Prof.Assoc. Dr. Ilia S.LARTI: Komunikimi Masiv i medjave të shkruara dhe elektronike dhe ndikimi i tyre tek njerzit ndjekës

Komunikimi Masiv i medjave të shkruara dhe elektronike dhe ndikimi i tyre tek njerzit ndjekës

Nga: Prof.Assoc.Doc.Dr.Ilia S.LARTI

Hyrje

Komunikimi masiv është rezultat i veçantisë së species njerëzore, i shkathtësisë të mahnitshme për të konstruktuar ngjarje dhe për të mbjellë ide në trurin e njëri tjetrit duke e përdorur gjuhën: jeta që e bëjmë sot është kryesisht pasojë e faktit se njerëzit mund të flasin dhe ta përmbushin funksionin e komunikimit.
Edhe pse mediat masive kanë rëndësi të pamasë për jetën tonë dhe na rrethojnë gjithandej, shpesh as që i vërejmë. Sot nuk është problem gjetja e informacioneve, ashtu si ka qenë dikur, por është problem organizimi dhe përzgjedhja e tyre në gjithë këtë rrëmujë që na përcjell që nga mëngjesi e deri në gjumë. Si ta shfrytëzojmë televizionin, gazetat, librat, reklamën, radion, muzikën, revistat, video-lojërat, internetin, pa i lejuar që ato të na shfrytëzojnë neve, qoftë duke na e marrë kohën, apo duke na bindur me porosi të cilat nuk janë të dobishme për ne?
Kur flitet për zhvillimet e reja të teknologjisë të komunikimit, zakonisht mediat e reja shihen si mundësi të reja për biznesin, politikën dhe ekonominë, e më pak shihen si mundësi për ta shtuar dijen, për të shkëmbyer ide dhe përvoja, me synim të një bote më të mirë.
Ky material ka për qëllim që çdo kush të filljë të mendojë ndryshe për ato që tanimë mendon se i njeh mirë. Sigurish që ky brez është rritur me televizion, radio, gazeta, libra e muzikë, dhe me të drejtë dikush ndjehet si ekspert për to, meqenëse i përdor vazhdimisht.
Por kushro a e ka menduar ndonjëherë se si arrin t’i pranojë të gjitha këto mesazhe…., apo thjesht i dëgjon dhe i lexon ato automatikisht, duke e programuar veten si një kompjuter, që e ka për shprehi të marrë shumë informacione të formave të ndryshme në të njëjtën kohë?
Çdokush a e ka menduar ndonjëherë se kush e bën këtë programim: ti, prindërit, shkolla, shoqëria, deri tek reklamat, apo diçka tjetër?
Si dallohet bota jote nga bota që na ofrojnë mediat?
Nëse ke zgjedhur profesionin e gazetarit, këto pyetje janë edhe më të rëndësishme meqenëse ti do të jesh përgjegjës për menaxhimin dhe vlerësimin e informatave të cilat do t’ia ofrosh publikut dhe ti do të duhet ta ushtrosh këtë detyrë dhe këtë privilegj me transparencë dhe me standarde etike. Që të jesh në gjendje të prodhosh informacione të paanshme dhe të besueshme, së pari duhet të jesh në gjendje t’i dallosh ato….!?

