Intervistë me Presidentin e Akademisë Tiberina dr. Franco Antonio Pinardi. Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

Akademia jonë ka planifikuar një seri të larmishme eventesh për letërsinë, muzikën, artin dhe kulturën

“Jam plotësisht i sigurt se arti, në shprehjet e tij të ndryshme, është i vetmi mjet që mund të kapërcejë hendeqet dhe të sjellë atë paqe që të gjithë e kemi dëshiruar dhe e ëndërrojmë të vijë”.

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

Angela. K: Përshëndetje Dr. Franco. Mirë se vini në Gazeta Nacional. Dëshirojmë të dimë diçka më tepër për ju dhe si ju lindi ideja për krijimin e Organizatës së Katedrës së Grave, e cila nga tetori i këtij viti, mban logon e OKB-së, Wikipoesia, Wikipace dhe Akademia Tiberina.

F. Pinardi: Kjo është e gjithë merita e Akademikes sonë, drejtoreshës Antonietta Micali, të cilën përfitoj nga rasti ta falenderoj përzemërsisht. Ndërsa, përsa më përket mua, veprimtarinë time e kam filluar duke asistuar, për rreth dhjetë vjet, ose deri në vitin 1994, si Sekretar Kombëtar i Sindikatës autonome të taksave dhe më pas në bashkimin autonom të punëtorëve financiarë SALFI, në marrëdhëniet organizative dhe institucionale në sferat e ministrisë, parlamentit dhe senatit të Republikës. Në vitin ’95 isha në Drejtësisë Tatimore në juridiksionin e ri. Në fund të vitit 1995, u emërova Sekretar i Përgjithshëm i Konfederatës së Drejtësisë së Paqes. Në këtë kontekst, kam drejtuar dhe drejtoj, si gazetar i regjistruar në listën e Milanos, seksioni publicist, revista e praktikës teknike, ligjore dhe administrative në Tribunën Finanziare, e cila është e pranishme në panoramën botuese të specializuar italiane, për më shumë se 60 vite. Në vitin 1997 mora, me rekomandimin e Presidencës së Këshillit të Ministrave, nderimin e lartë të Kalorësit të Meritave të Republikës Italiane.
Katër vjet më parë më thirrën të kryesoja Gjykatën e Arbitrazhit për Sipërmarrjen, Punën dhe Sportin, të cilën po e shpërndajmë në nivel kombëtar si një formë konkrete. Që nga viti 1999 kam mbajtur rolin e Presidentit të Akademisë së Tiberinës, të cilin e drejtoj me devotshmëri, akoma edhe sot.

Angela K: Cilat janë zhvillimet, aktivitetet, eventet, promovimet e këtyre shoqatave nën patronatin e OKB-së?

F. Pinardi: Për vitin 2025, Akademia jonë ka planifikuar një seri të larmishme eventesh për letërsinë, muzikën, artin dhe kulturën. Kemi gjithashtu në projekt e sipër disa promovime dhe ekspozita të planifikuara për autorët dhe artistët tanë. Edhe moda do të ketë një fokus të veçantë me sfilata dhe evente publike. Jo më pak, proza dhe poezia do të kenë dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në veprimtaritë tona për vitin e ardhshëm. Ndërkohë po planifikojmë të botojmë revistën tonë javore si dhe hapjen e një platforme për shpërndarjen dhe promovimin e veprave të artistëve tanë. Më pas do të ketë binjakëzime të reja me shoqata të njohura me nivel global, të cilat do të zgjerojnë audiencën e të interesuarve aktivë dhe pasivë. Më 01 dhjetor në Romë, u zhvillua eventi akademik me rastin e 212 përvjetorit të Akademisë Tiberina, ku morën pjesë dhe u vlerësuan shumë artistë me nivel të lartë kombëtar.

Angela. K: Si arrini t’i gërshetoni angazhimet e profesionit tuaj me këto organizata dhe jetën tuaj të përditshme?

F. Pinardi: Ia arrij kësaj duke punuar 12 orë në ditë dhe me mbështetjen e çmuar të bashkëshortes sime. Shpeshherë, ajo çka dashuron, nuk është dhe aq e lodhshme edhe pse kjo kërkon tepër përqendrim, përkushtim dhe vëmendje.

A. Kosta: Çfarë dhe kë “përqafoni” në ekipin tuaj të intelektualëve, të cilët pjesën më të madhe të jetës ia kushtojnë promovimit dhe shpërndarjes së kulturës, artit dhe paqes?

F. Pinardi: Të gjithë Akademikët tanë u përgjigjen këtyre karakteristikave me dallime për ekselencë.

A. Kosta: Keni planifikuar të organizoni ndonjë event ndërkombëtar në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe promovimin kulturor?

F. Pinardi: Sigurisht! Tani po organizojmë Konkursin e 2-të Ndërkombëtar letrar, edicioni i parë i të cilit u zhvillua në Firence në Sallën e 550. Kemi në plan edhe shumë evente të tjera.

A. Kosta: Përveç karrierës suaj profesionale dhe sociale, çfarë tjetër “kapërthen” vizioni juaj për atë çka po ndodh në botë kohët e fundit. Si dhe në çfarë mund të jenë të dobishme Organizatat duke ardhur në ndihma sadopak të vlefshme?

F. Pinardi: Jam plotësisht i sigurt se arti, në shprehjet e tij të ndryshme, është i vetmi mjet që mund të kapërcejë hendeqet dhe të sjellë atë paqe që të gjithë e kemi dëshiruar dhe e ëndërrojmë të vijë. Përpara një pikture, të mrekullueshme, një skulpture apo të mahnitur duke duartrokitur një poezi apo muzikë të bukur, të gjitha barrierat dhe kufijtë zhduken, duke demonstruar se njeriu nëse dëshiron, mund të shikoj përtej gjithçkaje dhe të ndjekë veç paqen.

A. Kosta: I njihni rrënjët, historinë, traditat, zakonet e tokës së shqiponjave, atdheut tim të bukur, Shqipërisë?

F. Pinardi: Duke qenë një vizitor i shpeshtë i vendit tuaj, nuk mund të mos e vlerësoj traditën dhe solidaritetin e bukur familjar. Më pëlqen shumë kuzhina, muzika, kostumet dhe kultura juaj.

A. Kosta: Keni menduar ndonjëherë të hyni në politikë?

F. Pinardi: Asnjëherë, sepse papajtueshmëria ime morale dhe kulturore më shtyn të mos i toleroj këta figura, të cilët sapo fitojnë votat, harrojnë premtimet dhe mandatin elektoral që kanë marrë nga votuesit dhe shndërrohen në personazhe arrogantë e sillen duke pozuar si super burra e super gra.

A. Kosta: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

F. Pinardi: Kam shumë, por më kryesori është të arrij të mundësoj që Akademia Tiberina të bëhet referencë për kulturën në të gjithë botën, duke u bërë kështu, forca dhe rryma lëvizëse për komunikimin e vlerave të bukura dhe paqes.

A. Kosta: Faleminderit për intervistën dhe kohën tuaj të çmuar.

F. Pinardi: Faleminderit juve, Drejtorit të gazetës Dr Mujo Buçpapaj dhe të gjithë lexuesve!

Angela. K: Për të ditur më shumë rreth: titujve, cmimeve prestigjoze, meritave e shumë artikujve përsa i përket veprimtarisë së Dr Pinardi mund të konsultoni faqet e uebit të Akademisë Tiberina – Itali.

*Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese