Kur e nxorën tabutin e babait nga shtëpia e axhës Hasan ku e kishin bërë xhenaze, rruga s’qe shumë e gjatë deri te varrezat e fshatit Prekallë.Aty, toka e priste të pushojë përjetshëm, babanë.Trupi i tij pushonte në katër njerëz, që ndërroheshin herë pas here. Unë isha humbur n’mes turmës –karvan i gjatë, që shumicën nuk i njihja. Diçka më shkrepi në kokë herë si urdhër, herë si këshillë, apo sikur një zë i huaj më trokiste; ku ke humbur?! Çava turmën, iu afrova tabutit të babait. Sikur e lashë veten fajtor: pse jam i vogël, s’mund ta mirrja edhe unë tabutin në supe!? Së paku në udhëtimin e fundit me babanë, t’i bëja një nderim.Vijoja prapa tabutit. Ndjeja sikur e kisha borxh t’i thosha diçka a të monologoja në heshtje apo të dialogoja me babanë; ja këtu me ke, baba. Sapo e lëshuan në gurin e xhenazës, hoxha bëri cermoninë fetare të lutjes, u futa në mesin e lutësve, pa ditur asnjë fjalë ç’thoshte hoxha dhe të vetmen fjalë që e ruaj nga ajo ngjarje, tashmë e arkivuar në kujtesë, ishte fjala Amin!
Pasi filloi cermonia e varrimit në atë fundtetor, hoxha kryente cermoninë fetare, ndërsa në veshin tim,trokitnin lutjet në gjuhën arabe, pa ditur kuptimin e tyre, ndonëse besoja me naivitet se diçka e mirë, mëshiruese po i lutet hoxha të Madhit Zot.Turma e njerëzve kishin ardhur me përcjell rapsodin e mirënjohur, dikush me një heshtje varri, dikush shushuriste diçka…Nuk kisha frikë nga varri kur varrmihësit po e mbulonin babanë, përderisa sytë më mbetën kah ato dërrasa dhe kah trupi i shtrirë sa gjerë e gjatë. Zhurma e dheut të thatë dhe ndonjë guralec thyente heshtjen varri. Në atë heshtje , qefini i bardhë, i parë për herë të parë, ma mbulonte pikëllimin, pa ditur ç’do të ndodhte në udhëtimin tim duke u ndeshur me rrebeshet e jetës që më pritnin.., në vazhdim si fantazma gllabëruese që më paraftyroheshin….
Burri i hallës sime, në shenjë mbështetjeje, ma vendosi dorën mbi kokë.M’u duk në atë çast një mbrojtje apo…? Me pa me një fytyrë të limontë, pa gjak në fytyrë. Dikush e pyeti diçka për mua…-I vogël ky djalë paska mbetur, dhjetë- njëmbëdhjetë vjeç, i tha si në belbëzim.-Po valla,-ia ktheu ai. Kur e ktheva kokën kah ai, ia ngula sytë, ndali fjalën.Ndoshta u pendua pse pyeti dhe e dëgjova…Turma u shpërnda, por rruga njëkilometërshe deri në shtëpi, m’u shndërrua në dhjetë kilometra. Isha humbur dhe mbetur si një statujë e ftohtë n’mes dhimbjes se akullt, pikëllimit si në një mjegull, që po kërkoja një rrugëdalje. Pikëllimi më kafshonte sikur një gjarpër helmues, ndërsa e ardhmjja më trokishte në kështjellën e mendjes me shumë pikëpyetje, me shumë dilema, me shumë ankthe, pa ditur t’u ktheja ndonjë përgjigje.
