INTERVISTË ME PSIKOLOGEN, SHKRIMTAREN, STUDIUESEN DHE POETEN GABRIELLA PICERNO
Angela. K: Përshëndetje Gabriella… Mirësevini në Gazeta NACIONAL. Ju keni një profesion delikat dhe të vështirë… Na tregoni diçka më tepër për profesionin dhe veten tuaj…
G. Picerno: Unë kam lindur në Kalabri, por kam jetuar vetëm tre vitet e para, pastaj prindërit e mi, të dy mësues, u transferuan në Toskana ku aktualisht jetoj. Jam shumë e lidhur me tokën time, dhe çdo verë, kthehem në rajonin tim. Për mua ky është një takim i rëndësishëm, nga i cili nuk mund të heq dorë. E dua shumë detin ku jam rritur, mes rërës dhe shkëmbinjve. Kur kam nevojë të gjej vetveten, shkëmbinjtë e Cirellës janë frymëzimi im, dhe atje, në heshtje, zhurma e detit që përplaset në shkëmbinj, krijon muzikën e ëmbël për veshët e mi. Familja e origjinës sime ishte shumë e madhe. Kisha 22 kushërinj të shpërndarë në të gjithë territorin e Italisë, por tani dikush nuk jeton më. Secili prej nesh kryen profesione, madje shumë të ndryshme dhe për mua, ky ka qenë gjithmonë një burim i trasparencës dhe i pasurimit të madh. Kur mblidheshim në verë, ata më magjepsnin gjithmonë me historitë e tyre. Besoj se kjo karakteristikë familjare më bëri kurioze për dijen dhe të jem mjaft e hapur ndaj të tjerëve. Jam rritur mes librave: babai im ishte shumë i pasionuar nga latinishtja si dhe një njohës i madh i historisë. Asnjërën prej tyre nuk e vlerësoja, më pëlqente më tepër filozofia e sidomos psikologjia. Pas shkollës së mesme u regjistrova në degën e Pedagogjisë dhe pas një viti fillova menjëherë punë. Të punoja dhe ndërkohë gjithashtu të studjoja, ka qenë shumë e vështirë, por kjo më dha edhe kënaqësi të mësha. Me kalimin e viteve, dëshira ime për të ditur më tepër, vazhdoi të zgjerohej, ndaj ia dola të diplomohem edhe për Psikologji, edhe pse tashmë isha e martuar dhe kisha vajzën time në moshë fare të vogël. E kështu, nisa profesionin si Pedagoge. Prindërit e mi i kanë mbështetur gjithmonë zgjedhjet e mia dhe më kanë mbështetur të ndërmerrja karrierën time të pavarur. Fillimi ishte i vështirë, siç mund ta imagjinoni, por nëna më thoshte gjithmonë se duhet të ndiqja pasionet e mia. Këtë bëmë si unë dhe vëllai im, sepse në fund të fundit, shembulli i tyre ka qenë përherë ndriçues për ne: edhe babai edhe nëna ishin shumë të lumtur që punonin si mësues në shkollë. Unë jam altruiste dhe mjaft shoqërore dhe besoj shumë në vlerat e miqësisë dhe dashurisë. Pa dashuri jeta jonë nuk do të ishte asgjë. Kam dashur shumë dhe kam akoma njerëz që i dua, ashtu sikurse të tjerë që i mbaj në zemër.
Angela. K: Cila ka qenë periudha më e vështirë në karrierën tuaj letrare dhe profesionale?
