Skënder BUÇPAPAJ- studim: Skënder SHERIFI – Një ekzotikë shqiptare në botën frankofone, – Një ekzotikë frankofone në botën shqiptare

Skënder BUÇPAPAJ- studim: Skënder SHERIFI – Një ekzotikë shqiptare në botën frankofone, – Një ekzotikë frankofone në botën shqiptare

Skënder BUÇPAPAJ

A e ka zbuluar dot vetë Skënder Sherifi deri sot çfarë e priu atë dikur drejt sferave më të larta të botës mondane frankfone? A ia ka shtruar vetes ndonjëherë këtë pyetje dhe a është përpjekur të japë përgjigje në librin e tij “Welcome to Paris”, që e sjell për botën e gjerë shqiptare tashti? Autori i librit nuk na fton në një Paris çfarëdo, ai na fton në Parisin që ende përjetonte jehonën e revolucionit të viteve gjashtëdhjetë, një dukuri e lindur në SHBA e përhapur pothuaj në gjithë botën dhe e kulmuar në Paris, në majin dhe qershorin e vitit 1968. Në lëvizjet e mëdha masive heterogjene shoqërore të këtyre viteve (ku u përfshinë studentët, punëtorët, intelektualët dhe grupet etnike pakicë), shpesh të formuara nga motive spontane u formulua akuza e tyre të fortë e protestës kundër aparateve të pushtetit dominues dhe ideologjive të tyre. Kjo lëvizje shoqërore dhe politike vlerësohet si një moment i jashtëzakonshëm i rritjes civile që solli ndryshime të pakthyeshme në shoqëri (zhvillimi i frymës kritike në çdo fushë, kapërcimi përfundimtar i formave të ndryshme të moralizmi, autoritarizmi, margjinalizimi i grave dhe sektorëve të tjerë të shoqërisë) dhe ka brenda vetes disa revolucione të cilat nuk u ndalën e nuk u shuan atëherë dhe as më vonë si revolucioni muzikor, emancipimi rrënjësor i femrës, revolucioni seksual, revolucioni “i kundër-kulturës”, revolucioni anti sistem, ku u dalluan lëvizjet “Beat” në SHBA (të të rrahurve, të mundurve), Hippy në Europën Perëndimore (bijtë e luleve), provo në Vendet e Ulëta, që kishin simbol biçikletat e bardha dhe ishin kundër konsumizmit dhe në mbrojtje të ambientit. Skënderi, ndonëse 14 vjeç kur ndodhi 68-a e ndjen veten frut të atyre zhvillimeve. Mund të ishte tepër i ri, por ishte poet që atëherë, prandaj vihet dhe është gjithnjë nën ndikimin e atyre zhvillimeve. Për 15 vjet rresht, nga 1976 deri më 1990, ai jetoi, krijoi, aventuroi në Paris, i cili ishte njëherësh metropoli (ura e kalimit, thotë Skënderi) i të – 782 – gjitha rrymave artistike, estetike, ideologjike, filozofike perëndimore dhe botërore të kohës, ishte pikëtakim i kureshtjeve, interesimeve, prezantimeve, afirmimeve ndoshta më shumë se çdo adresë tjetër në atë kohë. Më shumë se gjithçka, mendoj unë, ishte kureshtja vetjake e “shqiptarit nga Shqipëria, malësorit nga Valbona e Tropojës”, siç e përcakton veten shqiptari tropojan Skënder Sherifi, ajo që e çoi drejt asaj bote dhe e përfshiu drejt asaj bote, një kufizë e panjohur drejt një ekuacioni të ndërlikuar. Kureshtja, më shumë se gjithçka tjetër, është ajo që e bën Parisin e asaj kohe, të revolucionit të viteve ’60, me ndikimin e pabesueshëm në të gjitha fushat e shoqërisë njerëzore të derisotme, ta pranojë në gjirin e saj Skënder Sherifin, një ekzotikë shqiptare, i vetmi nga të