DR. Mujë BUÇPAPAPAJ: libri i ri “Negociatat – sfida e fundit e integrimit“ e diplomatit dhe publicistit të mirënjohur Dr. Jorgji Kote

Kronikë brilante e një procesi historik!

Ka një muaj që është në qarkullim, sidomos në librarinë prestigjioze “ADRION” dhe te “Libri Universitar” libri i ri “Negociatat – sfida e fundit e integrimit“ e diplomatit dhe publicistit të mirënjohur Dr. Jorgji Kote.
Libri bart vlera të spikatura politike, europiane dhe shkencore. Së pari për vetë temën madhore dhe komplekse që shtjellon, siç janë negociatat e anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian. I shkruar nga një profesionist i fushës dhe diplomat karriere, i cili krahas punës në Ministrinë e Jashtme, ka shërbyer për 15 vite si numri 2 i Përfaqësive tona diplomatike në Bruksel dhe Berlin, veç shumë misioneve dhe veprimtarive të tjera ndërkombëtare, ku ka qenë i pranishëm në 35 vitet e fundit. Siç është shprehur gazetari dhe profesori i njohur i medias Arben Muka “kujtimet e diplomatit janë skeda të imta, të cilat janë burim analizash brilante që përmes qëmtimit të së kaluarës ndriçojnë dinamikat e të ardhmes”.
Siç e pohoi në ceremoninë e promovimit, Prof. Dr. Paskal Milo, ish Ministër i Jashtëm, Dr. Kote bën pjesë në ata pak diplomatë rangu të dalluar në trajtimin në terren të tematikës europiane dhe me analiza të thella, veçanërisht nga fundi i e viteve 90 dhe në dy dekadat e ‘ 2000; informacione dhe analiza që janë me rëndësi jetike në procesin e vendimarrjes politike për proceset dhe procedurat e mëtejshme.
Gjithashtu, autori është dhe publicist i njohur, me 6 libra të tjerë mbi diplomacinë në vitet e fundit dhe mbi 500 shkrime të vlerësuara në shtypin tonë të përdishëm, në të cilat integrimi europian dhe negociatat janë kryefjala e tyre.
Kësisoj, libri pasqyron njohjen e thellë teorike dhe praktike të autorit mbi temën, duke qenë i doktoruar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i trajnuar në një nga universitetet më prestigjioze të Vjenës. Edhe mbas përfundimit të shërbimit publik dhe diplomatik 45 vjeçar, Dr. Kote vazhdon të meret aktivisht më këtë temë; duke qenë se banon dhe në Bruksel, me kontakte të shumta me qarqet europiane dhe i ftuar në shumë evente, krahas zotërimit të gjuhëve anglisht, frëngjisht, gjermanisht, etj.
Ndaj interesi dhe vëmendja për këtë botim të ri u pasqyruan dhe në ceremoninë masive me rastin e promovimit të librit që organizoi në Tiranë Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ( UMSH), me moderimin e Presidentit të tij, Akademik Anastas Angjeli, Rektorit, Akademik Adrian Civici dhe praninë e profesorëve të tjerë të njohur. Në 15 vjetorin e themelimit të tij, organizimi i eventeve të kësaj natyre, për tema të tilla me peshë dhe nga autorë që punojnë pa bujë dhe zhurmë është bërë një traditë e mirëpritur e UMSH-së.
Dëshmi tjetër e kësaj jehone ishte prania në promovimin e librit e Deputeteve Jorida Tabaku dhe Etilda Gjonaj, përkatësisht Kryetare dhe Nënkryetare e Komitetit Parlamentar të Integrimit, të cilat dhe përshëndetën takimin, duke evidentuar vlerat e librit dhe përvojën e pasur e të gjatë të autorit. Së bashku me to dhe ish ministrat e Jashtëm, Prof. Dr. Paskal Milo dhe Besnik Mustafaj, ish Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, Profesorëve Arben Cici dhe Fatos Tarifa, shumë ish ambasadorëve, drejtorë në Kuvend dhe të MEPJ-së, të Kryenegociatores, gazetarë, etj.
Libri është një kronikë besnike dhe e besueshme e ngjarjeve, debateve, vendimeve dhe forumeve me ndikim thelbësor te negociatat në 10 vitet e fundit. Kjo kronikë me natyrë kryesisht diplomatike fillon me një sfond të veçantë historik, duke na sjellë një kontrast të thellë qysh me titullin midis BE-së “ si armiku ynë më i madh dje dhe destinacioni strategjik sot”. Po ashtu në një shkrim “ aperitiv” “ Bruksel, ma bel” përshkruhen me simpati disa nga tiparet dhe karakteristikat më të mira “ shtëpisë së Europës” ku kemi kohë që kemi trokitur.
