SAMI MILLOSHI : KUR SHPËRTHEN GJAKU, NOVELË

________
KUR SHPËRTHEN GJAKU

Novelë
______

Se si e qysh unë përfundova në spital,nuk e mora vesh. Por ajo çka pashë me sytë e mij , ndoshta më bëri të më shpërthejë gjaku nga hunda.

Më kapi paniku. Vajta në banjë të shplaja gjakun që ende rridhte. Pastaj u kujtova se , nëse nuk shtrihesha me kryet lart, gjaku mund të mos pushonte për një kohë të gjatë.

U ktheva në atë dhomën ku hanim mëngjesin dhe drekën.
U shtriva me kokën lart. U duk sikur gjaku pushoi së rrjedhuri.

Pastaj desha t’i telefonoja bosit tim t’i thosha se nuk ndjehesha mirë. Por më qe mbushur goja me gjak dhe kisha nevojë të pështyja në një enë. Zgjata dorën dhe mora koshin e plehrave në skaj të kolltukut. Pështyva…

Pështyva gjak. Ose ndoshta pështyva gjithëshka më panë sytë,nuk isha i sigurtë për shkakun…

Kur erdhi urgjenca ,një djalë dhe një vajzë më bombarduan me pyetje. Nuk kisha fuqi t’u përgjigjesha. Jo se nuk e dija se si duhej të përgjigjesha. Por,vetiu më shkoi nëpër mend të mos e thosha se çfar më panë sytë.

Ata gërmuan thellë të mësonin për historinë e shëndetit tim. Dhe pasi ua thashë fill e për pe, mbetën edhe më të habitur për shkakun se si erdhi rrjedhja e gjakut prej hundës.

Kur më ngjitën në autoambulancë,ajo vajza më mati tensionin e gjakut,çka nuk tregoi ndonjë shkak për t’u marrë parasysh. Ngriti supet përpjetë, dhe, në shenjë habie tha:

– Kjo është e pabesueshme -tha zonjusha- gati e pashpjegueshme.

– Ndoshta- thashë unë – me sytë pothuaj mbyllur.

– Po mirë -tha zonjusha- çfar të panë sytë para se të të shperthente gjaku nga hunda?

– O Zot – thashë me vehte, dhe hapa sytë.

– Ma zure shtegun keq,me këtë pyetje- i thashë zonjushës- I isha betuar vetes të mos ia thoja kujt se çfar më panë sytë.

– Po hë pra,- na e thuaj -se ndoshta na ndihmon – të gjejmë shkakun se pse të shpërtheu gjaku nga hunda.

– Pashë dy njerëz që putheshin – thashë unë.

Ajo vuri buzën në gaz.

– Po kjo nuk është ndonjë arsye për t’u marrë parasysh. Një gjë krejt e zakonshme – tha zonjusha-

– Jo edhe aq e zakonshme – thashë unë, ndërsa më zbritën me krevatin portativ nga autoambulanca.

– Po pse?- ngulmoi zonjusha?

-Sepse ishin dy njerëz që unë e dija se nuk kishin asnjë shans të putheshin mes tyre. Njera ishte një grua që kishte për grua një grua tjetër. Ndërsa tjetri,ishte një burrë që vishej si grua edhe pse mbante një mjekërr burri…

– Bota ka ndryshuar, nuk është më ajo që ka qenë – tha ajo dhe më puthi në shpinë të dorës.

– Po unë kam mbetur po ai- thashë unë.

– Edhe unë po ajo kam mbetur- tha zonjusha me buzë në gaz.

Trilli im mori dhenë në qytet. Askush nuk e besonte…

Në spital më shtrinë në një krevat tjetër portativ. Po prisja të vinin të më bënin analizat e gjakut. Kaloi një gjysmë ore,kurrkush nuk erdhi. Thashë me vete se unë nuk isha një rast urgjent për ta. Nuk isha i përgjakur, nuk kisha thyer ndonjë këmbë a dorë.

