JOHANNA JUTTA NEUMANN (GERECHTER): Ju rrëfej femijërine time në Shqiperi gjatë Luftes se Dytë Botërore

NË SAJE TË SHQIPËRISË

RRËFIME PËR VETE

JOHANNA JUTTA NEUMANN (GERECHTER)


Perktheu: Prof. dr. Ukë Bucpapaj

Kushtuar kujtimit të prindërve të mi të shtrenjtë që, përmes dashurisë së zjarrtë dhe kujdesit të vazhdueshëm, më dhanë mundësi të kaloja një fëmijëri aq normale sa e lejonin rethanat. Ata luftuan pareshtur që të më ushqenin me ndjenjën e sigurisë dhe të ngrohtësisë, madje edhe atëherë kur nuk kishin nga t’ia mbanin.
Kujtimi i tyre është i gjallë; ata përbëjnë themelet e familjes sonë të mrekullueshme. Zoti u dhuroftë paqe në Mbretërinë e Tij!

PASQYRA E LËNDËS

Parathënie
Shqipëria – Vendi i shqiponjave
Hyrje
Historiku i familjes
Pesë vitet e para (1930-1935)
Ardhja në jetë e Steve-it
Klasa e parë
Shenja të forta anti-Semitizmi
“Kristallnacht” – 9 nëntor 1938
Në kërkim të azilit të përkohshëm
Largimi nga Hamburgu (Hamburg)
Udhëtimi për në Shqipëri
Përshtypjet e para
Italia pushton Shiqpërinë – 7 prill 1939
Shpërngulja në “Emigranten Heim”
Shpërngulemi përsëri – Kësaj here në plazh
Përpjekjet e shumta që bëmë përpara se të na godiste katastrofa
Shpërngulja në Berat
Shpërngulemi përsëri – Kësaj here në Lushnje
Kthimi në Durrës – Vera e vitit 1941
Ditët e shkollës
Jeta në përgjithësi – 1941-42
Njohja me familjen Pilku
13 shkurti i vitit 1942 – Nata e së premtes
Familja Casaleggio
Zjarr në shtëpinë e familjes Casaleggio
Festat e Shenjta – 1942
Lufta e verës së vitit 1942
Jeta jonë familjare
Shtimi i veprimtarive të partizanëve
Arrestimi i prindërve të mi
Pushtimi i Shqipërisë nga Gjermania
Arratisjet përmes varkave me vela
Shpërngulja në Tiranë – Dhjetor 1943
Terrori nazist – Dimër 1943-44
Një miqësi e bukur jetëshkurtër
Njohjet e reja në Tiranë
Puna e re prindërve të mi
Ankthi dhe frika e gjatë nga regjistrimi në Shtabin SS
Përpjekja për vrasjen e Hitler-it
Shpërngulja në strehën e fundit në Shqipëri – Më në fund
Beteja përfundimtare kundër nazistëve
Mbaroi rreziku nazist – Filloi rreziku komunist
Lidhjet e para me familjen në Nju Jork (New York)
Më në fund lufta mbaroi
Shërimi përmes shkencës së krishterë
Vera e vitit1945 dhe largimi ynë përfundimtar
Përballja traumatike me realitetin
Jeta në Trikaze Porto (Tricase Porto)
Gjendja e përgjithshme në Itali
Sa thellësisht kishte ndryshuar jeta nga çmenduria e epokës
Në kërkim të të mbijetuarve
Dy-tre javët e fundit në Trikaze Porto (Tricase Porto)
Ndarja nga babi dhe lamtumira ndaj Evropës
Kalimi i Atlantikut
Më në fund u ribashkuam me familjen
Jeta ime e re
Takimi me atë që pati ndikimin më të madh në jetën time
Shtojca I – Arkivat e Hamburgut (Hamburg)
Miratimi për ta pranuar Abraham Schickler-in si qytetar të Hamburgut(Hamburg)
Kërkesa e Abraham Schickler-it për t’u bërë qytetar i Hamburgut (Hamburg)
Anëtarësimi i Abraham Schickler-it në Kongregacionin Çifut të Hamburgut (Hamburg)
Kongregacioni Çifut e pranon Abraham Schickler-in si anëtar
Çertifikata e vdekjes së Elise Zacharias-it, të bijës së Samuel-it
Çertifikata e martesës së Abraham Schickler-it me Rike Zacharias-in
Shtojca II – Indiferenca
Shtojca III – Dokumente konsullore amerikane nga arkivat e ShBA-ve
Shtojca IV – Dëshmi historike e përpjekjeve të Shqipërisë për të shpëtuar çifutët
Shtojca V – Pema gjenealogjike
Disa nga ata që ishin me ne në Shqipëri
Takim i papritur – Shkruar nga Thekla Stoll-i, qershor 1942

