LOJA E SHAHUT. Poezi nga Jorge Luis Borges, 1899-1986, Argjentinë.Përktheu : Anton PAPLEKA

GIE4846179 Portrait of Jorge Luis Borges (1899 - 1986) around 1985.; (add.info.: Portrait of Jorge Luis Borges (1899 - 1986) around 1985.); © Effigie. All rights reserved 2025.

 

BASHKËFAJTORI

 

Më kryqëzojnë dhe më duhet të jem kryqi dhe gozhdët.

Më zgjatin kupën dhe më duhet të jem cikuta.

Më mashtrojnë dhe unë duhet të jem gënjeshtra.

Më djegin në zjarr dhe unë duhet të jem ferri.

Duhet ta falënderoj dhe t’i bëj homazh secilit çast të kohës.

Të gjitha gjërat janë shujta ime.

Pesha e saktë e gjithësisë, poshtërimi, hareja.

Dua ta përligj atë që më plagos.

Ç’rëndësi kanë lumturia apo fatkeqësia ime.

Unë jam poet.

 

 

PRITJA

 

Para se të bjerë zilja e paduruar

Që të të hapin derën dhe ti të hysh, ah,

I pritur me ankth, gjithësia

Duhet të ketë përmbushur një seri

Të pafundme veprimesh konkrete. Askush

Nuk mund t‘i vlerësojë atë trallisje, llogarinë

E gjithçkaje që e shumëfsishojnë pasqyrat,

Hijet që zgjaten dhe që kthehen,

Tërë hapat që largohen dhe vijnë drejt një pike.

Rëra nuk do të mund t’i numëronte.

(Në kraharorin tim, sahati prej gjaku

Mat kohën shqetësuese të pritjes.)

 

Para se ti të mbërrish,

Një murg duhet të ketë parë në ëndërr një spirancë,

Një tigër duhet të humbasë jetën në Sumatra,

Dhe nëntë veta të vdesin në Borneo.

 

 

ELEGJI

 

Ah, çfarë fati ky i Borhesit,

Të kem lundruar në dete të ndryshme të botës

Apo në detin unik e vetmitar me emra të ndryshëm,

Të kem qenë pjesë e Edimburgut, e Zyrich-ut dhe e dy Kordovave

Që gjenden në Kolumbi e në Teksas,

Në mbarim të breznive që ndryshojnë, të jem kthyer

Në tokat e lashta të racës sime,

Në Andaluzi, në Portugali dhe në atë konté

Ku saksoni dhe danezi bënë luftë, e përzien gjakun,

Të jem endur në labirintin e kuq e të qetë të Londrës,

Të jem mplakur në kaq pasqyra,

Të kem kërkuar më kot vështrimin e mermertë të statujave;

Të kem shqyrtuar litografi, enciklopedi, atlase,

Të kem parë ato gjëra që i shohin njerëzit,

Vdekjen, agullimin e pasigurt, rrafshinën

Dhe yjtë delikatë,

Dhe të mos kem parë asgjë ose pothuaj asgjë,

Përveç fytyrës së një vajze nga Buenos Airesi,

Një fytyrë që nuk e çan kokën për kujtimin tim.

Oh, fati i Borhesit

Që ndoshta nuk është më i çuditshëm sesa fati yt.

 

Bogota, 1963

 

 

TINGËLLIMA E VERËS

 

Në cilën mbretëri, në cilin nga shekujt që qenë,

Nën ç’tubim të heshtur yjesh, në cilën ditë sekrete,

Të harruar nga mermeri, papritmas do t’ia behte

Ideja e çmuar dhe e pashoqe për të shpikur harenë?

 

Me vreshtat e arta, brez pas brezi rrjedh rrëkajë

Vera e kuqe si lumi i kohës që nuk ka mbarim

Dhe në udhën e vështirë ku ecim me mundim

Ajo na dhuron këngën, zjarrin dhe luanët e saj.

 

Në natën e hareshme apo në ditën me shqotë

Vera e ndez gëzimin, llahatarinë e mposht

Dhe këtë ditiramb që sot unë po ia thur,

 

Arabi dhe persiani ia kanë kënduar dikur.

Oh, verë mësoma artin ta shoh historinë e jetës

Si të qe shndërruar në hi në fund të kujtesës.

 

HERAKLITI

 

Muzgu i dytë.

Nata që e bën të thellë gjumin.

Spastrimi shpirtëror dhe harresa.

Muzgu i parë.

Mëngjesi që ka qenë agim.

Dita që ka qenë mëngjes.

Dita me orë të shumta që do ta bëjë firë mbrëmja.