Ndoshta ata e kuptuan se unë pa dashur e zmadhova atë rrjedhjen time të gjakut prej hundës. Nuk është e para herë që i zmadhoj gjërat. Nuk është e para herë që në vend që të them diçka të thjeshtë, ndoshta edhe banale si shkak,them diçka tjetër, që më mbyt frymëmarrjen me erën e qelbur që më rrethon.

I ndërdyshur prej një ankthit të pa shpjegueshëm, një grua më solli një gotë ujë. E falenderova dhe i thashë se meqë më solle këtë gotë ujë, pikërisht kur po më thahej gurmazi,tani po më lind një farë shprese se ju do ta gjeni shkakun pse më rodhi gjaku mua.

– Mos u ngut zotëri- tha gruaja.Edhe mund ta gjejmë, por ndoshta edhe jo.

Pastaj hapi kompjuterin që e kishte të instaluar në një tavolinë lëvizëse dhe filloi të më bëjë disa pyetje të rëndomta. Më kërkoi edhe kartat e sigurimit shëndetësor.
Ia dhashë.

Pyetje pas pyetjeje, më në fund, dikur u kujtua të më pyesë për përkatesine fetare.

Lëviza dorën e djathtë sikur të kisha goditur dikë me shpinë të dorës. Ajo duket e kuptoi se nuk kisha dëshirë të flisja për atë temë dhe nuk e zgjati më.
Por mua se si m’u dha,dhe,megjithatë e shfryva dufin tim:

– Po pse ç’të hyn në punë ty?
Dhe a i ndihmon përgjigja për këtë pyetje zbulimit të shkakut se pse më shpërtheu mua gjaku nga hunda?

– Jo zotëri-tha gruaja – pyetjen nuk e kam hartuar unë. Janë të tjerë ata.

– Cilët janë ata?- pyeta unë.

– Janë ata që bëjnë eksperimente zotëri- tha gruaja.

– Po mirë – thashë unë – le të bëjnë eksperimente. Por ose ata,ose ti duhet të gjeni edhe kohën kur të eksperimentoni.
Unë jam duke pritur të më thoni se pse më rodhi gjaku nga hunda. Ndërsa ti më pyet se cilit religioni i përkas. Kësaj i thonë që në shtëpinë e atij që heq shpirt ti të përmendësh litarin e të varurit…

Gruaja që e regjistroi intervistën iku. Kaloi thuajse një orë.Xhan xhin, kurrkush nuk po vinte të më bënte analiza gjaku. U binda se nuk do të merreshin më me mua.

Erdhi një grua tjetër që më bëri të njejtat pyetje si ato të ekipit të autoambulancës. Dhashë të njejtat përgjigje ,me përjashtim të asaj se ,sipas meje, gjaku më rodhi ngaqë pashë dy njerëz duke u puthur.

Kaloi edhe një gjysmë ore tjetër. Erdhi doktori. Ky kqyri vrimat e hundës më një elektrik dore. Tha se ishin të thara dhe i leu me pak pomade nga një tubetë që më këshilloi ta përdorja herë pas here.

Kaq. Asgjë më shumë. Dikush tek sporteli porositi një taksi të kompanisë Uber të më çonte te shtëpia ime.

*

Të nesërmen gjithë godina e kompanisë sonë ziente nga hamendësimi që kisha bërë unë për shkakun se pse me kishte rrjedhur gjaku nga hunda. Emrat e zonjushës Meredith dhe Trevonit silleshin mbarë e mbrapsht nëpër gojë.
E fillonin që prej rinisë së tyre të hershme e, gjer në ditët e sotme,kur pothuaj të gjithë rrihnin në një pikë: ata kishin rënë në zjarrin e dashurisë, në të cilin as e dinin si kishin hyrë,as e dinin çfar i magjepste,dhe,as e dinin se për ku ishin nisur.

Zonjusha Meredith i kishte provuar të gjitha shikimet e djemve kur kishte qenë në shkollë të mesme. Madje,njeri prej tyre,Johni i kishte futur dorën te shalët në orën e matematikës. Asaj nuk i kishte bërë aspak përshtypje dhe madje, mund të thuhej se kishte ndjerë një farë bezdie.

Që prej atij çasti djemtë nuk i ngjallnin asnjë lloj tërhejeje.Por,ishte ndryshe me vajzat.Ato ishin një lloj magneti për të.
Ishte në një moshë kur kishte shumë pyetje për veten dhe shumicën e përgjigjeve ia jepte vetes përmes eksperimenteve.

Një ditë prej ditësh e pati ftuar në shtëpi Zhaklinen,një shoqen e saj. I kishte thënë se donte të gatuante diçka për të,i kishte premtuar se do të vallzonin bashkë dhe se do te pinin shampanjë.

Zhaklina e pati pranuar me dëshirë ftesën e Meredithit qoftë edhe për të vetmen arsye: asaj i pëlqente të vallzonte në mjedise të mbyllura ku nuk e shihte kush.

Kur mbërriti tek shtëpia e Meredithit, sapo parkoi,Zhaklina i ndjeu tingujt e një muzike bluz që ajo kishte vënë në kompjuterin e saj.

Hyri brenda dhe gjithshka iu duk magjike: darka e shtruar,muzika,shishja e shampanjës,aroma e lavender it…

Si tokën gotat e shampanjës,Meredith dhe Zhaklina u gjendën krejt befas në krahë të njera tjetrës. Po putheshin siç nuk ishin puthur ndonjë herë.

– Ah,- ofshani Zhaklina- ky është një kurth i ëmbël që nuk e kisha menduar.

– Oh, Jo e dashur – është një eksperiment që po bëj unë me veten,por më duhej një e ngjajshme të gërmoja thellë në shpirtin tim.

– Dhe duket se e gjete të ngjajshmen- tha duke ardhur Zhaklina.

Ndërkaq thuajse të lakuriqta këmbët i kishin tërhequr zvarrë drejt një divani stërmadh ku e panë veten njera përmbi tjetrën.

– Po tani?- pyeti Zhaklina?

Dhe kështu gjithë natën Meredithi iu përgjigj pyetjeve të Zhaklinës duke ia prekur çdo pjesë të trupit,a thua se po bënte zbulimin e ndonjë planeti të ri …

Krejt ndryshe përflitej Trevoni.
Kur ai u duk me mjekërr dhe me fustan nëpër korridoret e kompanisë,u mor vesh se atij nuk i kishte pëlqyer të jetonte siç e kishte bërë nëna,si djalë.
E kishte bindur veten se jeta e tij do t’ia plotësonte të gjitha endërrat po të shfaqej si vajzë.

Ashtu i tërhequr në vetminë e tij, për të nuk kishte asnjë lloj domethënënie përcaktimi i gjinisë kur njeriu vinte në jetë së pari. Atij i dukej krejt e pakuptimtë që dikush, një zyrtar apo zyrtare e maternitetit shënonte djalë apo vajzë në një çertifikatë lindjeje.

Trevoni thoshte se kjo ishte një tiraní që prej lindjes dhe këtë ishte i gatshëm t’ia provonte gjithëkujt me veten e tij.
Kur ai ishte lindur në një maternitet të San Franciscos ishte shënuar si djalë. Dhe si i tillë qe njohur deri kur iu shfaq pushi i burrit në faqe. Por,një ditë prej ditësh ai dëgjoi mësuesen e sociologjise në klasë që shpjegoi llojet e martesave .

Ajo tha se krahas martesave klasike si ato që bëhen në kishë midis një burri dhe një gruaje, tashmë janë edhe martesat midis dy burrave apo edhe midis dy grave.

– Domethënë – unë mund të zgjedh të martohem me një si vetja?

– Po – tha mësuesja.

Që prej asaj dite,Trevoni nuk veshi më pantallona djali. E ndërroi gjithë garderobën e tij.
E gjitha u bë një dyzinë fustanesh me ngjyrat më të ndezura.

