Tahir Bezhani: RRËFIMI PËR BACËN SMAJL… tregim

Ishte ditë e diell me shi. Ditë pushimi. Nga lodhjet e përditshme, trupi i ishte ngjitur për shtratin e fjetjes. Bënte të ngrihej, nuk e dëgjonte trupi i shkapërderdhur . Edhe qepallat i dukeshin të renda kur lëviznin në ritmin e tyre. Në oborr dëgjonte ushtimën e shiut dhe erën që përplaste furishëm piklat e shiut në xhamat e dritares. Ngriti dorën dhe shikoi orën. Uaaa! – pëshpëriti, paska shkuar ora dhjetë e ditës, dhe fërfëlloi mbulesën e natës, veshi rrobat dhe u ul në tavolinën e kafesë së mëngjesit, në këndin e terasës së shtëpisë, duke shikuar ato rrugë e kodra për rreth atij qyteti, te cilat i kishte larë e shpërlarë ai shi, qe sapo kishte pushuar. Në kuzhinë nuk vërejti Dashurinë, as djalin Kujtimin. Mendoj se akoma flinin, me që ishte ditë pushimi dhe zakonisht pushonin më gjatë. Jetë në gyrbet është kjo, foli me vete Gëzim Guri.
U përpoq të bënte kafen pa e ftuar Dashurinë, por kur iu afrua bocës së plinit , dëgjoi krismën e derës që u hap.
-He, u zgjove?-i foli bashkëshortja. Sa shumë fjete sot, si asnjëherë më parë.Të trazuan ëndrrat, ç’të gjeti sot?!
-Si ja qëllon moj Dashurie! Pikërisht isha tretur në ëndrra të shumta, bile nuk di t’i tregoj sa ëndrra kam parë, sa jam gëzuar e sa jam trishtuar tërë natën me to. Ma bën kafenë, me që qenke zgjuar, pastaj eja ulu afër të flasim!
Gjithmonë gruaja është kureshtare për të ditur ëndrrat e burrit dhe sapo ia solli kafenë, iu ul afër gjurit, po i lutet t’ia tregoi se ç ‘kishte ëndërruar gjatë natës.
-Eh, si ëndrra moj grua, çfarë të tregoj! Nuk i mbaj mend të gjitha, ishin shumë. Dhe filloi të rrëfejë njërën nga ato që kishte mbajtur mend:
-Trupoja një lumë ,nuk dija as ku doja të shkoja, isha vetëm dhe sa nuk u mbyta në valët e tij. Gjatë më barti vala duke më rrokullisur shtratit të tij të çmendur. Për fat të mirë, kapa një degë shelgu dhe me shumë mund dola në breg, shpëtova. E sa u gëzova moj grua kur shikova veten në krevat.. Aty ndali Gëzimi rrëfimin.
Dashuria ishte stepur duke dëgjuar rrëfimin e ëndrrës së parë dhe pa pushuar, e pyeti Gëzimin:
“A ishte uji i turbullt apo i kthjelltë?!”
-Ishte i kthjelltë, foli Gëzimi.
-Sa mirë, shtoi Dashuria! Paske me u gëzua njeri im!
-Kështu thonë!. Aiiii, Dashurie, gëzimet e mia kanë ikur…
-Mos thuaj ashtu, fol për tjera, çfarë përjetove tjetër n’ ëndërr, se ke fjetur gjatë!.Lëri tjerat grua, janë të bezdisshme ato, mos çaj kokën, më le të pi kafenë, edhe vet trishtohem. Shiko përgatit mëngjesin se u bë vonë! Sot dua të shëtis me Kujtimin në qytet. Ka kohë që nuk kam dalë me djalë, nuk e kam pyetur për mësime e shumë gjëra tjera. Ditë tjetër flasim sërish.
-Mirëmëngjesi babi, u dëgjua zëri i ëmbël e Kujtimit. A ke pushuar ,si ke gdhirë sot?
-Lum unë që të kam, e më pyet kaq ëmbël! Të paça me jetë të gjatë biri im!. Unë mirë jam, kam pushuar mjaft dhe nuk lodhem kur të shikoj ty. Ti je shpresa e jetës sime !Pas mëngjesit do shëtisim se bashku ne qytet sot, apo jo?! E dëshiron shëtitjen me babin? !
Uaaaa!… bëri Kujtimi i gëzuar dhe iu hodh në përqafime babit.
-Mëngjesin e keni të shtruar në tavolinë, urdhëroni ta konsumoni, foli Dashuria.
-Faleminderit i folën njëzëri djali e bashkëshorti!

Shiu që kishte ra tërë natën, deri në mëngjes, kishte pushuar. Rrugët e qytetit ishin pastruar nga të reshurat dhe ajri ishte freskuar për mrekulli. Lumi që ndante qytetin ushtonte dhe mbi valët e tij lundronin ca gjëra të ndryshme. Gëzim Gurit iu kujtua ëndrra e natës, por pa ujin e turbullt dhe valët rrëmbyese.
-Ku dëshiron të shëtitësh me babin, pyeti Kujtimin?!
– Shkojmë te lodrat e mëdha, foli Kujtimi dhe ecën krah për krah alesë së bukur, rrugës kryesore të qytetit modern evropian, Nurnbergut.
Pas mbarimit me lojëra, u dakorduan që të ndalojnë në ëmbëltoren “Dardania”, pronë e një tetovari, për t’u freskuar me ndonjë ëmbëlsirë.
Kujtim ,filloi bisedën Gëzimi, foli babit për rezultatet e mësimeve tuaj nga se unë, i zënë me punë, nuk po kam kohë të lirë që të merrem me ty. Ti tani je rritur, kupton veten dhe familjen, sidomos nevojat dhe qëllimet e familjes sonë! Unë nuk mendoj se duhet të zhgënjehem me ty, Kujtim!.Ti e di, i dëshiroj fort sukseset në mësime por Kosova nuk harrohet, gjuha, kultura, tradita, farefisi i afërm, janë pjesë e shpirtit dhe zemrës sonë. Kemi folur për këto gjëra, apo?!.
-Po babi, me ke folur shume, shumë për të gjitha gjërat e vendit tonë, Kosovën. Bile më ke treguar shume detaje edhe të bashkëvendësve tonë, në fshatin Gurmadhë. Babi, unë nuk do të zhgënjej as në mësime e as për ato gjërat që ti i ke madhore për vendlindjen, traditën tone kombëtare. Gjithnjë e mbaj mendjen që pas mbarimit të shkollimit, këtu ku jemi, të rikthehem në vendin tonë, atje ku shpirti pushon i qetë, këndshëm nga lindja deri ne vdekje….
Gëzim Guri është stepur duke dëgjuar fjalët e të birit, Kujtimit, i cili fliste me tërë atë pasion për Kosovën, sikur të ishte lindur e rritur në fshatin Gurmardh të Dukagjinit. Lotët e mallëngjimit ia kishin pikëluar këmishën e bardhë në gjoks. Shikonj rreth e rrotull ëmbëltores, zgjati dorën te koka e Kujtimit dhe e puthi me afsh duke shtrënguar me sa kishte takat trupi, duke ndjerë thellë në shpirte dashurinë ndaj Kujtimit.
E shikonte e nuk bëzante, ishte ngrirë nga fjalët plot dashuri për vendlindjen nga Kujtimi, i cili akoma ishte i vogël. Një falënderim nga palcë ashti sikur i rrëshqiti buzëve të rreshkura me nikotinë, ku fshihej mërzia e malli për atdhe. I lutej zotit që Kujtimi kur të rritet, të kthehet në Dardaninë antike, aty ku edhe varret presin rikthimin për ta freskuar barin e tharë mbi eshtrat që po harrohen.

X X X

Sa shpejtë ikin ditët, javët, muajt, sa shpejte kalon kjo jetë e pas lë vetëm kujtime plot mall e dhimbje, deri në thellësi shpirti. Përmes atyre kujtimeve ndërton kullën muzeale jetësore, ku ballafaqohesh shpesh me gjitha ato gëzime, hidhërime, dëshpërime, si përditshmëri. Njeriut nuk i mjafton koha të përmbushë dëshirat jetësore. Shpesh dëshirat mbesin si lecka të shprishura rrugëve, ku shikohen përmes bebëzave të syve, dëshira që ngacmojnë mallin e asgjë më shumë.
Gëzim Guri kishte kaluar kohë të gjatë si gyrbetqar në Nyrenberg të Gjermanisë. Kishin filluar t’i zbardheshin flokët nga mërzia dhe ngarkesat tjera jetësore. Që nga fillimi nuk i kishte shkuar përdoresh të bënte shoqëri me shumë njerëz. Kishte ndenjur anash gjithë asaj problematikes së kohës e cila shpesh shkaktonte të papritura e telashe shume të mëdha. Të vetmin djalë e kishte Kujtimin, të cilit iu kishte përkushtuar me tërë qenien e tij shpirtërore për edukim e shkollim. Kur vinin në pushime në Kosovë, Kujtimit i sqaronte çdo gjë për fshatin, për kushërinjtë, për jetën atje. Shpesh i fliste edhe për Bacën Smajl, atë burrin e vjetër, i cili imitonte shpezët e malit me një zë të paparë. Bile, iu kujtua një rast ,moti, kur gjatë një pushimi, kishte shkuar te Kroni i Mrizit dhe e kishte parë se si emitonte pupëzën, qyqen, turrecin etj.Ky rrëfim i bëri përshtypje Kujtimit, dhe duke e dëgjuar me shumë vëmendje, ia bëri një mori pyetjesh babait.
-Si ka mundësi babi që të imitojë aq bukur njeriu një shpezë, si ato që fole, qyqen, pupëzën?….
-Njerëzit kanë dhunti të natyrshme tek na biri im. E kam parë me sytë e mi duke imituar ato që të fola. Sikur mos të kisha parë as unë nuk do e besoja. Ja si më ngjau një rast me Bacën Smajl, tha ai dhe filloi të tregojë:
-Ka ndoshta dhjetë vite më parë kur shkova në pushime. Ti ishe akoma i vogël dhe mbete duke lozur n ‘oborr të shtëpisë. Unë thirra Bacën Smajl te shtëpia e tij dhe iu luta të shkojmë së bashku te Kroni i Mrizit. Atje ku ruaja bagëtinë me moshatarët tjerë të fshatit, aty ku hanim bukën, te ai krua i ftohtë akull. Kur arritëm aty, sytë mu mbushen lot biri im. Mu kujtuan shokët e fëmijërisë, lojnat e shumë peripeci tjera të jetës. Aty vazhdimisht dëgjoheshin këngë zogjsh, pupëzash, shihja gushen e turrecit kur fryhej para këngës, vajtimin e qyqes. Kur u ulem me Bacën Smajl te Kroni i Mrizit, e pyeta se pse nuk po dëgjohet asnjë zë zogjsh si më parë. Janë prerë malet, kanë ikur edhe zogjtë nga ky vend, janë strehuar n ‘atë malin e thellë atje lartë, e shikon, dhe bëri me gisht andej kah ajo thellësi mali, atje lart. Por, nëse të ka marë malli shumë, t’i sjellë unë sa për t’i dëgjuar, foli Baca Smajl.
Unë qesha duke shikuar seriozitetin e Bacës Smajl, se a e ka me gjithë mend fjalën.Ai buzëqeshi dhe më tha “flas seriozisht.” Dhe fillojë të imitojë zogjtë.Baca Smajl u fut nën një dëllinjë, mori pozicionin gërmuq, fryni bushenjtë e tij dhe filloi me pupëzën. Pas disa minutash ajo erdhi fluturim dhe filloi ta gjurmojë se nga i vinte ai zë.Njashtu veproi edhe me turrecin dhe qyqen. Mbeta i mahnitur nga veprimi i atij burri bukur të moshuar.
U shtanga me veprimet e Bacës Smaj!. U ndjeva këndshëm e shumë i gëzuar me atë shëtitje të paharruar e cila më rigjeneroi kohën e kaluar moti.Nuk e harroj kurrë atë ngjarje biri im, përfundoi rrëfimin Gëzim Guri.
I ngazëllyer nga rrëfimi i ngjarjes ,Kujtimi kishte mbetur pa frymë e pa gojë nga ai veprim magjeps i Bacës Smajl, kushëririt nga fshati Gurmardh i Dukagjinit të Kosovës.
Ishte kjo një ngjarje interesante për Kujtimin, një rrëfim kuptimplotë për talentet e natyrshme të njerëzve të trojeve tona, ngjarje e cila mbeti në kujtesën e tij të përhershme. Kujtimit i silleshin në mendime gjithnjë ato rrëfime të babait. Nuk i harronte as kur ishte vetëm . Bile, ua tregonte atë ngjarje edhe moshatarëve në shkollën e tij.
Një mbrëmje, pasi kishte kaluar kohë nga ai rrëfim , iu drejtua babit duke e pyetur : “babi, a jeton ende ai Baca Smajl i fshatit tonë që më fole para do kohe?”
-Jo Kujtim, ka katër vite që ka vdekur. Kam pas marë pjesë në varrim. Nuk do e harrojmë kurrë, ishte i mirë me shumë të mira.
Kujtimi brenda vetës ndjeu një zbrazësi shpirtërore. I dhimbsej njeriu që nuk e njihte ,por kishte dëgjuar ngjarje interesante. Sa nuk i shkuan lotët atyre faqeve të njoma nga dhimbja.
-Babi, kur të shkojmë këtë verë në pushime, dua të çoj lule të freskëta në varrin e Bacës Smajl. Ai është gjaku im që qarkullon damarëve të mi tashmë…

Gjakovë, 25-26 qershor,2024.