MILAN KUNDERA ndikimi nga tregimtari austriak me prejardhje hebraike, Franc Kafka. Nga Xhelal Zejneli

MILAN KUNDERA ndikimi nga tregimtari austriak me prejardhje hebraike, Franc Kafka

Milan Kundera (Bërno/Brno; Çeki, 1 prill 1929 – Paris, 11 korrik 2023) është shkrimtar çek dhe francez. Njihet për shkrimet erotike dhe politike. Lindi në një familje të shtresës së mesme. Babi i tij, Ludvik Kundera (1891-1971), nxënës i kompozitorit Leosh Junaçek (Leoš Junáček), ishte muzikolog dhe pianist çek. Në vitet 1948-1961, ka qenë në krye të Akademisë Muzikore të Janaçekut në Bërno. E ëma quhej Milada Janosikova Kunderová. Milani i filloi studimet e muzikologjisë dhe të kompozimit. Në opusin e tij janë të shumta ndikimet dhe referencat e muzikologjisë. Në Pragë studioi edhe letërsinë dhe estetikën, por pas dy semestrave kaloi në Akademinë e Filmit të Pragës. Aty ndoqi ligjërata nga regjia dhe skenari. Diplomoi në vitin 1952, aty filloi të ligjërojë letërsinë botërore. Në ideologjinë e çekëve të rinj ndikuan me të madhe përvojat e Luftës së Dytë Botërore dhe të pushtimit gjerman. Kështu, në vitin 1948, Kundera i ri, iu bashkua Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Në vitin 1950, ai dhe shkrimtari çek Jan Trefulka (1929-2012), u përjashtuan nga partia për shkak “të veprimtarisë antipartiake”. Këtë incident, që të dy e shtjelluan në pikëpamje letrare. Kjo e frymëzoi Kunderën për temën kryesore të romanit “Shakaja” (1967). Në vitin 1956, Kundera përsëri u pranua në Partinë Komuniste. Në vitin 1970 për së dyti u përjashtua prej saj. Bashkë me artistët dhe me shkrimtarët e tjerë, si dramaturgu çek Vaclav Havel (Václav Havel, 1936-2011), në vitin 1968 edhe Kundera u angazhua në Pranverën e Pragës. Kjo ishte një periudhë e shkurtër e optimizmit reformist që u shua në gusht të po atij viti me invadimin sovjetik të Çekosllovakisë. Kundera edhe më tej mbeti i angazhuar në reformën e komunizmit çek dhe polemizoi publikisht ashpër, në shtyp, me Havelin, duke thënë se çdokush duhet të jetë i matur për arsye se “ende askënd nuk e burgosin për shkak të mendimit”, ndërsa “pesha e Vjeshtës së Pragës do të mund të ishte më e madhe se pesha e Pranverës së Pragës”.
Në vitin 1956 Kundera u martua me Olga Haasova – Smërçkova (Olga Haasová – Smrčková). Në vitin 1967 u martua me Vera Hrabánková.
* * *
Shënim: Më 16 janar të vitit 1969, studenti 20-vjeçar i historisë dhe i filozofisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Karlovit – Jan Pallah (Jan Palach), duke protestuar kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, dogji veten në qendër të Pragës, në Sheshin Vacllav (Václav), para Muzeut Kombëtar. Vdiq pas tri ditëve. Lindi në Pragë më 11 gusht 1948, vdiq po aty, më 19 janar 1969. Para se të shkonte në pavdekësi, ky hero i shqiptoi fjalët: “Ka çaste në histori kur të duhet të bësh diçka”.
* * *
Në fund Kundera hoqi dorë prej ëndrrave reformiste të veta dhe në vitin 1975 u shpërngul në Francë. Atje u afirmua si një autor i natyralizuar. Në vitet ’90 të shekullit XX shkruan vetëm në gjuhën frënge.
Prej vitit 1981 është qytetar i Francës. Në vitin 2019, pas dyzet vjetësh, Kundera mori shtetësinë çeke.
* * *
Kundera është ndikuar nga tregimtari austriak me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë, Franc Kafka (Franz Kafka, 19883-1924) si dhe nga filozofi dhe poeti gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900). Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ai nisi të botojë në vitin 1953. Romanet e fundit i shkroi në frëngjisht.
Konfliktin e vet programor me letërsinë “të eks-statizmit lirik” e paraqet me shembullin e historisë së jetës të poetit të ri i cili talentin e vet dhe ambiciet rinore i vë në shërbim të ideologjisë komuniste.
Në letërsi u paraqit në vitet ’50 të shekullit XX., me vargjet që i ngrënin lartë mitet komuniste si dhe me dramat me problematikë shoqërore “të angazhuar”. Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, u distancua nga fillimet e veta letrare që i quajti “periudhë e papjekurisë”. Në fund të dhjetëvjeçarit, d.m.th. në fund të viteve ’60 t qindvjeçarit të 20-të, u bë personaliteti kryesor i qerthullit të shkrimtarëve të cilët kishin mendime dhe qëndrime kritike ndaj regjimit stalinist. Paraqitja publike e tyre në vitin 1967, inicio “pranverën e Pragës” e cila, në gusht të viti 1968, përfundoi me ndërhyrjen ushtarake sovjetike.