Anijen e mendimeve sikur ma fundosnin valët e egra të stuhishme , të pamëshirshme të oqeanit jetësor, që nga ai moment të ndarjes nga babai.Unë isha i vetëdijshëm se si mund ta drejtoja atë timon të “anijes”; a mund të notoja pa u mbytur?! Këto dilema, dyshime, ia faturoja nënës sime, që kishte mbetur e vejë, tepër e re në moshë.Sapo kishte lënë tri dekada jetë.Moshataret e saja ndoshta prisnin ende fatin e tyre, ndërsa ajo duhej përballur me gjashtë “zogj” t’i mbulonte me batanijen e dashurisë, vullnetit, me shpirtin çelik të qëndresës, sepse acarët e egër ishin të gatshëm të na mërdhinin. Fytyrën e vëllait të madh s’e pashë aty për aty.Ndoshta kishte humbur skaj turmës së njerëzve rreth varrit apo sytë s’më shihnin asgjë!? Ndoshta aty ishte? Fytyra e babait me rrudhat e një lavre më vizitonte pandërprerë, kur kishte lënë mbi shtatë dekada jetë.Lokomotiva e trupit fizik lëvizte, ndërsa “vagonët e trenit” mezi i lëvizte, mezi i tërhiqte. Ai e ndizte agimin bashkë me nanën, ndonëse dielli i tij ngadalë po perëndonte në heshtje…Një pishë drite që kishte nisur t’i humbte flaka, do të fikej shpejt, por nuk ia shfaqte nusës së re.
-“Hajt moj grue se këta rritën, mos ki dert. Mullinin e kini, ti di me blue.Tash e ki marrë zanatin.Edhe djali i dytë, Malumi i babës, di me blue.Bluani dhe mos kini frikë për bukë të gojës.Këqyrni dhe kujdesuni për mullinin.Ai është një fabrikë e vogël!”.Këto këshilla- fjali më silleshin në kokë, kur babai ia shqiptonte nënës për mbështetje.Sigurisht, ai në heshtje, e priste, e nuhaste ikjen, ngase zemra ia jepte ca shenja për ndalimin, perëndim… Nuk e di sa shpejt më fluturuan ato dy-tri javë në të pame nga vdekja e babait. Njerëzit vinin e shkonin në odën e fqinjit. Mua s’më linin brenda, por në oborr dhe rreth derës së kullës dykatëshe silllesha në çdo kohë nga mëngjesi deri në pasdite kur mbaronte orari i cermonisë së pamjes. Nganjëherë përvidhesha në mes atyre që kujdeseshin për kryeshëndoshë dhe hyja në një kënd të dhomës.Në botën e heshtjes sime, dëgjoja rrëfime të burrave që pritnin dhe vinin për babanë, të cilët më dukeshin sikur po ma ngjallnin babanë. Ashtu ma largonin dhimbjen, pikëllimin dhe ditët më iknin dhe më mashtronin në mënyrën e vet siç di koha. Rrëfimet e tyre, kur Hyseni këndonte, ngjallte në këngë Ahmet Delinë, Azem Galicën, Selman Kadrinë… Në ato raste sikur e shihja babanë në odë duke kënduar. Këto rrëfime krenare ma shqelmonin letargjinë e pikëllimit aty për aty dhe përqafoja krenarinë. Sa keq ! Unë, kurrë s’e dëgjova babanë duke kënduar! Ah, pleqëria, manjetofoni thuaja mungonte, rrallë kush mund ta kishte!
