SHKËLQE PËR MUA SONTE
Kjo është nata, moj perri,
të shkëlqesh si hënë ti!
Në pasqyrë, mos u shih,
hajde pra, se s’ka njeri!
Djegur, eshkë, po të pres,
që nga mbrëmja në mëngjes.
Gjithë natën mbeta zgjuar,
hënën ma ke eklipsuar.
MONOLOG
Hapi dyert zemra ime!
Pas mureve me ferra rrethuar
vendos Iris të bleruar.
Në kopshtin djerrë,
mbill tulipanë,
hiq çdo ferrë.
Largoji retë zemra ime,
kjo jetë nuk ka veç trishtime!
Çdo pikë loti ktheje në kristal
dhe këdo fal.
Krisjet mbuloji zemër,
ti je e fortë,
je femër !
ASKUSHI
Unë jam një Askush,
marr frymë lirshëm,
shoh në perspektivë,
e besueshme
bindshëm.
Llogari… pak,
llogari… nuk jap.
Shpatullgjerë,
jo aq e lartë,
nuk më duhet të përkulem.
Punoj, lodhem, ulem.
Rrobat e mia kushtojnë pak,
mbajnë erë djerse.
Duart më çahen,
bëhen gjak,
është botë perverse.
Unë jam një hiç,
nuk më nderojnë,
nuk më lavdërojnë;
rreth vetes mbaj ata,
ata që më mbrojnë.
Prej askujt s’më hapen dyer,
fjalë të ëmbla pak më thonë;
ata janë buzëpërlyer,
ata janë zhvarranikë
që dikushin nderojnë.
Unë jam një zero,
nuk vlej asgjë,
thjesht jam energji
që vjen si zë.
Nuk jam nga ata hiç
që ecin përdore,
që janë shumë,
me firmato këmishë
në sallone e oborre.
Unë jam pak hiç,
si shumë nga ju,
jam një hiç,
i vetëm,
një hiç vetëm me mu.
HUMBËM
Nudoja jote
nëpër ëndrra më del.
Nuk e bind dot veten
që e imja më nuk je.
Shoh veç nga dritarja
qysh atëherë,
mishi fort më dridhet,
nuk të prek dot asnjëherë.
Më bëhet sikur hapat t’i ndiej,
buzëqeshja jote nëpër mure jehon,
më afrohet në vesh butësisht
dhe zemrën më shpon.
Ti vjen veç në ëndrra
e unë nëpër ëndrra jetoj,
i mbyll sytë të fle gjatë,
ty të të gjej, të të përqafoj.
HAJDUTÇE
Rrahjet e zemrës nota melankolike
dhe këmbët zvarrë i tërheq,
e kujtoj ditën kur ti ike
e bashkë me ty edhe unë për dreq.
Kërkoj të gjej veten diku,
të lexoj ndonjë fjalë hajdutçe
aty mes vargjeve të tua,
aty ku gjithmonë më futje.
Dhe hajdutçe largohem sërish
ashtu siç ndjenjat i fshihja nga ti,
pres mos ndoshta papritur do të vish
të më thuash sërish “Dashuri!”
I MALLKUAR I BEKUAR
Kërkoj brenda vetes
një demon
dhe nuk e gjej.
Engjëjt nuk më hynë në punë
asnjëherë
në këtë skëterrë.
Nuk lashë cep pa kërkuar
një të mallkuar të bekuar.
Unë duhem shpëtuar.
Luftoj të gjej demon
që plagët m’i shëron,
ai mungon.
Mungon ai demon,
që dikë në grykë e shtrëngon,
i zë frymën,
e gjunjëzon
siç e meriton.
Ai demon mungon.
Duhet shartuar
një i mallkuar i bekuar.
ELEGJI
(Kushtuar dajës tim Arjanit)
Mëngjesin e parë të qershorit
Vajtimet çelën plagë mbi buzë,
lotët hapën shtigje gjaku në sy,
thonjtë faqeve tatuazhe lanë,
flokët në tokë ranë,
kur na thanë:
Arjani na la!
Ndëshkonte veten nëna,
vdekjen e thërriste,
kockat e dobësuara në kraharor
godiste.
Aq fort ulëriti ajo, aq fort
sa dielli nuk duroi dot
dhe retë pranë vetes i mblodhi.
“Sot do të mbajmë zi, – foli.
Kot s’kanë thënë:
Dhimbja gurit i është dhënë,
e ka çarë;
dhimbja drurit i është dhënë,
e ka tharë.
Për Ty edhe qiellit i është dhënë,
e ai ka qarë.
Po ne, si po e mbajmë?”
Kështu të çarë, të tharë, duke qarë!
Dajë,
qyqe mali motra jote,
nëna ime.
Kokëvarur e përlotur yt vëlla.
Djem e bijë thërrasin:
Ku je, Baba!
Gruaja në derë,
si zog në ferrë.
Dajë,
milet e gjak
u dogjën flakë,
duart u dridhen,
sytë u përloten,
fytyrat u mpihen,
zërat u ngjiren,
zemrat u tkurren.
E dhimbshme!
Çfarë iluzioni është jeta!
Dajë,
sot e premtja e parë pa Ty.
Erdha te shtëpia
ku Ti nuk je më,
në shtyllë portreti yt bardhezi,
Trëndafili në cep të shkallëve
ka varur kokën.
Dajë,
Ti s’je më, si dikur,
të më vësh në qafë
të kap një dardhë.
Dajë,
Ti s’je më, si dikur,
t’i japësh vendit gjallëri,
ashtu siç dije veç Ti.
Nuk është trupi yt,
nuk është zëri yt.
Dajë,
Ti je,
Ti rron në rasat e shkallëve
ndërtuar nga duart e tua,
rron në hekurat e salduar.
rron në çdo tjegull,
në çdo mur,
në çdo pemë.
Dajë,
Ti je gjithkund këtu,
të gjeta edhe mbi komo,
në fotografi.
Dajë,
Ti je në kaltërsinë e qiellit
si sytë e tu,
je me humorin dhe shakatë
me të cilat vetëm Ti dije
të argëtosh të tjerët,
ndaj të gjithë të përmendim,
sa herë që për ty flasim,
qeshim,
pastaj të qarit ia plasim.
Dajë,
Ti je këtu,
do jesh përherë,
në të majtën time,
thellë.
Dajë,
kur njerëzit të më pyesin:
Mbesa e kujt je?
Me plot zë do t’u përgjigjem
dhe me kokën lart më ke.
– Mbesa e Arjanit, – do t’u them,
mbesa e atij
që Zoti pranë vetes e rrëmbeu.
Dajë,
të qoftë i lehtë dheu!
SHEGË E EGËR
Kjo zemër hartë e vjetër,
legjendë e saj pa deshifruar,
shkëlqen e kuqërremta shegë e egër,
plot rubinë të kuq, të ndriçuar.
Pa të anija është e verbër,
në mes të oqeanit e harruar,
simbol rilindjeje kjo shegë e egër,
duhet krasitur e shartuar.
ERËMIM DHE ËNDËRRIM
Luleve ua ndiej
erëmimin
dhe zemra e ndalon disi
shpejtimin.
Tutulaten qepallat
dhe kokën mbështes
mbi trupicë,
shpengohen ëndrrat
në trupin që zë
të dremisë.
Subjektivja objektives
i lë shëndetin,
si shoferi në stacion
kur e lë mjetin.
Shemben mure,
thyhen zinxhirë,
fluturoj në hapësirë.
Rrekem me vetëdije
në ëndërrime,
si një xhind i dalë
prej një vrime.
Trupi më shkund,
pas të kthehem,
s’më lë
as në ëndërr
të dëfrehem!
Tashmë ai
gjumin ma prishi,
ma ndali
fluturimin.
Mua më mbetet
veç të shijoj
me buzëqeshje
ëndërrimin.

















