Beqir SINA, SHBA: Statuja e shperfytyruar e Skëndërbeut në zemër të Siçilisë. Edhe Hora e Arbëreshëve, ra në dorën e horrave socialistë të Tiranës

Në Horën e Arbëreshëvet në Siçili të Italisë, u pëerurua së fundmi shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Edi Rama dhe socialistët edhe kësaj radhe nuk ngurruan të fusin duart për ta përvetësuar edhe këtë ngjarje, siç kanë bërë me shumë të tjera që kanë lidhje me trashëgiminë tonë kombëtare.

Në këto tre mandate si kryeministër, e kemi parë Ramën të bëhet protagonist vend e pa vend, duke i dhënë vetes merita për gjëra me të cilat nuk ka asnjë lidhje, siç janë bëmat e studentët dhe rinisë në rrëzimin e komunizmit në 1990/91, persekutimi dyzetepesë vjeçar, ku e heq veten si mik të të disa figurave të njohura anti komuniste, mbijetesa hebraike në Shqipëri apo tradita shqiptare e Besës, sa herë që ja lyp nevoja në Washington dhe Nju Jork. Pa pikë turpi, ai personalizon thënien “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut,” ashtu siç bëri me refugjatët afganë, dhe siç po bën bën me refugjatët që planifikon të sjellë Italia e Melonit.

Nga ana tjetër, Elisa Spiropali, e cila në mënyrë qesharake e quan Ramën Skënderbe, ndërsa ai i ka kthyer favorin duke e pagëzuar me emrin “Mamica”, dërgohet në zemër të Siçilisë e veshur si arbëreshe, që të përurojë një statujë të debatueshme të heroit tonë kombëtar.

Në mesin e arbëreshëve prej shekujsh Skënderbeu nderohet si “Mbret i Arbërisë”. Së fundmi atij i është kushtuar edhe një shtatore 3 metra e lartë në komunën e Horës, Piana degli Albanesi. Në inaugurim ishte edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Spiropali, e cila siç shkruan shtypi servil i Tiranës, i paska surprizuar, por edhe i paska ngazëllyer banorët vendas, duke u veshur me kostumin e tyre tradicional si “Mamica”, pra për t’u sjellë një mesazh nga Shqipëria: Ne jemi një!

Njeriu ndjen neveri kur shikon e dëgjon për skena të tilla absurde.

Për shtatoren e Skëndërbeut është hapur ndërkaq një debat, ku janë përfshirë edhe njerëz të zanatit, skulptorë e piktorë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët thonë se portreti i Heroit Kombëtar shqiptar, Atletit të Krishtit, në shtatoren e Kalabrisë çalon shumë artistikisht si vepër e artit pamor.

Një artist nga Tirana, tha se figurat që janë me ndjesi të lartë kombëtare, siç është ajo e Gjergj Kastriot Skënderbeut, duhet të marrin një vëmendje më të shtuar dhe më të kujdesshme kur trajtohen në një vepër arti të këtyre përmasave. “Ndjeshmëria publike është shumë e lartë dhe interpretimet apo keqinterpretimet marrin rrugë dhe ndoshta e cenojnë deri diku aspektin historik” ka thënë Bernard Lekgegaj.

I ftuar në SYRI TV me moderatorin Bled Marku, skulptori Lekgegaj theksoi se elementi i dhelprës apo ujkut është një element i panevojshëm i shtuar, që nuk e lidh heroin kombëtar me asnjë ngjarje historike.

Kurse, Alban Çakallı, i cili është marrë me artin e skulpturës, shkruan kështu në një status në rrjetet sociale: “Po shikoja Elisën që kishte shkuar me ngrit bustin e “Ramës” në Itali te Arbëreshët. Jam marrë shumë vite me skulpturë dhe e njoh deri diku skulpturën. Ju them me plot bindje që ky busti është Rama identik. Skulptori që e ka bërë duhet të japë shpjegime se përse ka vendorsur ta bëjë Ramën me përkrenaren e Skënderbeut”, shkruan Çakalli.

Është e habitshme se çfarë po ndodh me ne shqiptarët. Askund në botë, me perjashtim ndoshta të Shqipërisë, luhet në mënyrë të papërgjegjshme me figurat e pakta madhore që kemi duke i lidhur me politikën.

Në rastin konkret, me të drejtë lindin dyshime se qeveria shqiptare ka lidhje drejtpërdrejt me financimin e një vepre si kjo, që paraqet Ramën me përkrenaren dhe pazmoren e Skënderbeut, i cili thyen pa mëshirë armiqtë e Shqipërisë (lexo: Berishën dhe opozitën). Këto vepra absurde që inaugurojnë me kaq zell socialistët e Ramës në thelb ua prishin imazhin shqiptarëve dhe nuk ndihmojnë për asgjë. Ngritja artificiale e figurës së Ramës merr përmasat e groteskes dhe është vetëm një ftesë për të qeshur me budallallëqet e kreut socialist, siç qeshin të gjithë edhe sot e kësaj dite me krahasimin absurd që ka përdorur vartësja e tij servile.

Në 2017 në një takim me të rinjtë që votonin për herë të parë Spiropali e krahasoi kryeministrin Edi Rama me heroin kombëtar Gjergj Kastriotin.

“Është Shqipëria që deshi Ismail Qemali, që mendoi Fan Noli, Shqipëria që vuajti Fishta dhe të tjerë Rilindas Shqiptarë. Është Shqipëria që ideoi ky burri këtu – Skendërbeu. Shqipëria europiane dhe vetëm europiane dhe ka vetëm një njeri dhe vetëm një forcë politike që mund të bëjë realitet këtë ëndërr, është Edi Rama edhe është Partia Socialiste,” ishin fjalët e Spiropalit.

Nuk di ç’të bëjë njeriu i shkretë: të qajë apo të qeshë?