RRËFIMI I DEPUTETIT. Tregim i ri nga Agim Gjakova

 

U zgjodha deputet. Më mirë ta them më votuan, si e qysh nuk ka rëndësi. Duhej t i besoja vetes edhe kur askush mund të mos më besonte. Në takim me popullin erdhën këlysh e mlysh, i madh e i vogël. U hutova dhe ngatërrova fjalimin që ma kishte përgatitur gazetari, por dola aty ku të gjithëve u pëlqente: Premtimi për një jetë më të mirë. Hëëë! Thashë ne vete dhe e mbylla me thënien që nuk e di se e kujt, por e kisha dëgjuar diku dhe më kishte pëlqyer e, që ta mbaja në mend, e kisha përsëritur disa herë: “Njeriu ka lindur i lirë, dhe ai është kudo në zinxhirë.” Unë do të këpus për ju të gjithë zinxhirët!

Karriera ime duhej të arrinte pikën kulmore që të isha deputet i përmendur dhe i shquar për përfaqësimin tim me dinjitet,  jo vetëm i zgjedhësve të mi, por i gjithë popullit. Dinjiteti? Fjalë si gjithë të tjerat. Shumëkush nuk ia dinte mirë kuptimin. Pra, unë i kisha dhënë fjalës dinjitet të gjitha ngjyrat e mundshme, me të tëra fjalimet e parapërgatitura, me kundërshtimet e kundërpërgjigjet që të krijonin jehonë dhe bindje se unë e meritoja të isha përfaqësues më i spikatur i tërë kombit.

Zotni kryetar i parlamentit, ju duhet ta përvetësoni mendjen time dhe të shprehni pikërisht ato që unë mendoj për katër vjet rresht.” Qesha me vete, por vërtetë m’u nxit ideja që kryetarin ta bëja për vete dhe të më ndihmonte për dëshirën time, duke ma dhënë fjalën sa herë të doja. Që të dukej se e mbaja kryet lart e të mos isha i përulur duhej : “Mos i hyn askujt nën sqetull.” Kjo kërkonte mprehtësi dhe zhdërvjelltësi, të cilat… Hej ta marrtë dreqi! Nuk i kisha në masën e duhur. Megjithatë isha i zoti për dredhi dhe sajime se deputeti duhej të ishte prokuror, avokat, gjykatës, shpikës…

Me t’u zgjedhur hartova një plan që m’u duk i arsyeshëm dhe shqyrtova se kush mund të më ndihmonte. Pasi nuk isha i zoti të sajoja fjalime, madje e kisha të vështirë ta përfundoja fjalën time, pajtova një gazetar që t’i stiste të gjitha kërkesat e mia për të turbulluar kolegët në kuvend pa thënë asgjë të qartë, por që popullit t’i dukej se unë jam i aftë për të qenë vërtetë përfaqësues numër një.

Së pari, në parlament ulesha gjithmonë në ballë të oxhakut dhe merrja një qëndrim e pozë për të lënë përshtypjen e një njeriu të rëndësishëm dhe të përkushtuar, siç thonë “gjeli mbret mbi pleh të vet “. Në seancën tjetër, sidomos kur xhironin televizionet, mundohesha të dukesha si një urtak që mendonte për kombin, për vendin, për shtetin. Kështu më rritej autoriteti.

Së dyti, me që miku im i ngushtë e kishte vërejtur këtë qëndrim edhe më tha:    “Në qoftë se nuk del nga guaska vetjake, nuk mund të jesh kurrë i lire”, unë iu përgjigja se nuk jam as i përkryer as i përmbaruar. Jam…!? Siç shkroi ai shkrimtari  me “krunde të personalitetit dhe miell të vjedhur” që m’i përgatiti gazetari.

Në diskutimet që bëheshin për ligjet e të tjera çështje kisha përcaktuar se kur duhej të kërkoja fjalën dhe me ndihmën e një aktori kisha përpunuar mënyrën e sjelljes, tingëllimin e fjalëve dhe pozicionin kur të mbyllja fjalimin. Para se të dilja në foltore, përsëritja ato  që gazetari i kishte menduar hollë për diskutim. Po ashtu i kisha përgatitur disa njerëz të mi që të hetonin për gjithçka dhe t’ua blinin mendjen kundërshtarëve. Megjithatë në një rast pati edhe një pyetje për një mendim që nuk ma kishte shkruar gazetari, dhe më shkrepi ideja, falë Zotit, të thosha në fund se “do të duhet shumë kohë të shpjegoj të tërën”, duke e mbyllur me thënien që ma kishte nënvizuar gazetari: Të lumtë goja, mor koleg, por mos qit gaca në barut.”