Muzgu i dytë

Kjo dukuri e zakonshme për kohën, nata.

Spastrimi shpirtëror dhe harresa.

Muzgu i parë…

Agimi i heshtur dhe në agim

Shqetësimi i filozofit grek.

Vallë, çfarë është kjo thurimë

E asaj që do të jetë, që është dhe që ka qenë?

Cili është ky lumë,

Përgjatë të cilit rrjedh Gangu?

Cili është ky lumë,

Me një burim që nuk ta rrok dot mendja?

Cili është ky lumë

Që merr me vete shpata dhe mitologji?

Është e kotë që të fle.

Ai rrjedh në gjumë, në shkretëtirë, në një bodrum.

Lumi më merr me vete dhe unë jam ky lumë.

Koha e mistershme më ka sajuar me një lëndë që prishet.

Ndoshta burimi gjendet brenda meje.

Ndoshta nga hija ime

Vrujojnë, fatale, iluzore, ditët.

 

 

HISTORIA E NATËS

 

Sa kohë që kanë zgjatur breznitë e tyre,

Njerëzit e kanë sajuar natën.

Fillimisht ajo ishte verbëri dhe gjumë,

Gjemba që çjerrin këmbën e zbathur

Dhe frika nga ujqit.

Ne nuk do ta dimë kurrë kush e ka farkuar fjalën

Për intervalin e errësirës

Që ndan dy muzgjet;

Kurrë, ne nuk do të dimë në cilin shekull

U krijua hapësira midis yjve.

Të tjerë e kanë ngjizur mitin.

Nata u bë nëna e Parkave të qeta

Që thurin fatin dhe i bënin fli dele të zeza

Dhe gjelin që parashikon mbarimin e saj.

Kaldeanët i dhanë dymbëdhjetë shtëpi;

Botëra të pafundme, Portikun.

Atë e modeluan ca heksametra latinë

Dhe lemeria e Paskalit.

Luis de Leoni* pa tek ajo

Atdheun e shpirtit të tij drithërues.

Sot, ne e ndiejmë se ajo është e pashtershme,

Si një verë shumë e vjetër

Dhe askush nuk mund të soditë pa u trallisur.

Dhe koha e ka ngarkuar me përjetësi.

 

Dhe të mendosh se ajo nuk do të ekzistone

Pa këto mjete të vogla, sytë.

 

*Luis de Leon (1528-1591), poet spanjoll, autor i poemës „Natë e qetë“.

 

 

HËNA

 

Maria Kodamës

 

Kaq shumë vetmi ka në këtë prarim.

Hëna e netëve nuk është hëna

Që pa Adami i parë. Shekujt e gjatë

Të yejtjes* njerëzore  e nginë

Me lot të moçëm. Vështro.

Ajo është pasqyra jote.

 

*Yejtje : të ndenjurit zgjuar natën

 

TANKA

 

1

Atje lart në majë

Tërë kopshti është hënë,

Hënë e praruar.

Më e çmuar prekja e lehtë

E buzëve të tua në mugëtirë.

 

2

Zëri i zogut

Të mbështjellë nga mugëtira

Nuk dëgjohet më.

Ti ecën në kopshtin tënd,

Po, ty të mungon diçka.

 

3

Kupa e një tjetri,

Shpata, të cilën më parë

E ka mbajtur një dorë tjetër,

Hëna që bie në rrugë,

Më thuaj, a nuk janë mjaft ?

 

4

Nën hënën që ndrit,

Është tigri prej ari dhe hijeje.

Ai i ngul kthetrat.

Ai nuk e di se në mëngjes,

Ato kanë vrarë një njeri.

 

5

I trishtuar ky shi

Që pikon mbi mermer.

E trishtuar të jesh dhé.

E trishtuar të mos jesh

Ditët e njeriut, ëndrra, agimi.

 

 

ELEGJIA E NJË PARKU

 

Ka humbur labirinti, kanë humbur

Edhe tërë rreshti me eukalipte,

Tablotë e verës, vigjilenca e pasqyrës

Që pareshtur përsërit

Çdo shprehje të çdo fytyre njerëzore,

Çdo vegim levarash. Dhe pezullia

E sahateve, dorëzonja tufalake,

Tenda e kopshtit, shatoret e rëndomta,

Ana tjetër e mbrëmjes, zëri i dredhur i zogut,

Tarraca dhe mërzia e kroit

Janë gjëra që i  përkasin të shkuarës. Të shkuarës?

Në qoftë se nuk ka fillim dhe mbarim,

Në qoftë se na pret një shumë e pafundme

Netësh të errëta dhe ditësh të bardha,

Ne jemi ajo e shkuar që do të  jemi.