Çka është komunikimi masiv?
Termat “komunikimi masiv” dhe “ media masive” u krijuan në fillim të shekullit, që të përshkruajnë një fenomen të ri shoqëror dhe një nga tiparet kryesore të botës moderne, ndërtuar mbi themelet e demokracisë popullore dhe industrializimit (McQuail, 2005:4-8). Pa dyshim rëndësia e mediave masive në shoqërinë bashkëkohore është e madhe dhe u përket: sferave të politikës, kulturës, jetës shoqërore dhe ekonomisë.
Në programet universitare, ‘komunikimi masiv’ është term që përdoret për ta përshkruar studimin akademik të mënyrave me të cilat individët ose grupet shoqërore transmetojnë informacione për një numër të madh njerëzish nëpërmjet mediave masive. Përmes kësaj lënde, në studimet e larta të gazetarisë ku kryesisht mësohen shkathtësi profesionale të gazetarisë, të raporteve publike, reklamës, e të tjera, do të mund të shqyrtohen praktika, historia, ligjet, efektet e mediave, pra institucionet dhe proceset që i përcjellin këto shkathtësi të gazetarisë. Koncepti i komunikimit masiv rëndom nënkupton: gazetat dhe revistat (të shkruara dhe elektronike), televizionin dhe kinemanë, radion, rrjetet sociale, reklamën dhe komunikimin shoqëror, nganjëherë edhe librin (sidomos letërsinë e popullarizuar), muzikën (industrinë e popullarizuar), lojërat e kompjuterëve etj.
Brenda fushës të komunikimit masiv “Mass Media”, si term është konstruktuar në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit të XX-të ecur dhe është zhvilluar në aspektin e rrjeteve kombëtare të radios, televizioneve dhe me tirazhet masive të gazetave dhe revistave që u drejtoheshin audiencave masive.
Edhe pse format e hershme e medias masive (gazeta, revista, kinemaja dhe radioja), janë zhvilluar me ritëm tejet të shpejtë dhe janë pasuruar me forma të reja, veçoria thelbësore e komunikimit masiv ngel e njëjtë: informatat, opinionet dhe argëtimi përhapen shpejt tek publiku dhe kanë ndikim të madh në shoqëri. Siç thotë autori Joseph Dominick në librin e tij “Dinamika e komunikimit masiv” (2010), sot përmes teknologjisë moderne të komunikimit jemi të mbërthyer 24 orë në çdo ditë të javës dhe e kemi informacionin të përdorshëm menjëherë, në çdo kohë dhe në çdo vend.
Ky material i referohet emërtimit “komunikimi masiv” por më shumë cilësisë, pra i të qenit dinamik, e reflekton tiparin kryesor të “komunikimit masiv” sot, tendencën që ka për risi zhvillimet e vazhdueshme në këtë fushë.
Komunikimi masiv lidhet me shoqërinë, politikën, kulturën, etikën, duke përfshirë dukuri si propaganda dhe fushatat politike, demokracia dhe pjesëmarrja e qytetarëve në të, nisur nga lufta dhe paqja, terrorizmi, globalizimi, prodhimet kulturore, identiteti, shoqëria e informimit, konsumi dhe komercializmi, dhuna dhe efekti i saj, liria e fjalës e të tjera.

Veçoria thelbësore që e dallon “komunikimin masiv”, nga format e tjera të komunikimit është prodhimi masiv dhe i industrializuar që krijon mundësi për të komunikuar njëkohësisht me audienca të mëdha dhe të ndryshme.