Shpesh herë nuk më mbante vendi pa u ngritur t’i jepja përgjigje ndonjërit që e përdridhte fjalën. I cilësoja shpifje ato që thoshte  ai dhe i përvishesha mbarë e mbrapsht. Nuk më bëhej vonë se ma kthenin :“Ti po shpif edhe më shumë!”. Pastaj, kur dilja me pi kafe në pushim, qeshja me vete: “Hë,  pra, si u bë kjo punë! Unë shpif, ti shpifë, ai shpifë!

Seancat e parlamentit më dukeshin si xhirime pazari ku bëhej tregti me fjalë. Gjatë votimit unë ngrihesha në këmbë që të dukesha si aty në sallë, por edhe në televizione. Kur kuvendimet bëheshin çorbë se flisnin të gjithë përnjëherësh e s’e merrte vesh i pari të dytin, unë dilja përballë të tërëve e kërkoja qetësi e gjakftohtësi. Kjo u  linte mbresë njerëzve se unë isha konstruktiv. Kështu bisedova me kolegun që të më propozonte për kryetar të grupit parlamentar. Më tha po, megjithëse e dija se atij i kthehej mendja shpejt. Nuk më zgjodhën kryetar të grupit parlamentar. E porosita gazetarin që sa herë të fliste kryetari, ta dëgjonte fjalimin e tij dhe me mesazh në telefon të ma dërgonte një sajim që tejkalonte përmbajtjen e kryetarit.

Me gjithë vendosmërinë time për të mos  u përfshirë në zënka, siç rrokullisej i tërë kuvendi, përsëri m’u desh të filloja të përgjigjesha si të gjithë. Kryetari i grupit parlamentar më tha si me buzëqeshje se nuk isha shumë aktiv në punimet e kuvendit. Pra njëfarë kritike e tërthortë. “Mos u shqetëso kryetar, thashë me vete, që nesër do të më kesh ashtu siç duhet të jem.” Dhe më erdhi rasti. Gjatë diskutimeve u ndeshën disa me replika që nga vendi, madje me zë të lartë, sikur të ziheshin qentë. Dola hijerëndë përpara dhe bëra nja dy herë ham-ham dhe thashë: ” Ju po doni të hani njëri tjetrin të papjekur. Të paktën bëjeni neper terr   që të mos e shijoni. Që të zërë vend fjala ime theksova se po “shkelnin rregulloren e kuvendit”. E thashë këtë me njëfarë si mburrje, por nganjëherë ishte më mirë të mos e çelje gojën fare se…. “E kush dashka të na mësojë rregulloren! Nuk po due me të quajte sharlatan!” Ma priti njëri nga vendi. Edhe në këtë rast, si kur gjuhesha me fjalë me ndonjë koleg, përpiqesha gjithmonë të dilja sipëror, duke përdorur edhe ndonjë fjalë të pahijshme si “mbaje gjuhën e fëlliqur e mos e zgjat si lëpjetë, mor tutkun”, këtij iu përgjigja: “Ke filluar të plakesh me një palë mend që nuk i ha as gomari!” Pati të qeshura. Kështu dola sipëror.

Prijësi vinte rrallë se kishte punë partie, por kur fliste, duartrokisja me një buzëqeshje që më shumë ishte zgërdheshje, ani pse po të mundja e rrëzoja nga “froni”. E një herë i thashë “Unë çaj male e fusha për ju, prijësi ynë!” se dua ta ketë në mendje të më fusë në listë si kandidat për legjislaturën e ardhshme.

Pas pushimeve verore u ktheva me një bindje se po të përpiqesha më shumë do të arrija të zgjidhesha edhe zëvendëskryetar i kuvendit, pasi i ndjeri kishte vdekur. “Natyrisht, i thashë vetes, duhesh të kesh kujdes se mund të ta marrin për mbrapsht dhe të bëhesh gazi i botës, ani pse pëshpërita: “Kur ngordh gjarpri, ngordh dhe lëkura e tij.