Parathënie

Ndërkohë që variantin fillestar të librit e kisha përfunduar së shkruari më 1983, më lindi nevoja të ripunoja tekstin, të korrigjoja disa data, ngjarje dhe emra individësh.
Nevoja për t’i bërë këto korrigjime m’u qartësua sapo u takova sërish me shoqen time të fëmijërisë, Erika Toptanin (Permetin), më 1993. As nuk ishim parë, as nuk kishim komunikuar me njëra-tjetrën që kur prindërit e mi u larguan nga Shqipëria në shtator të vitit 1945. Ishte një mrekulli e vërtetë që pas kaq shumë vitesh, për të qenë e saktë, pas 48 vjetësh, do të takoheshim në Romë (Roma), Itali, dhe do ta vazhdonim miqësinë aty ku e kishim lënë.
Pikërisht për shkak të këtij takimi dhe kujtimeve tona të shumta, të shumë kohëve të vështira që kemi kaluar, të shumë miqve dhe të njohurve të përbashkët që kishim, si dhe përmes ndihmës së saj, m’u krijua mundësia t’i rishikoja kujtimet e mia dhe të arrija saktësi më të madhe.
Përveç kësaj, vetë Erika e gjeti Edip Pilkun në Tiranë dhe ma dha adresën e tij, kështu që m’u dha mundësia të lidhesha me të. Si rrjedhojë e letërkëmbimit me Edipin dhe e vendosjes së bashkëpunimit me të, arrita të grumbulloja informacionin e nevojshëm për ta përcjellë në Yad Vashem në Jeruzalem.
Për shumë vite më ka munduar barra e madhe se nuk qesh në gjendje t’iu mundësoja Njazi dhe Liza Lotte Pilkut të nderoheshin dhe të merrnin statusin e TË DREJTËVE MES KOMBEVE. Ata e meritonin këtë mirënjohje për shkak të guximit dhe miqësisë që kishin treguar ndaj nesh, pavarësisht nga rreziqet në të cilat e vinin veten.
Fatkeqësisht, ky nderim do t’u bëhej atyre vetëm pas vdekjes. E ndjej se, përmes përpjekjeve të mia për të mundësuar këtë mirënjohje, i kam falënderuar Njazi dhe Liza Lotte Pilkun edhe në emër të prindërve të mi. Unë gjithashtu shpresoj se fëmijët, stërnipat dhe stërmbesat Pilku janë të vetëdijshëm për faktin se prindërit e tyre ishin njerëz shumë të mirë dhe guximtarë. Nuk ka pikë dyshimi se, sipas të gjitha gjasave, pa ndihmën e familjes Pilku, unë dhe prindërit e mi nuk do të kishim mundur të mbijetonim gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania.
Ceremonia për të nderuar mjaft familje shqiptare, duke përfshirë familjen Pilku, u zhvillua më 27 janar të vitit 1998 në qytetin e Librazhdit. Fëmijëve të Të Drejtëve Mes Kombeve iu dhanë medaljet e Izraelit. Edip Pilku e mori medaljen në emër të prindërve të tij.
Zoti Tibor Schlosser, Sekretari i Ambasadës së Izraelit në Itali, i cili kishte ardhur në Shqipëri posaçërisht për këtë qëllim, mes të tjerash tha: “Të shpëtosh një jetë është njëlloj sikur të kesh shpëtuar gjithë botën”.
Një tjetër arsye që lidhet me ripunimin është se, gjatë një vizite në Hamburg (Hamburg) në vitin 1996, pata mundësinë të vizitoja arkivat dhe gjeta shumë dokumente për jetën e të parëve të mi në Hamburg (Hamburg) në rrjedhën e 200 vjetëve të fundit. Disa nga këto dokumente janë përfshirë në shtojcat e këtij libri.
Tani që kam arritur në fund të këtij libri, thjesht mund të shpresoj se u kam përcjellë një mesazh fëmijëve, nipave dhe mbesave të mia. Një mesazh se, edhe në kohët më të zeza, gjithjnë gjënden ata që ngjiten në majë të përpjekjes njerëzore dhe, pavarësisht nga rrezikimi i jetës dhe i familjeve të tyre, do t’u vinë të tjerëve në ndihmë. Përveç kësaj, shpresoj se kam arritur të përcjellë cilësitë e spikatura të prindërve të mi, të cilët, pavarësisht nga vështirësitë që përjetuan gjatë viteve të luftës, ruajtën ngrohtësinë familjare, praktikuan fenë e vet sa mundën, si dhe më dhanë mundësi të kaloja një fëmijëri të pasur nga pikëpamja kulturore dhe fetare. Ata nuk u hidhëruan kurrë!
Shpresoj sinqerisht se i kam përcjellë kujtimet e mia vetjake aq me saktësi sa ka qenë e mundur dhe se nuk kam lënduar as dëmtuar ndonjë njeri nga pakujdesia. Qëllimi kryesor i këtij libri është që, për brezat e ardhshëm, të lë një rrëfim më tepër të ngjarjeve, ashtu siç i ka përjetuar familja jonë, në mënyrë që ato të mos harrohen kurrë; mos e thëntë Zoti!
Falënderime të veçanta për fëmijët e mi që më nxitën të shkruaja këtë libër, si dhe për Eli-n që më ka ndihmuar për të përfunduar ripunimin e tij.

