Vinicio Salvatore Di Crescenzo lindi në Fondi të Italisë, një qytet i lashtë në provincën e Latinës në një territor pjellor natyror dhe peizazh tipik mesdhetar. Në tokën e origjinës, e përfshirë në parkun natyror rajonal të maleve Aurunci, malet Ausoni dhe liqeni i Fondit dhe që gjithashtu shfaqet edhe në detin Tirren, Vinicio jetoi deri në moshën 10 – vjeçare, ndaj fëmijëria dhe një pjesë e adoleshencës së tij janë ndikuar fuqishëm nga prania e një natyre të pasur dhe prezente pothuajse në të gjitha shprehitë e saj, ende e pakontaminuar dhe e pasur me një florë të veçantë që në këtë pjesë të Italisë e identifikon në mënyrë të pakundërshtueshme. Që nga fëmijëria e tij, stili i jetesës dhe zakonet e familjeve rurale të fillimit të viteve gjashtëdhjetë kanë pasur gjithashtu një ndikim të madh në shkrimin e tij, i cili atribuohet në zakonet dhe traditat e Ciociarias së Lazios së Poshtme. Të gjitha këto elemente, gëzojnë në vargjet e tij pozita të privilegjit absolut dhe janë të lidhura fort me kujtimet e hershme të ekzistencës së tij. I apasionuar pas poezisë, ai ka ndjekur kurse për thurjen e poezisë bashkëkohore, të shkrimit krijues të niveleve të ndryshme dhe narrativës, duke ndjekur gjithashtu laboratorin e rrëfimit të Paola Gaglianones. Vinicio u diplomua në Letërsinë Moderne me tezën e titulluar: “Hermeticizmi dhe e ardhmja në poezinë e G. Ungaretti dhe F.T. Marinetti”, në të cilën ai ofroi një krahasim letrar që ka të bëjë me modelet e ndryshme stilistike dhe poetike të shprehura nga dy autorët e njohur fillimit të shekullit të XX-të. Vinicio është gjithashtu piktor arti, bloger dhe kritik arti. Ai është Drejtor Shkencor i serisë poetike “Aonia” në Shtëpinë Botuese PAV Edizioni, si dhe Drejtor Artistik dhe prezantues televiziv në Shoqatën Kulturore “Canale Cultura Multimedia Art projects”. Vinicio është gjithashtu redaktor në portalin “Il puntonews.net” në seksionin Art dhe Kulturë dhe prej disa vitesh boton faqen zyrtare të tij: “viniciosalvatoredicrescenzo.com”, si dhe blogun viniciosdicrescenzo.blogspot.com, kushtuar ekskluzivisht përhapjes së artit dhe kulturës, nëpërmjet publikimit të artikujve informues lidhur me botën e librave, të spetakleve dhe artit, me një sy të kujdesshëm mbi poetët e mëdhenj të së kaluarës dhe të kohës sonë.
Përsa i përket fushës artistike, Vinicio ndoqi për disa vite kurse në muzikë për studimin e pianos dhe instrumenteve të tjera muzikore (nën drejtimin e Maestro Ermenegildo Palermini, anëtar i Korit Kombëtar të Akademisë së Santa Cecilias në Romë) si dhe kurse në pikturë, duke ndjekur mbi të gjitha punishtet artizanale të piktorëve të artit për studimin e teknikave të ndryshme ekzistuese të pikturës dhe themeleve kryesore të qenësishme në disiplinën e lashtë. Për të plotësuar një aftësi më të mirë interpretuese – përshkruese ai mori edhe kompetencën në “Kritikën editoriale të artit” nga Euroformacioni. Piktor, muzikant por mbi të gjitha shkrimtar dhe poet, në vitin 2012 botoi përmbledhjen e tij të parë me titull “Poesie dal mio Diario – Poezi nga Ditari im”, botuar nga Shtëpia Botuese “Arduino Sacco Editore”, vëllim në të cilin ai përmblodhi pothuajse tridhjetë vjet poezi, nga të parat të cilat i shkroi që në adoleshencë. Një vit më vonë, Vinicio botoi përmbledhjen tjetër: ” Il coraggio dei pensieri, la timidezza della poesia – Guximi i mendimeve, ndrojtja e poezisë” nga e njëjta shtëpi botuese. Në këtë libër ai përdori aforizma, dhe mendime, duke i kombinuar ato me poezinë, duke krijuar kështu një lloj pyetjeje dhe përgjigjeje midis ekspozimit të drejtpërdrejtë