(Rreth librit poetik “Pas vdekjes jam një tjetër” të Autores Donika Shanaj Beba, Botim i MUZGU-t)
Duke lexuar me kujdes librin “Pas vdekjes jam një tjetër” të Autores Donika Shanaj, jam munduar të kuptoj se poetja, a ka patur një impuls dhe shpërthim të papritur këto kohët e fundit për të mbërritur në këtë botim, apo përkundrazi, talenti i saj ka ardhur nga një zhvillim i natyrshëm, që është shfaqur e ndezur në fëmijrinë dhe rininë e saj, dhe pastaj, ashtu si disa lumenj që mbasi ecin e ecin në hapsirave të pafund, befas bëhen të nëndheshëm, për të dalë pas ca kohësh dhe buruar diku tjetër dhe pastaj për të vazhduar rrugëtimin e gjatë të tyre. Kjo e fundit ka ndodhur me Autoren tonë, që pas përshkënditjeve dhe flakadanëve artistikë e letrarë të saj shumë më herët, ka pushuar dhe heshtur për ca vite, për të na u shfaqur befasuese dhe impresionante në këto kohë, me këtë libër që po marrim në dorë.
Donika Shanaj ka lindur me vokacion letrar, poezia e saj është pjesë e kodit të profilit karakterial që ajo ka, që i shkon për shtat arketipit të njeriut që jo vetëm e don artin e krijimit por dhe e bën atë, dhe tani na prezantohet e plotë, e veçantë dhe krejt vetjake e përsonale me këtë vëllim poetik dinjitoz.
Në këtë libër, pavarësisht se vjen mbas një heshtje kaq të gjatë, nuk ndjehet aspak ngutja, turravrapi për tu publikuar dhe për tu bërë protagoniste, por thjeshtë, është nevoja që ka kjo autore për të bashkëbiseduar me lexuesin pikërisht idetë, ndjenjat, emocionet, ditarin e saj poetik, detajet jetësore, mikrohistoritë dhe subjektet artistike që ia kanë ngacmuar fantazinë dhe ia kanë frymëzuar pasionin dhe penën.
Kjo Poete, që e ka kaluar jetën nëpërmjet angazhimesh, dinamikash, ngjarjesh dhe përsonazhesh, patjetër që pritej të na sillte një mori emocionesh, gjykimesh, hovesh, energjishë, që të stiluara letrarisht, i japin librit përsonalitet dhe krenari, si dhe e bëjnë këtë vepër dinjitoze dhe me karakter, si vetë autorja dhe laboratori i saj krijues.
Disa tekste të këtij libri ndjehet se vijnë si jehona të largëta apo si zgjatime të papërfunduara të dikurshme, e për tu përmbyllur sot ashtu si meraqet dhe pengjet, mbërrijnë te ne si zëra të vjetër të nënvetdijes së Donikes, që e patën frymëzuar atëherë dhe vazhdojnë dhe sot e kësaj dite ta mbajnë në emocion, sa na jepet e drejta të mendojmë se agregati krijues i saj nuk ka rreshtuar kurrë, asnjëherë, por ka qenë i ndezur vazhdimisht, për të sjellë më në fund, sot, këtë produkt, që kemi kënaqësinë të lexojmë.
Herë si tango me harmoni lëvizjesh dhe herë si puhiza të lehta, herë si tonalitete opusesh dhe herë si melankoli të shtruara, herë gjithë ekstravagancë dhe po kaq herë të zhdërvjellta, herë absurde dhe irracionale e moderne, na vijnë drejt ndërgjegjes së leximit vargjet e poezive të këtij libri. Autorja marinon letërsinë e këtëij vëllimi me vargje të tillë: “Lëvoren e trungut të mendimit tim”; “Një fjalë mund të djegë një korie në blerim, / E mund të shuaj një krua.”; “Sy të ngazëllyer, që lodrojnë në flakë,”; “Ah vetja ime, / më merr malli me ty të rri,” ; “Shtëpi bosh, me jetë të vjetra brenda, / Që shtyjnë kohën me filxhane kafeshë,” ; “Në valixhen e mërzisë, / Befas një mall u shfaq,”; “Arratisur ditët si gjethet e vjeshtës,”; “Ndaj të desha dhe ty, / Se çmendurinë e dua çmendurisht, / Se çmenduria te gjërat e pa mundura fle,”; “Strukur trishtime dhe brenga, / Mes honesh të mia të gjeta,”; “Prushi i shpirtit nën hi i digjej ngadalë,”; “Nga kënga e bulkthit të mesnatës, / Edhe simfonitë mbyllin mbrëmjet honeve,”, dhe plot e plot të tjera si këto.
Donika Shanaj vjen në letërsi jo nga një realitet filologjik, por krejt nga larg, nga mjeksia, që jo vetëm e plotëson hartën e emocioneve, ndjesive dhe ngjarjeve të letërsisë, me detaje, përjetime, histori dhe skena që ajo i ka hasur gjatë jetës së saj me bluzë të bardhë, por tashmë, pas kësaj dite që është celebruar dhe si autore libri, emri i Donikës i shtohet apelit të rradhës së mjekëve në letërsi, që nga Anton çehovi i madh dhe Ferdinant Selini i famshëm, e deri tek të talentuarit tanë, Eli Kanina, Anisa Markarjan, Arben Dedja, Brunilda Zllami etj. Dhe ashtu si mjeksia që është shkencë alternative, edhe letërsia gëzon disa veti që edhe ajo vetë ka, si art krijimi jo racional dhe shpesh ekstravagant, me rregulla të lira.
Dhe po ashtu siç janë korrektë e të betuar para Urdhërit të Hipokratit, këta mjekë poetë janë po kaq dhe të vetdijshëm në letërsi, ku përkrah stetoskopëve, recetave, epikrizave dhe diagnozave, njohin për mrekulli leksikun e figurshëm të artit të krijimit. Tashmë Donika Shanaj është njëra prej tyre. Dhe atë që kjo mjeke e bën me përkushtim me vizitat e saj nëpër spitale, me po kaq hakikat e bën dhe në një nivel tjetër të epërm, me letërsinë, me këtë melhem tjetër lloji të shërimit shpirtror.
Si në shumë raste, që mbasi janë mbledhur poezitë dhe sillen për botim, nis diskutohet, debatohet dhe jepen mendime alternative për Titullin. Mund të jetë një titull përfaqësues për të gjithë vëllimin, një emër përfshirës xhenerik, apo titulli i njërës nga poezitë më të shqueshme. Herë herë ndonjë titull impresionant, si tingëllimë për të tërhequr lexuesin. Autorja insistoi për titullin “Pas vdekjes jam një tjetër”, si për një ekstrakt të koduar, që është vetëm ai dhe nuk ka tjetër. Përtej titullit jam munduar të dalloj dhe kuptoj se pikërisht ky titull, a vjen si nukël nga brenda librit, apo është tjetër gjë, që vjen prej filozofisë arketipale dhe përsonalitetit të Donika Shanajt? Dhe shquaj se janë të dyja këto arsyet që pagëzuan librin me këtë titull, duke më bërë të arrij në përfundimin se Poetja Mjeke Donika Shanaj, është po e njëjta materie si dhe vepra e saj, e shkruar me pasion, dëshirë, mendim, gjykim dhe vetëdije dinjitoze.
20 qershor 2025
Filadelfia, Pensilvania Sh.B.A.


















