Angela Kosta: Artistja Vera Ivanaj rrëfen në Nacional vizionin e artit të saj

Vera Ivanaj, shqiptare nga lindja dhe franceze nga natyralizimi, ka një profil të dyfishtë profesional, që përfshin dimensionet akademike dhe artistike. Aktualisht, ajo mban pozicionin e Profesores së Plotë të Shkencave të Menaxhimit në Universitetin e Lorenës, ku shërben si Shefe e Departamentit të Shkencave Humane dhe Menaxheriale në ENSIC (Shkolla Kombëtare e Industrive Kimike) në Nancy, Francë. Vera ka fituar titullin Master në Shkenca Ekonomike nga Universiteti i Tiranës dhe doktoraturën në Shkenca të Menaxhimit nga Universiteti i Nancy II. Në vitin 2019, ajo mori titullin e Habilitimit për Drejtimin e Kërkimeve (HDR) nga Universiteti i Saint-Étienne. Para se të bashkohej me ENSIC, Profesorja Ivanaj ishte anëtare e stafit pedagogjik në Institutin e Administrimit të Biznesit të Universitetit të Metz, ku drejtonte programin MBA. Ajo kryen kërkime në laboratorin CEREFIGE (EA 3942, Universiteti i Lorenës), duke udhëhequr ekipin kërkimor “Organizimi dhe Burimet Njerëzore”. Përveç kësaj, ajo është bashkëkryetare e Konferencës Ndërkombëtare mbi “Ndërmarrjet Shumëkombëshe dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm” (MESD) dhe shërben si Nënkryetare e Shoqatës Akademike MESD.

Kërkimet e Profesores Ivanaj përfshijnë disa disiplina, përfshirë menaxhimin strategjik, zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin, sipërmarrjen dhe estetikën organizative. Puna e saj njihet ndërkombëtarisht dhe është botuar në revista akademike dhe libra të shquar. Kërkimet e saj integrojnë qasje transdisiplinare të fituara përmes përvojës së gjerë në mësimdhënie dhe kërkime në shkencat humane, sociale dhe menaxheriale. Ajo ka qenë gjithashtu profesore vizitore në institucione të respektuara si Georgia Institute of Technology (Atlanta, SHBA), Concordia University (Montreal, Kanada) dhe Roger Williams University (Bristol, SHBA). Gjatë karrierës së saj, ajo ka bashkëpunuar ngushtë me studiues të shquar, përfshirë Profesor John McIntyre dhe Profesor Paul Shrivastava.

Kontributet e saj shkencore janë publikuar në revista ndërkombëtare të njohura, si: International Journal of Technology Management, Group & Organization Management dhe Multinational Business Review. Shkrimet e saj përfshijnë gjithashtu kapituj librash dhe monografi të botuara nga shtëpi botuese të respektuara si Edward Elgar Publishing, Palgrave Macmillan dhe L’Editions Harmattan. Një pjesë e madhe e kërkimeve të saj fokusohet në strategjitë dhe politikat e ndërmarrjeve shumëkombëshe, veçanërisht në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndryshimet klimatike, fusha ku ajo ka luajtur një rol kyç që nga themelimi i konferencës MESD në vitin 2006. Përveç angazhimeve akademike, Vera Ivanaj është një artiste e talentuar. Karriera e saj si piktore në artet e bukura filloi në vitin 2009 në Shtetet e Bashkuara, me veprat e saj abstrakte të frymëzuara nga mjeshtër si: Picasso, Miró, Kandinsky, Dubuffet dhe Delaunay. Praktika e saj artistike merret me tema komplekse filozofike si jeta, energjia dhe lëvizja, duke reflektuar mbi unitetin dhe unikalitetin e ekzistencës përmes një ekuilibri dinamik që kombinon mendimin, veprimin dhe emocionin. Vepra e Ivanaj shkrin njohjen dhe estetikën, duke adresuar shqetësimet e thella njerëzore, përfshirë zhvillimin e qëndrueshëm. Procesi i saj artistik është reflektues dhe intuitiv, duke përdorur linja, goditje dhe simbole për të përcjellë një vizion të një bote të qëndrueshme, energjike dhe të ndërlidhur. Pikturat e saj, të ekspozuara në Francë dhe ndërkombëtarisht, janë bërë pjesë e koleksioneve private dhe publike. Në qershor të vitit 2016, ajo mori çmimin për pikturën më origjinale në Salonin Ndërkombëtar të Pikturës në Lorraine, duke konkurruar mes 250 artistësh francezë dhe ndërkombëtarë. Si anëtare e Maison des Artistes në Francë, Ivanaj vazhdon të shkruajë, të pikturojë dhe të ekspozojë veprat e saj. Ajo gjithashtu mban rregullisht leksione dhe publikon mbi ndërthurjen e artit dhe shkencës, si dhe mbi rolin transformues të artistëve në shoqërinë bashkëkohore. Shkrirja e qasjeve të saj artistike dhe shkencore ka çuar në zhvillimin e metodologjive estetike që kontribuojnë në proceset e menaxhimit dhe inovacionit në organizatat private dhe publike.

INTERVISTA

A. Kosta: Përshëndetje Vera. Mirë se vini midis lexuesve dhe artdashësve shqiptarë. Të gjithë jemi kuriozë t’ju njohim nga afër: ku dhe kur ka ndodhur përqasja juaj me artin?
Vera. I: Për të treguar historinë e takimit tim me artin, do ta ndaja këtë aventurë në tre momente dhe vende kryesore që kanë shënuar jetën dhe krijimtarinë time.