Më tej, autori na shoqëron në një “udhëtim“ gati 60 vjeçar që fillon në Tiranë, në selitë tona qeveritare, shtetërore, mediatike, etj duke na “ shetitur” politikisht pothuajse në të gjitha kryeqytetet dhe metropolet e tjera të rajonit dhe Europës, madje deri në Uashington, në takime, forume, samite dhe evente të shumta kushtuar procesit të integrimit dhe negociatave të anëtarësimit në BE të rajonit dhe posaçërisht të vendit tonë.
Këto “ udhëtime” në harkun kohor të një dhjetëvjeçari janë përmbledhur në 266 faqe, në 10 kapituj dhe 41 shkrime me tituj intrigues, tërheqës, diplomatikë dhe problematike. Shkrimet janë renditur ashtu siç janë hartuar në vitet përkatëse dhe jo duke u treguar “ trim pas lufte” apo “pas pilafit”
Gjithsesi, autori nuk mjaftohet me parashtrimin e ngjarjeve dhe parashikimeve, por shkon më tej me analizat e tij, me reflektimet e rastit, me sugjerime dhe rekomandime profesionale dhe dashamirëse për të gjithë zinxhirin intitucional dhe vendimarrës, sidomos në Tiranë. Ai bën sipas rastit vlerësime tejet pozitive, pa ia ngrënë hakun askujt, sidomos për stafet negociatore, të MEPJ-së, të Kuvendit, duke evidentuar imazhin e lavdërueshëm që ata kanë krijuar në korridoret dhe kancelaritë europiane.
Siç pohoi në fjalën e tij, Prof. Dr. Kenofon Krisafi “ky libër i kushtohet idealizmit, punës dhe përkushtimit të një numri të madh ekspertësh, të cilët prej shumë vitesh punojnë pa kursyer me dijet, mençurinë, vendosmërinë dhe energjitë e tyre për të realizuar një endërr, e cila vjen nga shekuj historie.“
Megjithatë, autori nuk heziton të shprehë me keqardhje dhe vërejtje, rezerva dhe kritika për organet politikbërëse. Për pasojë, në disa raste shkon dëm dhe puna e mirë në aspektin teknik.
Ndërkohë, në dy shkrime të tjera bëhet një digresion i këndshëm i lidhur ngushtë me integrimin në BE; i pari tregon se si Tirana u bë në dhjetor 2017 për të parën herë Mysafire dhe Pjesëmarrëse Nderi në Panairin dhe Festivalin më të madh kulturor të Krishtlindjeve dhe Dimrit në Bruksel; frut i bashkëpunimit të dy Bashkive dhe Kryetarëve të tyre, e sidomos i Philippe Close, Kryebashkiak i Brukselit, mik i vendit tonë në çdo kohë.
Në shkrimin tjetër tregohet për Koncertin që disa artistë të shquar shqiptarë në Europë dhanë në qytetin e Anversës në dhjetor 2019 në shenjë solidariteti me viktimat dhe të dëmtuarit e tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit 2019.
Padyshim që Parathënia e shkruar nga një personalitet i shquar i komunitetit tonë akademik dhe të drejtës ndërkombëtare, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë ( UMSH) Prof.Dr. Ksenofon Krisafi përbën vlerë të madhe të shtuar të librit; le ta themi me këtë rast se profesori i nderuar është tejet bujar ndaj kolegëve por dhe më të rinjve me vlerësime dhe inkurajim të përkushtimit të tyre profesional, përfshirë dhe botimet e tyre.
Me të drejtë ai nënvizon ndër të tjera se “Negociatat – Sfida e fundit e integrimit” vjen në kohën e duhur si dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për Europën, e progresit të arritur, mësimeve të nxjerra, projekteve të ndërhyrjeve rutinë dhe reformave të tjera që duhen zbatuar për çeljen dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.”
Këto vlera të spikatura të librit i evidentoi qartë dhe zonja Klajda Gjosha, e shquar pëer drejtimin me kompetencë dhe me pasion të Ministrisë së Integrimit në vitet 2013 – 2017. Ajo veçoi tiparet kryesore, vlerat teorike dhe praktika të analizave të librit lidhur me demarshet e vendit tonë në procesin e negociatave të anëtarësimit, në marrëdhëniet me institucionet e ndryshme europiane dhe vendet anëtare, thellimin e reformave kryesore, etj.
