Si për dreq, Zabitin sikur e kishte lëshuar toka. Nuk dukej gjëkundi. Nuk e kapte telefonin dhe as vinte më në klubin e emigrantëve ku unë dhe djemtë shkuam disa herë për ta kërkuar. Askush nuk dinte gjë prej gjëje për Zabitin. Disa thoshin se kishte shkuar në front dhe madje se kishte rënë heroikisht në një pusi të ngritur nga policia serbe, disa thoshin se qe martuar me një tajlandeze dhe nuk merrej më me veprimtari patriotike, disa të tjerë thoshin se mënyra sesi qe zhdukur Zabiti mund të ishte një shenjë e qartë se ai ishte rekrutuar nga ndonjë shërbim sekret, e ndoshta edhe nga vetë UDB-ja. Fjalë dhe thashetheme. Madje disa budallenj nga ata më të zhurmshmit thoshin me zë të lartë se Zabiti tashmë e kishte tradhtuar kauzën dhe asgjë përveç plumbit në ballë nuk do ta lante këtë pabesi. Në kohën që Zabiti nuk dukej gjëkundi, patriotët rrihnin gjoks për trimëri, e shanin dhe e mallkonin herifin që i kishte lënë pa shkuar në front, pinin raki nga mërzia e madhe dhe veç sa nuk qanin pse trimëria e tyre nuk i hynte askujt në punë. Kjo situatë e çuditshme me thashetheme nga më të ndryshmet vazhdoi edhe për një kohë derisa një ditë, Zabiti e hapi derën e klubit të emigrantëve dhe hyri brenda me një hap ushtarak. Kishte veshur vietnamkë dhe çizme të gjata deri poshtë gjurit. Trokëllimat e çizmeve të Zabitit ua prishi terezinë patriotëve të cilët nga dëshpërimi i madh po luanin tavllë duke pirë çaj rusi. Gjëja e parë që bëri Zabiti kur hyri në sallën e madhe të klubit nuk e habiti askë. Ai shkoi drejt e në tryezën ku qe ulur një “veprimtar i devotshëm” i kauzës, një kryemadh me sy të shqyer, një agjitator i pafytyrë që gjithë jetën ishte marrë me thashetheme. Këtë herë ky i kishte hedhur baltë reputacionit të Zabitit dhe kjo gjë s’mund të kalonte pa pasoja. Kështu Zabiti shkoi te kjo fundërrinë dhe ia dha një shpullë të fortë që e rrëzoi nga karrigia ku ishte ulur. Nuk u ngrit ky hajvan derisa u sigurua se Zabiti u largua nga tryeza e tij. I madh me trup po, ama i ligësht dhe qyqar në zemër. Nuk ia mbajti as të ngrihej e të mbronte nderin e vet dhe as e tha një fjalë të vetme. Zabiti ndaloi në mes të sallës dhe i foli turmës së hutuar me një zë të ashpër:
– Mua më zuri zorra qorre – bërtiti si i lajthitur – kurse disa hajvanë më paskan shpallur armik, tradhtar, spiun e çkamos tjetër! Tani do të shohim kush është tradhtar dhe kush atdhetar! Po, po, do të shohim që ç’ke me të!
I vetëdijshëm se kishte humbur shumë kohë ngaqë i qe dashur të operohej nga zorra qorre, Zabiti iu përvesh punës me një zell të paparë. U ul në një tryezë në ballë të sallës, e hapi çantën e tij prej lëkure, vuri mbi tryezë një grumbull letrash e shkresurinash dhe urdhëroi që të gjithë vullnetarët, të cilët tashmë përfundimisht e kishin ndarë mendjen të shkonin në luftë, të viheshin në radhë. Po, po, Zabitit i pëlqente shumë roli i liderit dhe kohëve të fundit, gjithnjë e më shpesh, fliste me një ton të thatë, të ftohtë, pa emocione; vështrimi i tij ishte hulumtues dhe ta merrte mendja që, ashtu duke picërruar sytë, e studionte njeriun që e kishte përpara me ndonjë metodë psikologjike që vetëm ai e dinte. Kështu, pak nga pak, Zabiti me zërin e tij urdhërues, me gjestet e tij të rrepta prej ushtaraku, me fjalët provokuese që të fshikullonin po na kthehej në një diktator të vogël në klubin e emigrantëve. Disa e respektonin për rreptësinë e qëndrimit të tij, disa të tjerë ia kishin frikën, kurse vetë Zabiti kënaqej ashiqare në rolin e njeriut me autoritet. Me gjasë, unë nuk isha i vetmi që mendonte se Zabiti ynë po ndryshonte. Derisa prisnim në radhë, Goni më pëshpëriste te veshi.
– Kështu ia nisin këta – tha.
– Kush janë këta? – e pyeta me habi.
– Njerëzit që bëhen gati për të shkelur njerëzimin.
– Po mendon… diktatorët?