Qyteti i kishte të paktë ata që kishin bërë një zgjedhje si Trevoni. Por,ndonëse të paktë Trevonët nuk ishin më të përçmuar. Askush nuk ua mbyllte dyert kur kërkonin punë,kur merrnin shtëpi me qira,apo kur regjistroheshin për të vazhduar studimet e larta.

Kur Trevoni u shfaq së pari, mua më bëri shumë përshtypje.
Si është e mundur edhe burrë me mjekërr,edhe me fustan grash?! Pastaj, unë e mbylla gojën se nuk desha të hyj në luftë për diçka që as më takonte. Sepse tek e mbramja nuk isha unë që e kisha punësuar. Dhe nuk isha unë që e vendosja kodin e veshjeve.
Dhe,çfar ishte më kryesorja, unë e kisha të zhvilluar me kohë instiktin e heshtjes.
Kur të fusnin në burg për një fjalë goje po të shaje qeverinë, unë kisha heshtur. Nuk isha bërë trim si disa të paktë…
Kështu që, edhe tani,ç’më duhej mua pse Trevoni me mjekërr vishej si grua apo ndante shtratin me një të ngjajshëm me veten…

Por ,nuk qe e thënë, megjithse unë e ushtroja si një lutje në kishë heshtjen time, përsëri me sa dukej ia kisha kallur flakën vetes kur,krejt pa dashur thashë se mua më rrodhi gjaku nga hunda ngaqë pashë dy njerëz që putheshin…

Zonja Meredith e kishte dëgjuar këtë dhe qe bërë,si bishë, siç thoshin zërat afër saj.
Çfar ka dashur të thotë,me këtë hiperbolë,kishte pyetur ajo?

– Asgjë më shumë se sa të shpjegonte se pse i shpërtheu gjaku nga hunda – i ishte përgjigjur sekretarja e saj Jessica.

– Jo ,Jo,- nuk është kaq e thjeshtë – kishte mërmeritur zonja Meredith. – Ai ka diçka për të thënë, ose ai ka parë diçka që është e tmerrshme,cfilitëse , diçka që ia ka zhbalancuar të gjithë treguesit jetësorë të tij,dhe,prandaj ndoshta i ka shpërthyer gjaku nga hunda.

– Po ne e kemi të thjeshtë -iu gjegj Jesicca – ne mund të kërkojmë raportin mjekësor të spitalit ku ai u paraqit me urgjencë.

– Budallaqe – tha Meredith,si të hidhte një copë tullë mbi kokën e saj- Nuk është çështje mjekësore. Është diçka tjetër…

*

Gjithë çfar përflitej për shëndetin tim,mua më vinte në vesh si copëza dialogjesh nga filmat vizatimorë me Tomin dhe Xherrin.

– Ku e pa puthjen ai? Kush u puth? Kur u puthën? Vetëm u puthën? Apo,nuk u puthën fare,po atij vetë i shkrepi në kokë të puthte dikë dhe, meqë nuk pati se ku,e me kë,i shpërtheu gjaku nga hunda?

Mua nuk më hynte në sy asgjë. E dija se kisha hyrë në një skenë teatri,nga një portë që çuditërisht u gjend e hapur,dhe meqë u ndodha aty,krejt rastësisht,nuk desha të bëj thjesht rolin e suflerit. Më zjeu gjaku në damarë dhe i ‘premtova vetes ta dëshmoj me çdo çmim një puthjen të dy njerëzve që unë besoja se nuk mund putheshin kurrë as në këtë botë e as në tjetrën…

Nuk ishte aq e lehtë, madje thellë thellë,ishte e stërmumdimshme, për të mos thënë po aq e rrezikshme. Shenja e parë ishte rrjedhja e gjakut prej hundës,por unë kisha një parandjenjë edhe më ogurzezë,se kushedi se çfar gjëme mund të vinte pas asaj rrjedhje gjaku…

Ndërkaq zonja Meredith sapo e kishte arritur ciklin e saj të menopauzës. Kjo e kishte bërë nervoze jo vetëm në marrëdhëniet me gruan e saj Sharon,por edhe me kolegët e saj në mjediset e kompanisë.

