Poetesha shqiptare Kristina Demiri Dojçe merr Medaljen e Artë të Aleksandrit të Madh në ishullin Salamina të Greqisë

 

 

 

Shoqata Kulturore e Salaminës “Kafenia e Ideve” (që përfshin gazetën dhe radion “Zëri i Salaminës”, si dhe Teatrin e Koulourisit), i akordoi poeteshës, prozatores dhe veprimtares së komunitetit shqiptar në Selanik, Kristina Demiri Dojçe, Medaljen e Artë të Aleksandrit të Madh Verginës, si edhe medaljen dhe mirënjohjen e Klubit UNESCO të Pireut dhe Ishujve, për kontributin e saj në letërsi, kulturë dhe arsimin shqiptar në komunitetin shqiptar në Selanik.

Me këtë çmim u nderua edhe poeti shqiptar nga Shkupi, Zekeria Idrizi.

Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga dr. Dinos Kubatis, president i Shoqatës Kulturore të Salaminës “Kafenia e Ideve”, ceremonia e 42-të e ndarjes së Medaljeve të Arta të Aleksandrit të Madh dhe të Verginës u zhvillua me shumë sukses të dielën, më 2 nëntor 2025, në orën 7:30 të mbrëmjes, në Pallatin e Bashkisë së Salaminës, në sallën e aktiviteteve “Dimitris Bogris”, ku morën pjesë qindra adhurues të poezisë, të cilët ndoqën edhe një program të pasur muzikor dhe vallëzimi.

Siç theksohet, me këtë nderim vlerësohen njerëz që i shërbejnë kulturës dhe japin kontribut shoqëror, si në hapësirën greke, në Qipro, ashtu edhe në vende të tjera, si dhe organizata që veprojnë në fushat e politikës, shkencës, letrave dhe arteve, për kontributin e tyre shoqëror dhe për arritjet e tyre të shquara.

Ky institucion u krijua në vitin 1985, me qëllim njohjen dhe mbështetjen morale të njerëzve dhe organizatave që japin kontribut për shoqërinë. Që atëherë, me këtë çmim janë nderuar shkencëtarë, politikanë, artistë, njerëz të letrave dhe arteve, sportistë, studiues, organizata dhe shoqata të ndryshme shoqërore, mjedisore dhe ekologjike, përfshirë edhe poetë të njohur shqiptarë si Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Muja Buçpapaj, Iliaz Bobaj etj.

 

Kristina Demiri Dojçe është një figurë e shquar e kulturës shqiptare dhe ndërkombëtare, poete, prozatore, përkthyese, mësuese dhe aktiviste e përkushtuar për të drejtat e emigrantëve dhe të grave. Në fushën e letrave, Kristina Demiri Dojçe është një zë poetik i ndjeshëm dhe i thellë, që prek tema si dashuria, atdheu, malli, humanizmi dhe forca e gruas. Poezitë dhe prozat e saj janë përkthyer dhe botuar edhe jashtë vendit, duke i dhënë asaj një ndikim të gjerë ndërkombëtar. Si përkthyese, ajo ka kontribuar në shkëmbimin kulturor mes letërsisë shqiptare dhe

Kristina Demiri Dojçe është një mike e çmuar e gazetës letrare “Nacional” dhe e Botimeve Nacional, ku shpesh boton krijimet e saj poetike dhe publicistike. Një grua e fortë, e cila ka përballuar me dinjitet edhe betejën me kancerin, Kristina Demiri Dojçe mbetet shembull frymëzimi për gratë shqiptare në mbarë botën, duke i inkurajuar të jenë të lira, të guximshme dhe të vetvetja.

Një vlerësim i veçantë i dedikohet personalitetit të shquar të kulturës dhe letërsisë botërore, Dr. Dinos Kubatis, president i Shoqatës Kulturore të Salaminës “Kafenia e Ideve”, i cili për vite me radhë ka kontribuar me përkushtim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e dialogut kulturor ndërkombëtar dhe në afirmimin e vlerave universale të artit e letërsisë. Si poet, prozator, dramaturg regjizor i mirenjohur dhe studiues i shquar dhe organizator i veprimtarive me ndikim të gjerë kulturor, Dr. Kubatis ka dëshmuar vizion dhe përkushtim të lartë ndaj bashkëpunimit ndërmjet kombeve përmes fuqisë së fjalës dhe shpirtit artistik. Ai ka qenë dhe mbetet një mbështetës i rëndësishëm i letërsisë dhe kulturës shqiptare në Greqi dhe në arenën ndërkombëtare, duke krijuar ura të qëndrueshme miqësie, mirëkuptimi dhe respekti mes popujve. Gazeta “Nacional” e përshëndet me mirënjohje dhe respekt të veçantë Dr. Dinos Kubatisin si mik të vyer të Shqipërisë dhe si ambasador të përhershëm të paqes, kulturës dhe vlerave njerëzore.

 

 

BIOGRAFIA

 

 

Kristina Dojçe ka lindur në qytetin e Korçës më 19 korrik 1948 dhe jeton në Selanik.

Ka mbaruar studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë, dhe ka punuar si mësuese në Shqipëri.

Ka shërbyer si drejtoreshë në disa shkolla të ndryshme.

Është dalluar për kontributin e saj të vyer si aktiviste sociale.

Është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” dhe me medaljen “Për shërbime të dalluara shtetërore dhe shoqërore.”

Në vitin 1991 u largua nga Shqipëria drejt Greqisë.

Si për të gjithë emigrantët, qëllimi i largimit ishte një jetë më e mirë.

Deri në vitin 1997, ajo ishte emigrante; pas këtij viti mori edhe shtetësinë greke.

Prej më shumë se 30 vitesh, ajo është pranë refugjatëve dhe emigrantëve, duke i ndihmuar të gjejnë punë, të marrin dokumente të rregullta qëndrimi në shtetin grek dhe të kenë më shumë përkujdesje shëndetësore.

Nga viti 1991 deri në 1997, punoi me emigrantë për ruajtjen e traditave të gjuhës shqipe. Pas vitit 1997, kur u dha leja e qëndrimit, ajo u përpoq për hapjen e kurseve të gjuhës shqipe për fëmijët e lindur në Greqi — gjeneratën e dytë dhe të tretë të emigrantëve.

Që nga viti 2016, është kryetare e organizatës “Jeta” dhe është nderuar me çmimin “Anëtare Nderi” për punën e saj në këtë organizatë. Ajo është mësuese vullnetare.

Njihet dhe vlerësohet si Nëna e Emigracionit.

Është poete dhe shkrimtare.

Sot gëzon vlerësime të shumta:

  • Ambasadore e Kombit
  • Ambasadore e Paqes
  • Mësuese Nderi

Është e pranishme në shtypin shqiptar, si gazeta kombëtare “Nacional” (Tiranë).

Merr pjesë në takime të diasporës dhe është nderuar me çmime e vlerësime nga Konsullata Shqiptare në Selanik, si dhe nga shoqata e organizata të ndryshme, duke u drejtuar grave dhe duke i frymëzuar ato të jenë vetvetja.

Është burim force, sidomos për gratë që luftojnë kundër kancerit, pasi edhe ajo vetë është njëra prej tyre.

 

Mujë Buçpapaj