– Po, de. Si Stalini, fjala vjen. I bënte punët në prapavijë, në heshtje, dhe vetëm priste çastin e duhur për të nxjerrë dhëmbët. Dhe i nxori. Të tjerat dihen.
– Dhe sipas teje, këtë po e bën Zabiti ynë? – e pyeta.
– Epo, këtu është puna – ma ktheu Goni duke tundur kokën. – A është ky Zabiti që njohim ne? Zabiti ynë?
– Ndoshta këto punë nuk bëhen ndryshe? – i thashë. – Njerëzit nuk binden lehtë. Edhe kur duan diçka, prapë se prapë kanë një mijë dilema në mendje. Njeriu ka të drejtë të ketë edhe dyshime, apo jo?
Goni shtrembëroi buzët.
– Mos ke dyshime edhe ti? – ma bëri.
– Unë jo – i thashë – asnjë!
Ai vërtiti sytë dhe buzëqeshi me ironi. Nuk më besoi.
***
Ashtu si para ca kohësh, unë dhe Zabiti sërish u cakërruam goxha shumë lidhur me shkuarjen time në front. Ai ngulte këmbë se unë s’mund të shkoja sepse isha djalë i vetëm i prindërve të mi, por unë e kundërshtoja dhe ngulja këmbë që, për hir të kauzës, të mos bënte dallime dhe përjashtime. Fjalët e mia e provokonin shumë Zabitin dhe kjo shihej haptas nga mënyra sesi skuqej në fytyrë ose sesi i binte tryezës me lapsin e tij. Zabiti nuk ishte krejt i paaftë në punën që bënte. E kishte mësuar edhe ai ndonjë trik psikologjik për të manipuluar turmën, por mosbindja ime e vinte me shpatulla për muri. Hiç mirë nuk i vinte Zabitit që bash unë e kundërshtoja ashtu para njerëzve. Zabiti nuk i honepste kokëfortët, të pabindurit dhe sidomos pezmatohej me njerëzit që e konfrontonin me ndonjë argument të qëndrueshëm. Kështu, pasi nuk arrinte të më bindte me fjalë të buta, Zabiti nisi të më fyente duke më quajtur të paaftë për luftë, qyqar, madje më thoshte se unë do të bëhesha pengesë për shokët e tjerë që, ndryshe nga unë, ishin më të vendosur dhe më të stërvitur për operacione guerile. Unë përsëri ngulja këmbë dhe i thosha se gjithë ato që m’i thoshte ai ishin vetëm budallallëqe dhe po të ishin me të vërtetë argumente, unë do t’i rrëzoja me të tjera argumente, gjithsesi më të logjikshme. Zabiti herë skuqej, herë zbehej. Shihej haptas se kishte telashe me mua. Dhe mbase edhe zemërimi i tij ishte më i madh pikërisht sepse shkaktohej nga unë, njeriu të cilin ai e njihte si xhepin e vet. Më duket se ai murmurinte nëpër dhëmbë diçka në stilin “çdo idiotësi në jetën e njeriut vjen nga më të afërmit e tij”. Epo, nëse Zabiti mendonte kështu, edhe unë mendoja tamam ashtu. Vetëm se ende nuk e dinim kush ishte idioti i vërtetë në familje, unë apo ai. Konfrontimi ynë u ashpërsua tepër, e madje mund të thuash se arriti kulmin kur unë ia përmenda babanë, xhaxha Ismailin, për të cilin thashë fjalë të mëdha, se ishte burrë i madh dhe i mençur dhe se, po të ishte ai rekrutuesi dhe jo Zabiti i pashkollë, unë jo vetëm do të shkoja në front, por do të dilja në ballë të kolonës. Këto fjalë e acaruan shumë Zabitin i cili vetëm kruante kokën. Me siguri mendonte me vete: si t’ia bëj me këtë budallain more!? E kuptoja Zabitin. E njihja mirë dhe e dija se çfarë bluante në kokën e tij të madhe. Në qoftë se më çonte në front, nesër pasnesër, në familjen tonë do të thoshin: shihe ti idiotin që e çoi djalin e hasretit në kasaphanë! Në qoftë se s’më çonte, unë me mosbindjen time po i cenoja autoritetin para turmës. Zabiti po e përjetonte në kohë reale absurditetin e thënies popullore “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Për më tepër, Zabiti i dinte disa gjëra që të tjerët s’mund t’i dinin. Fjala vjen, Zabiti e dinte se unë dija shumë gjëra për të, për prapështitë që i kishte bërë në fëmijëri dhe më vonë, kur ishim adoleshentë. Unë i dija të fshehtat e Zabitit ashtu siç edhe ai i dinte të miat. E tani çështja ishte kjo: a do të zbulonim para botës prapështitë tona të fëmijërisë dhe rinisë apo do të gjenim një mënyrë për të ulur gjakrat e për të vazhduar tutje. Por, si të vazhdonim