VJEDHJA E NUDOVE TË FERRIT. Tregim nga Mehmet ELEZI

Lajmi se është dhunuar studioja e piktorit Dren Gjakova u bë kryelajm. Kurrkush s’kish menduar se vjedhja e një tablloje të panjohur do të shprehte pikërisht atë element që thuhej se u mungonte pikturave të tij, kohën. Kohën, të përqendruar.
Dren Gjakova pikturonte peisazhe, natyra të qeta. Përhumbte nëpër mite me zana. Rrallë ndonjë portret. Të bukur në vetvete, por disi jashtë kohës. Ose të gjithëkohshëm. Në çdo konkurs të arteve të bukura vlerësohej me çmim. Çmim të parë kurrë. Arti ia jepte, kumti ia hiqte. Më saktë, moskumti. Mungon ajri i ditës, ku është e sotmja?
Krejt në kundërshtim me traditën vetjake të piktorit, vepra e zhdukur paskesh qenë katranzë me përmasa sa një faqe muri. Të tjerat i kish të vogla, me i shti në xhep. I merrte nën sqetull, si libra, mbase i ndikuar edhe nga profesori i tij, mjeshtri i rrallë Buza. Prandaj e paskesh çuar te një shok fëminie, ku me e mbajtë tërë atë bina? Dhe atje ia kanë përlarë. Ç’paskesh qenë ajo vepër, pse s’ia mori galeria në ruajtje? Me gjasë nudo, gra cipricullak. Nudot janë të ndaluara. Prandaj policia nuk bëhet e gjallë. Ndonjë maniak seksual do t’ia ketë vjedhur. Masturbohet para tyre. Dren Gjakova është mjeshtër i detajit të gjallë. Impresionist modern. Postmodern, më saktë.
Spekulimet u shtuan kur u tha nuk bëhet fjalë për kurrfarë grash, të zhveshura as të veshura. Tablloja e zhdukur qenka edhe kompozim edhe peisazh, mbase diçka ndërmjet, gjini e veçantë. Një qytet i tërë, në jetën e natës! I parë nga brenda, nëpër dritëhijet e zjarrit. Pikturuar me gjithfarë hollësish. Lloj-lloj portretesh përvijohen e faniten nëpër të. Hije, shajni, fantazma. Dhe si e paska kompozuar? Diçka si pallat me nëntë kate. Çdo kat, lagje në vete. Me botën e vet të veçantë, krejt ndryshe prej të tjerëve. Me tërë çka bëjnë gjindja atje. Fytyrat, klithmat, dhimbjet, zdërhalljet, kacafytje dashurie dhe urrejtjeje. Mos ka pasur skena te këto të dashurisë, prandaj e kanë fshirë? E çuditshme, pse qytetin e paskish pikturuar me krye poshtë. Si katet e parkingjeve nëntokësore. Kati i pestë, pesë kate nën dhé. I nënti nëntë. Përfund të nëntit nuk është djergur. Aty mbaron, s’ka më.
Te bari i bibliotekës pinte kafe qyqe vetëm Kamber Gjela, enciklopedisti i qytetit, me të njëjtin kostum dopiopet ngjyrëhiri, që s’e ndërrronte kurrë. Do të ketë pasur ndër mend Kapadokian, u përgjigj ftohtë, duke shkundur cigaren në pjatën e filxhanit të kafes. Keni dëgjuar për Kapadokian? Qytet i moçëm në Turqi, atje nis Rruga e Mëndafshit. E kanë gërryer shkëmbin nën tokë siç gërryehet bora e ngrirë me lugë, vërr-vërr. Lagja e parë menjëherë nën sipërfaqe, nën të lagjja e dytë, e treta përfund saj. E nënta më e thella. Diku afër Kaut të Zi. Afër bërthamës së Tokës, që vorbullon tërë zjarr.
Kamber Gjela fliste ngadalë. Sytë ngulur në një pikë të paqartë.
Në kulmin e hamendjeve, në një qoshe me dritë të lëmekët të bar-restorantit Gruaja që shkel syrin, dy burra porositën raki, na the është raki shpie, apo jo? Njëri, gallof me pamje budallai, me një libër të hollë mbështjellë tub në xhep të xhaketës, i bëri me shenjë tjetrit, afroju pak. Tjetri mbante syze të holla prej të mençuri, mezi i dukeshin mbi hundën e përhimët. Pothuaj mbështetën ballin te shoqi-shoqi. More vesh ç’ka qenë piktura që ia vodhën Dren Gjakovës?, tha ai me librin tub në xhep të setrës. Nuk marr vesh nga pikturat, tha tjetri. Kur të duash jap një pikturë për një dopio, pse, ti s’e jep? Dëgjo çka po them, në atë pikturë… S’ka qenë qyteti ynë i pikturuar aty. As kurrfarë qyteti tjetër. As. E ruajtë Zoti Dren Gjakovën!