Momenti i parë i përket 25 viteve të mia të para në Shqipëri, një periudhë që do ta cilësoja si periudha e zhvillimit te ndjeshmërise ndaj artit dhe zgjimi estetik. Kam lindur në vitin 1967 në një fshat të vogël të rajonit të Malësisë së Madhe, në Katundin e Kastratit, ku jetova deri në moshën gjashtëvjeçare. Shkollën fillore e fillova në Bratosh, një vend që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time. Aty pata fatin të takoj artistin e madh shqiptar, Ismail Lulani, i cili atëherë ishte mësues në këtë shkollë. Ai më zgjodhi si model për një portret. Kjo përvojë ka lënë një shenjë të thellë në subkoshiencën time. Akoma e kujtoj atë pikturë sikur të ishte dje, dhe momentet kur dilja nga klasa për të pozuar janë të skalitura në kujtesën time. Në atë kohë nuk e kuptoja plotësisht rëndësinë e asaj që ai bënte, por e dija që ishte diçka e rëndësishme.
Nga ana familjare, muzika luante gjithashtu një rol të veçantë. Babai im i binte fyellit dhe lahutës. Në shkollë, orët e vizatimit dhe të muzikës ishin momentet e mia të preferuara. Unë vizatoja, këndoja dhe merrja pjesë me entuziazëm në manifestimet artistike publike të ortganizauara nga shkolla. Këto aktivitete më ndihmonin të kanalizoja ndjeshmërinë time dhe njëkohësisht të ëndërroja. Ëndrra ime e fëmijërisë ishte të bëhesha pianiste, një dëshirë që mbeti e parealizuar për shkak të pamundësive ekonomike.
Gjithsesi, realitetet sociale të vendit tim shpesh i frenonin aspiratat e mia. Edhe pse isha një nxënëse e shkëlqyer, nuk munda të zgjidhja vetë studimet e mia. Doja të studioja fizikën, e magjepsur nga universi, por m’u desh të ndiqja një drejtim të imponuar: gjimnazin bujqësor dhe më pas një diplomë ekonomisti ne Institutin Bujqësor te Tiranës. Ky zhgënjim, ushqeu tek mua një forcë të brendshme që më ndihmoi vite më vonë të kthehem drejt artit.
Momenti i dytë fillon me emigrimin tim në Francë në vitin 1991, një periudhë që do ta quaja një ndryshim të heshtur. Ishte një shkëputje totale, një tronditje në të gjitha aspektet: kulturore, ekonomike, sociale dhe emocionale. Ky tranzicion më përballi me të panjohurën, duke më shtyrë të rindërtohem përmes dyshimeve, por edhe përmes një kërkimi për liri dhe kuptim. Midis viteve 1993 dhe 2001, vazhdova studimet e larta në ekonomi dhe menaxhim, duke marrë një master dhe një doktoraturë që më mundësuan të bëhesha pedagoge-kërkuese në universitet. Gjatë këtyre viteve, arti mbeti në sfond, i përjetuar nëpërmjet studimeve muzikore të dy djemve të mi në konservator.
Momenti i tretë, që e quaj periudha e shtytjes krijuese, filloi në vitin 2009. Në atë kohë, përjetoja një pakënaqësi të thellë në karrierën akademike. Ndihesha e mbyllur në një kornizë racionale, e shkëputur nga ndjeshmëria dhe bota emocionale. Gjatë një qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, si profesoreshë e ftuar në Georgia Tech, ndjeva një lloj zgjimi duke i thënë vetes: “Je krijuese nga natyra, por nuk po bën asgjë të vlefshme me këtë krijimtari”. Ky ndërgjegjësim, i përzier me zemërim dhe faj, më shtyu të vizatoj për herë të parë, në mënyrë instinktive. Shumë shpejt, këto vizatime u kthyen në një vërshim energjie krijuese që nuk mund të ndalej më.
Në vitin 2009, hapja e muzeut Pompidou në qytetin Metz shënoi një kthesë të madhe. Gjatë një vizite private në ekspozitën inaugurale, veprat e Picasso, Kandinsky, Miró dhe Soulage më tronditën. Duke soditur krijimet e tyre, ndjeva një lloj zbulimi të brendshëm: “Kjo është ajo që dua të bëj në jetën time: të vizatoj, të pikturoj, të shkruaj”. Kjo përvojë më dha guximin. Pasi u ktheva në Francë, iu bashkova atelieve të pikturës së lirë të artistes Violette Costet, kujdesi i së cilës më lejoi të eksploroja plotësisht krijimtarinë time.
A. Kosta: Cili është artisti juaj idhull?
Vera. I: Artisti që më frymëzon më thellësisht është pa dyshim Pablo Picasso, dhe kjo për shumë arsye. Para së gjithash, guximi i tij dhe aftësia për të thyer konventat e shkollave tradicionale të artit më mahnitin. Ai arriti të imponojë një vizion personal dhe novator përmes rrymave si kubizmi, duke riformuluar vetë konturet e krijimtarisë artistike. Për mua, ai mishëron thelbin e artistit: një pararendës, një shpikës botësh, i aftë të çlirohet nga kornizat institucionale që shpesh frenojnë njohjen dhe shprehjen e artistëve.
Picasso, në sytë e mi, arriti të çlirohej nga këto skema kufizuese për të pohuar një vizion të guximshëm, në kundërshtim me mendësitë dominuese dhe pritshmëritë institucionale. Vepra e tij, me një shumëllojshmëri mbresëlënëse, dëshmon për një kërkim të vazhdueshëm për kuptim. Piktura, skulptura, vizatimi: ai eksploroi një mori mediumesh, duke synuar gjithmonë të kalonte kufijtë e të imagjinueshmes. Kjo qasje kërkon një guxim të madh dhe një këmbëngulje të pathyeshme, pasi përball artistin me refuzimin, moskuptimin dhe presionet e konformizmit.
Ajo që më mahnit te Picasso është aftësia e tij për të zhytur në thellësitë e realitetit dhe për të nxjerrë prej tij një thelb që ai e kapërcen dhe e transformon në diçka më të madhe, më universale. Veprat e tij na shtyjnë të pyesim çfarë është arti dhe të reflektojmë mbi rolin e tij, jo vetëm për artistin vetë, por edhe për komunitetin. Ato zbulojnë një formë unike të njohjes, që arrin të kapë dhe të përcjellë esencën e asaj që na prek në njerëzimin tonë, këtu dhe kudo tjetër. Picasso, përmes kreativitetit të tij të pandalshëm, hap dyer drejt një kuptimi më të gjerë të botës dhe të vetes sonë, një burim frymëzimi i pashtershëm për çdo artist që kërkon kuptimin
A. Kosta: Çfarë mendoni për artistët e sotëm?
Vera. I: Artistët bashkëkohorë, në sytë e mi, janë pasqyra e krizave që përshkojnë epokën tonë: kriza identiteti, kuptimi, vlerash dhe besimesh. Ne jetojmë në një botë ku modelet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të së shkuarës nuk funksionojnë më. Është një periudhë e pasigurisë radikale, ku gjithçka duket se duhet të rindërtohet. Në këtë kontekst, artistët kanë një rol thelbësor: të ëndërrojnë, të imagjinojnë dhe të ndërtojnë botën e së nesërmes. Por për ta arritur këtë, ata duhet të çlirohen nga paradigmat e së kaluarës, të cilat, sipas mendimit tim, janë tashmë të tejkaluara.
Sot, bota e artit i shtyn krijuesit të reflektojnë mbi vlerën e artit, të veprave dhe të rolit të tyre. Artistët gjenden përballë urdhrave paradoksale: nga njëra anë, suksesi duket se matet me vlerën tregtare, duke e kthyer artin e tyre në një ndërmarrje që gjeneron vlerë financiare. Nga ana tjetër, spekulimi i shfrenuar në treg vendos një presion që shpesh mbyt nismën krijuese. Ky tension i dyfishtë mund të shkaktojë vuajtje të thella, përçarje të brendshme dhe një konkurrencë të ekzagjeruar që shpesh çon në ekstreme.
Kriteret e asaj që përbën artin apo bukurinë kanë evoluar gjithashtu. Shumë shpesh, artistët, në revoltën e tyre kundër formave tradicionale, refuzojnë atë që është vetë thelbi i tyre: një kuptim intim, i thellë dhe i sinqertë i botës, që mundëson të rikthehet kuptimi i vendit tonë në univers dhe i njerëzimit tonë të përbashkët.
Unë shoh një largim drejt formave të shprehjes gjithnjë e më të çnjerëzuara, të shkëputura nga ajo forcë krijuese e brendshme që është thelbësore. Arti, në esencën e tij, duhet të jetë një akt mbijetese përballë vështirësive të botës dhe një mënyrë për të ndërtuar një të ardhme kolektive. Ne kemi nevojë për një art që bashkon, që ri-humanizon dhe që na ndihmon, si njerëz, të bashkëkrijojmë një botë më të drejtë, më të bukur dhe më të banueshme. Kjo është, besoj, sfida dhe përgjegjësia e artistëve të sotëm.
A. Kosta: Ç’mendoni për përdorimin e inteligjencës artificiale në art?
Vera. I: Inteligjenca artificiale, për mua, përfaqëson njëkohësisht një premtim shprese dhe një sfidë stimuluese për artin dhe artistët. Shfaqja e saj në botën tonë është fryt i një kërkimi universal: ai i njerëzimit për të kuptuar më mirë dhe për të zotëruar marrëdhënien e tij me ligjet universale që rregullojnë realitetin tonë tokësor. Ajo mishëron një përparim fashinues, një mjet në shërbim të njeriut për të kapërcyer kufijtë e tij, qofshin ata njohës, fizikë apo emocionalë.
Për artistin, IA hap horizonte të reja eksplorimi dhe eksperimentimi. Ajo mundëson krijimin e rutinave dhe veglave krijuese që lehtësojnë procesin teknik, ndërsa ofron mundësinë për t’u futur në përvoja estetike të reja, shpesh të shkëputura nga bota fizike dhe e prekshme. IA shndërrohet kështu në një medium të mirëfilltë, por gjithashtu në një burim frymëzimi, një objekt dhe një subjekt krijimi.
Besoj fuqimisht në përdorimin e IA-së në art, jo si një zëvendësim për njeriun, por si një aleat që mund të shumëfishojë kreativitetin tonë dhe të zgjerojë kuptimin tonë për ndjeshmërinë. Sigurisht, inteligjenca artificiale sjell me vete sfida etike dhe estetike. Ajo na fton në një reflektim kritik mbi ndikimet e saj të mundshme, si pozitive ashtu edhe negative, në art dhe te artistët.
Megjithatë, jam e bindur që artistët do të dinë ta përdorin atë në mënyrën e duhur, duke shfrytëzuar potencialet e saj për të shtyrë kufijtë e imagjinatës, duke ruajtur njëkohësisht autenticitetin e qasjes së tyre. IA, me aftësinë e saj për të transformuar perceptimet tona, ka fuqinë të bëhet një forcë lëvizëse për artin, duke na lejuar të eksplorojmë dimensione ende të paimagjinuara të ekzistencës sonë
A. Kosta: Mund të na tregoni më shumë për arritjet tuaja dhe si e zbuluat pasionin për artin?
Vera. I: Para se të flas për pasionin, do të thosha se arti m’u imponua si një nevojë jetike, një mënyrë për t’u përballur me vështirësitë e jetës, por edhe për të kapërcyer vetveten, në një kërkim të pandërprerë për rritje personale dhe profesionale. Për dyzet vite, kam ndërtuar jetën time rreth një vizioni shumë kartezian, ku analiza, deduksioni dhe logjika ishin mbizotëruese, duke lënë ndjesitë dhe emocionet në plan të dytë. Këto modele, të cilat mbizotërojnë në shkencë dhe kulturë, më kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës time si pedagoge dhe kërkuese. Por, me kalimin e kohës, ndjeva një disbalancë të thellë. Isha mbyllur brenda një qasjeje thjesht racionale, duke injoruar një pjesë thelbësore të vetvetes: inteligjencën time emocionale.
Në moshën dyzetvjeçare, duke reflektuar mbi rrugëtimin tim, më lindi një pyetje e fuqishme: “Çfarë kam bërë me jetën time? Çfarë kuptimi ka ajo që bëj, për veten dhe për të tjerët?”