Sillvër Spring, Merilend (Silver Spring, Maryland), ShBA – Qershor 2000

Shqipëria – Vendi i Shqiponjave
(marrë nga interneti në adresën: www.albania.co.uk)

Shqipëria shtrihet në Evropën Juglindore, në Perëndim të Gadishullit Ballkanik, midis koordinatave gjeografike: 39 gradë e 16’ gjatësi dhe 42 gradë e 39’ gjerësi. Shqipëria është thuajse në largësi të barabartë nga Ekuatori dhe Poli i Veriut, dhe zë një sipërfaqe prej 28.748 km2.
Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat: 657 km kufi tokësor, 316 km kufi detar, 48 km kufi lumor dhe 73 km kufi liqenor.
Republika e Shqipërisë kufizohet në veri me Malin e Zi, në verilindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë, dhe në jug dhe juglindje me Greqinë.
Në perëndim, Shqipëria laget nga deti Adriatik dhe deti Jon.
Shqipëria është kryesisht vend malor. Lartësia mesatare është 708 m, domethënë, dy herë më e madhe se ajo e Evropës.
Shqipëria përfshihet në zonën sub-tropikale me lagështirë të Hemisferës Veriore, si dhe në zonën me klimë mesdhetare.

Hyrje

Asnjëherë nuk më kishte shkuar ndërmend të hidhja në letër ndonjë gjë për veten, familjen time ose përvojat tona gjatë luftës. Idenë për të dokumentuar përvojat e mia ma dha Eli, si rrjedhojë e ligjëratave për Holokaustin, të cilat i kishte ndjekur në Universitetin e Miçiganit (University of Michigan) në En Arbër (Ann Arbor). Kur e diskutova këtë ide me fëmijët e tjerë, edhe ata e përkrahën këtë mendim. Meqenëse nuk kisha shkruar kurrë më përpara, ngurova shumë derisa ndoqa ceremoninë e Ribashkimit të të Mbijetuarve të Holokaustit në Murin Perëndimor në Jeruzalem në qershor të vitit 1981. Ishte përjetimi emocional i kësaj ngjarje që ma bëri të qartë se, pavarësisht nga rëndësia e përvojave vetjake në raport me tragjedinë e përgjithshme, prapseprapë ato përfaqësojnë një hallkë në historinë e Çifutëve të Evropës. Një komunitet i madh që ekzistonte dikur do të harrohej, po të mos ishin rrëfimet vetjake. Vetëm rrëfimet vetjake mund t’i bëjnë këto fakte njerëzore.
Atëherë, kjo do të jetë historia e familjes sime që shpresoj se do t’i ndihmojë fëmijët e mi në një farë mënyre për të mësuar rreth të parëve të tyre dhe jetës që ata kanë bërë.
Duke u përpjekur për të qartësuar lidhje të ndryshme familjare dhe duke dashur t’u jap vendin e duhur në këto kujtime atyre që nuk janë më gjallë, kam përfshirë Pemën e Familjes. E pata shumë të vështirë të arrija të ndërtoja këtë Pemë aq sa ishte e mundur, sidomos sepse nga familja e anës së babait tim kanë mbetur shumë pak veta që janë në gjendje të më ndihmojnë.
Gjithashtu kam përfshirë një hartë të Shqipërisë për ta ndimuar lexuesin që të ndjekë odisenë tonë.