As nuk e kam marrë mëri, as nuk e  dua atë deputetin e zonës lindore se, kur po flisja, ma këputi fjalën. “Mos fol në tym. Megjithëse na nuk shkojmë thikë e brisk, nuk zihemi e përlahemi çdo ditë, unë të bëj një të mirë duke ta tërhequr vëmendjen!” Ma priti nga vendi. Disi më ngurtësoi. Në çast më cingëroi telefoni. Lexova përgjigjen që ma dërgoi me të shpejtë gazetari:

“Më falni për ndërprerjen, por po ia them dy fjalë kolegut: “Faleminderit, por unë e kam marrë kryet me vete.”

Ky rast e nxiti kryetarin e grupit parlamentar të më afrohej në pushim dhe të më thoshte: “I dhe një përgjigje të mirë atij, por ne të duam më luftarak që t’i mposhtim kundërshtarët.” Kjo “më luftarak” nënkuptonte shumë gjëra: ngritje zëri deri në piskamë, fjalë të papërshtatshme deri në fyerje, sajim të pavërtetash, shtrembërime të fjalëve të tjetrit, tallje me ligjin në rastet e duhura e të tjera të kësaj natyre.

Këtë qëndrim m’u dha rasti ta shfaqja me kryetarin e grupit parlamentar që ishte edhe kryetar i një partie. Po të mos i blinte votat me paratë e grumbulluara nga dreqi e di me çfarë dredhish e frikësimesh , partia e tij do të kishte një gjysmë kamioni anëtarë. Ai tha:

“Vetëm kur unë të bëhem i parë i këtij vendi, gjithçka do të shkojë mbarë dhe do të jetë shteti më i qëndrueshëm dhe…”

“Ja,ja, po dashka të bëhet i pari i vendit!” Thirra me të madhe. “Dhe pastaj s’i mbetet gjë tjetër veç të flejë mbi dafina. I lumtë që shpalosi gjithë etjen për pushtetin!” Pas këtyre fjalëve iu drejtova: “Nuk je as sa çobani i dhive…”

“Ti po flet la e pa la! Të paralajmëroj se…” Deshi të shprehte kërcënimin. Unë qesha. Ai ziu nga zemërimi.

“Fjala pa vend t’i shqep mendtë, mor zotni!”  Ia nisa, por ai nuk ishte i zoti të më përgjigjej me fjalë, se mendja e tij kishte mbetur nën pesëdhjetë për qind. Ai dinte vetëm të mburrej dhe të kërcënonte. Thuhej se kishte kryer edhe krime, por unë s’ia kisha frikën. Foli nga salla me hap të rrëmbyer që të tregonte “burrërinë” dhe të thoshte se “do të më njohësh se kush jam”.

“Të lumtë!” Më tha kryetari i grupit parlamentar. “Për çdo rast duhet ta kesh përgjigjen te buza.” Natyrisht, për “përgjigjen te buza” kish gazetarin, por kjo më dha zemër që të përpiqesha edhe më fort të arrija atje ku dëshiroja. I shkova kryetarit në zyrë dhe i kërkova të më caktonte në grupin parlamentar që do të shkonte për vizitë në disa shtete. Me këtë merrja një rëndësi para opinionit si i zoti edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. Mora premtimin se do ta shqyrtonin këtë kërkesë.

Që t’i jepja një shtysë kësaj fillova të jem më aktiv. Kjo më aktiv nënkuptonte më agresiv. Kështu nuk ngurova, qoftë nga vendi, qoftë në foltore, t’u përgjigjesha, të lëshoja fjalë gjysmë fyese, të citoja ndonjë thënie  që m’i kishte shkruar gazetari se ata të pozitës po ngrefoseshin si gjela  Kështu, kur po fliste, njëri u shfaq si i paduruar dhe bërtita: “A po do me na qitë fall këtu!? Mos çajë kopalla!” Këtë “mos çajë kopalla” një tjetri ia përplasa: “Mos çaj dërrasa!”

E gjithë kjo filloi të më dukej si lojë, prandaj nuk u kurseva të lëshoja shprehje të tilla:

“Mos merr zjarr, he burrë! Të’ gjitha fjalët e tua janë pa krypë!”

“Ti nuk pushon duke folur me diell e me hënë!”

“O koleg, kur kanë me t’u sosë fjalët?!”

“E dëgjuat! Ai, zotnia, fliste kodra mbas bregut.”

“E kemi menduar ndryshe, por po na del se është dhelpër!”

Megjithëse ndërhyrjet e mia nuk kishin të sosur, ishte një deputet shumë i zoti në oratori që të shiste e të blinte. Vendosa të bëja zhurmë sa herë do të fliste.

