KATHARSIS
Ritualet pjellin fantazma…
Unë jam një trullosje e vazhdueshme
Në ndërgjegjjen e botës së jeshiltë
Ka thonj përqark, kthetra…
Në karrigen përballë skërmitet hija ime…
Më fton të pjellim prapë dhimbje
Bëhu i vdekshëm
Shumëfishohet imazhi yt
Më të përbindshmet sekonda harrimprurëse
Vargje-vargje niset gjer në Hënë
Derdh hëna lot të valë e të nxehtë
Si zemra jote në shpirtin tim…
Njolla të zbehta sëmurin kraharorin memec
Të përpin shpejt mjegullaÇ’fantazmë e dëshiruar je!
Bëhu njëherë Njeri!- I gjallë…i prekshëm…I vdekshëm!!!Mbi dhe!
Nga hija antike
Fustani i vjetër u gris…
Nga hija antike tek shëmbëlltyra moderne
Ka mbetur vetëm mimika e e majmunit…
Dhe e kuqja e metamorfozuar në gri
Ritmi i zemrës është një orë e kthyer kokëposhtë
Që e komandon fosilja-njeri!
Autofrazë
Jam një frazë e mbetur në trepikësh
Një fletëz e grisur nga ditari i gjinkallës
Konotacion i zymtë i një fjale të vetme
Shkronjë që fshin vetevetn…
Një pikëpyetje e madhe?
Një pikëçuditëse e çuditshme!
Një pëlhurë e zbehtë që e hedhur nëpër natë
Mbytet në liqen si varkë.
Një copëz e pambuktë
Një shall i mëndafshtë i kyçur në dryn
E di që të lë zhveshur?
Po të përvidhem unë ti mbetesh turpëruar?
Unë-sënduku yt i kadifenjtëVlej!
Mëso te më duash!
Përthithmë si palcë në eshtrat e tua
Se nga unë ushqehesh…
Pa mua errësira groteske të përqesh
Shtrat i refuzuar jeta jote…
FLIJIM
Dhëmbët kërcasin gjersa thyhen me zhurmë
Mbledh copëzat e thyera të statujës sime
S’po ja dal dot …
Janë shumë!Brymë pellgjesh përlot qiejt
Tkurren tradhëtitëLamtumirë kalorës!
Muzgu i mëndafshtë mbështjell kujtesën time
Derdhem si një gotë ujë mbi pllaka të rrëshkitshme
Orakujt e paskan thënë…
Mijëvjeçarët presin flijime!
KOSOVËS!
Temperaturë… lëngatë…
e bardhë valëvitesh, mbi ylber të trishtë
nga pik’ loti kthehesh në shtretër dashurish.
Të zëmbakta duart, përkundin në djep
foshnja ardhmërish.
Vallë, ende mbahesh, pas të tillë lëngate…?
E vogëlza ime, e madhja sharmante,
mbi plagë lind shpresa si lulja mbi shpate.
Jehonë në shtatë qiej,
zëri i trimave nga nëntoka mjaltëzon ninulla lirie
heshtni, për hatër të Zotave!
Shëëëëëëët!
Fli, moj zemër, fli, që të rritesh shpejt!
mbi dafina sfidash kokën lart ta ngresh!
…Përmbi drurë cungje
gjethi yt do jem!
Kosova mitike!
…S’dini se ku gjendet?
Kërkoni në hartë
aty ku ka gjak!
Mbi plagë lind shpresa si lulja mbi shpat’
Tiranë, 2010
SHPATET E YJEVE
Errësira gjakoset nga shpatet e yjeve fatsjellës
Ke ikur ti- je shndërruar në mall zemërvrasës
Në lot lamtumire ledhatare
Përvëlon ende kurmi i ndjenjës së vdekur…
Ishim dy zogj të mëngjestë në çadrën e urrejtjes
U deshëm aq shumë sa mbollëm lulet e zilisë
Dashuria dha shpirt në të ngrysur
Kafshuar nga gjarpërinjtë e largësisë…
NJEMIJE VDEKJE
Njëmijë vdekje më hynë në zemër me forcë
Njëra ishtë më e egra
Ajo që dontë të fshinte kujtimin tënd…
U mpleksën me damarët e mi
U lanë në arteriet e ngrohta
Donin të më kthenin në fantazmë…
Luftova sa munda, aq sa kur më takoi vetja? – nuk
më njohu!
Ditë e shënuar largimi i të njëmijtave
S’ja dolën dot…por më tretën…
Në hënë dyditëshe u shndërrova
Veç kujtimin tënd nuk e prekën…
AVUJ
Turbullo liqenin me ujin e jeshiltë
Puthe flladin kalimthi
-Ndjehesh i burgosur?