Gjithshka kishte eksperimentuar me Sharonin,po tretej sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Zgjimet ishin një torturë e vërtetë për të. Ato nuk e ndanin më shtratin me njera tjetrën. Secila flinte në një dhomë më vete.

Kur ndodhte që zgjoheshin pothuajse në të njejtën kohë,i tmerrshëm ishte çasti kur dikush duhej të pyeste e para:

– Si fjete mbrëmë?

Përgjigja e Meredithit,ishte e njejtë, pa ngjyrë,gati gati si përshpirtje për dikë në buzë të varrit:

– Ja ashtu si e vdekur…

Kaq thoshte,dhe hiqej mënjanë të bënte kafen e mëngjesit,pa pikë dëshire për ta vazhduar bisedën.

– Vetëm kaq?- pyeste Sharon,e etur jo aq për të ditur diçka më shumë për Meredithin,se sa për të ditur se në çfar rrethi të Ferrit mund të vërtitej vetë fati i saj…

– Zemër – iu gjegj Meredithi- me sa duket kjo ishte e gjitha…Ti më ke bërë mua të lumtur më shumë se sa e meritoja. Por ndoshta, unë nuk të bëra aq të lumtur sa të premtova.

– Gjithë ç’ndjeva për ty, ta dhurova- tha Sharon.- Por tani të jam borxh për diçka tjetër. Nuk dua të të le të vuash. E di që bota e ndjenjës u fishk,u shua a nuk e dij se çfar ndodhi.
Por tani më duhet të bëj detyrën,pa pritur kurrfarë shpërblimi prej teje. Ne nuk kemi çfar të ndajmë midis njera tjetrës. Nuk kemi kurrfarë pasurie për të ndarë. Po së paku të ndajmë kujdesin per njera tjetrën,nuk dua të jesh e vetmuar,të mos kesh dikë të të japë një gotë ujë,kur ti ta kesh nevojë e mund të jesh duke lënguar e vetme në shtrat…

Meredith filloi të lotojë.

– Jo, zemër – gjithshka duket e ka ciklin e vet. Lermë në vetminë time. Ti ndoshta mund ta gjesh lumturinë diku tjetër,ose me dikë tjetër, në një strehë tjetër a në një planet tjetër …

*

Lajmi se Meredith po ndahej me gruan e saj Sharon,në fillim u mor vesh në atë lagjen e vogël ku ato kishin shtepinë e tyre, në skaj të fushave të golfit,ngjitur me liqenin Manoua. Komshinjtë kishin parë një makinë me karroceri të madhe në hyrje të shtëpisë dhe dy punëtorë që mbartnin gjithë ç’kishte vendosur të merrte me vete Sharon: libra,veshje,dy tre kolltukë, vazo me lule,statueta, piktura,pra gjithë ç’kishte sjellë kur ishin martuar me Meredith.

Nuk kishte asgjë të veçantë,gjithshka ishte e ftohtë si ne nje akullnajë.

Lagjia kishte parë edhe divorce të tjera më parë,por kishin qenë ndryshe. Femijë që qanin per babain që mblidhte teshat dhe ikte syrgjyn diku sa të fuste kokën thjesht për t’i ikur mallkimeve dhe sherreve me gruan që telefononte kur t’i tekej policinë,pastaj bëhej pishman dhe policia nuk shkruante asnjë raport…

Por lagjia kishte parë edhe me keq. Kishte parë gra me sy të mavijosur prej grushtave të burrave duke ikur me femijët ne krahë në mesnatë,madje edhe ne shi…