Ca fjali të gjyshes sime, drejtuar nënës sime, dy javë pas ikjes së babait, më futën në lëmshin e një pasigurie dhe dilemave të mëdha. -“Bija ime, vendos sot, nëse do më i këqyr këta gjashtë fëmijë me nerë dhe faqe të bardhë, mos hup kohë, mendo! Nuk dihet se çfarë fëmijësh të bahen. I madhi s’ka shenja të një djali të mbarë… I dyti, Malumi, qysh tash është i mbarë.Vendos ti, bija ime! O rriti me nerë, o dil nga kjo shtëpi dhe martohu diku!”. Kurrë nuk mendova dhe dyshova se nana mund të na lë përsëri jetimë, sepse babai na la! Kur i dëgjova ato fjali të gjyshës më ranë si një çekan i rëndë në kokën time. Në kështjellën e mendjes sime rridhnin, trokitnin alternativa pa zgjidhje, mbështjellë edhe me petkun e dyshimtë pas atyre fjalive të gjyshes sime. A mos po na lë edhe nana!? Pse me na lanë nana jetimë përsëri?! Kurrë s’e parashikoja këtë skenar, këtë episod të dhimbshëm të shkruar nga fati i kohës. Në anën tjetër nuk dyshoja në vendosmërinë e nanës, që do të na kthente shpinën. Po nëse del nana nga kjo shtëpi, kush do të kujdeset për vëllezërit dhe motrat e mia të vogla!? Pra , gjyshja hapi një temë, që s’kisha dashur kurrë ta dëgjoja.Ato fjali të gjyshes sikur më rrezuan për tokë dhe mendoja si të ngritesha nga kjo plandosje e papritur që më erdhi. Në atë moment fillova ta ndërtoja një mendim kontravers për gjyshen time.Ndoshta krejt pafajësisht gjykoja fjalët e saj, por ato më goditën…S’di sa kisha të drejtë?! Rrebesh furtunash ia hodha figurës së gjyshës malësore në atë çast. Po unë, s’e njihja notimin mirë, në oqeanin jetësor. Nuk i njihja kthetrat e jetës, nuk kisha përvojë…Sa do të dëshiroja mos ta dëgjoja çfarë i tha nanës sime, çfarë e këshilloi. Si do të jetoja pa nanën time, pa shtyllën e shtëpisë sime që tani vetëm kjo e mbante atë shtyllë jete, atë shpresë jete. Dyshimi me trokiste vazhdimisht, nëse nana na lë, del nga kjo shtëpi?!
Dy javë rresht më torturonin këto dilema as në tokë, as në qiell! Një zë i panjohur, i ëmbël më doli shpëtimtar, sikur më shpëtoi nga kjo skëterrë mendimesh.Më largoi nga kjo frikë, nga ky dyshim, nga kjo gjendje e rëndë shpirtërore që nga çasti në çast mund të eskalonte në diçka psikike. Unë një filiz i njomë, fillova të luftoja, të zhvilloja një betejë me jetën. Do të dal fitimtar apo me priste diçka e rëndë?! Vëllai i madh, i rritur me një tjetër grua, tashmë e ndjerë, kishte udhëtimin e vet në botën e jashtme. E dija se sapo të mbaronte e pamja, ai do të ndiqte rrugën e vet. Vëllai im, Diku, dy vjet më i madh se unë, kshte një jetë të parehatuar me veten…, lere me ne vëllezërve e motrave të na ndihmonte dhe të zinte vendin e babait, ndoshta? Herët shqelmoi shkollën, ndërsa verbëria e mendjes dhe mjegulla e kapluar e hidhte rrugës bohemike shpeshherë në rininë e hershme.Gjyshjen s’mund ta hidhja në baltën e mosrespektit, ngase ajo dëshmoi në çdo kohë sa qe gjallë, mbështetje për ne dhe nanën tonë, çikën e vet. Pas dy jave nga vdekja e babait, lëmshi i dyshimeve, frikës, disi m’u zgjidh kur mësova që nana iu përgjigj kategorikisht gjyshes ;-”Dua ta humbi jetën për këta gjashtë fëmijë. Me dhambë do ta ha jetën dhe do t’i rriti.Do të bahem kurban për ta! E paskam pasur “ikball”këtë fat, ashtu si e paskam pasur “ikball” një nuse për një burrë plak me çue jetën”-ia ktheu nanës së vet, gjyshes sime. Atëherë kur ia dëgjova këto fjali mbështetëse për ne, shqelmova atë mjegullën e dyshimimeve, frikës.Në atë rast u trimërova, m’u duk sikur fitova betejën e jetës. S’di kah mblodha një fuqi filozofike në atë moshë, pa ia ditur hilet dhe kthetrat e jetës dhe iu drejtova nanës që më mbetën sytë të shpirti i saj : -“Nanë, mos ki dert. Unë dhe ti do ta mbajmë shtëpinë. Do të kujdesem për çdo gjë. Ty të kam babë dhe nanë të shtrenjtë”. M’u duk se aty fituam betejën unë dhe nana. Aty mësova mesazhin, filozofinë e fjalëve të gjyshes.Paska pasur të drejtë! Ajo ia qëlloi parashikimit të saj për fëmijët e çikës. Vetë jeta ia kishte dhënë universitetin e jetës. Kurrë nuk e akuzova edhe kur nuk ia kuptova mesazhin e thellë dashamirës dhe të arsyeshëm, për një mbështetje që duhet ditur herët ç’është jeta pa burrë!