Historiku i familjes

Babai im, Siegbert Zodek Gerechter-i, lindi në Pozen (Posen) më 14 tetor 1895. I ati i tij ishte Louis Jehuda Gerechter -i, kurse e ëma e tij ishte Chana Gerechter-i, e bija e Chaim -it. Ata patën katër fëmijë, Sophie-n, Siegbert-in, Paula-n dhe Arthur-in. Gjysh Gerechter-i ishte tregtar shumë i pasur, i cili zotëronte një fabrikë për prodhimin e rrobave në Pozen (Posen). Familja ishte shumë e madhe dhe mjaft pjestarë të saj ishin punësuar në fabrikën e tij.
Fatkeqësisht, Sophie-n e zuri difteria që asokohe ishte thuajse vdekjeprurëse. Ajo kishte lindur në vitin 1894 dhe vdiq në moshën 11 vjeçare, më 1905. Hallë Paula, të cilën arritën ta njohin fëmijët e mi, ishte 82 vjeçare kur vdiq më 5 janar 1979 në Berlin (Berlin). I shoqi i saj, Leo Arndt-i, vdiq më 1963. Ata nuk patën asnjëherë fëmijë dhe të dy janë të varrosur në Berlin (Berlin).
Arthur-i, ashtu si babai im, ishte shumë i talentuar në artin e të pikturuarit. Ai ishte zionist i hershëm; i përkiste lëvizjes Mizrachi dhe, që në atë kohë, kishte shfaqur interes për t’u vendosur në Palestinë. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, babai shkoi ushtar vullnetarisht në moshën gati 19 vjeçare. Vëllai i tij, nga ana tjetër, nuk donte t’ia dinte për ushtrinë. Ai u rekretua gjatë vitit të fundit të luftës dhe u dërgua në frontin francez ku u vra më 25 tetor 1918. Vendi i saktë ku vdiq quhet Valonsien Mobëzh, Flandrë (Valenciennes-Maubeuge, Flanders). Ai u varros në varrezat e atjeshme ushtarake.
Gjyshi im nuk ishte vetëm fetar dhe i shkolluar, por edhe patriot gjerman. Fakti që babai kishte qenë oficer i Ushtrisë Gjermane në Divizionin e Mitralierëve, kishte marrë Kryqin e Hekurt dhe kishte shërbyer plot katër vjet në vijën e parë të frontit, e ushqente gjyshin me krenarie të madhe. Kjo gjithashtu ishte arsyeja pse babai, më 1935, mori të ashtuquajturin Kryqi i Hitler-it me të cilin nderoheshin luftëtarët e vijës së parë të frontit. Çfarë ironie!
Më në fund, kur mbaroi lufta, u bë një thirrje për vullnetarë që ishin gati të luftonin kundër bolshevikëve në Rusi. Babai doli vullnetar dhe prandaj nuk u çmobilizua deri në shkurt të vitit 1919. Nëna e tij kishte ardhur në Berlin (Berlin) për ta pritur që të kthehej, por, për shkak të kushteve të këqija të udhëtimit, mbërritja e tij nga Rusia u shty shumë orë. Gjyshen time e zuri një grip i rrezikshëm me komplikacione të rënda të shkaktuara nga një epidemi e gripit spanjoll, i cili asokohe qe përhapur anembanë Evropës. Ajo vdiq vetëm disa ditë pas kthimit të tij, më 17 shkurt 1919, në