TRASHËGIMIA  GJUHËSORE E TIRONËS MES GLOBALIZMIT DHE TEKNOLOGJISË. Nga Elda Keçi Novelli

Fondacioni “Arben Tafaj”, ditën e shtunë  me datë 25 tetor 2025 organizoi forumin kulturor e gjuhësor  me temë: “Trashëgimia  gjuhësore e Tironës mes globalizimit dhe  teknologjisë”, forum të cilin pata nderin e kënaqësinë ta moderoja, në ambjentet e

Akademisë së  Shkencave,  institucion domethënës në qendrën e Tiranës. Ky fondacion mban një emër të njohur në komunitetin e Tiranës, por edhe jashtë vendit, e pikërisht për të nderuar z.Arben Tafaj për punën dhe përkushtimin e tij për më tepër se 25 vjet në krye të Shoqatës “Tirana” për të ruajtur trashëgiminë, kulturën, artin, traditat, por edhe gjuhën tonë.

Gjuha jeton përmes dialekteve që janë linfa e jetës së saj. Kjo gjë shpesh edhe harrohet e dialektet shihen si një shfaqje “historike” në kohën që jetojmë, në kohën e globalizmit.

Komuniteti i Tiranës përballet çdo ditë me sfidat e influencës së emigracionit e të migracionit, me prezencën e shumë qytetarëve të huaj pasi tashmë Tirana është një kryeqytet metropol.

Mes shumë pjesëmarrësve

ishin të ftuar akademikë, docentë të gjuhësisë e letersisë shqipe, sociologë,  gazetarë e  personalitete të nderuara të komunitetit të Tiranës e jo vetëm, të cilët japin kontributin e tyre në shoqërinë civile. Nė njė atmosferë të ngrohtë diskutimi e reflektimi,

referueset, si profesoresha e Universitetit të Tiranës prej më tepër se njëzet vjet pranë Departamentit të Letërsisë, znj.Lili Sula dhe  znj.Arjeta Cuka, Doktore shkencash në gjuhësi, gazetare/moderatore në RTSH dhanë një pasqyrim të plotë  historik e gjuhësor të të folurit të dialektit tironas.

Reflektimet e këndvështrimet nga studjuesi, sociologu  e politologu i njohur, Z.Gëzim Tushi  e znj.Nadire Buzo, regjizore, skenariste e shumë dokumentareve, por edhe nga pjesëmarrës të tjerë ngjallën interes e vunë në pah  vlerat kulturore dhe rolin  e kësaj trashëgimie në formimin e brezave të rinj.

Një thënie e një filozofi anglez thotë: ” Të gjitha dialektet janë metafora e të gjitha metaforat janë poezi”. Poezi do të thoja, siç është dhe dialekti tironas. E me disa vargje poezie të shkruara për Tiranën nga poetët  tanë të njohur, si: Dritëro Agolli, Fatos Arapi e Mihal Hanxhari, përshëndeti këtë forum edhe regjizori e aktori, Kleard Gërmenji.

Gjatë forumit, në emër të  Fondacionit “Arben Tafaj”, Presidenti z.Ilir Tafaj, pas fjalës së tij përshëndetëse,  ndau vlerësimin ” Misionar i Vlerave” për profesoreshë Lili Sula me motivacionin për përkushtimin e me punën e saj për ruajtjen e identitetit  gjuhësor dhe kulturor  në kryeqytet.

Tirana ecën me ritmin e së resë, por njëkohësisht duke ruajtur të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen. Shkenca jep kontributin e saj si dukuri që i shërben prosperitetit dhe Tirana mbetet qendër reflektive.