G. Picerno: Rrugët e mia letrare dhe profesionale janë të ndërthurura. Pasioni im për të krijuar lindi në universitet. Pedagogu ynë, na bënte të shkruanim shumë. Sa herë që na duhej të jepnim një provim, përveç librave për të studiuar, na duhej të jepnim edhe një shkrim të shkruar prej gati 80 faqesh, mbi një temë të caktuar. Kjo më ndihmoi të mësoja të hartoja, t’i ndaja kapitujt në paragrafe dhe të dija si të kërkoja burime biografike. Kur isha adoleshente kam shkruar shumë poezi e madje mora pjesë edhe në disa konkurse, por më pas braktisa gjithçka dhe vetëm fill pas diplomimit, fillova të shkruaja ese. Në fakt, zhanri im nga pikëpamja e shkrimit është si eseiste, pastaj lindi poezia, tregimet e shkurtra si dhe romanet gjithashtu. Fillimisht ishte më shumë një hobi, edhe pse e kuptova se isha gjithnjë e më e apasionuar pas shkrimit. Tani nuk mund të them më se është thjesht një hobi, por do të preferoja të thosha që është një aktivitet në të gjitha aspektet, i cili më angazhon pothuajse çdo ditë. Ndaj jam shumë e lumtur, pasi nuk është një luftë për mua, por një kënaqësi e veçantë. Esetë që kam shkruar, kanë të bëjnë me punën time dhe për këtë arsye temat janë psikologjia dhe pedagogjia. Çdo udhë e jetës ka drita dhe hije; e fillova punën si psikologe kur askush nuk besonte se do ia dilja, për këtë, për mua ishte një sfidë që e realizova me pasion, por që më kushtoi edhe mjaft sakrifica. Kam qenë gjithmonë duke udhëtuar nëpër rajonet e Italisë, për të ndjekur kurse specializimi dhe trajnimi. Në moshën 20-vjeçare, ndërsa isha ende studente në Universitet, kam punuar për dy vjet në Telefonin Blu, linjë telefonike përgjigjesh, me shërbimin urgjent, i cili ka si synimin mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të adoleshentëve. Atje mësova shumë, madje edhe si të punoja në një ekip të kualifikuar. Pas shumë trajnimeve dhe përvojës së punës në fushën pedagogjike dhe arsimore, vendosa t’i jap një kthesë tjetër punës sime, kështuqë u diplomova edhe në Psikologji. Por nuk ka qenë e lehtë edhe për faktin sepse gjithmonë kam punuar dhe studiuar dhe nuk kam qenë asnjëherë thjesht një studente. E megjithatë gjithçka ia vleu, pasi ishte e dobishme për mua t’i zhvilloja këto aftësi organizative, të cilat më kanë ardhur në ndihmë shumë herë gjatë jetës.
Angela. K: Prej vitesh jeni përfshirë në projekte trajnimi dhe edukime prindërish, ndaj afrimitetit dhe ndërhyrjes së edukimit seksual… Si ndikon kjo në krijimtarinë tuaj? Ekziston ndonjë formë simbiozeje me të cilën gërshetoni muzat dhe penën tuaj?
G. Picerno: Në profesionin tim merrem me aspekte të ndryshme, gjithashtu më pëlqen të punoj në parandalimin e sikletit dhe mbi të gjitha në mirëqenien. Unë besoj fort në trajnimin e prindërve, sepse edukimi është një proces kompleks që mësohet duke u përfshirë, duke gjetur strategjitë e duhura për dialog. Për shumë vite kam qenë gjithashtu e përfshirë në edukimin emocional dhe seksual nëpër shkolla. Kam krijuar projektin e quajtur “Parlamore”, i cili përfshin takime trajnimi me fëmijët, të rinjtë dhe prindërit. Kjo më ka dhënë shumë kënaqësi; fëmijët dhe të rinjtë janë kuriozë. Ata pyesin dhe janë të hapur për diskutim dhe dialog. Afrimiteti, ndjenjat, dashuria, seksualiteti janë në qendër të jetës sonë. Pa ndjenja, ekzistenca jonë do të ishte e zbrazët dhe pa substanca. Besoj se edukimi i brezave të rinj ndaj dashurisë dhe ndjenjave është detyra jonë, pra e të rriturve. Ne duhet ta bëjmë këtë mbi të