, Kazakistan, Uzbekistan, Itali, Iran, Kili, Rusi, Angli, Qipro, Rumani dhe vende të tjera. Tarana ka marrë pjesë në shumë simpoziume ndërkombëtare, konferenca dhe veprimtari letrare.
Tarana ka përkthyer poezitë e rreth 200 poetëve botërorë nga turqishtja, rusishtja dhe anglishtja në gjuhën azerishte. Në vitin 2024, ajo përktheu poezitë e poetes italiane Claudia Piccinno në gjuhën azerishte dhe e botoi këtë libër me titullin “Sessiz Haray” në Azerbajxhan.

ÇMIMET:

– “Libri shkencor i vitit” IX Baku Çmimi Kulturor i Ditës Kombëtare të Librit të Azerbajxhanit (2009)

– “Çmimi për shërbimin ndaj botës turke” në Takimin Ndërkombëtar të Bakusë të Bashkimit Botëror të Shkrimtarëve të Rinj Turq (2013)

– Çmimi Ndërkombëtar “Akif Samad” (2014)

– Çmimi i Unionit të Artistëve Aktivistë të Turqisë (2016)

– Çmimi Ndërkombëtar Rasul Reza i Bashkimit të Shkrimtarëve të Azerbajxhanit (2016)

– Çmimi i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë i Qendrës Kulturore Pablo Neruda në Itali (2016)

– Çmimi letrar “Ponte d’oro internazionale” i Universitetit Aldo Moro të Barit (2016)

– Çmimi Ndërkombëtar Mikayil Mushfig në Azerbajxhan (2016)

– “Çmimi i Shërbimit të Nderuar” i Shoqatës Kulturore Kirkuk (2016)

– Fituese e Konkursit Ndërkombëtar të poezisë “Veliero” në Terra Melissa, Kalabri, Itali (2017)

– “Çmimi Botëror i Letërsisë – 2018” i Bashkimit të Shkrimtarëve të Kombeve Botërore në Kazakistan;
– Çmimi “Pena e Artë” i Unionit të Shkrimtarëve kirgizë (2019)

– Diplomë si fituese e konkursit ndërkombëtar të poezisë “Ossi de Seppia” në Itali (2020)

– Fituese e Çmimit të Akademisë Gujarat Sahitya në Indi (2020)

– Medalje “Unioni Turan” e Unionit të Shkrimtarëve të Azisë Qendrore “Yangi Ovoz” në Kirgizistan (2020)

– Çmimi Ndërkombëtar “Iva Bogdani” në Kosovë (2021)

– Çmimi Ndërkombëtar Letrar i Vëllazërisë Botërore të Poezisë në Teksas (2021)

– Çmimi Ndërkombëtar me rastin e jubileut të Gazi Nazrul Islam nga Sahitya Pata në Bangladesh (2022)

– Çmimi Ndërkombëtar i Poezisë “Cuore d’oro” i Akademisë Botërore në Rumani (2022)

– Çmimi i Forumit Kulturor Ndërkombëtar të Humanizmit dhe Krijimtarisë në Siri (2023)

– Çmimi i Shoqatës së Shkrimtarëve Spanjollë të Botës në Meksikë “Excellence in Art” (2023)

– Vendi i parë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë “Ossi di Seppia” në komunën e Taggias në Itali (2024), etj…

ISHA AQ E QETË SAQË ME NJË GUR U TAKOVA

Çfarë vendi ishte ky?

Kush më dërgoi këtu?

Gjigantët rrugën vështruan

Më detyruan njëqind milje të udhëtoja.

Ata nuk dëgjuan atë çka dëgjova

Ata nuk vuajtën sa duhet

Ata nuk lanë hapësirë tek unë

Më thuaj, ku u fsheha?

Ma morën pranverën si dimër

Ata ishin të hutuar nga ajo që bëra.

Ata e dinin që isha e qetë

Ndaj kundër murit më shtynë.

NËSE KE SHKRUAR NJË LETËR

Ti ke shkruar një letër

Pa aromë, pa frymë.

Në çdo rresht

Asnjë tingull të zemrës tënde

Ti ke shkruar një letër,

Ishte me gjakftohtësi

E ngrohtë, por pa thënë asnjë fjalë

Si e dërgove?

Ti shkruajte një letër,

Pa ndjenja, pa emocione

Mendja ime e trazuar ishte

Pa gjumë ndenja.

Shkruajte një letër,

Ashtu si shkopi i të verbërve

Tokën zhgarravit

Sikurse gdhendësi shkroi

Në gurin e varrit të tij …

Intervistoi Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, kritike letrare, redaktore, promovuese