Ato ishin divorce që ta këpusnin shpirtin.Në mes ishte gjithnnjë një femijë, a ndoshta edhe me shumë.
Ndërsa ky divorci i Meredithit me Sharonin ishte krejt ndryshe,pa pikë yndyre,siç e kishte quajtur një komshi i ri i lagjes që sapo kishte ardhur nga një cep i Ballkanit në Europë dhe qe ngulur me familjen e tij me shtatë fëmijë në një cep të Endërrës Amerikane …
Ky burri ballkanas me emrin Mexhit,gati sa nuk hodhi fishekzjarre për divorcin e dy grave që i kishte përballë shtëpisë së tij.
– Shyqyr që m’u hoqën sysh – tha Mexhiti- na e ndyjnë lagjen.
Çka don me thanë me u martue gruja me gru, e burri me burrë.
Unë paç kujtue se n’Amerikë kam me gjetë gjanat ma t’mira në kët dynja. Nuk ma ka marrë mendja kurrë se kam me gjetë kësi horrllëqesh qi nuk i don I madhi Zot…

– Babë – ishte gjegjë e bija, Floria, që shkonte në gjimnaz – mos fol ashtu se nuk është korrekte. Është vend I Lirisë ky.
– Po moj po – qenka vend i lirise me pështy çka e ka shkrue I madhi Zot. E ti shih mos t’i marrin mendt këto budallëqe,se për kry tand, qi t’kam si dritë, të baj atë që nuk të shkon ndër mend.

Floria heshti.Heshti aty,po nuk e merrte me mend se baba donte që ajo të heshtte edhe në shkollë,edhe në rrugë,edhe në park,dhe sa herë që shihte dy gra që putheshin buzë me buzë, t’i mbyllte sytë e të shkonte në punë të vet…

*

Por Floria nuk mund t’i mbyllte sytë. I shihte si putheshin dy vajza në qoshet e shkollës. Edhe dy djem që të kapur dorë për dore hynin në të njejtën makinë kur i drejtoheshin parkingut për t’u kthyer në shtëpi.
Por Floria heshtte, siç i kishte thënë baba. Nuk bëzante,nuk i thoshte kujt se çka shihte me sytë e saj ishte e neveritshme për të. Të paktën ajo kështu e përjetonte.
Por heshtjes së saj një ditë i erdhi fundi. As ajo vetë nuk e pati marrë me mend se , një ditë prej ditësh,do të shpërthente mllefin e saj të ngujuar në skutat e shpirtit.
Floria kishte nisur të merrej me atletikë. Ajo ishte në ekipin e vajzave të shkollës për garën njëqind metra.Ia kishte dalë të ishte më e mira. Por, një ditë prej ditësh në ekip erdhi një djalë që dukej si vajzë.
Qëkurse ai u bë pjesë e ekipit, gjithshka u përmbys si një kështjellë prej rëre. Dan quhej ai.
Për gjatë një jave Dan garoi me pesë vajzat e tjera në fushën sportive të shkollës dhe ndodhi e papritura: i fitoi të gjitha garat.
Floria ia plasi të qarës.
– Kjo nuk është e drejtë – I tha ajo traineres së ekipit, zonjës Clara.- Ai është djalë dhe nuk duhet të garojë me ne vajzat.
– Qetësohu zemër – mos e quaj ” ai”, ai e quan veten ” ajo” dhe prandaj,siç ka vendosur dtejtoria e shkollës,po merr pjesë në ekipin e atleteve vajza.
– Kjo nuk ka pikë kuptimi. Edhe babai më ka thënë se kjo nuk ka pikë kuptimi. Madje,babai më ka thënë se nëse unë do përzjehesha në këtë çorbë, një Zot e di,se çfar ndëshkimi do të më priste mua në shtëpi…
– Nuk ka kurrfarë rëndësie se çfar thotë yt atë – iu gjegj Clara.
– Po si nuk paska moj zonjë?! Ai më ka bërë kokën dhe nuk ka të dytë në botë të më dojë të mirën më shumë se im atë…
– Por këtu nuk vendos ai – vendosim ne- tha prerë Clara.
– E po mirë atëhere – tha Floria me lot në sy- unë e braktis këtë pisllëk. Fitojini garat me kë të doni. Por unë them se vajzat janë lindur për të garuar si vajza dhe djemtë, përfshi edhe ata që shtiren si vajza, janë bërë për të garuar me djem…

E flaku për dhé bluzën sportive dhe iku duke e perplasur portën e sallës së palestrës.
Jashtë binte një shi i imtë që tretej me lotët e Flories…

*

Kur vajti në shtëpi , Mexhiti, babai i Flories po korrte barin e livadhit përballë shtëpisë. Ai e vuri re se e bija,Floria, sa zbriti nga makina,ishte gati të shpërthente në lot.

– Çfar ke moj bijë?

– E lashë garën sportive, babë.

– Po pse?

– Sepse aty,me ne në ekipin tonë të vajzave,u përzie edhe nje djalë, që shtiret si vajzë. Unë nuk mund të mbyll sytë për diçka që nuk më pëlqen. Ai i ka fituar të gjitha garat me ne vajzat. Por i ka fituar si djalë,jo si vajzë.
Unë i thashë traineres, zonjës Clara se jap dorëheqjen. I thashë madje,se ti më ke thënë se nëse unë përzjehesha me pisllëqe të tilla, një zot e dinte se cfar më priste në shtëpi…

Mexhiti e fiku korrësen e barit. Iu afrua Flories,e përqafoi dhe e puthi në ballë. Nuk tha asnjë fjalë…

Të dy, ashtu krah për krah hynë brenda në shtëpi.
Nuk kaluan as dhjetë minuta dhe ai gatoi dy sandviçe per Florien dhe për veten. Nxorri edhe një shishe verë që e kishte ruajtur që prej pesë vitesh. Mbushi dy gotat. Dhe sikur të thoshte ndonjë pretencë në gjyq ,duke tokur gotën me Florien tha:

– Ti e fitove garën,moj bijë.
E fitove se nuk më hodhe mua në kosh. Nuk më mohove mua si babë. Nuk e harrove se nga kemi ardhur.
Bota është bërë më e vogël.
Por vendlindja është po ajo. Jo vetëm për ty,por për të gjithë tetë miliardë banorët e këtij planeti.
Vendlindja jonë na ka mëkuar me ujët e fjalës së Zotit. Nana është nanë e baba është babë atje. Edhe këtu kështu duhet të jetë. Dhe besoj se kështu ka qenë edhe këtu.
Por Botën po e bëjnë pis një grusht njerëzish me ide të çmendura. Ata që duan që të shtypin fytyrën tënde si plastelinë dhe ta bëjnë ashtu si duan ata. Ata që duan që ti të mos më quash mua babë, ata që duan që ti të mos bëhesh grua një ditë,ata që thonë se edhe dy burra mund të rrijnë në një shtrat,dhe se mund ta rrisin një femijë. Ata që ne të dy na llogarisin vetëm si shifra në statistikat e popullsise. Ata që duan të na hartojnë menunë e ditës dhe skedulën e ditës. Ata që duan të na kontrollojnë si funksionn truri ynë, çfar pëlqen dhe çfar urren. Ata që ta mbyllin gojën ty,kur ti nuk thua atë që ata duan ta eksperimentojne si trend social.Ata që duan të dijnë se pse ankohesh ti dhe pse ankohem unë,dhe që si me magji duan të na pëlqejë gjithshka atyre iu pëlqen.
Ata që duan ta fshijnë gjithë historinë se si ne mbërritëm këtu,ata që gjithshka duan ta fillojnë nga e para: arkitekturën,artin,shtetin, ekonominë, shkollën…

– Babë,pusho pak,të lutem, meqë zure në gojë shkollën…A don me të tregu çfar postimi pashë dje në korridoret e shkollës?

– Po- tha Mexhiti.

Floria hap celularin e saj dhe I tregon të atit se si në një postim ftoheshin të merrnin pjesë në një lojë seksuale pas së cilës fituesi mund të fitonte një lodër seksi…
Ja, kjo është shkolla ku shkoj unë,babë…

Baba tha një shprehje të pistë në Shqip,duke sharë ata për të cilët bëri monologun e tij.

“Ua shkërdhevsha nanën, pisave!

Dhe pastaj,kafshoi buzën.U kujtua se një shprehje të tillë nuk duhej ta thoshte në sy të vajzës, prandaj edhe shtoi:
– Më fal – unë nuk duhej t’i thosha këto fjalë në sytë e tu.
– Por unë,nuk jam më femijë, babë…- tha Floria.
– Nuk je!- iu gjegj Mexhiti.

*

Qëkurse ishte ndarë me gruan e saj Sharon,Meredith kishte filluar t’i shtonte vajtjet në zyrën e Trevonit. Një burrë i shndërruar në grua,ishte për të një lloj preje siç mund të ishte për luaneshën një xhirafë bebe në savanën e Afrikës.
Ajo nuk e dinte se çfar e tërhiqte: mjekrra e tij, duart e tij,apo cfar fshihte nën fustan në prehërin enigmë.
Kur e shihte në sy i dukej ai, kur i shihte fustanin i bëhej ajo, kur i jepte dorën i përndizej ai,kur i vështronte gjerdanin e artë i shfaqej si vajzë,kur e shihte nga shpatullat endërronte t’ia kafshonte e ta çmendtte…

Në një çast fatal të tillë unë e kisha parë Meredithin t’i afrohej Trevonit, t’i vinte pëllëmbën në buzët e tij,pastaj ta tërhiqte nga vetja dhe ta puthte si e çmendur.

Ishte pikërisht ai çasti kur mua më shpërtheu gjaku nga hunda dhe u gjenda sa çel e mbyll sytë në urgjencën e spitalit ngjitur me kompaninë tonë.

*

Gjashtë muaj me vonë unë duhej të shkoja përsëri për një kontroll rutinë tek mjekja ime vetjake Wendy. Druhesha se testet fizike nuk do t’i kisha siç i kisha premtuar vetes dhe asaj.Druhesha se , gjithësesi ajo do ta kishte marrë vesh se një ditë prej ditësh, unë kisha përfunduar në urgjencën e një spitali, për shkakun e thjeshtë se më kishte shpërthyer gjaku nga hunda. Por, jo, as doktoreshë Wendy nuk u bë e gjallë të më pyeste.

U çudita. Të ishte kjo një pakujdesi e spitalit të urgjencës, që ndoshta nuk kishte përcjellë gjithë çfar ndodhi me mua? Apo, ndoshta vallë, vetë doktoreshë Wendy po i jepte ndodhisë përmasat e vërteta të asaj rjedhjeje gjaku? Po si: duke mos e përmendur fare?!!

E po mirë atëhere: po ia them unë fill e për pe. Dhe, ashtu,ngadalë ngadalë,ia thashë se si më kishte shpërthyer gjaku nga hunda dhe se si përfundova në urgjencën e spitalit ngjitur me kompaninë tonë.

Më pa në dritë të syrit duke heshtur si një shenjtore. Pastaj pasi i ra një pah drite ne fytyrën e saj të rrumbullaktë, si një mollë e pavjelur,nga ato që nuk guxon kush t’i fusë në shportë, veç në rënshin me dëshirë rrëzë trungut, tha:
– Të bëj be, që nuk e di këtë histori të rrjedhjes së gjakut prej hundës tënde. Dhe duhej ta dija.Patjetër duhej ta dija.Duhej të ma kishin percjellë ata të spitalit të urgjencës. Protokollet e urgjencës kështu thonë…

Por, për herë të parë, dhe, ndoshta të fundit në jetën time, si mjeke, po të them diçka që nuk buron nga analizat kimike të gjakut, nga njohuritë e mija si mjeke por nga çfar shoh unë në sytë e tu. Ty të ka shpërthyer gjaku sepse ke parë me sytë e tu diçka që nuk do të kishe patur kurrë dëshirë ta shihje sa të jesh gjallë.

Është pak a shumë sikur ti vetë të kishe puthur një të vdekur që është ngritur nga varri të të bëjë ty të lumtur…