Në ekran lajmet. Të dy ngritën kryet, veshin cingare. Fillojmë kronikën e zezë me një vrasje të pazakontë, tha folësja (pamja e mrrolët e shëmtonte). Në studion e piktorit Dren Gjakova është kryer një vjedhje spektakolare. Policia dhe tërë mekanizmat e sigurisë janë në këmbë. Është zhdukur një vepër e madhe, tabllo epope. Fytyra e gjallë e qytetit tonë në art. Me njerëzit e lumtur, plot besim tek e ardhmja. E përkapur në mënyrë tërësisht origjinale, si pallat madhështor me kate. E pashoqe në llojin e vet.
Klientët i menë fjalët. Hm, të thashë unë. Ka diçka këtu, po lëviz shteti!
Njeriu me pamje gallofi cakërroi gotën me tjetrin. Lepuri fle tjetërkund, vëlla. Lepuri? Nuk dua lepur, bërxollë dua. Lepuri fle tjetërkund, kamerier, edhe dy bërxolla të lutem. Në ekran nuk thuhen kurrë disa të vërteta, vëlla. Në daç thuaj televizion i varur në daç i pavarur. As në gazetë nuk thuhen. Në atë pikturë Dren Gjakova është marrë me… Nuk është lojë, nuk është mahi. Ku dreqin e ke mendjen, s’po më ndjek. Nuk ta them.
Në ekran sigla e njohur, bisedë në studio. Temë e ditës, piktura e vjedhur. Të ftuar drejtori i galerisë së arteve dhe dy të tjerë. Është ngritur në këmbë shteti, vepra do të gjindet shpejt, thotë i ftuari i parë. Dren Gjakova punonte prej vitesh për portretin e qytetit tonë. Pa u ndier. Do të bënte surprizë në përvjetorin e… Mund të ndodhë me humbë?, pyet moderatori. Me humbë? S’e trafikojnë dot kurrë, edhe në u bëfshin zogj me fluturue. Me ato përmasa që ka tablloja, duhet avion special. Avion transporti, si ata të ushtrive të NATO-s.
E kuptoj, thotë moderatori. Po rrezik dëmtimi ka? Vjedhësi nuk është specialist, nuk di qysh ruhet një pikturë, as mundësitë s’i ka. Mund ta mbajë në kushte të papërshtatshme. Lagështia, drita, myku. Si mendoni ju, zoti drejtor?
Drejtori i galerisë së arteve bashkon duart, i mbështjell me shoqja-shoqen, përtypet. Vepra do të gjindet, pa tjetër. Veç. Veç në e shkatërrofshin, dua të them.
Përse mund ta shkatërrojnë, e ndërpret moderatori. Ajo u vodh me e pasë për një qëllim, jo me e zhdukë.
E përmenda si mundësi teorike, thotë drejtori. Domethënë, në e pafshin veten ngushtë, në e hetofshin se po zbulohen, mund ta bëjnë për t’i shpëtuar ndëshkimit. Do të ishte krim mizor. Është kryevepër.
Pikturën?, tha një i dehur që pinte vetëm, në qoshe. Po në ndodhtë me e fshehë hajnat atje, në të s’ëmës?
Burri me pamje gallofi gati ngjit fytyrën te fytyra e shokut me syze të mençuri. Dëgjo, shqipton dhe këqyr përvjedhazi përreth. Në atë pikturë Dren Gjakova ka pasqyruar skëterrën!
Skëterrën? Keshe intelektual! Nuk e di ai se feja është e ndaluar?
E dinte, s’e dinte, është punë tjetër, thotë njeriu me pamje gallofi e me një libër mbështjellë tub në xhep. Një sy, që vëzhgon gjithçka, e ka ndjekur. Çështja është diku më thellë, po më dëgjon? Te fytyrat e njerëzve të skëterrës. Të skëterrës së pikturës, për atë po flas. Burri lëshon prapë sytë rrotull, me kujdes. Ai syri vëzhgues kish vënë re diçka të frikshme në rrathët e ferrit. Të ferrit të pikturës.
Doemos, tjetri kthen gotën me fund. Si mund të jetë i pafrikshëm ferri?
Tjetër çka, tjetër çka. Me kë ngjanin fytyrat e pikturës, kjo është çështja. Ata që torturoheshin në skëterrë ngjanin me… Me atë që e kemi mbi krye, e merr vesh çka po të them? Ngjanin me… nuk ta them. Dhe me sejmenët kryesorë të tij. Në daç quaji sejmenë, në daç jesmenë. Nudo të njëmendta, krejtësisht cullak. Dua të them portrete pa maskë. Janë tmerruar kur kanë njohur veten aty. Këto s’duhej me i pa kush. Kurrqysh.
Ia afroi gojën te veshi.
– Prapë nuk ta kap truri kush e ka zhdukur pikturën?