KUR NATA VJEN. Poezi nga Jeta K Dula, Gjakovë

 

 

KUR NATA VJEN

 

Mungesën tande po e ndjej

kur nata vjen

e ti pranë meje ma nuk je,

më mungon si hana qiellit

natën kur ka re.

 

Më mungon kur bie shi

e tingujt e tij i dëgjoj pa ty,

në vend të zanit tand

shtrihem vet,

mendoj për ty.

 

E ndjej mungesën tande

kur nata vjen,

kur e vetme jam pa puthjet tua,

më mungon se si m’shikoje

 

si më thoje UNË TË DUA.

 

Erë fryn, fluturojnë gjethet

tek ti shtegtojnë

kalojnë dhe detet,

mbyten si unë nga malli për ty.

 

M’ka marrë malli ty me t’pasë

me ti puthë ata dy sy,

kur nata vjen du të t’kem afër

lumtunia jeme je veç ti.

 

 

 

MUNGESË

 

Sa m’paska mungu me shkru

nën tingujt e shiut t’verës,

nën rrezet e thyme t’diellit

të mbytun nën re.

 

M’paska mungu me shkru

tu i dëgju zogjt e malit,

kangt e tyne t’bukra

natyrës tu ja këndu.

 

M’ka pasë humb frymzimi

si orientimi i gjetheve prej erës,

si buzqeshja jeme,

se ti je tu m’mungu.

 

Më mungon si hana natës

qiellin najherë kur e braktisë,

e yjet zhduken nuk shndrrisin

rrijnë n’zjarrin e vetmisë,

digjen me na pa bashkë.

 

 

 

 

TINGUJT E NATËS SË SONTME

 

Tingujt e jetës teme

janë ata tinguj sot,

tingujt e njëjtë si natën e kalume.

 

Tingujt e këpucëve që kërcasin

rrugëve të laguna me shi,

tingujt e vetmisë

së qiellit pa hanë.

 

Ftyra jeme sonte, e lagun

zemra jeme dridhet

nga mungesa e përqafimit tand.

 

I mungon shikimit tim

shikimi yt plot dritë,

më mungon buzqeshja jote

kur flokt nga ftyra mi largoje.

 

Je ti, tingull i jetës teme

si melodi e bukur

që mes resh fluturon,

qiellit bukuri i shton.

 

Me tingujt e natës së sontme

në vetmi po ngushllohem,

në vetmi do t’jem

ty tu t’pritë te unë me ardhë,

se me vetmi nuk mund t’pajtohem.

 

 

 

 

 

DRITA JEME

 

Lëre t’flasë vet’ çdo detal,

bota tash ka ndryshu kuptimin e saj.

 

Çka unë ndjej tani

asht era e trëndafilave

t’mbjellun n’shpirtin tim,

kundërmues si dashnia që ti ma jep mu,

sa herë unë të puth ty me buzqeshjen teme.

 

Unë të zgjedh ty

të bahesh drita jeme,

hana që shndrit në qiell

tu m’përqafu mu sikur retë njana tjetrën

duke vallzu, duke qarë e duke qeshë,

e lumtun e n’dashni.

 

 

 

STRUKUN

 

Strukun n’errsirë tani

E pamundun me u kthy tek ti,

M’ka kaplu mërzi e madhe

S’mund të rri un ma pa ty.

 

Edhe qielli qan me mu

Mbushun dhimbje, jam shkatrru,

Derë vetmie nuk më hapet

Mbyllun brenda kam përfundu.

 

Akrepat e orës kanë ndalë

Ka ndalë edhe koha për mu,

Akull m’asht ba dhe zemra jeme

Pa t’pasë afër me m’përqafu.

 

Në qiellin e natës sot

Nji ylli për ty do ti flas,

Do t’puth hanën në vendin tand

Në ulërimë do t’pëlcas.

 

E shtrirë, ngrirë

Ty do të t’pres,

Nëse s’vjen e më le vetëm

E di se vetëm do të vdes.

 

 

 

 

KALOJA RRUGËS, HIJE

 

Kaloja rrugës, hije

Puhi mendimesh më prekte ngadalë,

Flisja me veten

E çmendun isha?

Çfarë po mendoja un ashtu vallë?

 

Kaloja rrugës, hije

Përpija kujtimet e mia me mall,

Hapeshin plagë

Putheshin lotë

Në zemren teme ke lane nji barrë.

 

Kaloja rrugës, hije

Përplasesha mes muresh gjithandej,

Bora po binte

Acar po ngrinte

Qiellin dhe mu pa asnji ndjenjë.

 

Se ndjenjat pa shpirt mi more ti

Lule e vyshkun kam mbetë pa ty,

Frymoja un me frymën tande

Frymën e fundit ma more ti.

 

 

 

 

 

 

SHUHEM

 

Të ftohta rrugët

Acari më përpiu sot,

Shtyhesha, shfryhesha

Sytë i kisha t’mbushun me lotë.

 

M’kapluan mendimet

M’kaploi malli për ty,

Tash që afër nuk të kam

Emrin tand un’ si ta fshij?

 

Melankoli e mall

Kjo vetmi po m’ha të gjallë,

Si asht thy kjo zemra jeme

Mbaroi historia jonë përrallë.

 

As hana dritë ma s’po ban

Fikem dhe un’ si nji qiri,

Më duket se as frymë nuk marr

Shuhem kur bashkë s’jemi të dy.

 

 

 

 

 

GJYSMË

 

Gjysmëhanë

ghimbje m’sillje, më shkatrroje

gjysmëhije,

edhe buzqeshjen ma përgjysmoje.

 

Zemër e thyme,

edhe dashninë e keqkuptoje

ma more shpirtin, dhembshuninë

jetës kuptimin dot s’ia mësoje.

 

Gjysmënjeri,

përgjysmove ndjenjën time

venite puthjet, ledhatimet

humbe ditët me agime.

 

Gjysmë ishte edhe dashnia jote

rrugët sodis tash tu mendu,

mendoj, kërkoj, e mallkoj veten

si munda me t’lanë ty me m’lëndu.

 

 

SI PIKË LOTI

 

Rrugë mbushun me borë,

Bardh si shpirti yt

Ndritun atje lart,

Diell fshehun nën re.

 

Rrugë mbushun me borë,

E duart e mia t’ftohta akull

Me t’prek ty kërkojnë.

 

E ftohtë do t’jetë dhe nata sot,

Si mëngjesi i nesërm, acar

Bardh, bosh, e zbrazët pa ty jam.

 

Eja, si nji fluskë

Mbi synin tim qëndro,

Si pikë loti të ndjej

N’faqen teme duke u shkri.

 

 

 

E DEHUN JAM

 

E dehun jam, e vyshkun

Fletë e ndrydhun përmbi dhe,

Varrë hapun, shkelun, gjujtun

Herë këndej e herë andej.

 

E thyme, e dërmume

Vetëm në ktë botë jam,

Marrëzisht e dashurume

Askë afër ma se kam.

 

E dehun jam, e dehun isha

Edhe sot sikur si dje,

Mbulu me hi, e përgjysmume

Shkrum e bame pa asnji ndjenjë.

 

Vrapoj pa mend, me lot në sy

Lindje, jug, perëndim, veri,

E dehun jam, e dehun isha

E shkatërrume që s’të kam ty.

 

 

 

KU JE TI?

 

Ku je ti në nji qiell me re mbuluar?

Ku je ti në nji ditë pa diell?

M’ke lanë mu shpirt vetmuar

Lodroj me erën nganjiherë.

 

Pika shiu në ditë vere

M’kujtojnë vjeshtën, nostalgji

Gjethe t’vyshkuna pushtojnë kopshtin

Vyshkem dhe unë sikur ti.

 

Lindjet e ngrohta mëngjeseve

Netët me stuhi mbuluar,

Flladi puth fytyrën time

Dielli qoftë i mallkuar!

 

Re, veç re mbi kokë kam

Këmbanat pa ndalë bien

Kapelja e zezë mbulon sytë

Lotët e mi të mos shihen.

 

Funerali i zemrës së thyer sot,

Piktura pa kornizë m’ka mbetë

Lutem për ne si dje, dhe sot

T’bahemi bashkë në tjetrën jetë.

 

 

 

 

ZHDUKU SI GHITHNJI

 

As muzika s’ma mbush zemren

sa bosh jam pa ty,

sa bosh,

n’errsirë tretun jam n’mendime

të ndjek në andrra ngado të shkosh.

 

Aty t’kam e t’përqafoj

me ty jam, me ty frymoj,

aty as dorën s’ta lëshoj

të puth fort, të shtrëngoj.

 

Asgja s’po më ngushllon tash, jo

shumë bosh jam,

sa bosh,

Eja, eja më ledhato

t’premtoj se të lë të shkosh,

edhe pse dielli mbrapsht do t’lindë

për mu, ma dritë s’do t’ketë, jo

ishe i vetmi diell për mu

lumtunia në këtë jetë.

 

T’paktën eja sonte

dhuratë puthjet tua mi sill,

aromën tande lërma mu

e pastaj zhduku si gjithnji,

veç vujtje mbill.

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here