Pozen (Posen). Babai, duke qenë se kishte zgjedhur nënshtetësinë gjermane në vend të asaj Polake, nuk mundi të nxirrte vizë hyrëse për në Poloni me qëllim që të merrte pjesë në varrimin e saj. Ngjarjet tragjike në familje nuk kishin përfunduar ende. Gjermania kishte humbur luftën dhe prandaj disa pjesë të saj iu dorëzuan fitimtarëve sipas Traktatit të Versajës (Versailles). Pozeni (Posen) kishte qenë pjesë e Prusisë, por, pas vitit 1919, u nda prej pjesës tjetër të Prusisë nga Korridori Polak. Popullsisë së Pozenit (Posen) iu desh të zgjidhte mes ruajtjes së nënshtetësisë gjermane dhe marrjes së asaj polake; të parët duhej të largoheshin nga Pozeni (Posen), kurse të fundit mund të rrinin aty. Siç e kam thënë tashmë, pjesëtarët e familjes Gerechter ishin patriotë gjermanë dhe prandaj, sigurisht, e mbajtën nënshtetësinë gjermane. Qeveria e re polake i konfiskoi të gjitha pasuritë e tyre dhe gjyshit tim, kur u largua nga Pozeni (Posen), iu dha vetëm 50 përqind e kapitalit.
Hallë Paula ishte martuar tashmë dhe banonte në Berlin (Berlin). Të dy, babai dhe gjyshi im, u vendosën në Berlin (Berlin), po ashtu. Gjysh Gerechter-i u martua me gruan e tij të dytë, Recha Blum-in, motrën e Rabin Blum-it të Emdenit (Emden), më 1920. Ajo ishte grua shumë fetare dhe e mirë; më kujtohet si tani. Gjyshi vdiq në Berlin (Berlin) më 14 maj 1936, kuse gjyshe Recha u dëbua nga Berlini (Berlin) diku nga fundi i vitit 1941 ose fillimi i vitit 1942. Kartolina e fundit që morëm prej saj mbante datën 14 tetor 1941. Kartolina mbërriti në Shqipëri; ajo i dërgohej babait tim me rastin e ditëlindjes. Hallë Paula me të shoqin mbijetuan gjatë viteve të luftës në Shangai. Ata qëndruan aty për nëntë vjet, derisa erdhën komunistët në pushtet më 1949, kur të gjithë u dërguan me anije në Izrael. Udhëtimi i çoi në Uest Koust (West Coast), San Françisko (San Francisco), dhe nga aty, në Nju Jork (New York). Ata kaluan katër ditë në Ellis Ailend (Ellis Island) ku arritëm t’i vizitonim disa herë për periudha të shkurtëra. Kjo ishte hera e fundit që babai u takua sërish me të motrën. Nga Ellis Ailendi (Ellis Island) ata u dërguan në Izrael. Nuk u takova hallë Paula-n derisa erdhi për të na vizituar në Boston (Boston) më 1967. Ata qëndruan në Izrael gati një vit, përpara se të ktheheshin në Berlin (Berlin). Qëndrimi i tyre në Izrael pat qenë tepër i vështirë; ata banonin në një Ma’abara në Mifrats , afër Haifas (Haifa).
Nëna ime, Alice Esther Gerechter-i, e bija e Schickler-it, lindi në Hamburg (Hamburg) më 11 dhjetor 1903. Babai i saj, Samuel Schickler-i, lindi më 29 prill 1876 në Hamburg (Hamburg), kurse nëna e saj, Louise Schickler-i (Omama), e bija e Lewin-it, lindi më 15 nëntor 1877 në Pozen (Posen). Ata kishin tre vajza, Alice-n, Hertha-n dhe Lotte-n.
Gjysh Schickler-i rridhte nga një familje e madhe dhe e vjetër e Hamburgut (Hamburg). Ata ishin tregtarë që furnizonin anijet e mëdha oqeanike të linjës së marinës tregtare dhe kompani të tjera të flotës tregtare me mbulesa mushamaje dhe çanta shpine marinarësh të papërshkueshme nga uji. Biznesi i tyre nodhej në adresën 38 Merkurstrasse.
Gjyshi im kishte katër motra dhe katër vëllezër: Cäesar-in (babai i Erwin dhe Arthur Schickler-it dhe i motrës së tyre Vera Daniel-it), John-in, Herman-in dhe Adolph-in. Motrat ishin Dora Salomon-i, Therese Meyer-i, Ella Mayer-i dhe Fanny Lissauer-i.
Shumica e familjes së gjyshit tim, Schickler-it, u dëbua. Të dhënat e mëposhtme u volën nga “Gedenkbuch”, botuar nga Senati i Hamburgut (Hamburg):
• Dora Salomon-i, e bija e Schickler-it (lindur më 2 janar 1864), u dëbua në Terezienshtat (Theresienstadt) më 15 korrik 1942, kurse, më 23 shator 1942, në Minsk (Minsk). I shoqi i saj, Leopold Salomon-i, mund të ketë vdekur më përpara. E bija e tij, Paula Katz-i, nuk përmendet në “Gedenkbuch” dhe prandaj nuk kam dijeni se çfarë u bë me të.
• Therese-a, e bija e Schickler-it (lindur më 19 gusht 1869) dhe i shoqi i saj, Siegmund Meyer-i, u dëbuan në Terezienshtat (Theresienstadt) më 19 korrik 1942, kurse, më 21 shtator 1942, në Minsk (Minsk). Djali i tyre i vetëm u vra në Luftën e Parë Botërore.
• Ella, e bija e Schickler-it (lindur më 21 janar 21 1879) dhe i shoqi i saj, Isaak Eduard Mayer-i, u dëbuan Terezienshtat (Theresienstadt) më 15 korrik 1942, kurse, më 21 shtator 1942, në Minsk (Minsk). Vajza e tyre e vetme, Gerda Bacharach-u, jetoi me familjen e saj në Filadelfia (Philadelphia). Ajo pati 3 fëmijë.
• John Schickler-i u dëbua në Terezienshtat (Theresienstadt) më 19 korrik 1942. Dy vajzat e tij, Edith-a (lindur më 11 mars 1911) dhe Fanny-i (lindur më 20 gusht 1913) u dëbuan në Ausshvic (Auschwitz) më 2 dhjetor 1943.
Vera Daniel-i, e bija e Cäesar dhe Fanny Schickler-it, banuese në San Françisko (San Francisco), jetoi më të ëmën derisa kjo e fundit vdiq në fillim të viteve 1960. Vera vdiq në janar të vitit 1998. Arthur Schickler-i, vëllai i Vera-s, dhe e shoqja e tij, Setty-i, banuan në Amsterdam (Amsterdam) që në fillim të viteve 1930 dhe u dëbuan nga aty për në Ausshvic (Auschwitz) më 14 shtator 1943. Erwin-i dhe e shoqja e tij, Hana, erdhën në Nju Jork (New York) në vitin 1938. Ata nuk patën fëmijë dhe Hana vdiq më 1962, kurse Erwin-i vdiq në fund të viteve 1960. Gjyshi im, vëllezërit e tij, Cäesar-i dhe Herman-i, e motra, Fanny Lissauer-i, dhe prindërit, Rike (Zacharias) dhe Abraham Schickler-i, të gjithë janë të varrosur në varrezat ortodokse, Langenfeldë (Langenfelde), Hamburg (Hamburg).