gjitha, me shembull e jo vetëm me fjalë. Në këtë botë kaq të përshpejtuar, fëmijët duhet të shohin, të rritur që kanë ndjenja, që dinë të menaxhojnë emocionet e tyre dhe t’i jetojnë pasionet e tyre. Për disa, puna ime mund të duket larg shkrimit, por gjithmonë jam përpjekur të pajtoj punën dhe shkrimin nëpërmjet jo-trillimit. Ngaqë jam tepër kurioze, interesat e mia letrare janë shtrirë edhe në zhanre të tjera, përkatësisht larg punës sime: poezia dhe shkrimi i tregimeve të shkurtra. Nga ana tjetër, i ftoj të shkruajnë edhe pacientët e mi, dhe ata që e bëjnë këtë, i inkurajoj të vazhdojnë. Të rrëfesh do të thotë gjithashtu, të vësh në linjë të rregullt, mendimet dhe atë çka kemi përjetuar, ose atë që kanë përjetuar të tjerët. Poezia është edhe emocion, shpirt që i hapet botës. Ne duhet t’i edukojmë brezat e rinj me vlerën e poezisë, nëpërmjet së cilës, një ndjenjë intime mund të kuptohet nga të gjithë, madje edhe nga njerëz me kultura shumë të ndryshme, në anën tjetër të botës. Gjithmonë kam besuar se filli i përbashkët mes profesionit tim dhe shkrimit është krijimtaria. Krijimtaria për mua është si një spirancë. Në momentet e vështira të jetës sime, gjithmonë kam shkruar dhe pikturuar. Por do të doja të shpërbëja edhe një mit, domethënë se nuk mund të shkruani vetëm kur jeni të pakënaqur. Shumë kolegë shkrimtarë e mendojnë këtë, unë jo. Kam shkruar shumë poezi kur kam qenë e lumtur, sepse emocionet duhet të shprehen gjithmonë, jo vetëm kur ndihemi keq.
Angela. K: Si ju lindi ideja t’i vini të gjitha këto në dispozicion të lexuesve që vlerësojnë shumë jo vetëm temat të cilat ju trajtoni, por edhe trasparencën e problemeve në ditët e sotme?
G. Picerno: Më pëlqen të studioj, por edhe të shpjegoj e të thelloj një temë që lidhet me profesionin apo shkrimin. Gjithashtu në punën time përpiqem të jem konkrete, ashtu siç është natyra ime. Me pacientët përdor shumë metafora të cilat ndihmojnë për të kuptuar situatat e jetës. Besoj se puna ime e bën të detyrueshme dhe të domosdoshme të jesh gjithmonë në fushën e realitetit, sepse kur një pacient vjen tek unë, ai tregon diçka që është pjesë e realitetit të tij, por që mund të ndikojë në shqetësimin apo t’u interesojë edhe shumë njerëzve të tjerë. Në këtë punë nuk mërzitem kurrë, sepse shpesh ka risi historish dhe “skena” të reja. Të rrëfesh një histori përmes një romani apo tregimi të shkurtër, do të thotë të bëjmë të mundur të reflektojmë mbi aspektet e mundshme të jetës që na ndihmojnë të njohim më mirë jo vetëm të tjerët, poe edhe veten tonë. Pasioni për esetë e përgjithshme është pikërisht ky: organizimi dhe shprehja e njohurive mbi tema apo argumente të cilat mund t’u interesojnë një numri të madh njerëzish. Besoj se të gjithë lexuesit mund t’i kuptojnë apo thellojnë këto, qoshin tema komplekse, nëse shkrimtari i bën ato të thjeshta. Kështu ndodh kur unë shkruaj një ese: gjithmonë pyes veten nëse gjuha është e kuptueshme për të gjithë. Ndërsa është ndryshe kur shkruaj një tregim ose një poezi, gjuha duhet të jetë gjithmonë e kuptueshme, por në lojë hyjnë edhe komponentë të tjerë, njëri prej të cilëve është emocioni, frymëzimi i momentit. Teksa një ese, mund të shkruhet duke zgjedhur temën për ta argumentuar, ky nuk është rasti për poezinë, pasi është frymëzimi ai që vendos, ndjenjat që ndjej dhe që duhet të shpërthejnë e çlirohen duke i shkruar në letër.
Angela. K: Keni planifikuar të shkruani në të ardhmen një roman, bazuar në eksperiencën tuaj si psikologe?