gjithë bashkëkombësit e tij, i vetmi nga të gjithë të mëhershmit dhe të mëvonshmit e të gjithë shqiptarëve që arrin të krijojë miqësi me njëzet nga figurat më të ndritshme, yjet që iu japin dritën e vet, shkëlqimin e vet yllësive më të ndritshme të qiejve më të lartë të atij Parisi. Skënder Sherifi e shkruan, pra, këtë libër që nuk mund ta shkruante, që nuk mund ta shkruajë ndonjëherë asnjë shqiptar tjetër. E ka mbajtur atë larg letrës së bardhë për dhjetëra vjet, jo vetëm duke i ruajtur me ngulm në kujtesë, jo vetëm duke i kultivuar ato në mendje, por edhe duke i shqyrtuar e shqyrtuar pa fund derisa ato marrin trajtën me të cilën ua sjell sot bashkëkombësve të tij. “Welcome to Paris” është kështu një libër që mund të mos shkruhej kurrë dhe kjo nuk do t’i falej atij që e ka shkruar dikur me jetën e tij, është gjithashtu një libër që nuk mund të vinte më herët dhe as më vonë se tashti te lexuesi shqiptar. Autori ka shpjegimin e tij, të shtjelluar kapitull pas kapitulli në këtë libër, pse ai arriti diçka që askush nga shqiptarët nuk mundi. Skënderi e ndjen veten kënd të katërt dhe brinjë të katërt të treshes magjike: Arthur Rimbaud, “një lloj vëllai shpirtëror, të cilin natyrisht nuk e kam njohur, por e kam admiruar dhe konsideruar si një vlerë ikonike, një model”; miku i tij këngëtar Léo Ferré, “i cili i ka tekstet e tij, minimum në të njëjtin nivel me Poetet më prestigjiozë francezë”, tekste që i këndon vetë, diçka e njëjtë si t’i këndonte vetë tekstet e veta poeti gjenial Charles Baudelaire; Jean-Luc Godard, i adhuruari i tij, Papa i “Nouvelle Vague-s” franceze, kinematografinë e tij, “GOD-ART” e quan “një kolazh poetiko surrealist”. Kujtdo shqiptari do t’i mjaftonte një autograf i vetëm nga kushdo që – 783 – përmendet në këtë libër, emra që për të nuk kanë ndonjë farë rëndësie (ai ka intervistuar 700 yjet më në modë të artit botëror të atyre viteve), por ua kushton vëmendjen vetëm 20 personazheve që përbëjnë librin që kemi në dorë, por që edhe e shënojnë në mënyrë kulmore jetën e tij. Nga të 20-tët nuk i ka takuar, por vetëm i ka përjetuar si adhurues i tyre, nobelisten aktuale franceze Annie Ernaux dhe aktoren arvanitase me famë botërore Irena Papas, që ndërroi jetë vitin e shkuar. Me të gjithë të tjerët që është takuar, ai ka krijuar miqësi të thellë e të qëndrueshme, përjashtuar poetin surrealist Louis Aragon dhe filozofin Maurice Blanchot. Vëllai shqiptar i Arthur Rimbaud nuk ka si të mos konfliktohet me Aragonin që admiron Stalinin dhe Mao Ce Dunin, që beson se Shqipëria komuniste po krijon njeriun e ri të shëndoshë socialist të barazisë kombëtare, që mendon se kundërshtarët e atij regjimi, përfshirë Shpend Sherifin, babain monarkist dhe birin e tij poet, meritojnë dënimin ekstrem. Aragoni, natyrisht, është i ndikuar nga propaganda e kohës dhe nuk di gjë se në Shqipërinë e asaj kohe ai është një poet i ndaluar, që mund të lexohet vetëm tinëz. Ai ka lexuar 200 poezi të kolegut shqiptar dhe i bën atij nga ato vlerësime dhe kritika që ia bën një poet i famshëm një të riu të talentuar të sapo hyrë me guxim në rrugën e famës. Ndërsa filozofi Maurice Blanchot, i ngjitur në apoegjeun e lavdisë falë vlerësimit të një grushti akademikësh francezë të kohës, një qenie mes “hiçit absolut dhe krizës nervore”, kur poeti shqiptar i hyn në shtëpi falë ngulmimit të pashembullt, është në një seancë të pafundme në pritje të vdekjes dhe vetë poeti shqiptar përfshihet në një sekuencë të kësaj seance si një fllad Shqipërie, për t’ia kujtuar bujtësit të tij të çastit, (ateistit asket që adhuron vdekjen, saqë e ka bërë Perëndi të përjetshme) se s’ka më të bukur se jeta, saqë Blanchot nuk mund të mos e pyesë “Jeni ju një komb filozofësh?”. Në libër përshkruhet në mënyrë shekspiriane se qysh filozofit të vdekjes i kërcejnë dreqërit dhe ia fut thonjtë në fyt poetit shqiptar dhe se qysh ky arrin ta shpëtojë veten prej tij dhe të ndahen në mënyrë paqësore për të mos u takuar më. Dhe, përtej çdo habie, bash ky çmendurak, ky shtihan idhujtar i vdekjes ka jetuar plot 95 vjet! Poeti Skënder Sherifi, për t’ua mësyrë aventurave të tij parisiene, ka një trimërues dhe frymëzues konkret, ka një baba shpirtëror, një mentor që e vë në provë karakteri birin e tij shpirtëror, nxënësin e tij. Poezia, jo diçka a dikush tjetër e ka prezantuar atë me Pierre Seghers, kur poeti ishte 21 vjeç, ndërsa admiruesi i tij ishte 70 vjeç. Ky është edhe kapitulli më – 784 – emocional i librit që kemi në dorë. Seghers e pret me “Mirë se ke ardhur, djalë”, me një përqafim … “unë isha i mësuar në ritet dhe kodet e kanunit malësor e jo me sjelljet afektive të afërta alla perëndimore. Babai im nuk më kishte prekur as puthur kurrë gjatë gjithë jetës së tij, dhe nuk e mbaj mend një fjalë të butë, një lëvdatë, një gjest romantik apo sentimental. Ne ishim në botën e Sergio Leones, në një Western tropojan buzë Valbonës, apo tek bota e samurajve japonezë, në një film të Kurozaves,” pohon Skënder Sherifi. Seghers është i drejtpërdrejtë, pa tërthore, si vetë miku i tij shqiptar: “Je poet madhor për mua, ta kam shprehur, por po e shoh që nuk je fare i përgatitur për t’u konfrontuar me shoqërinë elitare parisiane, me elitën kulturore, me borgjezinë, me aristokracinë. Nuk i posedon normat dhe kodet … je diamant bruto i pa gdhendur, duhet me të skalitur dhe me të ri-edukuar për bisedat dhe tavolinat franceze. Tani vendose ti vetë: A don me qëndruar këtu me mua në Paris dhe Provancë, apo me u rikthyer ka ke ardhur? Por dije që këtu do mësohesh në delikatesë, në alegori dhe për t’u puthur me gjithë Parisin, meshkuj e femra, të pëlqeu apo s’të pëlqeu. Hapi sytë dhe dekoderin! Talenti poetik nuk të mjafton për të qenë i pranuar tek shoqëria kulturore franceze … E njëjta gjë i ka pas ndodhur edhe Arthur Rimbaud-së, i cili pavarësisht që ishte Poet gjenial mbi të tjerët, ka qenë i urryer në të gjitha sallonet elitare parisianë, edhe pse e kishte Paul Verlenin në mbështetje. Sepse sillej me kodet e një katundari të Ardenëve dhe i shokonte njerëzit. Prandaj, ke për t’u përgatitur si sportistët për lojëra olimpike, dhe për t’ua lexuar të gjithëve 3 deri në 5 vepra, Okay? Ose për t’ua parë filmat, dramat, dëgjuar albumet me kujdes, dhe çdoherë do të marr unë vetë në pyetje dhe do debatojmë mbi veprën e çdo artisti apo filozofi? Dhe kur do bindem që je me të vërtetë i përgatitur për atë takim, do të them – Okay e ke dritën e jeshilët për t’i shkuar tek shtëpia e tij!” Sherifi i kalon me sukses të gjitha provat dhe zë miqësi me pothuaj të gjitha figurat tek të cilat e rekomandon Seghers. Dhe, siç bën pas takimit me Jacques Lacan, që e ka dominuar gjatë tri dekadave gjithë psikoanalizën franceze, ai ia shtron vetes pyetjen: “Tani e kam pyetur shpeshherë vetën: a do isha Skënder Sherifi i sotit, po të isha rritur, edukuar, dhe shkolluar në Shqipërinë e Enver Hoxhës, si djalë i një familje të kataloguar armike, reaksionare dhe anti-komuniste? Absolutisht, që jo!” E, pra, qëllon që ky Jacques Lacan, “Maestro, ose Guru, i idolatruar apo i urryer në Paris” shkon mrekullisht me një malësor “anarshist antiko – avanguardist, i – 785 – aventurave poetiko – humaniste”, siç e përshkruan veten Skënder Sherifi, në dukje dy planetë krejt të ndryshme, pa asnjë orbitë të përbashkët, kanë gjetur miqësi të përbashkët aq të thellë, saqë e ka dashur, ndihmuar, respektuar poetin e “në disa raste edhe ndihmuar me këshillat e tij, gati si babë”. Duke folur për babain oficer monarkist të Skënderit, Lacan tregon se atij si republikan i ka mbetur “një simpati relative evidente mbretërore ndaj Zogut të parë … ngaqë e ka pasur një personalitet interesant!” dhe shton «edhe unë kam qenë dikur me mbretërinë në Rininë time dhe me Charles de Gaulle-in!» Një instinkt i ngjashëm e lind dhe forcon miqësinë me destrukturalistin Jacques Derrida, të cilin poeti e mrekullon me modelin destrukturalist të realitetit të ndërtuar në vendin e tij të prejardhjes, Shqipërinë komuniste, deri me poetin amerikan Allen Ginsberg, ndoshta më rrehanin e rrehanëve të Beat Generation, siç do t’i kishim thënë ne në Tropojë. Një dritë e veçantë shpirtërore e prin poetin shqiptar në njohjen dhe miqësinë me Jacques Lacarrière, autor, filozof. Ky është fans i sufizmit, filozofi së cilës i përket nëna e poetit, Xhevahire Sadria, nga Vuthajt e Gucisë, “një mistike e lindur, me orientim sufist të dervishëve”. Filozofit , shkruan Skënderi, “i interesonin Personat të cilët e kanë marrë besimin spontanisht, si pasojë e një thirrje, apeli, transmetimi misterioz qiellor, që kanë qenë të predestinuar apo të zgjedhur nga lart për atë punë apo mision. Dhe donte ta kuptonte pikënisjen, sesi ka ndodhur ai fenomen që në fillim, nga ka ardhur dhe sesi është zhvilluar, apo shfaqur pastaj … si ka evoluuar? Dhe nëna ime ishte model shembullor për atë punë!” Lacarriére dhe poeti shqiptar krijon miqësi kur ata janë në moshë të re, duke e ruajtur atë deri në ditët tona. Dhe Lacarrière e pyet çdo herë Skënderin për nënën Xhevahire, sikurse bënte edhe aktorja tepër e famshme Annie Girardot. Prindërit janë për Skënderin një refren që sa vjen e zgjerohet përgjatë të gjitha miqësive me krijuesit dhe dijetarët e famshëm të kohës, si me poetin themelues të surealizmit Philippe Soupaul, të cilin, sipas autorit të librit e ka lënë pa të drejtë në hije bashkëthemeluesi tjetër, André Breton; si me psikoanalistin e famshëm francez Jacques Lacan, me poetin surrealist dhe simbolik André Pieyre de Mandiargues, me mjeshtrin erotoman Pierre Klosowskin dhe vëllain e tij piktor madhor ndërkombëtar Balthus, me regjisorin “super të talentuar, Godardi, i ri, sipas kritikës filmike, Léos Carax etj. – 786 – Por, më shumë se kaq, Skënder Sherifin në sferën mbi yjore të Parisit, pra edhe të Francës e të Perëndimit e shpie kushtrimi i të parëve, më saktë, kushtrimi homerik i të parëve. Dhe babai i tij, Shpend Sherifi, personazhi “zoti Shpend” i “Mërgatës së qyqeve”, që ua mban fjalimet e lamtumirës të gjithë nacionalistëve antikomunistë të cilët ikin në botën tjetër, drejtues i “Odave Malësore” në qytetin e Brukselit, është veçse një Nestor i Shekullit XX. Këtë thelb te Skënderi e ndjen Claude Lévi – Strauss, Babai i Antropologjisë në kapitullin më të rëndësishëm, më tronditës dhe më të vëllimshëm të librit “Welcome to Paris”. Ai i propozon “malësorit të Malësisë së Gjakovës” që së bashku të krijojnë një ekspeditë shkencore në Veriun e Shqipërisë për të studiuar antropologjinë e malësorëve. Skënderi ndihet tejet i vlerësuar për propozimin që merr, sa është tejet i dëshpëruar se nuk mund të mos e refuzojë propozimin. Ndonëse i përgjigjet, sa është e mundur, me takt, Skënderi nuk mund të mos ia shpjegojë mikut të tij se ai është bir i një shqiptari që ka qenë dy herë në burgjet e Enver Hoxhës, herën e parë në Shkodër, në një qeli me të famshmin Sami Repishti dhe herën e dytë në Palermo. Pas lirimit të dytë nga burgu ai arratiset nga Shqipëria, më 1951, në Jugosllavi dhe, prej andej, largohet për në Belgjikë më 1956. Më 1976, kur e bën këtë bisedë me mikun antropolog, Skënder Sherifi është njeri pa atdhe, ashtu siç është i ati dhe gjithë familja, ishte apatrid. Shqiptarë apatridë, të cilëve Enver Hoxha ua kishte hequr shtetësinë shqiptare dhe që Titoja nuk ua ka dhënë shtetësinë jugosllave në disa breza, çka ua ka vonuar edhe natyralizimet atyre në vendet perëndimore, ka pasur deri në ditët tona. Skënderi ia shpjegon mikut të tij se, po të hyjnë në Shqipëri, ai shkon në pushkatim menjëherë sa të shikojnë në kufi emrin e babait të tij, të cilit i ishte ndaluar hyrja në atdhe, por edhe vetë Claud Levi-Strauss do të pësonte shumë keq si bashkudhëtar dhe si mik i tij. Kështu vetë Skënderi shndërrohet për antropologun në një objekt studimi për malësorët, homerikët e Alpeve. Poeti shqiptar, falë të gjithë atyre faktorëve që përmendëm më lart dhe të tjerëve, arrin të kapërcejë hendekët fillestarë dhe të krijojë marrëdhënie të barabarta, të bazuara mbi rrafshe ndër njerëzore, në të gjitha rastet e miqësive të suksesshme. Si bashkëbisedues i elitarëve francezë ai është i çiltër në masën e duhur, debatues dhe polemist në masën e duhur, argumentues në masën e duhur, ai është autoironik, vë veten në lojë – 787 – mjaftueshëm sa për ta lejuar kjo mjaftueshmëri për t’i vënë në lojë bashkëbiseduesit e tij, gjithmonë brenda atmosferës miqësore, apo për t’i çarmatosur dy a tre prej bashkëbiseduesve të panjerëzishëm të përmendur më lart. 20 personazheve të kujtimeve të tij, Skënder Sherifi iu sjell në këtë libër edhe një personazh tejet të dashur e të rëndësishëm për autorin, lexuesin e librit. Ky personazh është gjithnjë i pranishëm, asnjëherë i lënë anash nga autori. Dhe nuk përton asnjë çast ta mbajë me informacion plotësues për secilin nga personazhet që iu japin emër kapitujve përkatës, të merret me huqet dhe veset e tyre mjaftueshëm, sa për t’i bërë ata qiellorë edhe tokësorë për ne, sa për të mos lejuar mungesën e interesimit të leximit në asnjë mënyrë, nuk përton t’i ndërthurë këndvështrimet e tij të dikurshme rreth atyre personazheve me këndvështrimet e mëvonshme, deri tek ato të sotmet, kur ai është ulur për të futu daltën e tij thellë e më thellë, pa mëshiruar asnjërën nga hollësitë që autorit i ka mbetur në mendje. Ky personazh është një vëlla binjak i shkrimit në libër. Skënderi na flet në libër edhe për dy shqiptarë të suksesshëm në Paris, në Evropë e Perëndim: figurativistin mistik të parë shqiptar, Omer Kaleshin dhe kubistin me famë evropiane, Ibrahim Kodrën. Nga asnjëri prej tyre ne nuk trashëgojmë diçka të shkruar. I vetmi që i ka ruajtur dhe tashti i sjell në libër kujtimet dhe përjetimet e tij nga sallonet elitare të artit është Skënder Sherifi. Poetit frankofon nuk i mungojnë njohjet dhe miqësitë me kolegë shqiptarë të artit, kulturës, sferës intelektuale në Kosovë të brezit të Ibrahim Rugovës, por është i familjes vetëm me Rugovën. Me ndihmën e Rugovës boton në shqip dy librat poetikë që i kishte botuar në frëngjisht në atë kohë në Paris. Me ndihmën e Rugovës, ai përkthen dhe boton në frëngjisht antologjinë me poetë shqiptarë të Jugosllavisë, “Dega e pikëlluar”. Por edhe në Prishtinën e atëhershme, edhe në Tiranën e mëvonshme ai pritet si një poet frankofon. Edhe vetë Skënderi e pohon në mënyrë të përsëritur: Unë jam aq shqiptar sa dhe frankofon. Gjithnjë duke vënë në rrafsh të parë qenien shqiptare. Pas vitit 1990, poeti frankofon boton një mori librash poetikë shqip në Tiranë, boton edhe në Prishtinë, boton libra poetikë frëngjisht në Bruksel e Paris, përfshihet në fjalorin Larousse, pra është plotësisht i natyralizuar në botën frankofone dhe gjithnjë e më i pranishëm në botën shqiptare. Në dhjetëra intervista në televizionet shqiptare, ai promovon librat e vet. Nja – 788 – shtatë a tetë nga intelektualët dhe krijuesit më të njohur e kanë mirëpritur dhe kanë shkruar me vlerësime të larta për figurën e tij dhe veprën e tij krijuese. Prej 14 vitesh promovohet dhe botohet në gazetën letrare “Nacional” të Mujo Buçpapajt. Në Shqipëri, sidoqoftë, poeti frankofon nuk ka një Pierre Seghers për ta orientuar në xhunglën e vogël dhe tejet të ndërlikuar të atdheut. Sigurisht, poeti ynë frakonfon është një dukuri Sui generis, pa të njëjtë tjetër, pa të ngjashëm tjetër në jetën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Me librin “Welcome to Paris”, Skënder Sherifi hedh një hap tjetër, jo si të tjerët e deritashëm, drejt një natyralizimi të plotë.