NJË HISTORI ME BANANA. Tregim nga Nga Fatmir Minguli

 

NJË HISTORI ME BANANA

(I kushtohet poetit H.L.)

 

Tregim nga Nga Fatmir Minguli

 

Ndoshta kanë kaluar mbi tridhjetë vjet që një skenë në qytetin L. e shihja thuasje për ditë. Një burrë me moshe mesatare, me një fytyrë që ndriçonte, rrinte rrëzë një barake dhe shiste banane. Nuk më kujtohet se ku i kishte vendosur ato, në ndonjë arkë kartoni ambalazhi të bananeve apo në një stol plastike si ato që përdorin pensionistët kur luajnë domino në lulishtet e boshatisura. E ç’rëndësi ka se ku i vendoste babanet!

Skena që tani më vjen krejt e turbullt më sjell edhe burra të tjerë që rrinin rresht e që shisnin banane. Ishin vitet 1992 apo 1993, s’e kujtoj si  vit, por kujtoj pikërisht atë skenë ku burrat e tjerë dukeshin turbull, vetëm hije njeriu, dikush i ulur e dikush në këmbë. Por burri me moshë mesatare dhe me fytyrë të ndriçuar nuk më hiqet nga mendja.

Me vite e kam kujtuar këtë njeri sa herë që blija banane në treg dhe ky kujtim tretej në të tjera pamje, në të tjera ambiente por forma gati e padukshme e imazhit të asaj skene më sillte gjithmonë këtë burrë. Edhe pse i nxirë nga dielli i verës por edhe i dimrit ai sheh tek kalojnë njerëzit në trotuar që ka raste kur i afrohen aq shumë arkës me banana dhe largoheshin. Por nuk largoheshin të gjithë. Ishte një tjetër burrë ndoshta që banonte aty pranë që vinte e blente për ditë banane te burri me fytyrë të ndritshme dhe pasi blinte thonte edhe ai “faleminderit”.

Duket sikur po tregoj diçka absurde por shitësi i bananeve dhe blerësi i tyre kurrë nuk ia mësuan emrin njeri – tjetrit, vetëm se një rast kur ky i fundit kaloi aty pranë me vajzën e tij tij të vogël për dore dhe i thonte që të nxitonte. Viola quhej ajo vajzë që hante bananet e blera te burri me fytyrë të ndritshme. Ai kurrë nuk fliste siç bënin shitësit e tjerë të rreshtuar gjatë trotuarit e që të jepnin përshtypjen sikur peshkonin me grepa para një buzë lumi. Në fakt peshkonin blerës të bananeve.

Tek shkruaj këto rreshta po mendoja që të thirrja Inteligjencën Artificiale e të sillte pasazhe nga ato vite të vështira kur shumë intelektualë dinjitozë përfunduan në mes të rrugës. Do t’i kërkoja Inteligjencës Artificiale të më riprodhonte të paktën ato zëra të athershëm, të atyre që shisnin banane…por jo, është thjeshtë një fantazi e imja në këto dite tetori ku shirat kanë gjetur strehim në qytetin tim. Se si më dukej ai njeri që nuk më hiqet nga mendja e që as emrin nuk ia mësova. Unë kam kaluar disa  herë në atë trotuar të qytetit L. dhe mes atyre burrave dallova fytyrën e ndritshme të heroit tim.

Deri dhe natën kur dritat e rrugës sapo fillonin të ndizeshin ata dhe ai ishin aty. Edhe pse rrëmuja me njerëz kalimtarë shtohej, edhe pse sherret e djemve të rinj nisnin pikërisht te ky shesh “peshkatarësh” blerësish të bananeve, edhe pse siç mora vesh më vonë një plumb revolveri kaloi tangjent me heroin tim, ata ishin aty. Sa vjet!? Nuk e di.

Të gjitha këto që shkruaj nuk janë fantazi por si rrjedhojë e një takimi me njeriun me fytyrë të ndritshme, pikerisht këto ditë tetori. Një takim i çuditshëm, mjaftoi që të vështroja me vemendje nje burrë tek pinte kafene te”Xhoni Caffe” aty pranë stacionit të trenit. E vështroja dhe një lloj shqetësimi më kaploi të tërin deri sa nuk m’u durua dhe i shkova në tavolinën ku ai pinte kafenë i vetëm.

Ishte po ai. Ishte po ajo fytyrë e ndritshme që kisha parë mbi tridhjetë vjet më parë.

Durrës 26 tetor 2025