G. Picerno: Sapo e kam përfunduar një roman që tani po redaktohet për t’u botuar. Shumë tregime që kam shkruar, janë marrë nga histori të vërteta. Çdo ditë jam në kontakt me shumë njerëz, ndaj puna ime dhe veçanërisht pacientët e mi, shpesh janë pikënisje për zhvillimin e idesë së një tregimi. Jeta e secilit prej nesh është plot me ngjarje pak a shumë domethënëse, kështuqë kur një pacient vjen tek unë, ai fillon të rrëfejë pak a shumë pjesë të dhimbshme të jetës, të cilat duhet të mirëpriten dhe të mirëkuptohen. Por, për t’i mirëpritur duhet të dimë se si t’i dëgjojmë dhe të shkojmë përtej fjalëve dhe ju siguroj se kjo, është një përvojë e rëndësishme dhe interesante. Secili prej nesh ka burime për të përballuar, shumë nga situatat që jeta na vë përballë dhe njëri nga këto, siç e kam thënë edhe më parë, është tregimi. Shumë herë është më e lehtë t’i rrëfehesh vetvetes me një penë, sesa me fjalë, sidomos teksa mendon personazhe të ndrojtur dhe të rezervuar. Megjithatë, të shkruash një roman, është diçka komplekse. Duhet të kemi parasysh shumë aspekte narrative, prandaj shpesh krijimi kërkon një kohë të gjatë. Është një eksperiencë që më ka angazhuar shumë dhe nga e cila kam kuptuar se me çfarë zhanri duhet të merrem në të ardhmen: tregimet e mia janë të gjitha të ambientuara nga ngjarje aktuale. Për këtë mendoj se nuk do të shkruaj asnjëherë, ndonjë roman historik apo trillim. Kam lexuar dhe rilexuar romane të ndryshme, sidomos ato të shkurtra. Kohët e fundit më pëlqen shumë të lexoj edhe tregime apo novela. Por më pëlqen gjithashtu të lexoj nga pak edhe zhanre të tjera të ndryshme.
Angela. K: Si arrini ta organizoni aktivitetin tuaj profesional me atë të jetës së përditshme dhe angazhimeve familjare?
G. Picerno: Puna ime, edhe pse tashmë jam shumë e pasionuar pas saj, më angazhon së tepërmi dhe kërkon shumë studim e përkushtim. Nuk është e lehtë të pajtosh angazhimet profesionale me ato familjare. Jam me fat pasi kam mbështetjen e vazhdueshme në durimin dhe bashkëpunimin e prindërve, të bashkëshortit dhe të vajzës sime, të cilët janë bashkëpunëtorët e mi të rëndësishëm dhe të zellshëm në aspektin familjar. Orët e mbrëmjes janë shpesh të dobishme për të shkruar dhe rishikuar atë që kam krijuar. Në heshtjen e plotë të natës, ia dal të përqendrohem dhe të shkruaj më së miri. Ndonjëherë orët e gjumit janë të vogla, fare të vogla, por energjitë e mia ringjallen duke krijuar.
Angela. K: E njihni letërsinë shqipe, historinë, kulturën dhe artin e vendit tonë? Dëshironi ta vizitoni ndonjë ditë, atdheun tonë të shqiponjave?
G. Picerno: Gjithmonë më ka pëlqyer të udhëtoj dhe me bashkëshortin kemi vizituar shumë vende, por nuk kam qenë kurrë në Shqipëri, ja pse dëshiroj shumë ta njoh këtë vend, për ta kuptuar më mirë dhe më gjerēsisht kulturën e vendit tuaj. Kureshtja më shtyn shpesh të njoh vende të tjera, përveç atyre që tashmë janë familjare. E njoh historinë dhe kulturën tuaj shqiptare, (kjo për interesin tim personal), pasi kam studiuar gjendjen e grave në vende të huaja dhe kam lexuar dokumente të ndryshme. Besoj se nga ky këndvështrim, ka ende vend për përmirësim si dhe shumë punë për t’u bërë tek brezat e rinj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës, ku gjendja dhe kultura e gruas vlerësohet dhe mbështetet fare pak. Lidhur me këtë, romani i Anilda Ibrahimit “Rosso come una Sposa – E kuqe si Nuse”, fokusohet në historitë e grave përmes ndryshimeve sociale shqiptare. Një autor tjetër që kam vlerësuar shumë, i cili gjithashtu është shumë i famshëm, është Ismail Kadare. Jam shumë e interesuar për poezinë shqiptare dhe kam lexuar autoren Luljeta Lleshanaku, por ka dhe shumë autorë të tjerë që dëshiroj të lexoj, ndaj udhëtimi im i dijes mbi letërsinë shqipe, është vetëm fillimi.