“Ky kolegu ynë që më rri si gjel”, më tregoi me gisht ai, “nuk di çka është kuvendimi. Mëshoj dyshemesë sa të duash, por të gjithë do ta kuptojnë  se, duke u përpjekur t’i mposhtësh kolegët me rraptima vazhdon ta trashësh mendjen tënde edhe ashtu të mangët!”

Plasën duartrokitjet e të gjithëve, madje m’u duk se edhe të disave nga grupi ynë. Isha mësuar me kritika e ironi kur u ngjitja bishta, gjoja ua nxirrja në shesh të larat e të palarat, por kjo më shtangu. Nuk qesh në gjendje t’i përgjigjesha. Kur mbaroi seanca e asaj dite, u nxeha me gazetarin se nuk më dërgoi ndonjë  përgjigje. E prisha marrëveshjen.

“Ti s’do të mundesh pa mua! E di se sa miell ka thesi yt! “ Më tha, ma ktheu shpinën dhe u largua. Pajtova një gazetar tjetër dhe ky më doli më i zoti se sa i pari në katranosje të fjalimeve për çështje që shtroheshin për kuvendim e miratim të ligjeve. Ky më shpëtoi në një çast mjaft të vështirë kur m’u bë një pyetje dhe përgjigjja, sido që të ishte, e rëndonte palën tonë. Vështrova kryetarin e grupit që kishte zymtuar fytyrën. Pikërisht në këtë çast telefoni u dridh. E nxora nga xhepi, lexova përgjigjen dhe e futa në xhep sikur të kishte qenë  ndonjë thirrje pa rëndësi. I vështrova me buzëqeshje të gjithë që pritnin  përgjigje dhe ia këputa  pyetësit:

“Po juve ç’ju shtyri të ma bënit këtë pyetje?” Thashë me zë ironik dhe shkova e u ula në vendin tim me shkrepjen e mendimit se që atë ditë e mbrapa, të mos lëshohesha fare në debat për çfarëdo çështjeje, por të përgjigjesha, apo të ndërhyja me gjithfarë fjalësh pa lidhje me çështjen.

Kryetari im grupit tonë parlamentar më përgëzoi. Kjo i rriti shpresat që të caktohesha në delegacion.

Në të vërtetë nuk mërzitesha kur më kritikonin apo më shanin. Vetëm qeshja. U druhesha ndërhyrjeve që më vinin në gjendje që nuk dija si të përgjigjem, prandaj, ashtu siç i kisha thënë vetes të përgjigjesha me gjithfarë fjalësh, ia prita një deputeteje, që  nuk linte pothuajse askënd pa marrë nëpër gojë, apo pa e njollosur për gjithçka:

“Pusho, moj gjinkallë! Mos shti rruaza në pe!”

“Mbylle gojën e mos bëj ham-ham!” Ma ktheu ajo,

“Mos e shkund tërë thesin e paditurisë zonja e takrravateve!”.

“Njeriut bëju njeri,  qenit bëju qen!” Mori guximin ajo.

“Moj ti, sa herë në ditë pispillosesh për…?” Nuk e mbarova fjalinë e nënkuptuar. Prita përgjigje të egër, por…

“I dashur koleg, ti je njeri pa cipë. Nuk ke turp! A mos po të gërryem urrejtjka!””

Nuk e vazhdova. Kjo gjuhë m’u bë shprehi për të gjithë e për gjithçka. Kur ngrihesha në mëngjes më vërtiteshin në mendje shumë shprehje, ca që m’i kishte përmbledhur gazetari, ca që i kisha dëgjuar, t’i përdorja gjatë seancës, e nganjëherë edhe duke pir kafe gjatë pushimeve.

“Nuk i gjenden këtij gjarpri këmbët!” E cilësova atë deputetin të zot për oratori. “Mos ia shihni për të madhe se paraqitet gjithmonë me diskutim prej torollaku!” Ia prita një tjetri. Dhe kështu një kolege o grupit tonë i kishte shënuar të gjitha shprehjet:

“Me që është i lehtë nga mendja, e ndërron qëndrimin sa çel e mbyll sytë!”

“Nuk të shkojnë rrenat!”

“Aha! Pa sajime nuk e arsyeton mandatin e deputetit.”

“Ulu, ore, në vend se nuk e merr rogën vetëm për të dërdëllitur!”

“A po do me na qitë fall këtu apo po çanë

kopalla?!”

“Mos shko mëz pas pele.”

“Ti s’më vjen as te këmba…”

“Mjaft se na bëre kokën daulle!” Thirri njëri një ditë dhe u ngrit nga vendi e m’u afrua. Me fytyrë’ të thartuar më kërcënoi se do të m’i fuste thonjtë në fyt, se nuk do të më zinin këmbët dhe, po ta sulmoja, se ma njihte frikën… e filloi të nxirrte shkumë nga goja e fjalë pa lidhje duke shfaqur aq mëri e urrejtje sa më bëri të tkurrem, madje edhe të ndjeja njëfarë frike. P:ër ta qetësuar atë dhe veten, hapa krahët dhe u bëra gati ta përqafoja. Më shtyu, por kjo  ndikoi se papritur heshti. Më shikoi me një sy që nuk e kuptova nëse ishte pajtues apo tejshtytës. Pas kësaj u ngrita dhe fillova:

“Është më  mirë t’ia hapim grykën thesit,, t’i themi gjërat siç janë e si duhet. të jenë. Ne jemi përfaqësuesit e popullit. Jemi vëllezër e motra dhe kështu duhet të sillemi…”  Ishin fjalë të gazetarit, që në këtë rast i thashë me vete “Të lumtë!”

“Fillo ti i pari!” Thirri dikush nga vendi.

U ngurosa. Çfarë duhej t’u thosha, kur vetë kishe llomotitur gjëra që shpesh s’kishin të bënin fare me çështjet, por me shfryrje përuljeje ndaj të tjerëve.

“Po, unë i pari.” Kështu e kishte filluar përgjigjen gazetari që na dërgoi me të shpejtë.. “Cilido prej nesh, në pozitë apo opozitë, pra si kundërshtarë,  s’kemi përse ta përpijmë njëri tjetrin. Ti matim fjalët e të mos ia lëshojmë një grusht miza askujt, t’i themi se  je i paaftë, nuk je i zoti, ke dy gisht shkollë e të tjera, se, jo vetëm që lëndojmë njëri tjetrin, por lëndojmë ndjenjat e popullit tonë. Të mos mihim në ujë. Të nxjerrim mjaltë nga goja, jo pelin!” Pushova një çast. “Zotni, të mos plakemi me një palë mend!”

U nde një heshtje gjatë së cilës kuptova se gazetari kishte shprehur mendimet e dëshirat e  njerëzve. A mendoja vërtetë kështu apo ishte dyfytyrësia ime në këtë rast? Nuk dita ç’t’i thosha vetes. Mendja ishte ndarë dysh, Në një anë mbase dëshironte të ishte ashtu, në anën tjetër rrëmbehej dhe dilte prapë në hullinë e përbuzjes e të ethes së mbisundimit të mjedisit.

“Hipokrizi! Hipokrizi!” Shpërthyen ulërimat. Nuk di si më bënë këmbët të dilja me të shpejtë jashtë.

Dy javë nuk shkova fare. Mora një raport mjekësor për lodhje të përgjithshme. Mendova për ato që kisha shprehur dhe u habita me veten se si i kisha thënë, sidomos përgjigjet deputetëve. Në fund: Deputeti duhet të jetë deputet, duhet të mbisundojë, pavarësisht nga gjithçka, dhe dola në parlament sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Megjithatë u bëra më i heshtur dhe që të fitoja pikë pas atij fjalimi dhe thirrjes “Hipokrizi!”, në diskutimet e mira fillova të citoja se  “kjo është  e mbështetur në ligj”, ani pse nuk e dija fare se në cilin ligj ishte mbështetur. Kjo merrej si e saktë, sepse, në radhë të parë nuk di a kishte ndonjë jurist deputet, dhe, në radhë të dytë, edhe nëse kishte, unë nuk citoja ligjin dhe kështu mbetej në ajër.

Kur vinte rasti të gjuheshim me fjalë me ndonjë koleg e kisha porositur gazetarin ta dredhonte thënien. Ja për shembull: Në vend që t’i thosha “Mbaje gjuhën e fëlliqur e mos e zgjat si lëpjetë, mor tutkun”, i drejtohesha: “Nuk ka hije që ne të dy ta bëjmë gjuhën lëpjetë apo fletë lakre!” “Të mendohemi që të mos na dalë goja para mendjes.”  Ose: “Nuk keni përse të përdorim fjalë e shprehje të pahijshme e të ju them “Grini sallatë sa të doni, zotni zarzavatexhi!”