Dil nda vrima e çelësit
Hyr në dhimbjen time
Ta ndajmë përgjysmë!
Mos e shkel gjethin e rënë
Përqafoje si hënë e ngrënë!
Të vrasim zhurmën e xhindeve
Pikëllimin e akullt të shkrijmë
Në avuj dashurie…
FLIRT
…nëse kështu thuhet kur mushkëritë i fryn
Dhe ajrin i vjedh tokës…
-Jam gjallë!
Në luftë kur nisesh vetëm, i vetëm pa ushtri
Dhe i humbur kthehesh betejash kërcënuese…
-Jam gjallë!
Kur dilemat qajnë e plasin brenda teje:
Jam apo s’jam unë – një lëkurë e zhveshur ëndrre?
Kur si gjerdan qarkoj dekoltenë e jetës sime…?
-Jam gjallë!
Sytë kur i kapsallit mbi pergamenë kujtimesh
Unë- emërharruari në kërkim iluzionesh
BAMBU DHE MYSHK
I duket kohës një rrudhë më pak
Nga aroma e parfumit tënd
Bambu edhe myshk
Grinden ditët kush e kush
të të përqafojë më shpejt…
Ndjesi pickuese prej milingonash vjen përqark
Përgjumshëm më sillet vërdallë një këmishë
Vjen aromë bambu edhe myshk…
Hi vullkanik
Esencë fatale
Prangosje më pas…
Jashtë çmendet koha
Ikën me tërbim
Pluhurin mitik mbledh për të krijuar
Me bambu dhe myshk Njerinë!
MËKAT
Buzët thyer
Të tulta
Të mishta urryer
Imazhi horizontet mashtron
Blu…
Flu…
Ti më avitesh në trajta fisnike
Gëlltitem…
Jam i brishtë
I mishtë…
Avitem…!
NJË TUFË RESH
Flagrancë prapaskenash jeta jonë mbi dhe
Pluhur që pudros lëkurën e shekujve
Nje tufë resh të zymta që udhëtojnë nëpër qiej
Me bileta të grisura harrimi…
NOSTALGJI MIJËVJEÇARËSH
Nostalgji mijëvjeçarësh membranën e kujtimeve çjerr
Zemra çapitet…
Buzët e lumturisë pjellin diamante të zinj
Kuajt e kujtesës brofin të përgjumur
Sa i lashtë jam?…
Shëmbëllim i fillimshekullit pasqyron imazhin e hershmërisë sime
Brirët e artë të drerëve të mallit
Shëtisin vargjet e mia në segmentin pa limit;
Pasqyrim njerëzor dhe ujëra të rrethanave ekzistenciale në rrathë fundosjesh ngrijnë…
KA TRUPA…
Kush tha se ëndrrat nuk lindin foshnja?
Ëndrrat nuk vdesin virgjëresha
Yllësive ku baresin ka trupa…
Ndaj janë aq të bukura
Të vala
Të pastra
Të mishta
si buzët që djegin mbi buzë.
PASHË DISA DJAJ
Pashë disa Djaj që rrëmbenin buzë të kuqe
Dhe shisnin luleshtrydhe
Zbutej tërbimi shtazarak
Vërshonte dashuria kafshërore rrugëve
E mbytyr në pellgje puthjesh…
Ç’dëshirë të vdesësh i tronditur nga parajsa!
NJË TJETËR FORMË
Një tjetër formë çdo çast…
Shndërrohem në vjeshtë
Në dhimbje, në qiri të shkrirë
Në natë të mugët
Në iluzion
Në elektricitet që djeg ekrane lotësh
Në buzëqeshje klasike
Dhe kripë të bardhë ajzbergësh
Ikonë kotësish
Harrim i tejdukshëm në një botë kompakte marrëzish
Në ajër… në Hiç!
NË HËNË DYDITËSHE
Njëmijë vdekje më hynë në zemër me forcë
Njëra ishtë më e egra
Ajo që donte të fshinte kujtimin tënd…
U mpleksën me damarët e mi
U lanë në arteriet e ngrohta
Donin të më kthenin në fantazmë…
Luftova sa munda, aq sa kur më takoi vetja?
– Nuk më njohu!
Ditë e shënuar largimi i të njëmijtave
S’ja dolën dot…por më tretën…
Në hënë dyditëshe u shndërrova
Veç kujtimin tënd nuk e prekën…
JAM ÇELËS SKULPTURAL
Dendësi busullash oqeanike në prapavijë
Koordinata e tua motërzohen me arratisjen
Drejt puthjeve të verbra…
Shtroni një darkë për ndërrim adresash me mua
Bëni një festë…
Rrëmbemani edhe një ditë…
Pritja e përhitur mes zjarrit më shfaqet
Shumëfishohet në mijëra vjet!
Dekadat e përgjumura zbulojnë dekoltenë
Më bëjnë të iluzionohem akoma
Shpresat si porta të hekurta mbyllen përpara meje
Jeta hap krahët, ul kokën…
Jam çelës skulptural në formë njerëzore
Ankth në formë mbinjerëzore…
SËPATA
Një miku im
priste zemra me sëpatë
…Çak… çak… ç…a…k
Mos! Është çnjerëzore!
Dhemb!
Mos!
…
Janë të ngrira akull!
-më thotë-
…
Përmbyti deti i zemrave
Botën dhe…
Pluskuan vdekëtarët
si anijet në port…
U gjend një letër
kur e shishes tapë – u hap…
Kujdes nga akujt zemra të ngrata!
Të fala: me mall
-Sëpata!
EPILOG
I dashur…
Dje vdiq malli im…!
Eja në varrim !- … Je larg?
– … Mirë!
Po ta dërgoj mallin tim të vdekur
Me psherëtimin e detit
Me vajtimin e erës,
Me puplën e pëllumbit të plagosur nën sqetull,
Me fjongon e reve, garnityrë e trishtë, e brishtë!
Do ta paketoj këtë mall të rëndë…
Postat ma kthejnë mbrapsht
Është tepër i rëndë!
Zarfi nuk e nxë
Kutitë grisen, çahen…
Avionët rrëzohen…
Zemrat thërrmohen!
Digjet malli im, botët shkatërrohen…
Pjesë nga malli japim,
Marrim dhimbjen zvarrë
Zverdhet bar’ i njomë
i ëndrrës së vrarë.
Një shami e vjetër, rrëzuar përtokë
Palosur mban mallin e mbytur në lot.
Shpirti vdes nga malli…
Malli? … është pa shpirt!
Dy vdekje të kundërta,
varrosur në një ditë…
Rënkon gur’ i rëndë thërrmuar nga malli
ndizen psherëtimat, përmbi lumenj zjarri…
Zgjat dorën në ajër,
ajri dot s’e ngre…
E shkreta adresë varroset në re!
…
I dashur!
Dje… vdiq malli ynë!…
Mos eja në varrim!
Akuzohesh…!
CEP MË CEP…
I kam hedhur ëndrrat cep më cep
Shpërndarë nëpër botë si fëmijë të paligjshëm
Si rreze të fshehura më çelin jetën…
Furtunat më hedhin breg më breg
Mbledh nganjë ëndërr- tund nganjë djep
Cep më cep…
FUND
Më grish i perëndishmi zë…
Amanetet e pathëna i qepëm në batanijen e ngushtë
U dogj zemra për një botë larg jush
Ditë e shtunë! Mbledhje magjistarësh!
Djegie në prush!
ZHVESHJE LËKURËSH
Fati im zhvesh lëkurët
Si rrëshqanor në lulëzim
Ndërron format
Humbet në nuancë qerpikësh të gështenjtë
Tretet në prita muzgjesh
Dehet në verë lotësh
Kërruset si diell në ikje
Pluhur në muret ku zemra thyhet copash
Në udhëkryqe, rërë rrëshkitëse…
Mal në ekstazë
Krillë shtegtare
Trofe mbi një degëz të thyer
Lot i thyer si Llampë Aladini- fati im…
Mbulon të zezën me ngjyrë të manushaqtë.
Ariu im i bardhë polar, – sa i ftohtë je!
AMANETET
Të mos më presësh si mëngjesi pret rrezen!
Të më duash më pak!- se aq sa unë të dua
Është asgjësim aksidental! Gabim i natyrës!
KUR TRUPI SHPIRTIT I SHPALL LUFTË
I mbeti hatri trupit
Se shpirti e nxorri jashtë
Dhe ndenji vetë brenda!
Dhomë e errët me shumë hyrje…
Lagështi, tension, kuti magjike e mbyllur në kyç!
Trupi kërcënon me rrathë diabolikë
Panoramojnë dyshekë të zymtë mbushur me muzg
Dialogjet thërrmojnë vetveten…
Në jetën aty jashtë, shpirti s’pyetet më
Në mbretërinë e shpirtit trupi është harruar
Spazma diabolike mbars qiejt me re
Orfeu i bie lirës,Euridika fle
Shkatërrim pa kthim në moskthim
Këngët korale lashtësojnë gjithësinë!
KUJTIMI I …TË VOGLAVE
Shfletuan dashuritë e vogla
kujtimet e tyre
-por s’gjetën gjë
-As kocka…
-As varr…
NJERIU
Vdekja një ditë ju bë fyell
dhe ai,
i etur për një këngë
– i ra!