Ne jemi koha, lumi i padukshëm,

Ne jemi Uxmal-i*, Kartagjena dhe ledhet

Që romaku i zhduku nga faqja e dheut,

Dhe parku i harruar, të cilin e përkujton kjo poemë.

 

*Qytet i Jukatanit, i themeluar rreth vitit 99O, i braktisur rreth vitit 1200

 

 

POETI SHPALL LAVDINË E TIJ

 

Sa rrethi i qiellit shtrihet lavdia ime,

Bibliotekat e Orientit rreken kush e kush t’i shtjerë në dorë poemat e mia,

Emirët më kërkojnë për të më mbuluar me flori,

Engjëjt e dinë përmendësh strofën që sapo e shkrova.

Veglat e  mia të punës janë përvujtëria dhe ankthi;

Ah, të kishte dashur Qielli që të kisha lindur i vdekur!

 

Në divanin e Abulkasim El Hadranit (shekulli XII)

 

 

TRËNDAFILI

 

Trëndafili,

Trëndafili që nuk fishket kurrë,

Jo ai të cilin e kënduan në këngë,

Kjo bimë që ka një peshë dhe ky erëmim, trëndafili:

Trëndafili i kopshtit të errët në netët e thella,

Trëndafili i çdo kopshti dhe i çdo mbrëmeje,

Trëndafili që me anë të alkimisë

U ringjall nga hiri i imët,

Trëndafili i persianëve, i Ariostos,

Vetmitari i përhershëm,

Trëndafili që prore është trëndafili i trëndfilave,

Trëndafili i ri, platonik,

Trëndafili i zjarrtë, i verbër,

Jo ai të cilin e kënduan në këngë,

Trëndafili i pambërrijtshëm.

 

 

NJË MONEDHË

 

E ftohtë dhe e stuhishme qe nata kur anija ime la Montevideon.

Në çastin që po kaloja përtej Cerros,

Nga lartësia e kullës së sipërme hodha një monedhë

Që ndriti dhe u zhyt në ujërat e përbaltura,

Send i ndritshëm që e rrëmbyen koha dhe errësira.

Mua m’u duk se kreva një veprim të pakthyeshëm,

Se historisë së planetit i shtova

Dy seri të pareshtura, paralele, ndoshta të pafundme:

Fati im, i sajuar me turbullirë, dashuri dhe tallandi të kota,

Dhe fati i atij disku të metaltë

Që ujërat do t‘u dorëzonin honit të butë

Apo deteve të stërthella që ende i brejnë

Kufomat e saksonit e të vikingut.

Çdo çasti të gjumit e të yejtjes sime,

I përgjigjet një çast tjetër i monedhës së verbër.

Nganjëherë më ke bërë të kem brerje në ndërgjegje

Dhe herë të tjera të të kem zili,

Ti që ashtu si ne, je në kohën dhe në labirintin e saj

Dhe nuk e di këtë.

 

 

LOJA E SHAHUT

 

I

Në një kënd të heshtur, dy lojtarë të pagjumë

I lëvizin ngadalë gurët deri në agim,

Fusha e shahut i mban si të qenë në burgim

Aty ku të dy ngjyrat urrehen aq shumë.

 

Forma që rrezatojnë një rreptësi magjike:

Mbreti pas mbretëreshës që lufton me ngulm,

Oficeri dhe ushtarët e gatshëm për sulm,

Kali këmbëlehtë  dhe torra homerike.

 

Kur lojtarët ta përfundojnë këtë lojë,

Kur jeta e tyre medoemos të mbarojë,

Edhe atëherë do të vijojë riti i vjetër.

 

Në orient nisi kjo luftë për herë të parë,

Sot, teatër i saj është rruzulli mbarë,

Ajo nuk ka fund ashtu si lufta tjetër.

II

Mbreti i dobët, mbretëresha që prin në përleshje,

Oficeri i vëngër, torra dhe ushtari rendin shpejt

Në kuti të bardha e të zeza të udhës së vet,

E kërkojnë, e zhvillojnë së toku këtë ndeshje.

 

Ata nuk dinë asgjë për epërsinë që ka

Dora që i prek dhe për fatin e tyre vendos,

Nuk e njohin ligjin e rreptë që i kanos,

Që komandon ditën, lirinë e tyre, gjithçka.

 

Omari tha për lojtarin e ulur te tryeza

Se ai është i bugosur në një fushë shahu

Me ditë të bardha dhe me net të zeza.

 

Zoti nxit lojtarin dhe ky lëviz gurin,

Cili zot pas zotit i endka te tezgjahu

Kohën, ëndrrën, agoninë dhe pluhurin ?