Për një çast kur hyra në të nesërmen time, kur i pritja ditët, muajt, vitet se si do të më ngarkonin mua, dhe nanën, si do të rridhnin, ende isha mbyllur në merimangën e jetës. Një zë i panjohur m’u shfaq në atë udhëkryq jete ku itinerarin e rrugëve e kisha me shumë të panjohura. Djalosh, merre leximin si armë për t’u armatosur qysh tani për jetë, për të përjetuar lumturi në botën e librit, që nesër mund t’i hapësh vetë dyert e jetës. Pra, ruaje çelësin e jetës që ta ofron njëherë jeta në dorë!-dhe më iku ai zë apo ajo hije si të lëshonte toka.Desha ta përshëndetja dhe ta falënderoja për këtë këshillë fisnike me butësi, që m’u lajmërua në çastin e duhur, por s’e pashë as s’e dëgjova më.
Unë mbajta fjalën, që ia dhashë nanës, nana mbajti mbajti fjalën që ia dha gjyshes sime.Vitet e dërmuan, por qëndroi vërtikal.Stuhitë dhe rrebeshet e dridhen shpeshherë, por nuk e rrëzuan. Rrënjët e qëndresës, vulletit, dashurisë, ishin më të forta se stuhitë e egra.Frutat e vet që ia kishte dhuruar Zoti e kishin bërë heroinë jete. Ne u strehuam në shpirtin e saj, na ngrohu me rrezet e dashurisë, durimit, vullnetit, sado që tërë jetën barti dramat e rënda të fatit, që kurrë s’e kishte paramenduar kur e martuan të re për babanë e moshuar! Vallë, Zoti e kishte sprovuar ashtu ?! Ajo e kishte sfiduar fatin e egër, fatin e dhimbshëm.
*
Me vite, Malumi, djali i dytë i saj, fshihte brenda shpirtit diçka të shenjtë, që do t’ia dhuronte nënës Fatime, por asnjëherë s’ia tregonte se çfarë ishte ajo dhuratë. Vit pas viti ikën dhe dhurata e shpallur nuk iu dhurua haptas, por në heshtje, vit pas viti , po se po. Ditën e ikjes nga kjo botë, e shtrirë në shtratin që po i thoshte lamtumirë shtratit, shtëpisë, oborrit, fëmijëve, kohës, jetës, lëshoi një kërkesë nga të pranishmit e tjerë, të cilët kishin ardhur, sepse ikja e saj ishte paralajmëruar…
-Më lini vetëm pak kohë vetëm me Malumin, iu lut të pranishmëve me një zë gjysmë të shtjerrë, të cilët i rrinin afër herë pas here. Ajo e dinte se për ca orë shpirti i saj do të fluturonte në qiellin e parajsës. E kuptoi mirë dhe nuk deshi të ikte me një peng jetësor, sepse sikur e linte veten fajtore, mos po ikte, pa ia thënë ca fjali mirënjohëse djalit, i cili edhe ky ia fali një jetë nanës. Një heshtje kaploi dhomën.Sikur edhe muret kishin hapur veshët se ç’do të thoshte heroina e kësaj shtëpie në atë çast të ndjerë. Edhe muret e asaj dhome sikur donin të dinin, të dëgjonin fjalët e nanës kryezonjë apo ndonjë amanet që vetëm këtij do t’ia linte, ngase i besonte shpirtit të tij. I drithëruar se çfarë do t’i thoshte, nana në atë çast, ujëvara e lotëve ishte afruar buzë bregut të qepallave dhe priste të shpërthente furishëm, rrëke.
– “Dëgjo djali jem! Ma bëj hallall për tërë atë mund, atë përkushtim, atë përkujdesje për mua, për vëllezërit tuaj dhe dy motrat tuaja. Ti e lë Zvicrën për mua, erdhe tek unë. Të lodha spitaleve, të lodha edhe kur isha e mërzitur. Ti e di që kam qenë e rreptë, besa edhe e vështirë, nganjëherë s’e kam kontrolluar veten. Me urtësinë tënde, ti ma amëlsove jetën që më ngarkoi rëndë, prej që na la baba yt, burri im.Drama me djalin e madh, Dikun, bashkë e ndamë, bashkë e tejkaluam … U shkollove me thërmia buke. U kujdese për vëllezër dhe motra si është më se miri prind. Bashkë u dogje më mua për ta ruajtur këtë familje, këtë shtëpi. Po mos të ishe djalë si duhet, i mbarë, ashtu siç mendova , nuk e di si kishim përfunduar unë e ti! Besën që ma pate dhanë kur të vdiq baba, më doli ashtu. Tash po shkoj te Zoti pa asnjë kasavet. Kujdesu prapë për vëllanë e madh, që iu bane kurban edhe atij, sepse u dashtë. Ti e di se grua s’ka, fëmijë s’ka! Kujdesu për medikamente të tij. Hyra, shoqja jote po kujdeset boll. Këtë fisnike e shpërbleftë Zoti me fëmijë! Mos m’i harro çikat!” Ndërsa frymëzënia ia ngushtonte të folurit, në minutat në vijim, ndali fjalinë. Në atë çast ujëvara e lotëve ma vërshoi fushën e faqeve të tretura, që s’kisha bërë gjumë të qetë duke u kujdesur për çastet e fundit të jetës disa ditë dhe net. Ashtu në fushën e lotëve nisa t’i flisja. Mezi ia shqiptoja fjalitë.
– Nanë, hallall të qoftë çdo gjë që bëre për ne. Ti mbete vejushë 32 vjeçare. Humbe rininë, jetën për ne. Ta pata borxh përkushtimin, kujdesin! Asgja s’bana për ty, çka është dashtë. Dhe mbylla fjalinë në vërshimin e lotëve rrëke. -“Tash thirri të tjerët të vijnë “-më urdhëroi. Pasi i thirra të tjerët, një atmosferë e ndjerë e ndarjes dhe frymëzënia e ngushtonte edhe më shumë me ritmin që sikur gjoksi donte t’i dilte jashtë duke kërkuar oksigjen.” Merrmë në duar tua, Malum, se në gjoksin tand dua të pushoj”. –Udhëto pa mërak drejt qiellit, nana ime, rrugën e ke të ndriçuar, meqë na ndriçove tanë jetën, belbëzova në heshtje me gjysmëzëri. Besoj se s’më dëgjoi nana.Thirra vëllanë e madh prej babës, Ilazin dhe e porosita atë dhe fisniken time të shkojnë shpejt t’ia sjellim mjeken, ecila edhe ajo me shikim u pajtua. Por, sapo frymëmarrjet e nanës filluan ritmin e ngadalësimit, urdhërova dikë ta lajmërojë vëllanë, që të kthehet se nana e kreu të veten.Sapo çel e mbyll sytë, sikur vëllai kishte fluturuar me automjet rrugës lokale, u kthye në shtëpi i zverdhur pa pikë gjaku. Vëllai dhe bashkudhëtarja ime sikur më lanë fajtor, pse s’qëndruan në çastin e ikjes së nanës. Të dytë iu afruan nanës, e cila ndoshta kishte dhënë frymën e fundit që tani dukej se shpirti i saj fluturoi në qiell.- Ah, nana Fatë, më tradhtove, po pse u nisa për te mjeku, ofshani fisnikja ime.Prej se erdha nuse në këtë shtëpi nuk t’u ndava, tani s’të qëllova në minutat e fundit, por të qoftë hallall çdo shërbim që ta bëra dhe mbylli fjalinë. Loti kishte mbuluar shumë fytyra që ishin pranë nanës. Derisa po bëheshin përgatitjet tradicionale për ta varrosur nanën të nesërme, meqë mesdita kur vdiq, nuk mjaftonte atë ditë varrimin. Në atë det pikëllimi, m’u duk se dëgjova zërin e nanës kah fluturonte në qiell: Të pres pas shumë e shumë viteve, aty ku kam dëshirë të të kam afër, ashtu siç të pata tanë jetën…
2025


