Në shkrimin e parafundit” Ura jonë diplomatike me Brukselin” jepet një historik homazh i veprimtarisë intensive dhe suksesshme të stafeve të përkushtuara diplomatike që kanë shërbyer në Misionin tonë pranë BE-së dhe Ambasadës sonë në Bruksel gjatë 33 viteve të fundit, duke filluar nga diplomati më i thjeshtë e deri te ambasadorët e shquar të saj. Veç të tjerash ky shkrim përbën dhe një dokument me vlera arkivore, mbasi është shkruar me vërtetësi nga një diplomat që e ka patur atë si shtëpinë e tij për mbi 10 vjet. Ky Mision – shton autori ka qenë dhe mbetet dhe një “fidanishte” për gjithë shërbimin tonë diplomatik. Kështu, ish diplomatët e tij sot shërbejnë me cilësi dhe dinjitet në përfaqësitë tona diplomatike kudo në botë; të paktën10 prej tyre janë ambasadorë, drejtora në MEPJ, etj. Ndërsa ish titullarët e tij, sipas radhës kronologjike, Artur Kuko, Mimoza Halimi dhe Ilir Tepelena drejtojnë ambasadat tona në Hagë, Varshavë dhe në Pragë. Ndërkohë që Suela Janina, ish ambasadorja e talentuar, kjo Zonjë e diplomacisë sonë, sapo ka filluar në krye të Misionit tonë në OKB, duke zëvendësuar zotin Ferit Hoxha; ky i fundit, mbas 5 mandateve ambasadoriale me jehonë, veçanërisht tani së fundi me performancën brilante në procesin e anëtarësimit tonë në KS të OKB-së, si dhe në MPJ si drejtor dhe sekretar i Përgjithshëm, mbas 26 vitesh është rikthyer në krye të Misionit tonë pranë BE-së në Bruksel, mesazh domethënës i seriozitetit tonë në rrugëtimin europian.
Libri mbyllet me rikapitullimin e 10 rekomandimeve themelore, të cilat ndihmojnë për të shtuar përpjekjet në këtë fushë, pavarësisht bllokimit të tanishëm që shpresojmë të jetë i përkohshëm. Më konkretisht bëhet fjalë për zbatimin e drejtë dhe me konseguencë të modelit kroat, duke krijuar një klimë konsensuale dhe kohezion politik e partiak për çështjen e integrimit; duke vlerësuar njëlloj të katër institucionet më të larta të BE-së, pa mbivlerësuar Komisionin Europian ; sepse në fund të fundit vendimet i merr Këshilli, dmth të 27 vendet anëtare. Ndaj dhe marrëdhëniet tona, vijon autori, duhet t’i kemi të mira me të gjitha vendet anëtare; dhe jo ta “kemi grurë vetë me të mëdhenjtë“, duke nënvleftësuar më ” të vegjëlit” Sa të mundemi të shmangim dhe të bëjmë çmos të zgjidhim me mjete diplomatike pa cënuar parimet themelore dhe drejtësinë e pavarur çdo mosmarrëveshje sidomos me fqinjët. Po aq e rëndësishme është të linjëzojmë përparimin teknik me vullnetin dhe veprimin politik; gjeopolitika dhe disa veprime tona pozitive në favor të saj kanë rëndësinë e tyre, por ato janë pa efekt nëse nuk shoqërohen me “shkuljen e të këqiave brenda vendit”, dmth luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, etj; sa për reformat, ato vërtet i bëjmë për vehte, por ama të certifikuara nga Brukseli ku duam të integrohemi, ndryshe asnjë reformë nuk do të ketë vlerë; për rrjedhojë, dhe projekt-ligjet tona të jenë, “në frymë dhe në gërma” të linjëzuara me ato të BE-së, ndryshe do të humbasë kuptimin dhe dobinë puna e mirë që bëhet për afrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së.
Gjithashtu, e rëndësishme është të kuptohet se ndonëse negociatat tona hë për hë janë në ngërç, ne duhet ta vazhdojmë me ritëm punën me ritëm, që kur të vijë momenti i duhur të “mos kapemi gafil”, siç ka ndodhur dhe më parë.
Së fundi, nisur nga tematika tejet specifike e librit mund të mendohet se rrethi i lexuesve do të jetë i kufizuar. Mirëpo duket se e kundërta po ndodh, sepse kjo kronikë bëhet interesante për të gjithë. Kjo dhe se libri është shkruar me gjuhë të thjeshtë, të pastër, të pasur, të qartë, me një stil të rrjedhshëm dhe joshës, me fjali të shkurtëra, me tituj intrigues, si letërsi diplomatike me shumë figuracione. Kësisoj, shkrimet rrjedhin natyrshëm njeri pas tjetrit, duke mos e lënë lexuesin “të marë frymë” në pritje të hapave të mëtejshëm në stacionet pasardhëse të rrugëtimit tonë të gjatë, të mundimshëm dhe historik europian.
Së fundi, edhe për Shtëpinë Botuese “ Nacional” bashkëpunimi për një libër me një tematikë të tillë pikante, e cila ka të bëjë sa më të tashmen aq dhe me dinamikat e të ardhmes ishte një mundësi dhe privilegj i veçantë.