Media dhe e vërteta
Mediat siç e pamë duhet të jenë të lira, në mënyrë që t’i shërbejnë publikut të informuar dhe aktiv në procese demokratike dhe në jetën shoqërore; ato duhet të demonstrojnë paanësi, duke ofruar llojllojshmëri të përmbajtjeve dhe duke ofruar hapësirë për pikëpamje të ndryshme; ato duhet t’u shërbejnë interesave të ndryshme të shoqërisë dhe të funksionojnë si një forum të shkëmbimit të ideve ku të gjitha zërat vijnë në shprehje. Ndërkaq, raporti i medias me të vërtetën është çështje komplekse, dhe historikisht, si thotë McQual (2005:199) ka pasur disa të vërteta të rëndësishme: e vërteta personale fetare në përputhje me vetëdijen e individit, pastaj, e vërteta shkencore, e vërteta ligjore, dhe e vërteta historike, që ndikohet nga realiteti shoqëror dhe ekonomik. Pra kuptimi dhe vlera e “të vërtetës”, mund të ndryshojë sipas kontekstit dhe këndvështrimit, prandaj është e rëndësishme që informacioni i medias të sigurohet nga burime të besueshme.
Kur flitet për cilësinë e informacionit, koncepti kryesor është ai i objektivitetit, që nënkupton mënyrën se si mblidhet, si përpunohet dhe si shpërndahet informacioni. Po ashtu, ky kriter nënkupton paanësinë dhe mosshfaqjen e preferencave personale. Mosndërhyrja dhe ruajtja e distancës nga përmbajtja të cilën e raporton gazetari shihet si parakusht për gazetarinë profesionale. Koncepti i objektivitetit dhe vërtetësisë ndërlidhet me trajtimin e njëjtë të pikëpamjeve të ndryshme dhe me dhënien e mundësive të barabarta ndaj përqasjeve të ndryshme. Si thotë McQuail, objektiviteti nuk është raport i krijuar vetëm ndaj fakteve, por edhe ndaj opinioneve. Rrjedhimisht, objektiviteti është i lidhur ngushtë me faktet, pra me përzgjedhjen e fakteve relevante lidhur me një ngjarje.
Normalisht se përzgjedhja është një proces personal dhe vlerësimi i asaj se çka është e rëndësishme për t’u përfshirë në përmbajtjen mediatike nënkupton në radhë të parë një “qëndrim neutral”, ndaj interpretimeve dhe versioneve të ndryshme të ngjarjes. Del se përveç fakteve, për objektivitetin është me rëndësi përqasja neutrale dhe e balancuar, që mundëson përzgjedhjen e perspektivave alternative në një stil të drejtpeshuar dhe pa sensacion. Ndërkaq është e vështirë të përcaktohet natyra e objektivitetit, për shkak të ndërveprimit mes fakteve dhe opinioneve si dhe për shkak të problemit të verifikimit të burimeve. Megjithatë, me fjalët e Lichtenbergut, që e citon McQuail (2005:203), nëse dëshirojmë ta kuptojmë botën, atëherë duhet të besojmë në mundësinë dhe në vlerën e objektivitetit.
E vërteta
• Çka mendon për të vërtetën dhe ruajtjen e konfidencialitetit të burimit?
• Kontrolli i jashtëm
• Kontrolli shoqëror
• Kultura dominuese
• Liria si kriter
• Liria si parakusht
• Modeli alternativ
• Modeli i përgjegjësisë shoqërore
• Modeli i nivelit profesional
• Modeli i vlerave intelektuale
• Modeli i të drejtës morale për të diktuar moral
• Modeli i tregut liberal
Objektiviteti
• Obligimet normative të medias
• Parandalim i modeleve negative
• Përfitimi publik
• Përgjegjësia e medias
• Përmbajtja e hapur
• Përmbajtja neutrale
• Politika e internetit
• Procesi demokratik
• Pronësia e shumëfishtë
• Rendi publik
• Respekt i të drejtave të individit
Subkultura
• Shërbimi i transmetimit publik
• Teoria emancipuese
• Teoria komunitare WikiLeaks
Mendimi kritik pro dhe kundër:
A duhet të ndalohet liria e fjalës?
“Jo” por dhe “Po” Vetëm në rastet duke ju referuar Profesorit të drejtësisë Volokh (2000)i cili thotë: se në rastet kur shfaqet gjuha apo imazhet e urrejtjes në publik, ligji duhet të jetë konservator dhe duhet ta kufizojë lirinë e të shprehurit. Ky studiues është sidomos i interesuar për hapësirën kibernetike dhe për mënyrën se si përmbajtjet në internet mund të krijojnë ambient armiqësor për njerëzit, duke prodhuar ligjërime nxitëse, vulgare, shpifëse, komerciale,
Për këtë autor: liria e përgjithshme e fjalës është më pak e rëndësishme se sa respektimi i të drejtave të individëve.
Në disa mjedise ku ka ndërveprim mes individëve ashtu si në mjedise virtuale, gjuha ngacmuese duhet të jetë e ndaluar.
Dy firma konsultuese për media bashkëpunuan në një hulumtim për të kuptuar se çka është ofenduese për dëgjuesit e një kanali të radios dhe televizionit. Nga rezultatet e hulumtimit del se individët dëshirojnë të kenë lirinë e fjalës dhe të mos kenë ndërhyrje censuruese nga jashtë. Nganjëherë emisionet janë shokuese sa dhe ofenduese për mosha të caktuara, por në këto raste prindërit janë ata të cilët duhet të kujdesen se çka dëgjojnë fëmijët e tyre.

Cilat janë funksionet e medias masive?
Pa vëmendjen mediatike, sado të fuqishme të jenë grupet e caktuara, dënohen duke ngelur nën hije dhe në periferi, pa e pasur vëmendjen e publikut. Është vështirë të thuhet saktë se çka i motivon njerëzit e medias për përzgjedhjen e caktuar të lajmeve, por ato bëjnë legjitimim shoqëror të forcave të caktuara dhe të standardeve dhe besimeve shoqërore dhe politike, qoftë duke u ndikuar nga politikat e redaksisë, nga grupet e caktuara të interesit, apo nga kushtëzimet personale që mund të vijnë prej pikëpamjeve, bindjeve, e paragjykimeve.
Njerëzit kanë nevojë të informohen, se kështu e krijojnë ndjenjën e sigurisë, pavarësisht se çka lexojnë ose shikojnë, dhe pavarësisht se sa të këqija mund të jenë lajmet, gjithçka mundëson për ruajtjen e status quo-së politike dhe ekonomike. Çdo njeri, sado të jetë i dëshpëruar dhe i pakënaqur në jetën e përditshme, përmes mediave mund të marrë pjesë në jetën politike, sportive, muzikore, ta përcjellë jetën e njerëzve të famshëm, etj.
Një problem shoqëror cilido qoftë, sipas nevojës dhe këndvështrimit mund të lidhet me: politikat zyrtare, me pabarazinë shoqërore, me nacionalizmin apo patriotizmin, me regjimin, me zotin apo historinë, me fatkeqësinë, me racionalen apo irracionalen, me kombinimin e të gjitha këtyre. Kjo mund të paraqitet në një skenë të caktuar, për shembull me veprime të personazheve të virtytshme nga njëra anë dhe personazhe djallëzore nga ana tjetër, që e tërheqin një pjesë të madhe të publikut me dramacitetin e theksuar.
Funksioni i socializimit është përgatitja dhe orientimi i individit për mjedisin e caktuar kulturor.
Media e përgatit individin me vlerat e përgjithshme lidhur me atë se çka ofron fuqi, sukses, dhe dominim në shoqëri, dhe ofron modele për këto vlera. Media ndihmon qytetarët të riadoptohen në një botë që vazhdimisht ndryshon, të pranojnë vlera dhe përqasje të reja. Duke folur për funksionet e komunikimit masiv me modelin e ngjashëm si Laswell-i, studiuesi Dominick (2010: 70-76) e quan rolin informues “mbikëqyrja” , dhe përdorja e këtij termi i përforcon konotacionet e kontrollit që media e ushtron në shoqëri.
Mbikëqyrjen ai e sheh si dy llojesh: të vetëdijshme, kur informon për kërcënimet që i kanosen shoqërisë, dhe instrumentale, kur i shërben publikut me informacione të dobishme për jetën e përditshme. Ky funksion mbikëqyrës është shumë i shpejtë me teknologjinë moderne, por është edhe një përpunim, i cili ka efekt nëse e pranojmë si të besueshëm.
Për funksionin e interpretimit, Dominick thotë se është ngushtë i lidhur me atë të mbikëqyrjes, dhe shpesh manifestohet në faqen editoriale përmes komentit dhe opinioneve që i plotësojnë lajmet e botuara. Por interpretimi nuk kufizohet vetëm te editoriali, ai mund të jetë edhe karikaturë, duke transmetuar një këndvështrim të caktuar përmes satirës. Normalisht që dekodimi i këndvështrimeve ndaj të cilave është e ekspozuar audienca është çështje komplekse e procesit të komunikimit, që u diskutua me skemat e komunikimit. Në qoftë se audienca ka qëndrime të ngjashme interpretuese, atëherë media masive krijon lidhshmëri mes këtyre audiencave. Funksionin e socializimit Dominick e lidh me transmetimin e vlerave të përbashkëta të cilat ndihmojnë stabilitetin e shoqërisë. Publiku informohet por edhe argëtohet, çlodhet, dhe çlirohet emocionalisht, dhe i përmbush nevojat e veta duke qenë më shumë a më pak i vetëdijshëm për këtë.
Nuk ekziston një teori e komunikimit masiv, por ka teori të ndryshme të cilat janë huazuar nga shkencat e tjera.
Ideja se mendimet e njerëzve për veten dhe për botën në radhë të parë formohen nga masmedia, është për shembull rezultat i analizës të kultivimit, apo të pikëpamjes se efektet e mesazheve masive janë të fuqishme dhe mund të vërehen qartë. Por, ashtu si u tha, Lazarsfeldi para gjysmës të shekullit të kaluar e parashikoi rrezikun e një pikëpamjeje të ngushtë dhe thjeshtëzuese për efektet e masmedias në publik. Ai besonte në hulumtime kritike të këtyre efekteve, të cilat shtrojnë më shumë pyetje lidhur me rrethanat dhe kontekstin e gjerë të ndërveprimit të publikut me komunikimin masiv.
Efekti i dhunës mediatike në sjelljen e individëve
Gjithsesi ndër temat më të përfolura është efekti i dhunës të shfaqur në përmbajtjet mediatike dhe mënyra se si ndikon ajo në sjelljen e individëve. Qysh në teoritë antike për artin, Aristoteli përmend efektin e Cilat janë disa modele të përmbajtjeve mediatike të cilat kanë ndikuar në stilin dhe pikëpamjet e tua jetësore?
Katarsisit, apo të çlirimit psikik që e përjeton publiku duke e parë tragjedinë, ku përfundimet e dhunshme dhe tragjike i ndihmojnë të çlirojë ndjenjat e akumuluara dhe e pastrojnë atë duke i mundësuar një ripërtëritje përmes përjetimit të fuqishëm dhe tronditës.
Teoritë psikologjike kanë ndikuar në modelin e stimulimit, dhe përmes eksperimenteve në laborator kanë demonstruar se përmbajtjet e dhunshme mediatike nxisin sjellje agresive. Sipas teorive shoqërore kognitive, nëse sjelljet e dhunshme në media portretizohen si të këqija dhe dënohen, atëherë publiku nxitet që të mos i imitojë ato. Por në qoftë se dhuna portretizohet si mjet për të arritur sukses apo për të kryer vepra të mira, atëherë ajo inkurajohet te publiku.
Sot, studiuesit nuk kanë të dhëna të mjaftueshme se përmbajtjet e dhunshme i bëjnë njerëzit vetvetiu të dhunshëm, por hulumtimet tregojnë se individët me prirje agresive dhe të ndikuar nga rrethana të tjera plotësuese janë më të ndjeshëm ndaj dhunës në media. Ka studiues si George Gerbner (1981), që mendojnë se dhuna në përmbajtjet televizive më shumë i frikëson njerëzit se sa që i bën të dhunshëm. Gerbner është i njohur për teorinë e analizës të kultivimit, sipas të cilës televizioni kultivon apo konstrukton një realitet të cilit i besojnë njerëzit. Sipas këtij studiuesi televizioni ndryshon nga mediumet e tjera sepse nuk kërkon aftësi leximi dhe konsumohet nga të gjithë, gjë që e bën më të fuqishëm. Televizioni sipas tij transmeton mesazhe të opinionit dominues në një shoqëri dhe nuk ofron opinione alternative, me qëllim që të përforcojë skemat e caktuara shoqërore duke i përsëritur ato.
Gerbner thotë se duke shikuar programe televizive njerëzit fillojnë të besojnë se bota është shumë e rrezikshme sa sa që është ajo në realitet. Ky ekzagjerim i frikës mund të ndikojë te njerëzit që të jenë të gatshëm ta pranojnë dhunën policore, meqenëse ajo është garanci për sigurinë e tyre, dhe po ashtu njerëzit mund të bëhen më tolerantë ndaj autoritetit të dhunshëm. Një debat i ngjashëm për efektet negative të përmbajtjeve mediatike është ai lidhur me mënyrën e portretizimt të drogës dhe alkoolit.
Studiuesit brengosen për mënyrën se si portretizohen konsumi i alkoolit sidomos nëpër reklama dhe programe argëtuese, që mund të nxisin dhe inkurajojnë konsumin e tyre, duke i paraqitur si të parrezikshme, si parakushte për t’u argëtuar, për t’u kënaqur dhe për të kaluar jetë të lumtur. Megjithatë, debatet dhe argumentet për efektet negative të medias mund të kundërshtohen me argumentin se mediat mund të përdoren për efekte pozitive, dhe publiku i përgatitur ka mundësi që kontrollojë efektin e përmbajtjeve mediatike të cilat i konsumon.