tutje, kur as unë dhe as ai nuk lëshonim pe? Për kokëfortësi Zabiti mund t’ia kalonte shumëkujt dhe jo vetëm mua, por kësaj radhe në pyetje ishte autoriteti i tij, ndërkohë që unë, të them të drejtën, nuk e çaja kokën për gjëra të tilla. Mua s’më njihte njeri dhe nuk kisha autoritet për të humbur. Zabiti vazhdonte të trokiste me gishta në tryezë. Shprehte nervozen. Nuk mund ta fshihte. Njerëzit që prisnin në radhë po e humbnin durimin. Fillimisht këta nisën të murmurisnin, e më pas zunë të ankohen duke ngritur ngapak zërin. Zabiti hamendej. Unë nuk luaja vendit. Dikush nga fundi i rreshtit briti dhe qeshi: “Hajde, o Zabit Çaushi, shkruaja emrin e mos e zgjat më shumë! Herifi po të thotë me gojën e vet se është trim me fletë, lëre ta tregojë trimërinë aty ku duhet! E nëse s’është trim, do të jetë budalla, e nëse është budalla, lëshoja rrugën siç thonë ndër popull!” Zabiti, jashtë vetes nga tërbimi, lëvizte kokën sa andej këndej. Donte ta shihte me sy njeriun që po i fliste ashtu pa kurrfarë respekti. Ky njeri qe i pari, pas tij zunë të ankoheshin edhe të tjerët. Zabiti më ngulte sytë me zemërim. Unë, prapë, nuk lëvizja vendit dhe me heshtjen time i tregoja se nuk do t’i bindesha po sikur të ngelnim aty gjithë natën e lume. Dhe kështu erdhi momenti kur autoriteti i Zabitit u cenua aq shumë saqë ai s’pati çare pa e shënuar emrin tim në listën e vullnetarëve. Pak para se ta shënonte emrin tim në listë, për të më treguar se sa i inatosur dhe i hidhëruar ishte me mua, më pyeti: Mirë, o hajvan… si e pate emrin?
Nga recenzionet:
Kur e lexon romanin e Aziz Mustafës, Nëse vdekja pret, lexuesi përjeton një atmosferë rrëfimi, thuajse ekzistencialiste, ku çdo ngjarje, çdo rrëfim, çdo jetë personazhesh, vjen aq natyrshëm, gati si një rrëfim personal. Do të thotë, jeta e të gjitha personazheve, thuajse përthekohet nga një mënyrë e tillë rrëfimi, diçka në mes ekzistencës së individit dhe përvojës shekullore kolektive, siç ndodh zakonisht të shkrimtarët ekzistencialistë. Në anën tjetër, rrëfimi ka natyrshmëri të tillë, sa ngjanë në një biografi, edhe të një individi, por edhe të shumë fateve njerëzore. Mendoj se kjo mënyrë rrëfimi, kjo gjetje dhe gdhendje e jetës së personazheve të romanit Nëse vdekja pret, i kanë dhënë dorë autorit të krijojë atmosferën e ngjarjeve që bëjnë gjuhën e rrëfimit në romanin e tij. Kjo është vlera themelore e një vepre artistike-krijimi i atmosferës së ngjarjeve, përmes rrëfimit të jetës dhe veprimeve të personazheve. Lexuesi e ka të vështirë të veçojë, qoftë ndonjë ngjarje, qoftë ndonjë personazh, që nuk i shëmbëllen realitetit të jetës së periudhës kohore kur autori e ka vendosur ngjarjen e romanit të tij.
Emin Kabashi
“Nëse vdekja pret”, është roman i shenjave autobiografike i cili dallohet me cilësinë e përshkrimit dhe të funksionalizimit të situatave rrëfimore. Personazhet e këtij romani në formë të pabesueshme bëjnë një “lojë” me imazhe jetësore midis imagjinares dhe realitetit, për të depërtuar në esencën e veprimit. Në fakt, kujtesa bëhet parabota e rrëfimit drejt zbërthimit të ideve dhe fenomeneve letrare dhe estetike, ku bashkohen në një vend kthesat e panumërta dramatike duke i renditur një nga një përbrenda labirintit krijues. Aziz Mustafa me mjeshtri të rrallë ka arritur të trajtojë tema të ndryshme në ambiente të ndryshme duke e favorizuar detajin realist përmes modernizimit të gjuhës, stilit dhe rrëfimit letrar në kohë dhe hapësirë të caktuar, sidomos kur përshkruan gjendjet shëndetësore, psikologjike dhe emocionale të personazheve. Romani “Nëse vdekja pret” lexohet me një frymë. Në të paraqiten ngjarje kronologjike të një realiteti të riprodhuar, prandaj si i tillë me idetë, poetikën dhe tematikën, është pasurim i prozës bashkëkohore shqipe.
Sali Bashota


















