Shën Pjetri ishte një nga festat më të bukura të pushimeve verore gjatë fëmijerisë sime. Të rritur e pleq, prindër e fëmijë shkonim bashkë të pastronim kishën e vogël në kodrën përmbi Rehovë, fshati i vendlindjes së babait tim, Naum Priftit.
Në mëngjesin e 29 qershorit pas rënies së këmbanës, banorët e Rehovës ngjiteshin përpjetë deri tek kisha e Shën Pjetrit për të dëgjuar meshën dhe për të ndezur qirinjtë që shoqëronin një lutje a kërkesë të zemrës së tyre. Aty aroma e qirinjve përzihej me erën e barit dhe pemëve të gjelbëruara. Ndonëse tradita u prish në vitet 1970, në kujtesën e rehovarëve u ruajt sikur të mos ishte shuar kurrë.
Këtë verë kisha fatin të jem në festën e Shën Pjetrit pas më shumë se 50 vitesh. U mrekullova. Nuk e kisha imagjinuar se do të ishin kaq shumë njerëz që vinin nga çdo anë brenda dhe jashtë atdheut. Nga përfaqësuesit zyrtarë, ishte i pranishêm Kryetari i Bashkise z. Erion Isai.
Pas përfundimit të meshës, orkestra e prenotuar nga Bashkia luajti këngë të njohura popullore të zonës. Kënga dhe vallja mblodhi në sheshin anash kishës edhe grupe të tjera që ishin qeflinj të valleve kolonjare.
Qilimat e velënxat e shtruara nën hijet e pemeve, mbulesat e bardha, pjatat me ushqime e gotat me pije e plotësonin tablonë e festës që kisha në kujtesën time. Disa të tjerë kishin sjellë me vete tavolina e karrike dhe shijonin ushqimet e tyre njësoj si në ambiente natyrore në një restorant luksoz.
Meqë festa në Shën Pjetër është në fund të qershorit dhe shkollarët janë me pushime, aty kishte aq shumë fëmijë sa ishte e lehtë që nga zërat e bisedat e tyre të kishe ndjesinë e ringjalljes.
Natyrisht ata kanë ardhur për verim por ditë të tilla në Shën Pjetër rrëzë Gramozit mund t’i sjellin këtu një ditë. A nuk u kthyen stërgjyshërit e gjyshërit tanë nga kurbeti duke lënë qytetet e famshme të botës ku kishin jetuar e punuar për vite me radhë?
Festa më ngjalli kujtimet e shkuara të fëmijerisë sime si edhe një shpresë për vazhdimësinë e jetës në Rehovën e dashur.