Angela. K: Sa libra keni botuar dhe sa çmime keni marrë?
G. Picerno: Kam botuar më shumë se 30 libra dhe shumë nga shkrimet e mia, sidomos poezitë, janë të pranishme në shumë antologji jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera të huaja. Kam marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe t’ju them të vërtetën, nuk i kam numëruar kurrë. Jam vlerësuar me shumë çmime prestigjoze si për ese, po ashtu edhe për poezi. Gjithmonë përpiqem të matem në gjërat që bëj dhe për këtë arsye më pëlqen të marr pjesë në konkurse letrare, edhe pse nuk e marr veten shumë seriozisht: nëse nuk më jepet ndonjë çmim, nuk zhgënjehem por vazhdoj të shkruaj atë që kam në zemër dhe në mendje. Për mua, të shkruaj, ndonjëherë është një urgjencë, një emocion për t’u shprehur, i cili duhet të zgjerohet më tej dhe kjo është veçanërisht për vargjet. Poezitë më kanë dhënë shumë kënaqësi, pasi janë shpërblyer disa herë dhe janë përkthyer në shumë gjuhë. Kënaqësia ime më e madhe erdhi kur njerëzit nga kombe të tjera, domethënë shumë larg meje gjeografikisht dhe kulturalisht, kuptuan kuptimin e thellë të asaj që kam dashur të shpreh nëpërmjet vargjeve poetike.
Angela. K: Përveç pasionit tuaj letrar, cilat janë hobet e tjera?
G. Picerno: Piktura, fotografia dhe leximi më kanë magjepsur gjithmonë. Që kur isha fëmijë më pëlqente të vizatoja dhe shpesh e bëja me babain tim. Mendoj se ishte ai që ma pasoi këtë pasion. Duke u rritur, si një artiste autodidakte, kam eksperimentuar shumë me ngjyrat, ndaj piktura më angazhoi për disa kohë. Disa vite më parë, u regjistrova edhe në një shkollë pikture, por më pas edhe pse e përfundova kursin, nuk vazhdova, sepse nuk më lejonte të eksperimentoja dhe të gjeja stilin tim vetjak. Braktisa disa forma pikturash, të cilat lidhen me realizmin, pasi nuk e ndjej të më përkasin më, ndaj këmbëngul për të përqafuar format më abstrakte dhe eksperimentimin e ngjyrave. Në këtë periudhë gjej më shumë kënaqësi duke shprehur e duke përdorur këtë lloj pikture. Fotografia më ka magjepsur gjithmonë… më duket një formë e rëndësishme e shprehjes dhe e komunikimit, e cila më lejon t’i ndaj emocionet me të tjerët. Më pëlqen shumë të fotografoj qiellin dhe detin, por edhe lulet. Natyra gjithmonë më habit dhe më jep shumë emocione. Leximi është gjithashtu ndër hobet e mia të preferuara. Jam rritur me bukë dhe libra ndër duar. Duke i pasur të dy prindërit e mi mësues, ishte normale që shumë vëllime librash, të shpërndaheshin pothuajse kudo nëpër shtëpi. Edhe tani kam një sasi të konsiderueshme të tyre, sepse më pëlqen t’i lexoj dhe t’i rilexoj. Ka vëllime që i kam lexuar disa herë, si disa romane nga Pirandello ose D’Annunzio, apo ese dhe tregime të shkurtra. Një tjetër pasion që kam, ka të bëjë me punën time të përditshme, gjithçka që është krijuese më intrigon, më intereson dhe më jep mirëqenie.
