Sami Mulaj: Mbaj ashklat e dashurisë ndezë, poezi

ZOGJTË DHE POETËT

Zogjtë këndojnë,
vargjet kush i bëri,
po melodinë…?

Kudo këndojnë zogjtë,
herë, herë në kor,
herë, herë të vetëm,
në kafaz,
në degë të lisit,
e mbi tela
në ndonjë shtyllë.

Me kengën e tyre,
mëngjeset
nisin më të bukur,
vesa mbi petale
merr frymë.

Më mirë se ata,
askush
nuk i kupton poetët,
vargjet e tyre,
të çdo gjuhe,
pa përkthyes
i bejnë cicërimë.

GUSHT E GUNË

Kur shkundën dhentë natën,
prite borën,
gjithkah e në shtrungë.

E kur ogiçi
e tund natën kumonën,
ngarkoj teshat o bjeshktarë.
nesër do jetë borë e furtunë.

Ka kohë që dhentë e ogiçi
janë tund e shkundë.

Pa bjeshkatarët e vet,
bjeshka është ba dimër
pa verë,
gusht e gunë.

RRASAT E GJOLLS

Te rogat e epërme,
janë rrasat e gjollës,
askush nuk e di,
ndoshta në shekuj,
janë aty,
kush i bani me emër
nuk ta thonë.

çikat e zanune
kopsa kopur në gjinjë,
javën e fundit në bjeshkë
aty,
lamtumirën e çiknisë e t’bjeshkës me vllazni
me vaj e vajtojnë.

bardhokat
buzëqumësht puthin rrasat me krypë,
deshët e kumonës,
në përparsen e çikave, brumin e fsheh me krune prej baçisave,
embël e kërkojnë,
e kingjat e vonë të Shëngjergjit,
tuj kcye ,
psheren e bardhë,
n’grushtat e buta të çikave,
me dhembët e vegjël brisk
i ciflojnë.

E ato rrasa,
në heshtje rrinë në rudinë,
e mejtojnë,
loti i çikave devojkë
i ka gërryer,
bardhokat, ogiçët e kingjat tamlaçokë nuk vijnë më
t’i njomshtojnë.

XHELOZI POETËSH

Lojën e rrasave
e bënim te gurrat,
ku vinin barinjtë
e shtronin gunat

turr e vrap,
i pari
shkoja të mixha,
ulësha në prehër me gëzim,
e si trim
ju thosha
pashët jua mbyta.

fëmijtë e tjerë
vinin me nxitim
nuk është e vërtetë bërtitnin,
ndamë barazim

Barinjtë më mbronin
se isha ma i riu,
duke qesh e dridh mustaqet
ju thoshin,
ju keni humbë
ka fitu Samiu.

E vargu
nuk është lojë rrasash,
me fëmijë.

Shenjtari me krahë të fortë,
e ban rrasën e gurit
me gjithë pykë
copë, copë e sterpikë.

ARROGANCA E DASHIT

bri dredhë,
hije rendë,
midis tufe
tuj shfry.

bardhokat me sy
nuk i kqyrë,
si djalë kapadai lagjeje
me flokë t’lyme mbi kry.

as t’zotit
nuk i l’pihet ma,
për të hiç
nuk ja ndi

edhe kjo verë,
si vera tjetër shkoj,
n’bjeshkë mik
nuk u pa me sy

lkura e galanit
t’parvjetëm
n’hu t’gardhit
pa u ndrrue rri.

A PO DALIM SIVJET N’BJESHKE ?!

Ditën, n’djergë
baçica nuk ja kthente stanit shpinën
pa e heq krejt hinin,
pa i kthye përmbys t’lame e t’terune koritat e tamlit,
lugin e mazës
e tundsin e klynit,
me duart e saj të buta,
i lidhte me shokë djepi si fëmijë të gjinit.

Burrat nuk i nisnin kuajt e ngarkuem,
pa i palue lugjet e mlojës,
derën e vjetër,
landtë e bigat
e kulmimit.

dy a tre kuaj dru ahi t’shkurtueme me do spirra pishe,
stivë n’votër t’zjermit
n’margzen e miqëve,
për verën tjetër i banin gati,
t’nisnin garën e bjeshktarëve se kush ma shpejt
pjek kafen e parë e i qet stanit tymin.

Veringët e zjermit,
lugën e gacave,
xhevzen e kafes
i mblonte gjyshi
në frengji të murit
duke fole me to
si me burra vakti,
aty e lente edhe fyellin.

Kështu e vinin t’palueme
në gjumë,
t’rahataueme
të parët e mi Bjeshkën,
e me sy t’lagun,
si pas një beteje
kur ndaheshin me të renët,
e merrnin tëposhtë vrrinin,

njani tjetrin tuj urue,
me besë e me shpresë,
pas dimrit prapë me u kthye,
Bjeshkën prej gjumit me e çue,
me jua nxjerrë
prapë tymin tellave,
stanet me i kulmue.

“a po dalim sivjet n’bjeshkë,
t’na shkojnë vera tuj lujtë, tuj keshë,..”
prapë me këndue.

magjatoret brumin prapë me e ngjesh
n’korita tamli
mazë prapë me ndue,
kmishat e çikave
n’cica
që nuk e kanë pa hala diellin,
prapë me gufue.

DY HUQET E BABES

I urrente pasqyrat,
pa pasqyrë
rruhej çdo ditë.

në fotografi nuk dilte kurr,
kur dikush shkrepte
si pa dashtë,
pellëmbën e vinte
në fytyrë.

e kam të pamundur,
nuk e gjej në albume,
as në rafte
fytyrën e tij.

tani po e kuptoj,
pse babaj kishte ato huqe

ai nuk i deshi kopjet,
dhe bëri mirë.

origjinal,
mbeti i përjetshëm
në sytë e mi.

PROMOVIM I MADH

te guri i madh i pushimit n’shtrejt,
kuajt barrë lirue,
në vrella lëshue
pak tagji duke mërtypë, përplasin patkojt në gurë,
prej thumbave pickue.

ngarkue, sahana, tepsia, kusia gomari tuj pallë,
vrellat ka turbullue.

kuajt tundin kryet lart e poshtë,
dhembë në frerë xixa turfullue:
të paçim o prijës i karvanit, poet, shkrimtar,
doktor, profesor i vaktit e vatanit,
e përtej vatanit,
i mbarë globit e përtej marsit.

në histori do hyj ky pushim,
te vrellat e livadhit,
te guri i madh
ku ushtoj e ushtoj pallja e hajvanit….

jehojnë grykat
hingëllima kuajsh,
llamarinat kërcasin
në shpindë të gomarit.

KOHA E MARRË

Ngji t’kodrës
një murë i vjetër
lyer e shlyer në të bardhë,
n’krye me cepa t’thyem
një yll pa krahë.

mbi gurë,
një tufë lule plastike,
për gjyshin dëshmor,
prej mbese ardhë.

në atë vend,
ka vrarë “shkelsat e kufirit” me karabinë ruse,
e vetë mbeti aty,
u bë lapidar.

pak metra ma larg,
edhe një tufë tjetër me lule,
hedhë mbi gurë e barë të thatë.
nga nipi i gjyshit “diversant”ardhë.

në atë vend,
me granata serbi
ka vrarë komunistët,
vetë mbeti aty,
u bë antikomunist qëndrestar.

me medalje nipat krenohen,
e gjyshat, të dy shqiptar
kurr si panë,
me shalla veteranësh rreshtohen prapë e shtyhen për vend të parë.

muri i Berlinit ka kohë
që ka ra,
e ndër shqiptar
ai mur rri në kembë hala.

koha e marrë e shqiptarëve
prapë shton vorre e lapidar,
trima e kangë kudo pa nda…
koha e marrë.

HIPOKRIZI

Shqipëria ime !
Nëna Shqipëri !

Oh,…!
Sa hipokrizi …!

Kur një “Mirëmëngjes”
e mshelim në dhembë
sa çelë dita…

Mbetet titull në libra,
në kengë
e poezi …

KUSH E RROTULLON GLOBIN RRETH DIELLIT ?!

Gruaja
me unazën e saj
të gishtit.

PA BUSTE

Po e kërkoj një vend,
nuk po e gjej.

Rrugët e qytetit,
hyrjet e kafeve,
parqet e lulishtet,
varrezat plot e perplotë
i kanë zenë.

Të shoh përtej tyre
qiellin e kaltër me diell
nuk lenë.

Germat e emrit
lidhë me zinxhirë
në beton e mermerë.

Në se ashtu më burgosni,
atë ditën e fundit,
ju lutem mos më dërgoni atje…

Mos i harxhoni ato lopata me dhe.

BUZËT ME MI DHANË O KEQ S’ISH KANË

në parmazët e endrrës me brrylat kryqëzuar,
puthjen e parë
pres,
piklat e shiut në fytyrë,
buzët e saj
ndiej,
në gjoks më bie
dridhje shtatë ballëshe
tërmet,
në kodrën e henës
rrokulliset vullkan,
në sytë e mi,
lot i zjarrtë
zë vend.

dashuria e vërtetë puthjen e parë
ma ka premtuar
e nuk po e sjell.

buzët me mi dhanë
o keq s’ish kanë.

të vetmën pasuri,
ta marr me vehte
edhe në atë tjetrën
jetë.

PSE NUK QAJNË MA AS ZANAT ?!

N’rrajt e verrit
eshtrat e gjyshit tem,
t’blueme stërpikë
prej granatës fashiste
pas 84 vitesh,
u bënë truç
si miza dheu,
n’endërr më thirrën.

jena tha për ty o nip,
duam me lujt
kukafsheh nip e gjysh,
domë me t’dasht
me t’rrokë
e ku je o burrë ?!

n’rrajë t’verrit,
të pritëm kur ishe i ri,
lule vjollcat i çelëm për ty
e nuk erdhe,
e dimë kishte borë,
e ti ishe fëmijë.

të pritëm,
nën hije të çmallemi
edhe kur u burrnove,
e kur u bërë me femijë,
e prapë…e prapë nuk erdhe, nuk pate kohë,
me çlirimtarët u hutove duke festu,
turr e vrap duke kcy.

tani ke shkuar larg…
bashkë me thinjat po qan,
është krejt vonë.

verri degëthyem
ku ranë eshtrat e mi
nuk është ma,
edhe lisat për rreth janë tharë,
edhe lumi
ngjitë me rrenjët e verrit
është shterrë,
ka mbetë vetëm gurë e zall.

zanat
e gjashtë çikat e mia pa vëlla,
qanë e qanë për mue,
e t’pritën boll ty me ardhë.

kur e panë
që unë nuk linda te ti,
edhe ato vajtimin e kanë ndalë.

MBAJ ASHKLAT E DASHURISË NDEZË

N’jezer t’ditës
n’qiellin e n’zamë
pa zogj e pa yje,
mos u huto
n’rrugë e n’shtigje
pa shtigje.

mos u trishto
ndjek ritmet e zemrës,
ato me ashkla të ndezune dashurie.

jezeri do të ikë,
qiellin prapë do ta pushtojnë
zogj me yje.

ditët,
nuk ka rendësi për numra
rrugën e jetës
do ta ruajnë
të ndritme.