Që në vizitën tonë në Hamburg (Hamburg) në prill të vitit 1996, ku kaluam pak orë në arkiva, u njoha me hollësitë e mëposhtme rreth historisë së familjes Schickler, të cilat duhet të përfshihen këtu:
Abraham Schickler-i lindi në Rodenberg (Rodenberg), afër Frankfurtit (Frankfurt), më 17 nëntor 1837. Fillimisht ai u vendos në Altona (Altona) më 1853 dhe u bë qytetar i Hamburgut (Hamburg) më 23 tetor 1863, në moshën 26 vjeçare. Ai ishte biznesmen që merrej me tregtinë e kordeleve të mëndafshta.
Abraham-i ishte 25 vjeç kur u martua me Frederike (Rike) Zacharias-in. Rike-ja ishte 23 vjeçe kur u martuan bashkë. Ajo kishte lindur në Hamburg (Hamburg) më 1840. Ata i martoi Oberrabbiner-i (Kryerabini) në Shtern (Stern) më 8 nëntor 1863.
Prindërit e Abraham-it ishin Heinemann Schickler-i dhe Doris Samuel-i. Prinderit e Rike-s ishin Benjamin Zacharias-i dhe Elisse Samuel-i. Nënat e Abraham-it dhe të Rike-s ishin motra. Prandaj Rike-ja dhe Abraham-i (burrë e grua) ishin kushurinj të parë. Elisse-ja dhe Rike-ja kishin një vëlla që quhej Wolff Benjamin Zacharias-i. Ai kishte qenë qytetar i Hamburgut (Hamburg) që më 16 prill 1858.
Babai i Rike-s, Benjamin-i, lindi në Frankfurt (Frankfurt) më 1796 dhe vdiq në Hamburg (Hamburg) më 28 dhjetor 1872. Nëna e saj, Elisse-ja, kishte lindur gjithashtu në Frankfurt (Frankfurt) më 1796 dhe vdiq në Hamburg (Hamburg) më 17 nëntor 1872.
Prindërit e Benjamin Zacharias-it ishin Hertz Zacharias-i dhe Treindel Levy-i. (shih Shtojcën I ku janë përfshirë kopjet e dokumenteve origjinale nga arkiva e Hamburgut (Hamburg)).
Omama, siç u përmend më lart, lindi në Pozen (Posen); prindërit e saj ishin pronar të një hoteli, “Kaillers Hotel”. Ajo u njoh me gjyshin tim kur ai ndodhej në një vizitë pune në Pozen (Posen); ata u martuan në janar të vitit 1903. Omama kishte tre motra dhe dy vëllezër: Clara Bleiweiss-in, Bella Levi-n dhe Hedwig Gutheil-in. Vëllezërit e saj ishin Siegfried Lewin-i dhe Leo Lewin-i.
Hallë Clara kishe një djalë, Fritz-in, i cili u martua me Erna-n; ata patën një djalë, Oskar-in. Ajo gjithashtu pati një vajzë, Sidonie-n, e cila nuk u martua. Hallë Clara dhe Sidonie-ja u dëbuan në Riga (Riga) më 6 dhjetor 1941, kurse Fritz Bleiweiss-i, e shoqja e tij, Erna (Rosenberg-u), dhe i biri u dëbuan në Minsk (Minsk) më 8 nëntor 1941. Oskar-i ishte vetëm tre vjet më i madh se unë.
