Martesa e Gjergj Kastriotit u riprodhua në Kishën e Dejës, Zadrimë, në mesin e muajit korrik, me mbështetje të komunitetit shqiptar në Austri. A sjell kjo veprimtari diçka të re në rrafshin e të dhënave historike për këtë pikë që është shumë nevojtare për prova dhe dokumente të mirëfillta apo duhet ta vlerësojmë si manifestim të ndjenjave dhe krenarisë sonë kombëtare? Pa e nënvlerësuar risinë edhe si tezë të mundshme historike, është me vend të pyesim për vendndodhjen e dasmës meqë për vite me radhë shfaqjet festive përkujtimore kanë qenë në Kaninë dhe në Manastirin e Ardenicës, përkatësisht me referencat “Martesa simbolike” dhe “kurorëzimi”. Për ato, ekzistojnë referenca në disa botime e studime, ndonëse në nivele të ndryshme shkencore, ndërsa për martesën në Kishën e dikurshme të Shën Mërisë, në Zadrimë, iu takon historianëve dhe hulumtuesve shkencorë të qëmtojnë më tepër për plotësimin e kësaj faqeje a kapitulli të së kaluarës sonë. kështu që si shfaqjet, e mbështetura nga pushteti, ashtu edhe historia, përherë e më pak e favorizuar nga i njëjti pushtet, të kenë vendin e vet.
Dasma në Kaninë – Burimet historike dëshmojne se dasma e kryeprincit shqiptar zgjati tri ditë nga 21 në 23 prill 1451 në Kaninë, Vlorë, vendlindja e Donikës. Vajza e madhe e Gjergj Arianitit dhe Marie Murzakës ishte lindur dhe rritur në Kaninë, nga ku doli nuse e Gjergj Kastrioit. Sipas gojëdhënave, kalaja e Kaninës ishte zbukuruar për festë dhe vallet e këngët kumbonin rreth e rrotull saj. Pasi shkëmbyen unazat, çifti u drejtua per në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës ku iu dha bekimi ungjillor.
Ardenica – Sipas të dhënave gojore dhe dëshmive të transmetuara nga murgjit brezi në brez, pas dasmës në shtëpinë e nuses në Kaninë, ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 Prill 1451, i drejtuar nga Peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodheshin dy manastiret më të mëdha të Myzeqesë, ai i Apolonisë dhe i Ardenicës. Shpura shoqëruese e cila udhëtoi përmes rrugës së “Muzakies” në itinerarin Vlorë-Ardenicë, kishte Princat shqiptarë, fisnikë të familjeve të mëdha, ambasadorë të Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i përgjithshëm i Venedikut në Shqipëri.
Dasma si Shfaqje – Të shtunën e fundit të prillit të çdo viti, për vite me radhë, shoqatat vendore organizojnë festimin e kurorëzimit të Skënderbeut me princeshën Donika në manastirin e Ardenicës (26 prill, 1451), me mbështetje nga pushteti vendor dhe nga Ministria e Kulturës.
Viti 2018 – 550 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, “dasmorët” nuk vijnë në Ardenicë. Pas ceremonisë së “dasmës” në Kaninë pritej që “krushqit” dhe “çifti” të niseshin ta kurorëzonin martesën e tyre në Manastir, që, sipas dëshimeve, përkujton aktin ceremonial të mes-shekullit të XV. Në atë vit jubilar, sipas mediave, bashkëdasmorë me vlonjatët ishin edhe mbi 50 “dasmorë” arbëreshë, të ardhur enkas për këto dy ngjarje. Pas festimit në Kaninë, ceremonia në Ardenicë nuk u realizua dhe, sipas shtypit, nuk u dha shpjegim përse mbeti pezull.
2024 Dasma në Zadrimë – Në pasditen e nxehtë të 16 korrikut, dasma e heroit kombëtar riprodhohet në qiell të hapur nga aktorë vendas në kishën e Dejës, ngritur në trojet e Kishës së dikurshme të Shën Mërisë, në zonën e Zadrimës. Cilat janë burimet mbështetëse? Historiani gjerman Markus Petërs pohon se “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri,…ishte kisha në të cilën ishte martuar Heroi Kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Në librin “Arbëria dhe Gjergj Kastrioti” autori Athanas Gega argumenton se mbiemri Kastriot i takon të jetë i lidhur me toponimin Kastri, duke pasur parasysh vendndodhjen e pronave dhe tokave të familjes: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”. “Kastriotët zotëronin …. territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren”. Historianë si Milan Shuflai dëshmojnë se “Gjergj Kastrioti ishte Protektor i Shtetit të Arbërit” dhe meqë “qendra e Shtetit të Arbërit ishte Mirdita” është e arsyeshme të thuhet se aty ka qenë edhe dasma e Gjergjit me Donikën. Për kohën e produksionit të dasmës – në mesin e korrikut – nuk mund të gjendet shpjegim tjetër veçse një datë për realizuesit e shfaqjes që të jenë aty.
Duke kujtuar se edhe për vendlindjen e Gjergj Kastriotit, ashtu si për dasmën e tij ekzistojnë të paktën tri teza kryesore të njohura dhe një më e vonshme, vlen të përsërisim fjalët e Nolit që sjell mendimin e historianit austriak Jakob F. Falmerajer, i cili thotë: “Të gjesh origjinën e një kreu fisi shqiptar, është një mundim sa i kotë, aq edhe i padobishëm,” ndonëse në të gjitha variantet e veprës për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, ai iu referohet të dhënave të historianëve mbi origjinën e fisit të Kastriotëve.
Në përfundim, festimi i dasmës në Zadrimë është një veprimtari atdhetare shumë e lavdërueshme por duhet pasur kujdes nga komercializimi i historisë ngaqë një ngjarje kaq e etur për kthjelltësi dhe punë hulumtuese shkencore shërbehet thatësisht nga produksione dasmash në këtë korrik të nxehtë.