të mendimit dhe pasqyrimit delikat të poezisë. Në vitin 2015, në serinë ARTeMUSE të David dhe Matthaus Edicioni, u botua “Segreti Svelati – Sekrete të Zbuluara”, ku veçantia kryesore përfaqësohet nga përdorimi rigoroz i personit të parë dhe për këtë arsye i sekreteve të tij shumë personale për t’i treguar përmes vargjeve. “Assoli” është koleksioni i katërt që “Le Mezzelane Edizioni” vë në treg në vitin 2016, i cili është një himn i vërtetë për natyrën dhe nënkuptohet mbi të gjitha si një orkestër e madhe ku poeti, me lirikat e tij, krijon notat muzikore të tij nëpërmjet zërit të vargjeve. Libri “Vernice Damar” arrin në vitin 2019 edituar nga Ensemble Edizioni, koleksion poezish në të cilat referenca metaforike ndaj artit të pikturës është e qartë, e cila nuk ekziston për të kujtuar pikërisht në vetvete bojën, ngjyrën damar, si një kornizë me vlera të letërsisë në përgjithësi. Në vitin 2020 u botua “Triticum” nga Shtëpia Botuese Pav Edizioni, një seri krijimesh në një udhëtim paralel me fazat e kultivimit të grurit. Ky libër u pasua nga “Vimini Freschi” botuar nga e njëjta Shtëpi Botuese në vitin 2022, në të cilin personazhi kryesor është: një burrë i moshuar që në fund të kohës krijon kosha me hardhi, dhe ndërsa e bën këtë, e përmbyll të gjithë jetën e tij duke e rrëfyer çdo fazë përmes poezisë. Në vitin 2022 vazhdon botimi i librit: “Di luoghi e di Sensi – Të Vendeve dhe Shqisave”, në të cilin fotografitë, strehimet dhe pasionet janë pjesët e eksploruara nga vetë poezia. Gjithashtu, në vitin 2022, Vinicio boton librin: “Contrasti Urbani Storie in Chiaroscuro”, përmbledhje me tetë tregime të ambientuara në Itali, komplotet e të cilave janë drejtuar mbi të gjitha karshi kronikave të lidhura me ndjenjën, duke mos lënë pas dore në rrëfim e sipër, praninë e një mjedisi shpesh të atribuar në zhanrin thriller. Së fundi, përsëri me Shtëpinë Botuese PAV Edizioni, botohet libri “La via alla foce”, një rrugëtim paralel midis lumit dhe jetës së njeriut.
Siç mund të shihet nga përshkrimet e shkurtra të librave të tij, shumë nga poezitë e përfshira në këto përmbledhje i kushtohen natyrës, por të shumta janë edhe ato introspektive, ku kërkimi në pavetëdije për ndjesitë që lidhen me ndjenja të ndryshme njerëzore, përzihet me vetëdijen e një shqyrtimi objektiv të qenies së tij, duke lëshuar kështu një analizë të vërtetë përshkruese të gjendjes shpirtërore mjaft të pranishme nëpërmjet shkrimit. Vinicio është përfshirë në antologji të shumta me: poezi dhe tregime. Ai është gjithashtu autor i parathënieve të librave në romane dhe tregime, të autorëve të ndryshëm.
– INTERVISTA –
A. Kosta: Përshëndetje Vinicio. Mirë se vini në Gazeta Nacional në vendin e shqiponjave. Lexuesit do të dëshironin t’ju njihnin më nga afër. Na tregoni diçka për veten tuaj…
– Para së gjithash, faleminderit që më ftuat në këtë bisedë të këndshme e cila, edhe pse vetëm e shkruar, ka gjithmonë një karakter social të dobishëm dhe të nevojshëm, sidomos nëse tema është arti dhe shkrimi. Ç’ mund të them? Është e vështirë të flasësh për vetveten. Le të themi se e konsideroj veten një kërkues emocionesh. Aty ku ka mundësi të ekspozoj ndjeshmërinë time ndaj mrekullisë, unë ekzistoj. Jo vetëm drejt botës sonë, e cila me natyrën e saj ndonjëherë mahnitëse arrin të kapërthejë shpirtin tim duke e shtrënguar në një vorbull ndjesish të forta, por edhe ndaj natyrës sime njerëzore, aq të pasur në ndjenja se shpesh përmblidhet përpara zjarrmisë së intimitetit, pre e një dimensioni ëndërrimtar dhe një shkëputjeje momentale të këndshme nga realiteti.