A është e mundshme paanësia dhe a pasqyrohet realiteti?
Paanësia si parim i gazetarisë profesionale është vështirë për tu vlerësuar, sepse thjesht vështirë që mund të thuhet diçka pa pasur asnjë qëndrim. Përgjithësisht, me paanësi nënkuptohet drejtpeshim i burimeve dhe i zgjedhjeve, reflektim i vështrimeve të ndryshme, dhe prezantim i të paktën dy palëve me gjykime të ndryshme.
Shmangia e vlerësimeve gjykuese, e gjuhës emocionale, e opinioneve personale po kështu mundëson neutralitet, dhe prandaj gazetarët duhet të arrijnë një pozicion të vetë-reflektimit dhe vetëdijesimit duke u distancuar nga prodhimi i vet mediatik.
A mendon se reklama ndikon në konsumin tënd të alkoolit? Madje edhe në rastet kur nuk bëhet fjalë për propagandë ose ideologjizim, megjithatë sipas studiuesve zakonisht ka disa tendenca dhe prirje paragjykuese në përmbajtjet mediatike, dhe këto janë prirjet të cilat theksohen më së shpeshti:
– Mediat e prezantojnë si burim kryesisht zërin zyrtar
– Vëmendja e mediave përqendrohet në elitat politike dhe shoqërore
– Lajmet e huaja përqendrohen në kombet e pasura, të fuqishme, dhe në ato fqinjë
– Lajmet kanë paragjykime nacionaliste të shprehura në formë të opinioneve
– Meshkujve u kushtohet më shumë vëmendje se femrave
– Informacioni për krime e thekson aktin personal dhe të dhunshëm dhe nuk e analizon realitetin e rrezikimit të shoqërisë
– Shëndetësia shfaqet nga aspekti i kushteve të këqija, dhe nuk bëhet fjalë për preventiva
– Udhëheqësit e biznesit dhe punëdhënësit zënë më shumë vend se sa punëtorët
– Të varfrit dhe ata me ndihma sociale nuk janë objekt i vëmendjes mediatike.