Angela. K: Ju jeni një grua shumëplanëshe… Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
G. Picerno: Kam shumë ëndrra në sirtar, të cilat shpresoj të jem në gjendje, që disa prej tyre t’i realizoj. Dëshiroj të botoj një përmbledhje të re me poezi e më pas, disa libra të tjerë për fëmijë. Një dëshirë tjetër që kam, është të shkruaj libra të dobishëm për mësuesit, për të përballuar
me nxënësit e tyre çështje të rëndësishme si afrimiteti dhe seksualiteti. Do të doja gjithashtu të përmirësoja njohjen e gjuhës spanjolle dhe të mësoja arabisht, por kjo e fundit, me siguri do të mbetet një ëndërr. Fatkeqësisht nuk kam shumë kohë për t’iu përkushtuar studimit të një gjuhe kaq komplekse. E ndërkohë kam shumë projekte të tjera, por tani për tani më duhet të realizoj këto që përmenda më sipër.
Angela. K: Faleminderit për intervistën dhe kohën tuaj të çmuar. Ju uroj shumë suksese…
G. Picerno: Faleminderit Juve Angela, për profesionalizmin tuaj ku pulson kaq shumë edhe humaniteti. Falënderoj sinqerisht të gjithë redaksinë së gazetës Nacional dhe veçanërisht Drejtorin e saj Dr. Mujo Buçpapaj.
BIOGRAFIA
Gabriella Picerno është psikologe, pedagoge, konsulente në seksologji, eksperte në Psikologjinë e Vizatimit dhe Të Mësuarit të Fëmijëve dhe Drejtoreshë e Qendrës së Dokumentacionit Arsimor “Il Grillo Parlante – Karkaleci Folës” në Rufina (Firence).
Për vite me radhë është përfshirë në projekte trajnimi dhe ndërhyrje të edukimit prindëror, në afektivitet dhe seksualitet.
Gabriella merret me çështje familjare si ndarja dhe divorci e gjithashtu kryen aktivitete profesionale në çështje të tilla si: trajnimi i mësuesve, sikleti në shkollë, shqetësimet e të mësuarit dhe të marrëdhënieve. Është e apasionuar pas pikturës, fotografisë dhe poezisë. Si esetë po ashtu edhe poezitë e autores në fjalë, janë vlerësuar në konkurse të ndryshme letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Lirikat e saj të dashurisë janë përkthyer në: anglisht, frëngjisht, greqisht, spanjisht, polonisht, arabisht dhe shqip. Gabriella Picerno është bashkëdrejtore (së bashku me Cristina Desideri) në Serinë e Letërsisë për Fëmijë “Il Filo” të Arianës për GD Edizioni, si dhe kuratore e Çmimeve Letrare: “La Botteguccia delle Favole – Dyqani i Përrallave” dhe “Lo Zaino Raccontastorie – Çanta Treguesehistorish.” Gabriella ka botuar mbi 30 libra disa prej të cilave janë përkthyer dhe botuar në: anglisht, polonisht, shqip dhe turqisht.
DISA NGA BOTIMET E SAJ:
– “Genitori Separati – Prindër të Ndarë”
– “Bambini Divisi – Fëmijë të Ndarë” (nga Evelina Fazzi, 1996)
– “Le Ferite Dell’Arcobaleno – Plagët e Ylberit” (nga E. Bartolozzi, 2001)
– “Le Parole Dell’Educazione – Fjalët e Edukimit” (nga Susanna Berretti, 2006)
– “Due Genitori Due Case – Dy Prindër Dy Shtëpi” (nga E. Fazzi, 2013)
– “Dal Dire Al Fare – Nga e Thëna në të Bërë” (2013)
“Il Benessere Emotivo negli Adolescenti – Mirëqenia Emocionale tek Adoleshentët” (nga L. Collacchioni, 2013)
– “Famiglie Stra-ordinarie – Familje të jashtë – zakonshme” (2016)
– “Io e le Mie Famiglie – Unë dhe Familjet e Mia” (nga E. Fazzi, 2016)
– “Bambini Online – Fëmijë Online” (2019)
– “La Bambola di Giada – Kukulla e Xhadës” nga C. Desideri, 2020)
– “Due Genitori, Due Case, Nuova Edizione Ampliata – Dy Prindër, Dy Shtëpi Edizioni i Ri i Zgjeruar (nga E. Fazzi, 2021)
– “Lascia che Sia – Lëre të Jetë” (GD Edizioni, 2021)
– La Stagione dell’Ulivo – Sezoni i Ullirit” (nga Andrea Morandi, 2021 – GD Edizioni)
– “Itinerari Affettivi e di Educazione Sessuale – Itineraret e Edukimit Affectiv dhe Seksual” (7 – 10 vjeç), (PAV Edizioni, 2022)
– “Itinerari Affettivi e di Educazione Sessuale – Itineraret e Edukimit Emocional dhe Seksual
(0 – 3 vjeç), PAV Edizioni (2023)
– “Io Dentro Così mi Sento – Unë Brenda Kështu Ndjehem” (Edizioni dell’Assemblea – Regione Toscana, 2023)
LIBRA ME POEZI:
– “Un Tocco di Cielo – Një Prekje e Qiellit” (2018)
– “A Touch Of Sky” (2019)
– Un Toque De Cielo” (Ediciones alborismos, 2022)
– Sussurri e Maree – Pëshpëritje dhe Batica (GD Edizioni, 2022)
UNË DHE TI
Ndjeva të kaloja
nga drita e bebëzave të tua
në atë moment të jetës së vërtetë
që vraponte mes nesh
ku asnjë erë
nuk e zhvendoste drejtimin tonë.
Ajo dridhje e buzëve me epsh
hynte midis flokëve të mi
dhe dora jote më bashkonte me ndjenjat e tua.
Gulçime të ngadalta, të ëmbla
si gjethe të freskëta zambakësh të sapo këputur
fluturonin në një fllad të lehtë
Shikimi yt tashmë kishte shkruar dëshirën
me rrokje flakësh
të qarta
zjarri mbetej një mister.
Ethet
vraponin si një kolibër
lëkurë e thurur me balsam thumbues,
gjymtyrë të bashkuar nga jeta,
sy të kthyer në xhevahirë vezullues,
trupa të nxehtë, shtrënguar,
në atmosferën e pastër të qiejve të kthjellët.
NË PRAG TË JETËS
Kanë kaluar ditët
që llogariteshin ndër duar
dhe nuk mjaftoi
të shfletohej kalendari
kështu, ditëve
iu bashkuan muajt
dhe tashmë i bëjnë shoqëri
vitet
për të shkuar në shtratin
e një jete tjetër
asaj të kujtimeve
të gjesteve të dashurisë
tashmë të përhumbura
të fshira
nga mendimet e tua.
Në atë kopsht me profum veror
në të cilin jetuam
këndonin gjinkallat
e tani mes manaferrave në lulëzim
përkëdhelje gjethesh
të rëna në tokë
dhe lulet e shpërndara mes degëve
më nuk i njoh.
PAFUNDËSI
Më puth tani
në këtë vetëtimë që tashmë kaloi
sepse turbullim shoh në sytë e tu
sepse ndjej trupin tënd të ngrohtë plot epsh
si ajo pasdite e furishme korriku
sepse brenda meje dëshiroj të të ndjej.
Më puth pa pushim
derisa nuk do të mundesh ta dallosh
lëkurën time nga buzët e tua
derisa të ndihem të shkëputem nga toka
dhe të shkoj drejt ajrit të pastër
dhe me aromë të frymëmarrjes tënde
për të bredhur mes plazheve plot diell
duke vrapuar gëzueshëm drejt jetës.
Mos u përhumb në çastin që po ikën
dhe mos e lër të largohet
lumturinë e qenies sonë
që ia kemi dhuruar njëri – tjetrit
në mendime, në ëndrra
në ndjenjat më të thella me pasion.
Më puth
derisa ta bëj gjallëruese substancën e ekzistencës.
Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese