Halil RAMA – Mjeshtër i Madh: Plagët e tranzicionit në romanin e autorit Flamur Buçpapaj “Donika, vajza me violinë”

• Si risi të këtij romani mund të veçojmë ofrimin nga autori të një sistemi të larmishëm strukturash dhe konvencionesh artistike, në një proces komunikues dhe dialogues midis personazheve tejet interesantë

Në harkun kohor të dhjetë viteve të fundit, në fondit të artë të letrave shqipe i është shtuar edhe vepra letrare e autorit tashmë të njohur Flamur Buçpapaj. Pas katër dramave për fëmijë, një studimi për folklorin dhe dy romaneve të mirëpritur nga lexuesi, “Martesa e dytë” dhe “Doktoresha”, ky autor befason sërish me romanin e tij më të ri “DONIKA, VAJZA ME VIOLINË”.
Dhe nëse “Martesa e dytë” është vlerësuar nga kritika letrare si romani i përtëritjes së familjes; “Doktoresha” si radiografia letrare e sistemit të diktaturës”, romani i ri i këtij autori mjaftë produktiv e cilësor “Donika, vajza me violinë”, stigmatizon plagët e rënda të tranzicionit të tejzagjatur shqiptar, veçmas atë të prostitucionit.

KOHA KUR “MARRËZIA OSE LUFTA BRENDA LLOJIT NUK NJEH KUFI”
Vetë titulli intrigues “Donika vajza me violinë” të grish për ta lexuar këtë roman, me bindjen se kemi të bëjmë me biografinë letrare të një artisteje virtuoze. Por kjo nuk është tërësorja. Që në faqet e para autori rrëfen me shumë emocione dhe metaforika letrare artistike dramën e kësaj vajze në kthetrat e trafikantëve të pashipirt. Duket kjo fare qartë nga vetë forma kompozicionale e veçantë në ditarin e Donikës që është preludi i zhvillimit të ngjarjeve tragjike. “…e prangosur këmbë dhe duar, por kjo s´e pengonte aspak atë të gjente mundësinë e të shkruante ditarin e saj; të tregonte se çfarë i kishte ndodhur gjatë rrëmbimit. … u përqëndrua te stilolapsi dhe blloku i ri me shumë fletë, të cilin mundi ta gjente në atë dhomë të braktisur, bllok me treqind fletë të bardha, që së shpejti do të mbusheshin me shkrimin e saj kaligrafik. Kohët ishin më të vështira se atëherë, kur ishin të varfër. Pluralizmi solli plagë shumë të rënda mbi popullin shqiptar,- mendoi ajo. Shumë vajza dhe gra si unë, janë në trotuaret e Italisë… Demokracia aq e shumëpritur solli zhgënjim, papunësi dhe varfëri ekstreme…”.
Mjafton qoftë dhe ky perifrazim i autorit Buçpapaj për të konkluduar se sa bukur i qaset ai realitetit të trishtë të shkaktuar nga trafikimi i artistes Donika Malaaa, që kur ajo performonte me violinën e saj i bënte spektatorët ta duatrokisnin sa më gjatë. Por ajo çfarë i ka ndodhur asaj i përket kohës kur “Marrëzia ose lufta brenda llojit nuk njeh kufi”.., kur siç shkruan Donika në një nga fletët e ditarit të saj, ishin “Të gjithë kundër të gjithëve”, kur u venitën termat patriot, qytetari, vëllazëri… Është vërtetë tronditës rrëfimi i saj: “Në vend që të duhemi si njerëz të një qyteti, ne ushqehemi me gjakun e njëri-tjetrit. Vëllai-ujk nga qyteti im, m´i bëri të gjitha të zezat: më rrëmbeu, më shiti si një skllave … Shqiptar është pra, nuk është i huaj. Edhe ata që më grabitën e më rrahën, janë shqiptarë si unë, bile ata janë patriotët e mi”.

PORTRETIZIM BRILANT I PERSONAZHIT KRYESOR
Është gjetje interesante e autorit kryetitulli i fletës së parë të ditarit në kryebllokun që Donika e kishte fshehur në zgavrat e murit të shtëpisë së vjetër, ku shkruhet me germa të mëdha: “Zonja Donika, Vajza me violinë. Histori dhe ngjarje që s’duhet të ndodhin”. Kjo për faktin se më tej, autori e profilizon atë si njërën nga vajzat që u ka prirë Demonstratave të Studentëve të Dhjetorit. Është “Vajza nga Tirana, e para që iu bashkua protestave atë natë; Vajza që i binte violinës para kordonëve të policisë komuniste, të cilët vinin të na shtypnin ose të na vrisnin, se s´i dihej çfarë urdhri kishin; Vajza që u priu çdo ditë studentëve nëpër sheshe, me violinën e saj dhe me gërshetat e gjatë e të verdhë, me trup si të një vrapueseje garash ose i punuar në studio skulptori, më e bukur se Dea e Butrintit, syblu, e gjatë 180 cm, me forma joshëse tamam si nëpër revistat e huaja, racë e pastër gjysmë maloke, e përzier, shkodrane nga nëna dhe vlonjate nga babai..”

KOHËRAT E MIRA…?!
Nisur nga perifrazimet e mësipërme, duket sikur autori e tregon që në fillim fundin e personazhit kryesor të romanit të tij. Por nuk ndodh kështu.
Tek episodi “Kohërat e mira” shtjellohet artistikisht njohja dhe ngjizja e dashurisë së Donikës me Ardjan Vushon, gazetar korrespodent i Veriut në gazetën ‘’Jeta Sot’’.
Këtu spikat dialogu mes dy shoqeve studente Donika e Moza, gjatë kthimit me tren nga Shkodra si dhe njohja e tyre me Ardjanin. Ngjarjet rrëfehen në rrjedhje logjike deri te momenti kur Donika, “superylli i trenit, të Shkodrës” dhe e “Institutit të Arteve”, sy bojëqielli, e gjatë, gjoks numër 4, me formim tipik iliro-shqiptar”, (siç thotë për të profesori i Historisë së Artit) do të dashurohet me shikim të parë me Ardjanin kingun nga Kosova, të gjatë dhe syblu.
Ketu dallojmë përdorim mjeshtëror të mjetet stilistikore nga autori, si personifikime, përdorim të fjalëve të rralla, epitete metaforike, metafora, hiperbolizim, marrëdhënie të larmishme mes personazheve etj. Për ta konkretizuar këtë do të mjëftonte qoftë edhe ky perifrazim (referuar së shkuarës socialkomuniste): “Tre milion jemi edhe ia rrujmë leshin kapitalizmit dhe revizionizmit. Sa herë shikoj Rai-n më vjen me qesh me pleqtë e politikës sonë e me fanarin ndriçues.. ”.
Apo dhe te dialogu:
“Dhe ju ça hani në shtëpi? -Gjellë me presh. As patate s’ka më. Shiko dyqanet bosh. Edhe buka vjen me racion. Bukë msiri në fshat dhe me racion në qytet. Kanë siguruar bukën në vend këta plehëra!- shtoi Dona me ironi .
-Hahahahah, sa kot, jemi popull komunist që hamë bar dhe burg Spaçi dhe parimet s`i shkelim.
Pusho,- tha Moza,- se do të na dëgjojnë dhe i kemi gati vendet në burgun e Spaçit a të Burrelit.
-Do të ketë vende të lira për ne?!
E pra shyqyr që paska.- Haha,- qeshën të dyja….”
Më tej autori spikat si mjeshtër i portretit të Ardianit, (bashkëshjortit të ardhshëm të Donikës dhe që do ta shpëtonte atë nga kthetrat e trafikantëve) si: “S´ishte një trup normal. Ai dukej shumë i madh dhe ato s’kishin parë asnjëherë njeri të këtyre përmasave. Ishte flokëzi sterrë e me vetulla të zeza, pak esmer dhe syblu, afër dy metër e njëzet cm i gjatë. Ia kalonte çdo aktori, por dhe boksieri, si mund të themi. Ato e morën për hedhës disku ose çekiçi i skuadrave të Ministrisë së Brendshme. Këtë e vërtetuan ma shumë kur e panë nga afër dhe ai i plotësonte kriteret e një sportisti olimpik e aq ma shumë kur ia panë këmbën dyzet e pesa, me një palë atelete të bardha, të cilat dukeshin që i kishin ardhur nga jashtë, sepse ishin të një marke të njohur”.

PËRDORIMI MJESHTËROR I MJETEVE STILISTIKORE
Edhe në përfundimin e romanit kemi përdorimin mjeshtëror nga autori të mjeteteve stilistikore, duke i dhënë atij përfundimin e lumtur, çka e bën atë edhe më bindës dhe njëherazi befasues, tek sa Donika falenderon Zotin dhe bashkëshortin e saj Ardjanin. Qartazi këto evidentohen qoftë dhe nga perifrazimi i mëposhtëm: “Pa shtetin shqiptar dhe atë italian, unë s’do të isha këtu. Do kisha vdekur, sepse kurrë s’do pranoja poshtërim dhe shërbime prostitucioni. I kisha ruajtur shpresat në Zot dhe tek bashkëshorti, se s’do më linin vetëm. Mrekullia ndodhi. Njerëz, falni sa më shumë dashuri! Ju bëj thirrje të gjithëve, sepse ishte dashuria ajo që na bashkoi ne dhe na shpëtoi nga pengmarrja. Letra që më dërgoi Ardjani në spital, është himn i dashurisë bashkëshortore. Të dua Ardjan!- iu drejtua atij. -E dua dhe Shqipërinë që po vuan nga plagët e rënda postkomuniste. Ndihmojeni zotërinj përendimorë atdheun tim! Ne i jemi falenderues shtetit italian që na dha nënshtetësinë dhe na shpëtoi jetën. Ju dua!- tha ajo. -Dhe ju them se, si unë, atje në robërim kishte shumë vajza dhe gra nga e gjithë bota, të cilat abuzoheshin të izoluara në skllavërinë e seksit. Luftojeni atë të keqe të madhe që po ndodh! Ju lutem njerëz, besojeni Zotin dhe shtetin tuaj! E ardhmja është e të drejtëve!”.
Si përfundim mund të veçojmë si risi të këtij romani ofrimin nga autori të një sistemi të larmishëm strukturash dhe konvencionesh artistike, në një proces komunikues dhe dialogues midis personazheve tejet interesantë.
Kësisoj, me këtë roman të shkruar me gjuhë të stilizuar dhe mjete shprehëse interesante, autori Flamur Buçpapaj, ndërsa iu qaset plagëve të rënda të tranzicionit postkomunist, në fund përcjell tek lexuesi mesazhe shpresëdhënëse se Shqipëria jonë e dashur mund dhe do të bëhet.