Përqasja ndaj mediave si një ”pasqyrim”, i realitetit është tejet mekanike dhe e thjeshtëzuar, dhe shtrohet pyetja se si mund të transportohen tërësisht të gjithë ndodhitë e realitetit në përmbajtje mediatike. Një pikëpamje e këtillë mekanike nuk e merr parasysh autonominë e medias, kufizimet e saj apo specifikat e saj, dhe nga ana tjetër nuk e merr parasysh as pjesëmarrjen aktive të audiencës. Po kështu, nuk ka dëshmi se audienca pret ndonjë korrespondencë statistike mes përmbajtjes mediatike dhe realitetit. Analizat e medias dëshmojnë se është e pamundur të presim përputhje me ”mesataren”, e realitetit, madje është e famshme thënia se “ lajm është kur e kafshon njeriu qenin e jo anasjelltas”, që gjithsesi bie ndesh me teorinë e pasqyrimit të realitetit. Vetë konceptet e ‘risisë’, ‘konfliktit’, ‘dramës’, ”famës”, dalin jashtë një mesatareje të rëndomësisë, dhe janë pikërisht ato që e tërheqin publikun. Është e qartë se audienca dëshiron fiksion, fantazi, parëndomsi, bizaritet, mite, argëtim, dhe media është një alternativë për të ikur nga realiteti. Kur njerëzit kërkojnë modele ose objekte identifikimi, ato kërkojnë idealizim dhe jo realitet.

Mendimi kritik pro dhe kundër:
A ndikon masmedia në vlerat tona?
Studiuesi Schiller (1973) ka qenë tejet kritik ndaj medias masive. Sipas tij masmedia e riprodhon ideologjinë e përfitimit ekonomik që të vazhdojë të ruhet status quo-ja e shoqërisë. Ideologjia, përmes medias nuk imponohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me deklarata, por ofrohet në mënyrë sistematike duke i lënë anash ose duke mos i shfaqur idetë të cilat vijnë në kundërshtim me atë ideologji, pra përmes përzgjedhjes të përmbajtjeve mediatike. Schiller mendon se kështu publiku krijon vlera të caktuara duke u ndikuar nga media, dhe ai si rrugëdalje e sheh mendimin kritik të publikut dhe radhit pesë mite për të cilat duhet të vetëdijesohet publiku:
1. Miti i individualizmit dhe zgjedhjes personale;
2.Miti i neutralitetit;
3. Miti i natyrës të pandryshueshme njerëzore;
4. Miti i mosekzistencës të konfliktit shoqëror;
5. Miti i pluralizmit mediatik.
Studjuesit r komunikimit Newcomb dhe Hirsch (1983) e shohin televizionin si një forum për negocim të ideve kulturore, ku shikuesit kanë mundësi të vendosin për zgjedhjet e veta, sepse ata nuk i marrin të gatshme përmbajtjet mediatike. Gjithashtu, këta studiues e shohin televizionin si hapësirë të rëndësishme kulturore që e ndihmon informimin e opinionin publik. Përmes këtij mediumi publiku e rikrijon identitetin e vet duke u mbështetur në kuptimet e përbashkëta e të negociuara, në përputhje me interesat e veta. Sipas këtyre studiuesve, programet e ndryshme, të televizioneve mbështeten në shpeshtësinë e zërave më shumë se çdo diskurs tjetër, meqenëse ofron hapësirë për perspektiva të shumta të intepretimit.