Kisha vënë re se disa deputetëve mund t’u thoshe “Nuk kam punë me gjysmë njeriu.”, se e ngrënin zërin, apo edhe thërrisnin, apo bërtisnin si një koleg i grupit tonë, të cilit iu shqye zëri. Kur erdh dhe u ul në rreshtin tonë, i thashë:

“Me të bërtitura nuk të zënë vend fjalët. Fol pa zhibla.”

“Mendjen e kam në vend. Di se ç’them. Fjala ime dëgjohet.”

Nuk e di se ku e kishte atë vetëbesim! Kuptova se “s’kishte pse të më vriste ndërgjegjja nëse e lija në baltë shokun”.

Në vitin e tretë të legjislaturës u kërkua votëbesimi i qeverisë nga kreu i grupit parlamentar të asaj partie që kishte anëtarë një gjysmë kamioni. Nuk la gjë pa thënë e pa e sharë qeverinë, sidomos kryeministrin e në fund e mbylli me fjalët se e ka “për të mirën e tij”. Me gjithë mërinë, sharjet e përuljet nuk u arrit të rrëzohej qeveria, se grupi ynë parlamentar  nuk e përkrahu.

“Kur qesh djalli e ka punën keq!” Më tha një koleg i grupit tonë.

“Nëse midis gomarëve ka djaj, atëherë ke të drejtë.” Qeshëm.

Ndryshimi i qëndrimit tim solli veprimin që, sa herë flisja, lëshoja një grusht miza, por pa iu drejtuar dikujt: ”Këtu ka të paaftë, të pazotë për të përfaqësuar popullin, deputet me dy gisht shkollë  që mbahen sikur kushedi ç’janë, duke lexuar sajime e të tjera! Disa nuk dinë çka është kuvendimi..”.

Po kujt i ishte tekur të ndërmerrte veprime kundër meje, nuk arrita ta zbuloj. U thirra në prokurori të dëshmoja për një tender të fituar nga kushëriri im që nuk i takonte dhe që unë kisha ndërhyrë pranë dikasterit që ai ta fitonte. Kjo u paraqit në parlament dhe nga një grup deputetësh u kërkua heqja e mandatit tim.

Një ditë para se të diskutohej për heqjen e mandatit, po sillesha nëpër shtëpi shumë i shqetësuar. Më pa gruaja, m’u afrua dhe më tha:

”Mblidhe veten, o burrë! Mjaft kemi përfituar. Jemi mbuluar me të mira. Si tha ajo zonja? Këtu në shtëpinë tuaj njeriu hyn me mend e del pa mend. Aq mirë e keni rregulluar. Edhe sikur të mos jesh më deputet nuk shembet bota. Më ke mua!”

“Po, moj grua, të kam ty, por atyre u kanë hyrë në kokë miza të këqija. Më vjen të’ pështyjë kur i shoh.”              Shkova me mendje të turbulluar  se ç’do të ndodhte. Në seancë m’u mblodh një nyje në grykë, s’munda të flisja. Thashë vetëm kaq: Kërkoj falje nëse e kam rënduar ndonjë koleg.

Në dëshminë time në prokurori nuk e nxora titullarin, dhe kjo m’u shpërblyer se përveç grupit tonë, votuan kundër heqjes së mandatit edhe deputetet e partisë që kishte pushtetin. “Malet tunden, po nuk bien.” U ngrefosa. Përfituam të gjithë e s’na hyri ferrë në këmbë.

Kësaj legjislaturë po i vinte fundi. Nuk isha i sigurt nëse do të më propozonin përsëri për deputet, prandaj takova kryetarin e një partisë në pushtet Jo vetëm më premtoi, por, kur u caktuan zgjedhjet e reja, më  futi në listë për deputet në një zonë tjetër. Nëse para katër vjetësh kur u paraqita para popullit në zonën zgjedhore erdhën me macë e me kucë, kësaj radhe nuk u dukën as gjysma e atij tubimi. Shqetësim më të madh më dha një shkrim në gazetë me titullin “Kameleonizmi”:

“Fotografitë nga teserat e partive kanë me t’i vendosë mbi pllakën e varrit. E vrave  orën për të hyrë në qeveri, prandaj porosita një kolltuk te tapicieri. Nuk të kërkon më shumë se njëzetë fytyrë. Kaq ngërthen banka kombëtare kapital të shtetit.“

U brengosa shumë, megjithatë mbase edhe legjislaturën e ardhshme do të mund të flejë mbi dafina.

 

 

*Nga libri i shkrimtarit  Agim Gjakova “Magjia e gremisjes:, rrëfime ironike”.