A. Kosta: Ju jeni muzikant, shkrimtar dhe piktor. Cila nga këto dhunti ju frymëzon më shumë?
– Si çdo person i dedikuar për kërkimin e bukurisë, nuk mund të mungoja, qoftë edhe në rastin tim me përvoja të ndryshme në disiplina të ndryshme artistike. Unë fillova me muzikën, duke iu afruar studimit të firzamonikës, e më pas vazhdova me instrumentet elektrike, pianon, kitarën klasike dhe në fund basin elektrik, një instrument të cilin e studioj ende edhe sot. Piktura gjithashtu nuk mund të mungonte, pasi nevoja për të komunikuar përdor çdo kanal të dobishëm për ta bërë më së miri këtë. Piktura është e menjëhershme dhe e drejtpërdrejtë. Një mesazh që realizohet jo vetëm nëpërmjet një imazhi të paraqitur por edhe nëpërmjet nuancave të përdorura. Një tërësi kjo, e cila mbledh në mënyrë sintetike një ide, një projekt dhe një realizim që ofrohet në tërësi dhe që shpreh thellësisht frymëzimin dhe gjenialitetin e autorit të saj. Leonardo Da Vinçi pohoi: “Piktura është një poezi e heshtur dhe poezia është një pikturë e verbër”, è pra, nëse piktura më ka dhënë dhe më jep një kënaqësi të madhe, fjala është mjeti që di më së miri t’i “veshë” mendimet e mia. Prandaj më pëlqen shumë shkrimi dhe poezia në veçanti.
A. Kosta: A keni kompozuar ndonjë këngë e/ose poezi si tekst?
– Një përvojë që padyshim më mungon, por vetëm në nivelin publik. Në udhëtimin tim për eksperimentim doja ta provoja edhe këtë përvojë dhe me një rezultat të kënaqshëm do të shtoja. Sigurisht, nëse një grup muzikor do të më jepte një detyrë të tillë, do t’i ofroja gjithçka. Megjithatë, është një ëndërr e imja të cilën herët a vonë do ta realizoj.
A. Kosta: Ç’mund të na thoni për pikturat tuaja? Cili stil i karakterizon ato?
– Përgjithësisht përpiqem të përshkruaj imazhe të cilat ofrojnë një sërë konceptesh të përziera mirë së bashku, gjithashtu, kjo edhe nëpërmjet përdorimit të trajtave kromatike në ndikim e sipër. Pavarësisht nëse janë tone të ftohta apo të ngrohta, kanë të përbashkët kapërthimin e vetëdijes në konfront me objektin; një vetëdije i rolit kryesor që investon në ta me një rëndësi specifike. Përsa i përket realizimit të pikturave, më pëlqen të përdor si furçat po ashtu edhe vajërat apo bojëra uji. Me pak fjalë, nuk mund ta tradhtoj instinktin tim si eksperimentues.
A. Kosta: Cila është tema kryesore apo e përgjithshme në krijimtarinë tuaj?
– Tema kryesore është sigurisht e identifikuar në çdo gjë që zotëron një forcë të depërtuar emocionalisht. Siç e thashë edhe më parë, natyra është një burim i pashtershëm elementesh të përshtatshme për t’u rrëfyer nëpërmjet artit, por ndjenja njerëzore është gjithashtu një motor i çuditshëm që lëviz dhe stimulon reflektimin dhe vëzhgimin, duke arritur të nxjerrë nga ndërgjegjja rezultate të pallogaritura në nivelin e mendimit i cili, ndonjëherë, është edhe I mistershëm në terrene shumë më komplekse se filozofia.
A. Kosta: Ju keni botuar disa libra… Cili është libri që ka pasur më shumë përkushtim dhe kohë nga ju?
– Unë kam libra të shkruar në një kohë të shkurtër por me forcë dhe thellësi të pabesueshme, ashtu sikurse të tjerë të shkruar me angazhim dhe përkushtim më të madh por më pak efektiv. Pyetja është se sa e fuqishme mund të jetë tema dhe për sa kohë përllogaritet momenti apo periudha në të cilën po jetojmë.
Përgjigja ime është: tepër e ndërlikuar! Shkruajmë kur kemi diçka për të thënë: nuk ka rëndësi se çfarë pasi e rëndësishme është se si e themi dhe si fillon; krijimi nis nga një përvojë që mbart një fuqi depërtuese të mahnitshme. Sidoqoftë, “La via alla foce” (PAV Edizioni), i botuar vetëm pak javë më parë, i ka të gjitha kredencialet për t’u konsideruar si përmbledhje e “pjekurisë” pasi janë bërë shumë kërkime dhe studime të fjalës në mënyrë që libri të paraqitet përpara publikut në formën dhe përmbajtjen më të mirë të mundshme.
A. Kosta: Na rrëfeni diçka më shumë për këtë libër. Përmbledhja me poezi: “Vernice Damar” ka një titull tepër të veçantë…
– “Vernice Damar” është një përmbledhje poezish në të cilin e përfshij midis vepave që I kam në zemër. Jo vetëm sepse shpreh një krahasim metaforik midis pikturës (të cilën e dua) dhe shkrimit (të cilin e adhuroj), duke theksuar se si poezia mund të jetë ndriçuese për prozën e po ashtu edhe boja damar është për çdo pikturë, kjo, edhe për shkak të faktit se parathënien e veprës e ka shkruar gazetari në RAI Gianni Maritati, të cilin e respektoj shumë, si nga ana profesionale ashtu edhe si njeri.
A. Kosta: Ju jeni Drejtor i Shtëpisë Botuese PAV Edizioni? Çfarë mendoni për autorët e sotëm? A e ndani “kapërcimin” e tyre të shkrimit modern?
– Po. Unë jam Drejtor Shkencor i serisë “Aonia” kushtuar poezisë e tashmë kam pasur rastin të lexoj disa dorëshkrime që mbërrijnë në shtëpinë botuese me kërkesë për botim. Ajo që më bën shumë të kënaqur është që vërej se mosha mesatare të atyre që propozojnë tekste poetike, shpesh janë nën 30 – 35 vjeç. Kjo është një garanci se poezia gëzon shëndet të shkëlqyer, jo vetëm në atë gamë të njohur (nga 45 – 50 vjeç e lart), por ajo sfidon me kokëfortësi modën, kohën dhe zakonet e periudhës sonë, pse jo vetë shoqërinë tonë me karakter dhe këmbëngulje. Poezia bashkëkohore është sigurisht më pak komplekse dhe e artikuluar se ajo e kohëve të fundit, e cila shënoi lindjen e rrymave të ndryshme të mendimit (dhe po flas për fillimin e shekullit të njëzetë), ndoshta, edhe më të hapur ndaj trajtimit të çështjeve të rëndësishme sociale të kohës sonë (dhuna ndaj grave, emigrimi etj.) dhe mjerë ne po të mos ishte kështu. E megjithatë, ajo që ka rëndësi sot, është se asgjë nuk ka humbur për sa i përket krijimtarisë dhe imagjinatës, por është e qartë se forma dhe përmbajtja janë shumë të ndryshme dhe përkojnë me kontekstin historik të jetuar. Pra një sy ndaj traditës, por pa humbur kurrë nga sytë botën tonë aktuale për të qëndruar brenda saj dhe për të qenë në gjendje ta tregojmë atë në një mënyrë të kuptueshme dhe reliste për të gjithë ne.
A. Kosta: Keni lexuar autorë shqiptarë? Dalloni ndonjë ndryshim në krijimtarinë e tyre?
– Poezia pasqyron historinë. Ky koncept ka qenë rreth nesh që nga kohët e lashta. Është e qartë se poezia që krijohet në kontekste të caktuara ka përmbajtje shumë të ndryshme nga të tjerat.
Emëruesi i përbashkët është ndjenja dhe kreativiteti, por këto shpesh ndikohen nga ajo që ndodh përreth autorit. Pata kënaqësinë të lexoja poezitë e autorit MUJË BUÇPAPAJ, poet dhe gazetar mjaft I njohur në Shqipëri dhe në vende të tjera e së shpejti edhe në Itali, i cili, nëpërmjet poezive të tij, përshkruan me mjeshtëri, përmes një ekspozite të rafinuar dhe të larmishme, një vend të shkatërruar nga lufta, me tmerret, vdekjet dhe mizoritë e pafundme. Poezitë e Buçpapaj mbesin gjatë në mendje tek lexuesit sepse janë pasqyrimi i ekzistencës me të gjitha aspektet e hidhura, të ëmbla, pa ngurrim shprehie
A. Kosta: Shqipëria është “dy hapa” nga Italia… Do të dëshironit të kishit shkëmbime kulturore si në art po ashtu edhe në shkrim… Gjithashtu dëshironi ta vizitoni atë?
– Si një “kërkues emocionesh” i zellshëm, sigurisht që dëshiroj të vij në Shqipëri jo vetëm si turist por edhe si kritik arti apo si letrar. Unë besoj se një shkëmbim kulturor midis dy vendeve tona mund ta pasurojë shumë artin në një kuptim të përgjithshëm apo përvojë personale të gjithkujt. Idetë, interpretimi dhe konfrontimi janë mundësi të mëdha që duhen realizuar patjetër.
A. Kosta: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
– Unë jam gjithmonë në lëvizje. Përveç që tashmë kam një numër të shumtë krijimesh për t’i përfunduar në muajt e ardhshëm, më pëlqen shumë të përhap kulturën dhe artin, dhe e bëj këtë nëpërmjet blogut tim personal:
https://viniciosdicrescenzo.blogspot.com
dhe përmes faqes në ueb:
https://www.canaleculturamediaplay.com/
ashtu sikurse edhe si redaktor në revista të ndryshme kushtuar artit dhe kulturës. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për mua është mundësia që bukuria e vërtetë e jetës, pra arti në të gjitha format e tij, të jetë gjithmonë një burim frymëzimi për të përmirësuar jetën tonë dhe se kjo, e them me bindje këtë, mund të jetë dhe të përbëjë një pengesë të përshtatshme dhe rezistente ndaj shëmtirës nga e cila shoqëria jonë shpesh demonstron të infektohet.
A. Kosta: Faleminderit për intervistën dhe kohën tuaj të cmuar. Ju uroj suksese në vazhdimësi.
– Faleminderit juve dhe Drejtorit të Gazetës Nacional Dr Mujë Buçpapaj. Përshëndes me dashamirësi të gjithë shqiptarët kudo…
FLLADI DHE GJETHJA
Në mes gjethesh me tërbim merr frymë,
Dhe me tingullin që kthjelltësia kompozon
Serenatë i këndon gjethes së dëshiruar.
Lëvizje të kapërthyera nga pasioni i provokon
Vështron atë kërcimi sensual
Teksa epshi mashkullor tek ai ringjallet.
Dashurohet në vjeshtë dhe furtunat
Kryqëzime të zjarrta me dashuri
Nga çdo shtyrje e përshpejtuar ngadhënjohen.
E lodhur është nga komplimentet tashmë gjethja
Dhe vetëm në orën e vdekjes
I jep veten flladit që i lumtur
me pasion e rrëmben
Ai fllad që mbërthen ëndrrën e një vere
Por që për pak do të gëzohet
për martesën e tij të shumëdëshiruar.
NË ËNDRRA
Më erdhe sërish të freskoje gjumin tim
Fytyrë e lashtë pa vite
Që kohës së mbaruar i bëhesh sfond.
Me litarin fatit tim lidhur
Lehtësove boshllëkun që më mbërthen.
Në ecje çdo endacak vuan dhe në shplodhje,
Vagët shfaqet ndriçimi i diellit.
Dhe që agimit pothuajse më nuk desha
Nëse hapat e tua janë pendë që mbështeten mbi qerpikë.
Natë, që yjesh të shpërndarë, dhuratën tënde bëji
Këtyre vendeve të pikëlluara vagabonde,
Ku filtron çdo rrënjë që e varrosur
Shpreson të kthehet kurorat t’i gjelbërojë.
VERË E HIDHUR
Ti, që shmangesh nga mungesa jote
Në ditën që zbehtë kthehet shkrimi
Je ndjenjë e pjekur që mishëron
Shpirtin e shkëputur nga materiali i krijuar.
Çarçafë të shkitur nga bora e ngricës
Dhe rradhë rrugësh të humbura jemi.
Budallallëqe fjalësh mbi diskutime të shpifura
Të zhytura në verën tonë të hidhur
Shtrydhur nga rrushi i thatë
I venitur nga koha.
Intervistoi dhe përktheu Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike në dygjuhësh MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese