Intervistoi: Mujë Buçpapaj
Besnik, libri juaj “Midis krimeve dhe mirazheve”, prej vitit 1992 kur njohu botimin e parë në Francë dhe deri tani është nga librat më të përkthyer dhe më të pëlqyer shqiptar në botë, pra me një sukses të fortë ndërkombëtar. Ҫfarë vendi zë ky libër në veprën tuaj njerëzore?
-B. Mustafaj: Për shumë arsye, ky libër zë një vend krejt të veçantë në veprën time njerëzore. Arsyeja e parë, që do të përmendja me këtë rast lidhet me mënyrën si lindi. Unë isha vetëm 32 vjeç kur një botues i spikatur francez Hubert Nyssen, i cili për më tepër kishte lexuar nga unë vetëm dy kapitujt e parë të romanit “Vera pa kthim”, më besoi të shkruaja një libër, ideja e të cilit në zanafillë ishte e tij. Dhe unë pranova t’i hyja një pune si kjo, pa patur paraprakisht asnjë përgatitje në mendje e as në letër si dhe pa patur në letërsinë shqipe ndonjë vepër të ngjashme, e cila do të më ndihmonte në njëfarë mënyre si përvojë. Dhe do të ishte një libër, i cili fillimisht do të botohej në një gjuhë të madhe kulture, siç është frëngjishtja. Shkurt fjala, kontrata me botuesin është bërë pa filluar ende të mendoj se si do të ishte në koncept një tekst i tillë. Pra, për ta pranuar, nevojitej nga ana ime një guxim, të cilin sigurisht nuk e dija se e kisha te vetja. Përfytyroni sa e rëndë do të kishte qenë për mua sikur të dështoja! Kjo përvojë, në kompleksitetin e saj, më ka dhënë një besim të ri e shumë të dobishëm në vete, i cili do të më shoqëronte si njeri gjatë gjithë jetës.
Ka edhe disa arsye të tjera, që i japin këtij libri një rëndësi të veçantë në veprën time jetësore, por nuk po zgjatem më tej.
-Nacional: Libri “Midis krimeve dhe mirazheve”, siç thoni edhe ju, e ka zanafillën tek një bisedë që ju patët me botuesin tuaj francez Hybert Nyssen, në vitin 1991, ku ju dhatë pëlqimin për të shkruar një libër, i cili do të përshkruante ngjarje të rrëmbyeshme të kohës që në fakt do të përcaktonin edhe drejtimin e Shqipërisë gjatë këtyre 32 viteve të fundit. Si një shkrimtar i përfshirë në zhvillimet e vendit dhe një zë me ndikim në zhvillimet tona kombëtare, si ju duket rruga që ka përshkuar Shqipëria në këto vite?
-B. Mustafaj: Është një rrugë plot me konvulsione, për një pjesë të të cilave, parë nga sot, mund të gjejmë shpjegime të arsyeshme. Por shpjegime të tilla janë tashmë e do të jenë çështje të historianëve. Për ne, si qytetarë të këtij vendi, ka rëndësi fakti se asnjë shpjegim nuk e ndryshon më dot rezultatin. Thënë përmbledhtazi, rruga që ka përshkuar Shqipëria qysh nga dhjetori 1990 po na del shumë më e gjatë e shumë më e ngadalshme, domethënë shumë më e spërdredhur nga ç’e kishin përfytyruar studentët dhe ne të tjerët që u bashkuam me ta, kur thërrisnim: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. E gjej me vend të ndalem në këtë bisedë të shkurtër posaçërisht në një pikë: te përgjegjësia që bie mbi ne, demokratët, që morëm me mbështetje shumë të gjerë popullore misionin historik për ta udhëhequr politikisht Shqipërinë në rrugën e re e të mrekullueshme të lirisë e të demokracisë. E kam menduar shumë herë dhe mbetem i bindur se në atë fillim ishim në përgjithësi idealiste dhe ëndërrimtarë. Por kishim një mangësi të madhe, cilën nuk kishin sy për ta parë e që do të ishte me pasoja të rënda për cilësinë, me të cilën do ta kryenim misionin tonë. Ne nuk u treguam të aftë për ta vlerësuar me realizëm fuqinë shkatërrimtare, që trashëgonte nga e kaluara si Parti Komuniste – opozita e asaj kohe. Thjesht nuk flisnim të njëjtën gjuhë. Ne, si demokratë, i shihnim ata si kundërshtarë të natyrshëm politikë. Ata na shihnin si armiq dhe na luftuan si armiq për jetë a vdekje, pa marrë parasysh se pasojat binin në radhë të parë mbi ëndrrën europiane të shqiptarëve.
Nga ana tjetër, shumë prej nesh, ministra, deputetë, e zbuluan shpejt shijen e ëmbël të pushtetit dhe të parasë, të lidhura bashkë këto të dyja. U shfaqën, pra, dhe erdhën duke u shtuar me një shpejtësi pandemike abuzimet me pushtetin dhe korrupsionin, të cilat doemos që do ta zbehnin frymën idealiste në administratën politike dhe publike të vendit. Disa nga konvulsionet më të dhimbshme do të ishin sipas meje pasojë pikërisht e zbehjes së këtij idealizmi.
-Nacional: Libri ka patur gjashtë botime në gjuhën shqipe dhe shumë përkthime në gjuhë të huaja. Ҫfarë vendi zë ky libër në veprën tuaj letrare?
-B.Mustafa: Fakti që libri ka gjashtë botime deri tani, te botues të ndryshëm në Tiranë dhe në Prishtinë është shumë shumë domethënës për mua si autor. Ky i fundit, i cili gjendet në librari, vjen nga Onufri është më i ploti dhe ka një veçanti. Ai shoqërohet me një parathënie nga protagonisti kryesor i ngjarjeve, Sali Berisha dhe me një pasthënie nga djali im, Dardani. Fjala e Sali Berishës, i cili njihet për kujtesën fenomenale, ka vlerë në këtë rast për të certifikuar në njëfarë mënyre vërtetësinë e ngjarjeve të përshkruara. Ndërsa ftesa, që i bëra djalit tim për ta gjykuar këtë histori 33 vjeçare, përbën një ushtrim disi frojdist, ku unë i kërkoj brezit pasardhës ta vrasin babain për ta marrë në dorë fatin e Shqipërisë.
Edhe në veprën time letrare ashtu si në veprën time jetësore, ky libër zë një vend krejt të veçantë. Unë kam qenë qysh herët si shkrimtar i interesuar për të kuptuar e për të treguar përmes imagjinatës dhe gjuhës time marrëdhënien komplekse që ka politika me Historinë dhe ndikimin e kësaj historie të manipuluar nga politika mbi fatin e individit shqiptar. Para se të filloja “Midis krimeve dhe mirazheve”, kisha shkruar tri romane, që rrihnin në këtë temë: “Vera pa kthim”, “Gjinkallat e Vapës” dhe “Një sagë e vogël”, nga të cilat vetëm i pari ishte botuar, edhe ai në një version fort të sakatosur. Pra, isha përpjekur të shprehesha përmes fiksionit dhe për më keq, në kushtet e mungesës së lirisë, domethënë, pa shpresën e natyrshme për ta parë veprën time të botuar.
“Midis krimeve dhe mirazheve” do të ishte libri i parë që do të shkruaja në liri. Do të ishte kështu doemos një provë shumë serioze për mua si shkrimtar për të treguar si e kisha kuptuar lirinë dhe sa i aftë isha për të shndërruar këtë liri politike në liri të imagjinatës, të vëzhgimit të realitetit dhe të gjuhës time si autor. Po ashtu, do të shkruaja për herë të parë një libër duke qenë paraprakisht krejt i sigurt se do të botohej, madje në frëngjisht, gjë që shënon përmbushjen njërës nga ëndrrat më të bukura të një shkrimtari.
Nga ana tjetër, teksti im do të ishte plotësisht në hullinë e qasjes time autoriale lidhur me marrëdhënien e politikës me historinë. Dhe do të ishte një sprovë letrare, pra një orvatje për ta sintetizuar në mënyrë personale përmes përsiatjeve të mia këtë marrëdhënie. Pa hyrë në dilemat, që e shoqëruan gjithë kohën procesin e shkrimit, pritja shumë entuziaste, që gjeti libri menjëherë në Francë, ku u përshëndet nga gazetat më të mëdha si “Le Monde”, “Le Figaro”, e plot të tjera, më dëshmoi mua se lirinë publike e kisha bërë edhe liri të brendshme dhe e kisha thelluar qasjen time estetike. Kështu mund të vazhdoja në këtë rrugë me bindje edhe më të qëndrueshme se kisha tashmë një strumbullar, që do t’i jepte kohezion gjithë veprës time letrare në ndërtim. Nga pikëpamja praktike, ky libër është i rëndësishëm edhe pse tërhoqi vëmendjen e botuesve në vende të ndryshme, ndaj veprës time letrare.
4. Libri “Midis krimeve dhe mirazheve” mendoj se është një tekst për lirinë e munguar, për lirinë e keqpërdorur dhe rrugët që mund të çojnë shoqëritë te liria përkundër autokracive, regjimeve hibride dhe diktaturave. Si një shkrimtar me njohje ndërkombëtare, por me njohuri të thella për botën politike, a mendoni se liria është gjithnjë e kërcënuar dhe vetë demokracia mund të dështojë nga mazhorancat jo demokratike nga abuzimi i pushtetitetj, sido që fjalimet e udhëheqësve gjithandej janë të mbushura me fjalët liri dhe demokraci?
Po, liria jonë politike është sot e kërcënuar seriozisht si asnjëherë tjetër gjatë këtyre 32 vjetëve. Madje, ajo është tashmë e cënuar në shumë fusha. Rrjedhimisht, demokracia jonë i ka dhënë vitet e fundit simptomat kanceroze të dështimit. Edhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare përfshirë ato amerikane e vlerësojnë me shqetësim Shqipërinë si demokraci hibride. Për ne që jetojmë në këtë realitet, “demokracia hibride” përkthehet si pushtet çdo ditë e më arbitrar, domethënë autokratik, që ngrihet shpesh deri edhe mbi kushtetutën, që e ka shndërruar në karikaturë “republikën tonë parlamentare”, që i përdor paratë e taksapaguesve shqiptarë si të xhepit të vet, pra, që në themel të veprimtarisë së shtetit vendos klientelizmin, korrupsionin moral dhe material të shoqërisë. Në një mjedis të tillë të korruptuar po e humb çdo herë e më tepër vlerën guri i themelit, mbi të cilin ngrihet demokracia e që është vota e lirë.
5. Ҫfarë dëshironi të shtoni tjetër?
Bisedat me ju janë gjithmonë të këndshme. Do ta vazhdojmë një herë tjetër.
Ribtoim