Periudhën “e shtatë arritjeve kulmore” apo të “opusit”, siç i quan vetë ai, e fillon me romanin “Shakaja” (Žert, 1967) të cilin kritika çeke e pret në mënyrë të përmbajtur, ndërsa kritika e huaj – si një sensacion të dorës së parë. Historia jetësore groteske e heroit kryesor të veprës është një kornizë në të cilën autori i pasqyron ndryshimet në shoqërinë çeke në të ashtuquajturën periudhë të real-socializmit (realizmit socialist).
Në përmbledhjen e tregimeve “Dashuritë qesharake” (Smešné lásky, 1970) renditen dramat e vogla, intime, në të cilat lojërat me objektin e pasionit, si rregull, shqiten nga duart e protagonistëve, duke përfunduar me dëshpërim.
Vepra “Valceri lamtumirës” (Valčik na rozloučenou, Toronto 1979), në frëngjisht “La Valse aux adieux”, 1986 është një thurimë e ndërlikuar intrigash dashurie, krijim në prozë plot konfliktesh të pabesueshme dhe përfundimesh të papritura.
Vepra “Libër qeshjesh dhe harresash” (“Kniha smichu a zapomneni”, Toronto 1981), në frëngjisht “Le Livre du rire et de l’oubli”, 1985) përfshin shtatë tregime relativisht të pavarura me temën e qeshjes (që mund të jetë naive dhe intelektuale) dhe të harresës (që godet botën të pavetëdijshme për vazhdimësinë e vet).
Vepra më e popullarizuar e Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies” (Nesnesitelná lehkost biti, Toronto 1985), në frëngjisht “L’Insoutenable légèreté de l’être, 1987) merret me motivet e emigracionit, të idilit dhe të kiçit. Heronjtë e saj kthehen nga Zvicra në Çekosllovakinë “e normalizuar” për të kuptuar sesi në të vërtetë ikin nga vetvetja. Idilin provincial të tyre e ndërpret vdekja e papritur në qarkullimin rrugor.
Romani filozofik “Pavdekësia” (në frëngjisht “L’Immortalité, 1990; në gjuhën çeke “Nesmrtelnost”, 1993), është një sintezë tipike e veprës beletristike dhe eseistike të Kunderës. Në qendër të tij ndodhet figura e njeriut të fundit të shekullit XX, qeniet në një botë pa Zot, të mbështjellë nga reklama, nga manipulimi i mediumeve dhe nga vlerat e rrejshme.
Kundera është edhe autor dramash. Midis tyre “Monade”, “Lauresha”, “Zhaku fatalist dhe padroni i tij”.
* * *
Popullaritet ndër lexues i siguruan pesë romanet e tij. Me romanin “Jeta është gjetkë” (Život je jinde, Toronto, 1979), në frëngjisht “La Vie est ailleurs”, 1987, përqafon modernizmin e traditës kafkiane në kundër-lirizmin, në kundër-romanizmin, në skepticizmin dhe në kriticizmin e tij, së cilës i referohet në esetë të shkruara në gjuhën frënge “Arti i romanit” (L’Art du roman, 1986).
Romanet dhe tregimet – Shakaja (Žert, 1967); Dashuritë qesharake (Směšné lásky, 1968); Jeta është gjetkë (Život je jinde, 1969); Valceri lamtumirës (Valčík na rozloučenou, 1976); Libër qeshjesh dhe harrese (Kniha smíchu a zapomnění, 1979); Lehtësia e padurueshme e qenies (Nesnesitelná lehkost bytí, 1984); Pavdekësia (Nesmrtelnost, 1990); Ngadalësia (La Lenteur, 1993); Identiteti (L’Identité, 1998); Injoranca (L’Ignorance, 2000).
Esetë – Arti i romanit (L’art du Roman, 1985); Testamentet e tradhtuara (Les testaments trahis, 1992); Perdja (Le Rideau, 2005).
Drama – Zhaku fatalist dhe padroni i tij (Jakub a jeho pán, 1975); “Monade”, “Lauresha”.
* * *
Kundera është vlerësuar me çmime ndërkombëtare:

Prix Médicis étranger, (1973);
Common Wealth Award of Distinguished Service, (1981);
Çmimi Jerusalem Prize for the Freedom of the Individual in Society, (1985);
Çmimi Shtetëror Austriak për Letërsi Evropiane, (1987);
Prix de la critique, (1987);
Çmimi “Nelly Sachsové”, (1987);
Medalja për Merita e Klasës së Parë (1995).
Çmimi ndërkombëtar “Herder”, (2000);
Çmimin Shtetëror Çek për Letërsi, (2007), etj.
* * *
Sipas kritikëve të caktuar, Kundera e ka merituar edhe çmimin “Nobel” për letërsi, por nuk ia doli të laurohej.

Xhelal Zejneli