Informacioni shtesë për familjen Bleiweiss është si më poshtë vijon:
Clara Bleiweiss-i lindi në Pozen (Posen), më 18 maj 1875. I biri i saj, Fritz Bleiweiss-i, lindi në Pozen (Posen) më 9 korrik 1898. E bija e Clara-s, Sidonie-ja, lindi në Pozen (Posen) më 14 shkurt 1901.
Erna Bleiweiss-i, e bija e Rosenberg-ut, lindi në Apenradë (Apenrade), Danimarkë, më 14 nëntor 1901; ajo ishte gruaja e Fritz Bleiweiss-it. I biri i tyre, Oskar-i, lindi në Hamburg (Hamburg) më 16 nëntor 1927. Ai ishte vetëm 14 vjeç kur e dëbuan në geto në Minsk (Minsk).
Bella Levi dhe i shoqi, Max-i, shkuan në Argjentinë për t’u bashkuar me djalin e tyre, Rudi-n, ndërsa djali i tyre i dytë mbijetoi gjatë luftës duke u fshehur në Francë. Ai ka jetuar në Paris (Paris) që në fillim të viteve 1930 – ishte pianist profesionist. Më e vogla nga motrat ishte Hedwig-a, ose hallë Hede-ja, siç e thërrisnim ne. Ajo nuk pati fëmijë asnjëherë. Ajo dhe burri i saj, Leo Gutheil-i, banonin në Berlin (Berlin). Ata u arratisën në Belgjikë ku gjithashtu mbijetuan gjatë luftës duke u fshehur. Vëllezërit e Omama-s u martuan; secili syresh pati nga një fëmijë dhe të dy vdiqën nga shkaqe natyrore gjatë kohës që ndodheshin ende në Gjermani. I madhi, Siegfried Lewin-i, jetoi në Hamburg (Hamburg) me të shoqen, Valeska-n, të bijën e Simon-it. Ajo u dëbua në Riga (Riga) më 6 dhjetor 1941. Djali i tyre, Gert-i, qe nisur për në Argjentinë në fillim të viteve 1930, por nuk u bë më i gjallë. Kam kaluar shumë kohë me familjen Lewin në vilën e saj të bukur, jo shumë larg nga vendi ku banonim ne. Vëllai i dytë, Leo-ja, jetonte në Berlin (Berlin) me të shoqen, Hana; edhe ai u dëbua dhe asnjëherë më nuk morëm lajm prej tij. Ilse Lewin-i kishte bërë një martesë formale më një djalë të ri në Argjentinë, duke shpresuar se kjo do t’i jepte mundësi të merrte vizë hyrëse për në Argjentinë, por përpjekjet e saj shkuan kot. Mirëpo pas lufte, kur Gjermania pagoi dëmshpërblimet, burri i saj formal kërkoi të merrte shtëpinë që familja Lewin kishte pasur në Berlin (Berlin).
Kisha qenë në shtëpinë e familjes Lewin gjatë një vizite me prindërit e mi në Berlin (Berlin) për t’u takuar me gjyshin dhe gjyshen Gerechter aty nga viti 1934 ose 1935,. Vizitën tjetër të vetme në Berlin (Berlin) e bëra kur shkova atje me rastin e 70 vjetorit të lindjes së gjyshit në mars të vitit 1936. Fatkeqësisht, njohuritë e mia për familjen e madhe, sidomos nga ana e Gerechter-it, janë shumë të kufizuara.