Sa më shumë jepja leksione dhe bëja kërkime, aq më shumë ndihesha e paplotë, madje e pavlerë. Duke kaluar gjithçka përmes filtrit mendor, kisha harruar të dëgjoja zemrën time, e cila kishte kaq shumë për të thënë mbi të ardhmen time dhe esencën time të vërtetë. Ky zbulim më shtyu drejt një revolte të brendshme, të ushqyer nga një ëndërr e heshtur: më shumë dashuri mes njerëzve, më shumë paqe e brendshme dhe në botë.
Kuptova se duhej të çliroja traumat e mia emocionale për t’u bërë një qenie e plotë. Fillimet e mia ishin modeste: fillova të strehohesha te shkrimi poetik. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme; ndieja një nevojë të thellë për të krijuar gjithashtu me duart e mia. Vizatimi dhe piktura më tërhoqën natyrshëm, dhe aty gjeta një strehë, një çlirim. Sapo mora në dorë një laps, kreativiteti im, i shtypur për vite me radhë, shpërtheu si një burim i fuqishëm. Kjo forcë shtyse jetësore, e shtypur për kaq kohë, më në fund gjeti rrugën e saj për t’u shprehur, dhe asgjë nuk mund ta ndalte më.
Një vepër e parë, pastaj një ekspozitë e parë. Shumë shpejt, ndjeva nevojën për të kuptuar atë që po bëja, për t’i dhënë kuptim kësaj përvoje ndjesore. Si mund të transformonte arti jo vetëm ekzistencën time, por edhe atë të të tjerëve, madje edhe të shoqërisë në tërësi? Kjo praktikë artistike ushqeu kureshtjen time si kërkuese dhe më çoi drejt disa zbulimeve thelbësore mbi kontributin e artit dhe të artisteve. Eksperimentimet e mia personale dhe kolektive rreth artit dhe praktikave estetike më kane lejuar botimin e disa artikujve akademikë në shkallë ndërkombëtare. Sot, qasja ime artistike është një kërkim pa fund, një udhëtim njëkohësisht intim dhe universal, ku çdo krijim është një derë e hapur drejt mundësive të reja për transformim dhe zhvillim personal.
A. Kosta: Cilat kanë qenë vështirësitë në karrierën tuaj artistike?
Vera. I: Vështirësia më e madhe në fillim ishte të përballesha me vetveten, me dyshimet dhe bindjet kufizuese te krijuara nga formimi shkollor po ashtu edhe nga regjimi politik e ideologjik i vendit tim. A më takonte mua të bëja art? A kishte kuptim ajo që krijoja? Kujt i duhej kjo që bëja? Këto pyetje më përndiqnin në fillimet e mia artistike. Por më e vështira ishte të gjeja kurajon për të ndjekur pasionin tim dhe për ta kthyer atë në një profesion.
Të jesh artist do të thotë të përballesh me vetveten dhe me botën. Është një udhëtim ku shpesh ndjehemi te vetmuar, pasi arti të ekspozon në mënyra që mund të jenë shumë sfiduese. Për më tepër, në botën e sotme, artisti duhet të jetë edhe sipërmarrës, të gjejë mënyra për të mbijetuar nëpërmjet artit të tij, pa humbur integritetin krijues. Për mua, balancimi midis rolit tim si artiste dhe përgjegjësive të mia akademike ishte një sfidë më vete.
E megjithatë, shumë njerëz mendojnë se krijimi është i lehtë, se është vetëm kënaqësi. Realiteti është krejt ndryshe. Kalimi nga një pasion personal në një aktivitet profesional, është një rrugë e mbushur me sfida. Sot, artisti duhet të jetë edhe sipërmarrës, i aftë të jetojë nga arti i tij. Ky paradoks mes “krijimit për të shitur” dhe “shitjes për të krijuar” është një sfidë e vazhdueshme.
Në rastin tim, balanca ka qenë edhe më e vështirë për t’u gjetur, pasi duhej të menaxhoja njëkohësisht karrierën time akademike dhe praktikën time artistike. Ky angazhim i dyfishtë kërkonte një organizim të përsosur. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, kjo bashkëjetesë e dy pasioneve më mësoi të balancoja kërkesat e secilës, duke ruajtur atë zjarr krijues që vazhdon të më udhëheqë, ditë pas dite. Edhe sot, çdo hap i kaluar është një fitore, një dëshmi se arti është shumë më tepër se një profesion: është një mënyrë e të jetuarit
A. Kosta: Çfarë mesazhi do të donit t’u përcillnit artistëve të rinj?
Vera. I: Për artistët e rinj, do të thosha para së gjithash: dëgjoni zërin tuaj të brendshëm, ndiqni zemrën tuaj. Besoni në atë që bëni, dhe në momentet e dyshimit angazhohuni në një kërkim të përditshëm nëpërmjet hulumtimit dhe eksperimentimit. Është përmes kësaj disipline, kësaj praktike të vazhdueshme, që zbulohet kush jeni si artist dhe që formohet identiteti juaj krijues.
Përmes artit, mësojmë jo vetëm se çfarë është arti, por edhe çfarë është bukuria dhe në thelb, çfarë është jeta vetë. Bukuria, aq e çmuar dhe e brishtë, duhet të zbulohet pa frikë, të mbrohet dhe të mbahet me forcë për të triumfuar ndaj sfidave të botës. Por të jesh artist do të thotë gjithashtu të mësosh të përballosh te gjitha dimensionet e këtij statusi. Kjo përfshin të lundrosh në marrëdhëniet e pushtetit me institucionet artistike, duke pranuar njëkohësisht shikimin e publikut dhe reagimet ndaj veprës tënde, qofshin ato pozitive apo kritike.
Arti na fton të pyesim veten, të vëmë në pikëpyetje perceptimet tona dhe ato të botës. Na shtyn të reflektojmë mbi kuptimin e asaj që është e mirë, e bukur dhe e drejtë për njerëzimin. Prandaj, mos kini frikë: as nga vetja, as nga të tjerët. Jam e bindur se përmes praktikës artistike, secili mund të zbulojë versionin më të mirë të vetvetes dhe të kontribuojë në krijimin e një bote më të mirë, ku jeta në tokë gjen një harmoni më të thellë dhe më të bukur.
A. Kosta: Magjepsja juaj ndaj tokës, natyrës dhe ngjyrës ka ndikuar në stilin tuaj artistik? Në ç’mënyrë?
Vera. I: Toka, natyra dhe ngjyrat më kanë ofruar mundësinë për të reflektuar mbi thelbin e jetës, mbi energjinë dhe lëvizjen që përshkon gjithçka. Është përmes pranisë së tyre që mund të imagjinoj të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Këto elemente janë për mua burimi i frymëzimit dhe thelbi i krijimtarisë. Për mua, toka është shumë më tepër se një material i prekshëm dhe i dukshëm: ajo është burimi jetësor, baza mbi të cilën mbështetet ekzistenca jonë. Në veprat e mia, kam punuar shpesh me këtë material për të zbuluar dinamikën e saj, për të treguar se si lind, jeton dhe transformohet para syve tanë. Në serinë time: “Këtu dhe diku tjetër”, për shembull, eksploroj lidhjen intime midis njeriut, materialit dhe tokës, kësaj hapësire që na strehon dhe na ushqen.
Natyra, nga ana tjetër, shkon përtej idesë së tokës. Ajo më çon në një univers mahnitës, pa fillim dhe pa fund, ku ajo që është natyrale bëhet në vetvete thelbësore. Në krijimtarinë time, unë nuk e vë në dyshim natyrën: ajo më paraqitet si një e vërtetë e padiskutueshme, ashtu siç jeta është një e dhënë për të gjithë ne. Por natyra na fton ta tejkalojmë atë, të shkrihemi me të për t’u bërë njësh me të.
Në natyrë gjej simbole, vlera dhe ligje universale që udhëheqin krijimtarinë time. Pikërisht në të ndërgjegjësohem që jemi gjallë dhe se jeta vetë është energji, një proces krijimi i përhershëm. Këto ndjesi janë të vështira për t’u përshkruar me fjalë, por ato jetojnë në çdo çast të praktikës sime artistike.
Krijimtaria ime rritet përmes natyrës dhe, përmes artit tim, kërkoj t’i bëj homazh asaj. Dua t’i kthej natyrës atë që ajo më ofron çdo ditë: mrekullimin përballë bukurisë së saj dhe misterin e thellë të jetës që ajo strehon dhe frymëzon.
A. Kosta: Ju keni pasur përvoja të rëndësishme si Shefe e Departamentit të Shkencave Humane dhe Menaxheriale në ENSIC (Shkolla Kombëtare e Industrive Kimike) në Nancy, Francë, apo si anëtare e stafit pedagogjik në Institutin e Administrimit të Biznesit të Universitetit të Metz. Kanë ndikuar këto në formimin tuaj artistik?
Vera. I: Përgjegjësitë e mia të shumta akademike kanë ushqyer thellësisht reflektimet e mia mbi fuqinë transformuese të artit dhe ndjenjën e përgjegjësisë që mbajmë si artistë ndaj të tjerëve. Këto përvoja më kanë mësuar se çfarë do të thotë të udhëheqësh, të kesh një vizion, të hartosh një strategji, të menaxhosh individë dhe të mbështesësh zhvillimin e tyre personal. Këto dimensione, që shpesh lidhen me menaxhimin, rezonojnë gjithashtu në art, duke sfiduar rolin tonë si artistë dhe aftësinë tonë për të ndikuar te të tjerët, për mirë apo për keq.
Ato na ftojnë të reflektojmë mbi vlerat tona njerëzore dhe përgjegjësinë që lind kur puna jonë bëhet një dritë, një frymëzim për ata që na rrethojnë. Të qenit në një pozicion drejtues, qoftë në botën akademike apo artistike, është në vetvete një përvojë estetike e pasur dhe komplekse. Këto përgjegjësi më kanë lejuar të krijoj lidhje me individë me rrugëtime të ndryshme, të nxis sinergji me partnerë nga kompani dhe institucione, dhe të pasuroj kuptimin tim mbi dinamikat njerëzore.
Menaxhimi i marrëdhënieve njerëzore, që është në qendër të shqetësimeve të mia menaxheriale, ndikon gjithashtu në praktikën time artistike. Të drejtosh nënkupton të ekuilibrosh vazhdimisht emocionet, mendimet dhe veprimet, tre elemente thelbësore që pasqyrohen edhe në procesin tim të krijimit. Ky udhëtim i brendshëm, ku pyes veten çfarë ndiej, çfarë bëj me mendimet e mia dhe si sillem përballë emocioneve, është një reflektim i drejtpërdrejtë i kompleksitetit të punës artistike.
Krijimi, ashtu si menaxhimi, është një sfidë përballë kompleksitetit. Kërkon gjetjen e zgjidhjeve inovative në një botë që shpesh anon drejt homogjenitetit, uniformitetit dhe status quo-së. Por pikërisht në këtë sfidë qëndron pasuria: mundësia për të eksploruar rrugë të reja, për të thyer kufijtë e përcaktuar dhe për të sjellë një frymë transformimi, si për veten ashtu edhe për botën.
A. Kosta: Mund të na flisni për rolin tuaj si kërkuese në laboratorin CEREFIGE (EA 3942, Universiteti i Lorenës) e gjithashtu si bashkëkryetare e Konferencës Ndërkombëtare mbi “Ndërmarrjet Shumëkombëshe dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm” (MESD)?
Vera. I: Unë zhvilloj kërkimet e mia në CEREFIGE, një qendër referimi në shkencat e menaxhimit që përfshin rreth 300 kërkues. Si drejtuese e ekipit “Organizimi dhe Burimet Njerëzore”, që përbëhet nga rreth 70 kërkues, fokusi im është te menaxhimi strategjik, duke eksploruar pyetje thelbësore si: “Si formulohen strategjitë në organizata? Cilat janë levat dhe ndikimet e tyre?”
Kërkimet e mia janë të strukturuara në pesë drejtime kryesore:
• Strategjia në kontekst krize, për të analizuar proceset vendimmarrëse dhe pasojat e tyre;
• Ndryshimi strategjik, për të deshifruar transformimet organizative dhe implementimin e tyre;
• Koordinimi organizativ, duke studiuar sfidat në mjedise komplekse si sektori i shëndetësisë;
• Estetika organizative, ku lidh artin me strategjinë përmes metodologjive të frymëzuara nga praktikat e mia artistike;
• Strategjia dhe zhvillimi i qëndrueshëm, duke shqyrtuar ndikimet ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të saj.
Këto kërkime, të publikuara në revista dhe libra ndërkombëtare me reputacion si Elgar Publishing, Journal of Cleaner Production, dhe International Journal of Technology Management, synojnë të ofrojnë njohuri ndërdisiplinore për të mbështetur organizatat përballë sfidave strategjike dhe inovative.
Që nga viti 2006, kam bashkë-drejtuar dhe organizuar, në bashkëpunim me profesorët Silvester Ivanaj (ICN Business School) dhe John McIntyre (Georgia Institute of Technology), gjashtë edicione të konferencës ndërkombëtare “Multinational Enterprises and Sustainable Development” (MESD). Ky event akademik, organizuar në bashkëpunim me institucione prestigjioze si Georgia Institute of Technology, Universitety of Delhi, ISCTE-IUL, ka mbledhur rreth 1500 pjesëmarrës dhe ka prezantuar 500 punime kërkimore.
Në vitin 2013, kemi themeluar shoqatën shkencore “Multinational Enterprises and Sustainable Development” (MESD), ku aktualisht jam nënkryetare. Kjo shoqatë ndërkombëtare, jo fitimprurëse, i dedikohet studimit dhe promovimit të strategjive të korporatave shumëkombëshe për zhvillim të qëndrueshëm. Si një platformë e vërtetë shkëmbimi mes kërkuesve, ekspertëve, kompanive dhe vendimmarrësve, ajo ka për qëllim të prodhojë dhe të shpërndajë njohuri shkencore dhe praktika të mira, duke nxitur reflektimin kolektiv mbi sfidat strategjike të zhvillimit të qëndrueshëm në shkallë botërore.
A. Kosta: Ç’mund të na thoni për bashkëpunimin tuaj të ngushtë me studiues të shquar, përfshirë këtu edhe Profesorët e mirënjohur: John McIntyre dhe Profesor Paul Shrivastava?
Vera. I: Bashkëpunimet e mia të para me Profesorin John R. McIntyre datojnë që nga viti 2004, kur ai më ftoi të realizoja dy qëndrime akademike të zgjatura (katër dhe gjashtë muaj) në Shtetet e Bashkuara, si kërkuese e ftuar në Georgia Institute of Technology. Një figurë e shquar në fushën e menaxhimit dhe biznesit ndërkombëtar, John McIntyre është profesor në Scheller College of Business dhe në Sam Nunn School of International Affairs. Që nga viti 1993, ai mban edhe postin e Drejtorit Ekzekutiv të “Georgia Tech Center for International Business Education & Research” (CIBER), një qendër prestigjioze që promovon arsimin dhe kërkimin mbi sfidat ndërkombëtare të biznesit. Bashkëpunimi ynë hodhi themelet për konferencën ndërkombëtare “Multinational Enterprises and Sustainable Development” (MESD), si dhe për shoqatën shkencore me të njëjtin emër, duke çuar gjithashtu në publikime të shumta ndërkombëtare në këtë fushë.
Në vitin 2009, pata nderin të takoja Profesorin Paul Shrivastava, një figurë me reputacion botëror dhe vizion novator në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, i cili ndikoi thellësisht në rrugëtimin tim profesional. Aktualisht bashkëkryetar i “Club of Rome”, ai ka mbajtur më parë postin e “Chief Sustainability Officer” në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë dhe atë të Drejtorit Ekzekutiv të “Future Earth”, programi më i madh botëror për kërkime ndërdisiplinore mbi ndryshimet globale mjedisore.
Së bashku, kemi luajtur një rol kyç në krijimin e “Chaire UNESCO pour les Arts et l’Entreprise Durable” në ICN Business School në Nancy, një projekt që pasqyron një ndërthurje unike midis artit, menaxhimit dhe qëndrueshmërisë. Bashkëpunimi ynë nuk u ndal këtu. Ai u pasurua më tej përmes kërkimeve dhe publikimeve ndërkombëtare që eksplorojnë rolin e artit dhe estetikës në organizata dhe menaxhim. Këto studime të përbashkëta kanë nxjerrë në pah ndikimin e praktikave artistike në inovacion, ndryshimin organizativ dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke konfirmuar rëndësinë e këtyre qasjeve në reflektimet bashkëkohore menaxheriale.
A. Kosta: Në vitin 2019, ju morët titullin e Habilitimit për Drejtimin e Kërkimeve (HDR) nga Universiteti i Saint-Étienne, një arritje shumë domethënëse kjo. Kishit hasje vështirësie për t’ia arritur kësaj?
Vera. I: Habilitimi për të Drejtuar Kërkime (HDR) përfaqëson majën e njohjes akademike në Francë, një titull i lartë që merret pas doktoratës. Kjo diplomë dëshmon jo vetëm aftësinë e një kërkuesi për të zhvilluar kërkime në mënyrë të pavarur, por gjithashtu aftësinë e tij për të udhëhequr doktoratën. E bazuar në një dosje shkencore rigoroze, HDR nxjerr në pah koherencën, ndikimin dhe kontributin e punimeve të kandidatit në avancimin e njohurive në fushën e tij. Gjithashtu, është një hap i domosdoshëm për të arritur pozitat dhe të kesh titullin e Profesorit universitar.
Përgatitja e këtij titulli, ndonëse shpërblyese, ishte një sfidë e vërtetë. M’u desh të balancoja mes përgjegjësive të përditshme si pedagoge-kërkuese në universitet dhe praktikës time artistike, dy angazhime që kërkojnë nje investim intensiv. Megjithatë, kjo përvojë ishte thellësisht pasuruese. Më ofroi mundësinë të rishikoja të gjitha punimet e mia kërkimore, të vlerësoja ndikimin e tyre në fushën e shkencës dhe të vendosja objektiva ambicioze si për veten, ashtu edhe për doktorantët e mi.
Aktualisht, kam privilegjin të drejtoj kërkimet e katër doktorantëve. Kjo detyrë përfaqëson një përgjegjësi të dyfishtë: të udhëheq këta kërkues të rinj drejt përfundimit të punimeve të tyre doktorale dhe të kontribuoj në formësimin e të ardhmes së tyre profesionale. Sfida është e madhe, pasi suksesi i tyre akademik dhe trajektorja e ardhshme varen në masë të madhe nga mbështetja dhe udhëheqja që marrin. Përmes kësaj përvoje, ndiej jo vetëm krenarinë e të transmetuarit të dijes, por edhe angazhimin e thellë për të investuar në brezin e ri akademik
A. Kosta: Në qershor të vitit 2016, ju fituat çmimin e rëndësishëm për pikturën më origjinale në Sallonin Ndërkombëtar të Pikturës në Lorraine, duke konkurruar mes 250 artistësh francezë dhe ndërkombëtarë. Çfarë do të thotë ky vlerësim për ju?
Vera. I: Marrja e këtij çmimi për mua ishte shumë më tepër se një nder: ishte një vlerësim dhe njohje nga bota e artit për cilësinë e punës sime dhe vlerën estetike të veprave të mia. Ndjenja se jam perceptuar si një zë i veçantë, i aftë të kontribuojë në ruajtjen dhe zhvillimin e bukurisë në art, më preku thellësisht. Të di që ajo që krijoj është unike dhe që veprat e mia gjejnë jehonë tek të tjerët, i jep një kuptim të madh qasjes sime artistike.
Kur fillova të pikturoj, ishte me një dëshirë të zjarrtë, pothuajse instinktive, për të sjellë diçka në art, për të ofruar një vizion personal që do të rezononte përtej meje. Ky çmim konfirmoi këtë aspiratë, jo vetëm duke e legjitimuar punën time, por edhe duke më dhënë një shtytje të fuqishme për të vazhduar rrugën time krijuese.
Nuk bëhet fjalë thjesht për marrjen e një trofeu apo titulli: është një nxitje për të shkuar më tej, për të eksploruar dimensione të reja në praktikën time, për të tejkaluar kufijtë e mi dhe për të mbetur besnike ndaj kësaj kërkimi për kuptim dhe bukuri që më ka frymëzuar gjithmonë. Ky çmim më kujton gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe angazhimit në një qasje artistike, sepse është përmes kësaj këmbënguljeje që mund të vazhdojmë të pasurojmë botën e artit dhe të frymëzojmë të tjerët të përqafojnë krijimtarinë e tyre
A. Kosta: Të ndalemi një moment tek arti si mjet për paqe dhe vëllazëri midis popujve. Është ky një temë dhe motivim i vazhdueshëm në punën tuaj. Si arrini t’i përcillni këto vlera nëpërmjet veprave tuaja?
Vera. I: Arti, në natyrën e tij më të pastër, është një gjuhë universale, një urë e padukshme por e fuqishme që lidh zemrat dhe mendjet përtej kufijve, kulturave dhe dallimeve. Në një botë të shënuar nga tensione, ndarje dhe një kërkim i vazhdueshëm për kuptim, unë besoj fort se arti ka një aftësi unike për të zgjuar tek secili prej nesh atë që është më njerëzore: empatinë, mirëkuptimin dhe shpresën për një botë më të mirë.
Veprat e mia synojnë të mishërojnë këto vlera duke zbuluar kompleksitetin dhe pasurinë e përvojës njerëzore. Përmes krijimeve të mia, përpiqem të përcjell një vizion të botës ku kontrastet, dualitetet dhe madje edhe kundërshtitë, gjejnë një ekuilibër harmonik. Hija dhe drita, forca dhe brishtësia, racionalja dhe emocioni janë tema të përsëritura në punën time, sepse ato pasqyrojnë shumëllojshmërinë e ekzistencave dhe identiteteve tona. Duke i eksploruar ato, përpiqem të kujtoj se ajo që na bashkon është më e thellë se ajo që na ndan.
Arti gjithashtu ka fuqinë të kapërcejë barrierat kulturore dhe të zbulojë vlerat universale që na lidhin të gjithëve: respektin për natyrën, kërkimin e bukurisë dhe aspiratën për një jetë në harmoni me të tjerët dhe me veten. Përmes ekspozitave të mia, përpiqem të krijoj hapësira ku vizitorët, qofshin ata të afërt apo të huaj ndaj kulturës sime, mund të gjejnë veten, të emocionohen dhe të dialogojnë me veprat dhe me njëri-tjetrin.
Për mua, arti është një ftesë e përhershme për pajtim. Një tablo apo vizatim nuk njeh racë, pasaportë apo gjuhë; ai i flet drejtpërdrejt shpirtit. Duke vendosur vëllazërinë dhe paqen në qendër të qasjes sime artistike, unë përpiqem t’u ofroj spektatorëve një moment reflektimi dhe qetësie, një hapje ndaj tjetrit dhe një njohje të ndërsjellë. Sepse besoj fort se përmes bukurisë dhe kreativitetit, ne mund të kultivojmë një të ardhme ku popujt jo vetëm që bashkëjetojnë, por bashkohen në një festim të përbashkët të njerëzimit të tyre të ndarë.
A. Kosta: Ju keni marrë pjesë në shumë ekspozita vetjake dhe grupore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Keni ndonjë eksperiencë ekspozite që ju ka bërë veçanërisht përshtypje apo që e konsideroni një pikë kyçe kthese në karrierën tuaj?
Vera. I: Ekspozita që ka lënë gjurmën më të thellë tek unë është ajo që realizova në Vjenë në vitin 2017, së bashku me pesë artistë të tjerë me famë ndërkombëtare. Ky event u organizua nga kritikja dhe historiania austro-kosovare, Dr. Penesta Dika, roli i së cilës ishte vendimtar për zhvillimin e punës sime artistike. Me shikimin e saj kritik të mprehtë dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të më udhëhequr, ajo i dha një vrull te ri praktikës sime artistike, duke më nxitur të kapërcej kufijtë e krijimtarisë dhe të eksploroj dimensione të reja në art.
Dr. Penesta Dika, e cila jep mësim mbi praktikat e botimeve akademike, historinë e artit mediatik dhe metodat e kërkimit artistik dhe shkencor në institucione prestigjioze si Universiteti i Arteve në Linz dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në St. Pölten (Austri), si dhe në UBT në Prishtinë (Kosovë), ka arritur të ndërthurë aftësitë e saj akademike me një vizion të guximshëm kuratorial. Falë ekspertizës dhe mbështetjes së saj, kjo ekspozitë shënoi një pikë kthese në karrierën time artistike.
A. Kosta: Pikturat tuaja janë të pranishme në Galeritë e Artit Modern në Francë dhe ndërkombëtarisht. Si ndiheni duke e ditur se puna juaj vlerësohet dhe njihet në kontekste kaq prestigjioze?
Vera. I: Është një kënaqësi e madhe dhe një motivim për të ecur më tej në punën time. Çdo sukses më kujton se arti është një udhëtim në evoluim të vazhdueshëm, ku nuk ndalojmë kurrë së mësuari dhe së tejkaluari veten. Ky është gjithashtu një mësim përulësie, një ftesë për të qëndruar me respekt ndaj punës së artistëve të tjerë, galeristëve dhe kritikëve të artit, të cilët kontribuojnë në pasurimin e botës artistike.
Por këto arritje shoqërohen gjithashtu me një sfidë të vazhdueshme: atë të ruajtjes së standardeve të larta dhe të autenticitetit në krijimet e mia. Nëse mbështetemi vetëm te sukseset e kaluara, publiku, i cili gjithmonë kërkon emocione të sinqerta dhe cilësi, mund të largohet shpejt. Për mua, këto suksese përfaqësojnë një përgjegjësi: të vazhdoj të përcjell mesazhe universale, të zgjoj ndërgjegjet dhe të krijoj me të njëjtën pasion që më ka frymëzuar që nga fillimi, duke mbajtur këmbët në tokë dhe zemrën të hapur.

A. Kosta: Ju në artin tuaj përdorni linja, goditje dhe simbole për të përcjellë një vizion të një bote të qëndrueshme, energjike dhe të ndërlidhur. Mund të na shpjegoni procesin krijues të këtyre veprave unike?
Vera. I: Energjia ime krijuese është një kërkim personal i esencës njerëzore. Në praktikën time artistike, unë ndërmarr një udhëtim në thellësitë e qenies njerëzore. Çdo vepër arti është një eksplorim i botës së tij të brendshme, i kopshtit të tij të fshehtë, i shtigjeve të jetës së tij. Më pëlqen të zhytem në kompleksitetin e tij natyral dhe transcendental, mes asaj që është “e lindur” dhe asaj që është “e krijuar”, për të zbuluar thesaret e tij të fshehura dhe për të imagjinuar pasuritë që mund të krijojë nesër. Arti im është një kërkim për ekuilibër mes njeriut dhe natyrës, një takim me shumëllojshmërinë e aspekteve të ekzistencës që zbulohen gjatë një udhëtimi jetësor, të përshkuar këtu dhe gjetkë.
Pikërisht për këtë arsye, krijimtaria ime merr formën e serive që trajtojnë problematika njerëzore komplekse si: Hapësira & Koha, Hija & Drita, Skena & Prapa-skena, Arsyetimi & Emocioni, Thelbësorja & Universalja, E Thjeshta & Kompleksja, Forca & Brishtësia. Përmes këtyre veprave, unë kërkoj të zbuloj bukurinë e kontrasteve, të polariteteve që, duke u bashkuar, gjejnë ekuilibrin dhe na rikthejnë në një të vërtetë universale.
Ajo që ofroj përmes punës sime është një urë mes së padukshmes dhe të prekshmes, mes kaosit dhe strukturës, mes shpirtit të paprekshëm dhe materies konkrete. Për mua, gjithçka fillon me një takim: një ditë pranvere ku ndërgjegjja dhe e pandërgjegjshmja bashkohen në një martesë të përjetshme polaritetesh. Gjithmonë në lëvizje, në vlim, në evolucion, veprat e mia përçojnë këtë energji transformimi. Unë e ftoj publikun të ndiejë këtë alkimi, të lejohet të tërhiqet nga kjo dualitet që e bën artin një akt të fuqishëm, të aftë për të ndryshuar perceptimet tona dhe, ndoshta, për të ndërtuar një botë më të mirë.
A. Kosta: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
Vera. I: Projekti im i vetëm për të ardhmen është të vazhdoj të krijoj, pa pushim. Krijimtaria për mua është shumë më tepër se një aktivitet: është një nevoje jetike, vetë thelbi i misionit tim në jetë. Nuk ndjek plane të ngurta, duke preferuar t’i lë jetës rrjedhën e saj dhe të kap mundësitë që më sjellin takimet dhe përvojat e perditshme. Kam kuptuar se është e kotë të përpiqesh të kontrollosh të ardhmen. Ajo që ka rëndësi është të zgjohemi si qenie njerëzore, të përmirësohemi çdo ditë, për t’iu afruar vetes dhe të tjerëve, versionit më të mirë të vetes.
Më shumë se gjithçka, dua të vazhdoj t’i tregoj botës sa e rëndësishme është arti për ekzistencën tonë. Arti ushqen paqen tonë të brendshme, na afron me të tjerët dhe na mundëson të jetojmë në harmoni me botën që na rrethon. Le të marrë e ardhmja formën që duhet: unë do ta mirëpres me besim dhe qetësi.

Intervistoi: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistave fizike: MIRIADE, NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS, BRIDGES OF LITERATURE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese