PERDJA E MËNDAFSHTË. Poezi nga Ramadan Musliu

ARRA

 

 

Arra qindvjeçare

mbiu nga një farë

në trurin tim

 

U rrit dhe gjethe lëshoi

nga klorofili

i syve të mi

 

Dy gjethe m’i la në bebëz

të mbulojnë

atë vetëtimë në horizont

që mund t’ia çajë përgjysmë

atë trung

para se të humbet thell në dhe

 

 

 

 

 

 

 

 

PAMJE NË RETROSPEKTIVË

 

 

Shëtisja me autobusin urban

nëpër rrugët e ngushta pa shenja

duke shkelur mbi zebër

shkundja këmbët e enjtura

në karrigen e fundit

 

Fshija pluhurin nga xhami

gërryeja pëllëmbët e nxira

nga dritat e shumta të reklamave

buzë rruge

 

Rentja krah për krah me inercionin

i zbutur nga një dritë fluoroshente

që vinte nga barazpesha e brendshme e gjërave

dhe rrotës që lëviz botën

 

Mbyllja sytë dhe ëndërroja

tek ngjitesha mbi çatitë

e nxira nga smogu

nga parajsa e humbur mbi asfalt

 

Vëtëm kur kërkëllitën frenat

nga dy vijat e nxira të rrotave

më bën ta ktheja kokën prapa

dhe të shoh

figurën time në retrospektivë

 

 

 

 

 

 

AKTI ABSURD

 

 

Dëgjoja në radio

lajmet mbi kohën e turbulltë

dhe zërat që fikeshin qetësisht

nga butoni nën gishtërinj

 

Doja të dilja nga realiteti paralel

nga ajo membranë e hollë

e gjërave pa formë

doja të dilja nga lëkura

me një të mbyllur të syve

 

Nuk e dua më  rolin kryesor

në këtë skenë pa dërrasat

që përbëjnë jetën

nuk dua më ta luaj Hamletin

në Danimarkën time të vockël 4 x 4

 

Zvarrë dola nga dhoma

duke lënë

një copë absurdi teatror

të derdhur kudo nëpër dërrasa

 

Më mirë është të mos jesh

se i ndarë në dysh

me atë membranë të hollë

mes sendeve

dhe fjalëve                                    .

 

 

 

 

 

ME HAMENDJE

 

 

Flisja me gishtërinj

me grimasa të fytyrës

shprehja atë që ndieja

mendimet e errëta

i nxirrja

si ujin nga fundi i pusit

 

I bëja sytë katër

tek ngadalësoja

rrjedhën e mendimeve

rrija në vend

i qetë si drita në pasqyrë

i pajtuar me destinin

që më rri këmbëkryq

në mendje

dhe vështron lojën

 

Nuk dal nga hapësira rrethore

pa zbardhur drita

se puna e natës

është gazi i ditës

po nuk shikove

dritën e koncentruar

në mur

 

Mos të të zë gjumi

Nën atë hije të trashë

Se më kurrë nuk mund të zgjohesh

Hija ime

 

 

 

 

 

PERDJA E MËNDAFSHTË

 

 

Zgjat duart nëpër gjumë

të mbledh

frutat e pjekura të moshës

 

Gjethet e thara në degë

nëpër pore gishtërinjsh

kërkojnë damarin e kuq. Nuk

është aty:

 

Në ëndërr verbon

ajo perde mëndafshi

duke fshehur botën lakuriq

tek del zhveshur nga uji

 

 

 

VDEKJA E FENIKSIT

 

 

Feniksi

vdes e ngjallet

për çdo çast

në kafaz

 

U dogj

duke kërkuar

ëndrrën e plumbtë

të mbetur në përralla

 

I rreh zemra kur vdes

e i pushon kur ngjallet

për një trohë

qielli blu

jashtë kafazi

 

 

 

 

 

 

 

SILUETA

 

 

Krahpërveshur

me daltë e çekan

në duar

ushtron

punë moshe

nëpër trup

 

Gdhend nëpër eshtra

mjeshtërisht

fytyrën e vet

prej zbrazëtie

 

Sot heq një pjesë

për ta vënë pjesën e vet

boshe

se nesër

edhe tepricat e mia

do t’i gjuajë pjesë-pjesë

nëpër kohë

 

Ditë për ditë më mëson

për një formë tjetër

 

Në hapësirën e errët

një ditë

do të zë vend

i lirë

nga e gjithë

pesha e trupit

 

 

 

 

 

 

 

GOZHDA E NDRYSHKUR

 

 

Në një gozhdë të ndryshkur

varur është portreti i heroit

në gravurë

 

Në sfondin gri

duket një vend

nga vijnë luftëtarët e rralluar

prej betejave

të pashënuara

në histori

 

Aty më nuk kris pushk’ e vjetër

as teret barot’ i lagur

as mburojat

hiqen më

nga ku janë varur në mur

 

Edhe gishti

në qark i pushkës së vjetër

i ngrirë

ka mbetur

në atë kornizë

 

Në këtë gravurë

çdo burrë

me bërryla

hyn në histori

e çdo grua

qëndis

flamurin me shkabën

pa krahë

 

derisa një ditë

të lakohet

ajo gozhdë e ngulur

në murin e vajit

 

 

 

 

 

 

 

 

REJA ME PUPUR

 

 

Hije e gjallë mbeta

që të rri pranë shtratit

t’ i bëj shoqëri hijes

që endet nëpër vetmi

o nënë

 

Si ta qetësoj

këtë shpirt të trazuar

për fytyrën tënde

të tretur në astral

 

Si ta dëgjoj edhe një herë

Rrahjen e zemrës tënde

o nënë

 

Iku përjetë

ngjyra e faqeve tua

prej trëndafili

siç ikin retë me purpur

në perëndimin e diellit

 

Vetëm ca pika shiu nga ato re purpuri

më mbetën kujtim

i asaj mbrëmje

në përqafimin e fundit

o nënë

 

 

 

Prend BUZHALA

 

 

DREJTPESHORJA LIRIKE E SË BUKURËS

 

(Ramadan Musliu: “Gjendja neutrale”, poezi, “Rozafa”, Prishtinë, 2019)

 

Cila është gjendja neutrale në të cilën gjendet folësi lirik i poezisë së Ramadan Musliut? Dhe çka zgjedh, në këso gjendjesh ai?

 

  1. Semantika lirike e purpurit

 

E nis me purgatoriumin (im)personal). Dante Alighieri, kur projektonte ferrin e tij, thoshte: “Vendet më të nxehta në ferr janë të rezervuara për ata që, në kohë krizash të mëdha morale, mbajnë neutralitetin e tyre”. Një gjendje as-as… gjendje pezull, amull, aty ku koha digjet dhe hiri mbetet dëshmi e një ndodhie:

 

 

Dita digjet në shuplakë

bëhet hi me ngjyrë qymyri

frika pret frymën time

ta shpërndajë nëpër dhomë

Porse ky folës lirik nuk e merr anën e Pilatit për t’i larë duart në shenjë të këtij neutraliteti në konfliktin midis atyre që kanë fuqi (dhune e pushteti) në duart e veta dhe atyre që anojnë kah peshorja e drejtësisë. “Ju nuk mund të jeni neutral në një tren që lëviz”, thoshte – Howard Zin. Ky subjekt lirik, prandaj, vuan situatën e purgatoriumit, katarsisit personal e kolektiv. Në këso ndërthurje rrethanash, ai pranon njësoj: edhe shqetësimet e kohës, edhe shuarjen… djegien. Së këndejmi, që në fillim, poeti na ballafaqon me leksemën figurative e të epitetizuar: purpur, i purpurtë, shenjë lirike e guximit: ngjyra mbretërore e Cezarit, ngjyrë fisnikërie, e aristokracisë shpirtëtore të një polemi; ngjyrë misteresh e komunikimeve të lashta, vorbullash hyjnore. Është metaforë e epiteizuar e natyrës shpirtërore të krijuesit që posedon prirjen për meditime… purpuri qëndron mes realitetit të jashtëm, fizik, të dukshëm, edhe atij të brendshëm, shpirtëror, meditativ. Porse situata e tillë, e gjendjes as-as, e një purgatoriumi djegës, e ka mpirë edhe medimin, edhe shpirtësinë:

 

Jetës iu vodh purpuri

syri

peizazhi blu

dhe  flaka

e ditës që u dogj në horizont

 

E, megjithatë, poezia na dhuron komunikim (aty është blu-ja, ngjyrë e shenjë e hapësisë), vetëdijen për tesktin refleksiv, purpurin frymëzues, emocionin e së bukurës, marrëdhënie ndërnjerëzore e dashuri të pakufi (libri i kushtohet mbesës Elina), na dhuron vibrime vetëbesimi e urtësie. Këtë ta sugjeron vetë figura e purpurit, si ngjyrë ëndrrash, dëshirash dhe mrekullisë, si primum movens i paqes së mendjes, i pdashamirësisë dhe mirëkuptimit.

 

U zgjove këtë mëngjes

e spërkatur gjithë me vesë

e në bebëz re purpuri 

(…)

Ecja në ëndërr

duke shëtitur nëpër dhomë

në ajrin e purpurtë

 

Përgjithësisht, i krijimit.  Virtytit dhe besimit, durimit dhe prirjes për parashikime. Prandaj e hasim përgjatë tërë librit:

 

 

 

I pamë kur u kthyen në mermer

Edhe kur e morën ngjyrën e purpurt në bronz

pastaj muga iku nga zemrat tona

e me si i pamë ndriçimet  në astral

 

dhe situatat, kur humb kjo frymë ekzistimi:

 

fryma e saj do të davaritet

kur purpuri

të shembet

humnerës  bardh si bora

( GRAVURË NË BRONZ, Dëshmorëve të atdheut)

 

Të mos harrojmë: te kjo lirkë ndeshim reflektimet mbi ekzistencën dhe esencën. Janë ato momente, kur poeti e mposht botën e shqetësimeve të EKZISTENCËS (jetës së përditshme), me ESENCËN (qetësinë si thelb ekzistimi, heshtjen me zërat e vet të perëndishëm)… Ekzistenca është lëvizje, zhurmë, gjallëri, ESENCA është thelb, qetësi, heshtje. Njeriu ka nevojë për të dyja!

Poeti merret me idetë, me situatat e ideve, aty ku ato shfaqen në pafajësinë a pastërtinë e tyre, në gjendjen e tillë, ku “objektiviteti” i nxjerr në pah të vërtetat që nuk fshihen… vetëm sa mund ta lexojmë situatën ku njerëzit jepen pas diçkaje tjetër (pasurisë, lakmisë… s’ka rëndësi), kurse “idetë”  dhe purpuri i shpirtësisë, ndodhin në një mjedis ku gjithnjë ato zhvillohen nën veprimin e flakës (flakës së brendshme dhe djegies së jashtme), përplasjeve, shuarjes:

 

Gaca

prej kristali

vezullon

në xham

 

Drita u shtri me përtesë

në të  katër anët e horizontit

mbuluar me

flakën e purpurt

të kujtimeve

 

Sado që të duket se ky subjekt lirik e pranon situatën si të tillë, ai e ka shqetësimin e tij: si ta kthesh një gjendje të tillë, agresive, djegëse, shuarjeje, një situatë pozitive, ta ndryshojmë situatën a ta ndryshojmë vetveten (te vetvetja ky veprim ndodh kur nuk mund t’i lëvizësh muret e situatës së tillë… GJENDJES NEUTRALE). Ai nuk heq dorë nga liria e tij e brendshme, sado që mund t jetojë nën kërcënimin e shuarjes… Sado që thënia lirike na vjen nga pak e ftohtë, si rrjedhim meditimesh, ai di ta shohë në sy e në brendi të mirën, me flakën e purpurit të brendshëm, aty ku i projekton modelet e tij të përvojave, qofshin ato edhe nën kërcënimin e ankthit dhe frikës:

 

frika pret frymën time

ta shpërndajë nëpër dhomë

(…)

fluturon nëpër eter

nga ankthi për të më nxjerrë

 

Kjo do të thotë se ai ka besimin e tij, ka dhuratën e tij të perëndishme, qëllimet fisnike, për ta dhënë më të mirën e për ta bërë më të mirën. Ka pakënaqësinë e revoltën e tij, ka ironinë e situatës. Ka zgjidhjet e tij.

Ka etosin e logosin e tij.

 

  1. Postmodernja, performanca diskursive

 

Le ta kuptojmë poetin edhe në aso situatash kur, me përpjekjen e tij gjakon për ta riparë e rijetuar botën e evokimeve të tij, edhe atëherë kur atë e sheh të humbur, humbjen si nocion të shoqërisë postmoderne, si pamundësi fatale për të mos qenë në gjendje ta ndryshosh atë.

 

Këndon në vetvete

ëmbël bilbili

mes xixëllonjash

vizatuar në letër

 

Doli hëna në një valë

pa e thënë asnjë fjalë

xixëllonjave  të vetmisë

te pusi i fëmijërisë së humbur

 

Durimi është fitore

kur e kalon  kufirin e humbjes

të  vënë më vija gjaku

 

Dhe kur lexojmë këtë poezi në kontekstin e poezisë të tij përparshme, të spirales së tij estetike, aty do t’i gjejmë gjurmët e etjes që iu kundërqëndron referencave anekdotike të jetës, apo deskripcionit e dorëshkrimit lirik të tranzicionit tonë, tranzicion i shoqëruar me patologji shoqërore. Është poezi e rikrijimit të mundësive të tjera, i qëndrimeve këndshikimeve origjinale, i një realiteti tjetër, artistik. Nga ky aspekt, poezia e Ramadan Musliut, me përpjekjen për të dalë nga kornizat e një ndjeshmërie rutinore të një rrethi vicioz lirik, iu përafrohet poetëve postmodernë evropianë, si me performancën e tij diskursive, ashtu edhe me fenomenologjinë e dekonstrukcionizmit .

Dhe sado që poeti jepet në kërkim të metaforës dhe shqetësimeve, neurozave të kohës, trishtimit ekzistencial apo tjetërsimit teknologjik të një bote artificiale; referencë mbizëtoruese e poezisë së tij mbetet detabuizimi i realitetit dhe metafizika poetike e kohës dhe kohëve (“Koha lëviz si siluetë/ në faqe libri”), në të cilën jetojmë me shtresimet e së kaluarës. Aty është drita, si metaforë e njohjes, po edhe përndriçimit të gjërave:

 

Drita u shtri me përtesë

në të katër anët e horizontit

mbuluar me

flakën e purpurtë

të kujtimeve

(…)

ta njihni vetveten në xhamin pa mjegull

në kufi ku etja ndahet nga loti

 

  1. Asociacioni lirik i kristalit,

referencat bogdaniane

 

Cikli HIJA E DHEUT ka në përbërjen e tij ka dy krijime: një tërësi poetike që i kushtohet Pjetër Bogdanit, me titullin “KUJTIMI I KULLUAR” dhe poezinë “GRAVURË NE BRONZ” (Dëshmorëve të atdheut).

Ky këndim vjen si thelbi i vet, i qenies sonë nacionale e historike, historibërëse e shpritkrijuese. Këndimi i poetit për Pjetër Bogdanin vjen me figurën e dritës e me figurën e përsëritur të kristalit për kujtesën, po aq të kulluar e të shtrenjtë, si ky mineral tejetçmuar:

 

Ajo s’është mall

dritë kristali në memorie

kur gjithë shekullin

gjëndrat e mia

e kërkojnë

 

Është energjia e kulluar e kujtesës, e palcës sonë identitare e historike, është simbol i rikthimit të jetës në vlerat e saj burimore. Po qe se në botën e biznesit ato janë simbol pasurie financiare, këtu kristali shfaqet si thesar i kujtesës. Kristali vepron në errësirë e në dritë. Errësira (simbolikisht: pushtimi i gjatë), nuk mund t’ua humbë shkëlqimin as vlerën.

 

Prej korpi në korp

bredh ndër memorje

s’ njeh regjeni

ushtri as murtajë

 

Hija e dheut s’ arrin aq lart

si nami i Çetës

për treqind vjet

 

Meqë vetë Bogdani ishte personalitet historik, ai po ashtu është dhe sinonim i njeriut të urtë, udhërrëfyes, veprues, sinonim i veprimtarisë shpirtërore, i rigjenerimit dhe ringjalljeve arbërore-shqiptare. I ringjalljeve të shpirtit. Musliu i “interpreton” e  i rikëndon poetikisht shenjat bogdaniane, i përçon mesazhet e receptimit historik, e krijon portretin shpirtëror të tij, e profilizon së brendshmi, e pikëzon testamentin e tij të ekzistencës nacionale në burimet e pashtershme të forcës shpirtërore.

 

Trupin e shpirtin e pashë

në Kujtimin e kulluar

shëmbëlltyrën time që rrjedh

në atë Krua të gjallë

 

Ai është shëmbëlltyra e krijuesit si urtak e mendimtar, e mendjes së thellë, i dramatikës historike e nacionale dhe i tragjikës shpirtërore, në ndërthurje me me jetën nacionale e me të bukurën. Aty vigjilon një hiperteskt, një mbitekst poetik, i Idealit Poetik dhe i Idealit Historik me shpirt të pamposhtur që “s’ njeh regjeni/ ushtri as murtajë”. Kuptimet idealizohen me referenca të pasura asocitative, togfjalëshat poetikë thuren mbi kodet e përzgjedhura historike-spirituale-bogdaniane, shfaqen si transformime ndërtekstore. Së andejmi, ai i gjen paradigmat në historinë e qenies sonë; është një si eksplorim i mençurisë së thellë në lojën tragjike të historisë… një betejë e mendjes e zhytur tërësisht brenda jetës vetë… mendja tashmë është ai eksplorimi ynë shpirtëror për qenien kantiane të kulluar.

 

I rashë në fund mendjes

të gjej shkëlqimin që lëbyri

në Kristal

 

Nuk është e habitshme përse krijuesi eksploron, gjurmon dhe hulumton kuptimet e shenjta të kësaj përvoje, historie, qenieje… përgjithësisht të botës bashkëkohore:

 

Me mall të shtampës në zemër

me rreze të shpirtit të shenjtë

shkallëve të dijes

na u ngrit në amshim

 

Folësi lirik i çel portat e mendjes, aty i takon dhe i merr cilësitë e pranisë së shpirtrave të tillë bogdanianë, dhe prvoja e tillë na dhurohet si lexim i së shenjtës. Me këso dinamike kuptimore është thur edhe poezia e dytë “GRAVURË NË BRONZ” (Dëshmorëve të atdheut).

 

  1. Spiralja estetike

 

Edhe te ky vëllim i lexojmë jehonat e tjetërsimit bashkëkohor nga vëllimi pararendës “Në zemër të gjërave”. Po qe se lexojmë, përgjatë tërë librit, metaforat nocionore si gravurë, bronz, kristal, tel, xham, rubin, plastelinë, mëndafsh, gozhdë, purpur, siluetë, dyll, fluoroshencë, plastmas etj., (shi ciklet: INTERLUD, GJENDJE NEUTRALE, PERDJA E MËNDAFSHTË dhe SILUETË PREJ DYLLI), atëherë, kundruall thellësisë shpirtërore, kundruall bukurisë së perëndishme, na kundërqëndron një botë artificiale, botë e vyshkjes, e vënë dhe e ngushtuar brenda një kornize që vret gjakimin e shpirtit për hapje, për ëndrra, për shpresë dhe besim. Ja si kundërqëndrojnë brenda poezisë këto dy botë:

 

Po shuhet me përtesë

panorama gri

me pamje pastorale

 

Vetëm disa qirinj ndrijnë

në këtë shtëpi perëndie

me mure prej guri

 

Dhe vjen një lutje si shprehje e gjakimit të pasosur, e dëshirës së madhe, mu ashtu siç janë mistike rrugët e dashurisë. Aty ka heshtje dhe paqe:

 

se bubullimat heshtën në veshë

paqja ra prajshëm anembanë

Sado që ende bota ndahet me mure e me kufij, ti mund t’i heqësh ata kot, po qe se ngushtohen hapësirat e ekzistencës njerëzore dhe vlerat e humanizmit. Njeriu tjetërsohet nga zhvillimi teknologjik, humb ndjeshmërinë se na qenka vetvetja, humb të qenët vetja. Në këso rastesh, ti duhet të gjendesh në kërkim të drejtpeshimit të qenies së jetës sate. Nuk porosiste kot shkrimtari i madh rus, Mihail Bulgakov: “Secili hap i madh që bën njerëzimi në përparimin teknologjik, kërkon një hap proporcional në drejtim të kundërt.” E megjithatë, njeriu ende mbetet i preokupuar dhe i shqetësuar me tensionet e destruksionet e jashtme, të cilat ndikojnë në jetën e tij.

Nuk është e habitshme, përse përmasat e shqetësimit të jetës së tillë, që degradohet e degradohet, janë me amplituda më të mëdha te poetët, te artistët dhe te humanistët, që nuk i kanë në dorë ligjet. Prandaj njerëzve u duhet t’i kërkojnë t’i ndërtojnë raportet e qasjet e posaçme, personale e shoqërore, me realitetin që i rrethon.

A nuk vijnë ankimet e tilla për destruksione e sulme nga të gjitha fushat e jetës? Sikur më shumë ne na drejton Moskultura e Jetës se sa Kultura e Jetës. Moskultura, si pasojë e agresivitetit shoqëror, nuk e lejon njeriun të vë kontakt njerëzor me realitetin, nuk e lejon t’i shquajë vlerat e veta humaniste: ato përdhosen që në hapin e parë nga një realitet konfliktuoz.

Ndryshe, poeti na tërheq brenda një dialogu spiritual, brenda një hapësire të kuvendimit emocional e meditativ me artin. Mirëpo, në këso rastesh, te ne vjen thellësia e fuqia e kuptimeve përmes thënieve poetike.

Në të vërtetë, poezia na fton t’i njohim përmasat e plota të qenies sonë, ta njohim emrin e vetvetes. Meqë poezia lirike vetvetiu është shqiptim i botës së brendshme, i botës shpirtërore, atëherë edhe arti na i ofron përvojat e ngjashme me sakralen. Ndërsa aty, si kundërqëndrim i lirshëm, është profania, të vërtetat e faktografisë së zhveshur të jetës… së këndejmi, dhe poezia na tërheq kah një reflektim shpirtëror…

 

Jeta është e ëmbël

kur këndohet

përtej grilave prej kashte

 

  1. Në dalje të leximit

 

Është poeti ai që na e shqipton nevojën për të gjetur një kuptim më të thellë në raportet tona me vetveten, mikrokozmosin, si dhe në raportet me botën përreth nesh, me universin a me makrokozmosin. E kjo do të thotë që, ti ekziston përtej përvojave të së përditshmes, diku në qenësinë  e gjërave që është burim i jetës, që e mban jetën, si një margaritar të çmuar, edhe atëherë kur e estetizon tëhuajësimin, artificialitetin e botës sonë, të shëmtuarën, shprishjet e shumta që na ndodhin përreth nesh, apo kur ne kërkojmë ato lidhje të humbura me gjithçka që na ka ndodhur.

Në lirikën e Ramadan Musliut ekziston një perceptim i gjërave të jashtme (realitetit objektiv) mu në zemër të gjërave; ne e ndiejmë një masë, një normë a një ligj sekret, si një drejtpeshore e së bukurës: ne qenkemi pjesë përbërëse e  një diçkaje të madhe…

 

Shkurt 2019

 

 

 

 

 

 

 

Ramadan Mehmeti

 

 

QENIA NË VILAJETIN GRI

 

Rreth dorëshkrimit me poezi “Gjendje neutrale” të Ramadan Musliut

Lexuesit, të paktët që sot e ndjekin këtë zhanër letrar, sot ndahen në dy kategori. Të parët janë ata që poezinë e çmojnë si tingull, si bukurshkrim, si rregull metrike, domethënë si kumbim me jehonë të pandalshme të paradigmës tradicionale.Të dytët janë ata që nga poezia kanë kërkesë tjetër, duan ta ndiejnë frymën e kohës, amalgamin emocional që vjen nga koha të cilën e jeton poeti dhe mundohet ta kthejë në ekstrakt poetik. Poezia kësisoj duhet të dalë si një rezonancë e ngjarjeve dhe e dramës së kohës që ndodh, por që në vetvete duhet të përmbajë një komponentë shquese, atë të gjithëkohësisë, një përvojë që do të jetë jehonë edhe për kohë të tjera.

Vetë titulli i dorëshkrimit me poezi “Gjendje neutrale” e Ramadan Musliu duket se e sugjeron këtë modelin e dytë poetik, atë që duhet të jetë i buruar nga koha jonë. Vetë fakti se kemi një gjendje neutrale, asnjënëse, një gjendje që është vetë shemëbylltyra e kohës sonë, na bën me dije se autori arrin të kapë poetikisht dhe t’i materializojë në variacione estetike këto gjendje, këtë ndjeshmëri me ngjyrë gri, këtë ndjeshmëri që në një farë mënyre ka bërë që gjithçka të duket si një rrob e ashtuquajtur uniseks, të barazuar si gjini. Poezia e këtij libri, prandaj, çelës për lexim e ka vëtë titullin, i cili na fut në një gjendje poetike, ku gjatë leximit duhet identifikuar shkallë-shkallë,  gradacionet e ironisë, madje deri në shkallën e një parodie.

Të gjashtë njësitë ciklike: “Purgatoriumi im”, “Hija e dheut”,  “Interlud”, “Gjendje neutrale”, “Perdja e mëndafshtë” dhe “Siluetë prej dylli”, janë pamjet suksesive të kësaj katandie të qenies, e cila e ka humbur identitetin e vet dhe është shkrirë me mjedisin, i cili është larguar nga natyra deri në atë masë sa ka marrë një ngjyrë asnjënëse, atë të hirit. Njeriu, i rrethuar nga gjërat e jetës së përditshme, është bërë viktimë pikërisht i këtyre  gjërave.

Në këtë mes është vetëm një cikël poetik, “Interlud”, që është një si lojë brenda këtij mjedisi të tjetërsuar e që në thelb përmban modelin e këngëtimit të paradigmës tradicionale, me ritëm të rregullt, rimarium e ndjeshmëri paksa romantike. Ky cikël vjen si një shkundje  apo edhe si jehonë e një gjendjeje të dikurshme, ku njeriu ka qenë më afër natyrës dhe, merret vesh, me një fytyrë të identifikueshme e që i ka  të gjitha ngjyrat (emocionale) që janë të varura nga vetë koloriti i mjedisit.

Ciklet e tjera, gjithashtu edhe ai që na kthen në historinë e kujtesës kulturore dhe historike, “Hija e dheut” , përfshijnë poezitë që janë si një kjasinë emocionale e plagëve të kohës në shpirtin e qenies, që është viktimë e mjedisit të tjetërsuar, ku dominojnë objektet e kohës së re, plastika, hekuri, tymi, dylli, etj., si një leksik që është në frekuentim tepër të shpeshtë si pasojë e jetës që bëhet sot në përditshmërinë e teknologjizuar.

Nëse libri i tij pararendës, “Në zemrën e gjërave” ka qenë mbyllje e qenies brenda gjërave, poezitë e reja sjellin qenien e mbuluar nga hijet e gjarave dhe  silutetat e muzgut që ka rënë në këtë botë të alienuar. Kështu kjo poezi duket se është një kapje e këtij muzgu të qenies, ku realiteti është bërë gri, ku hija e hirit dhe e djegies së brendshme ka bërë që qenia të jetë e mbyllur brenda një gjendjeje neutrale.

Të gjitha këto gjendje poetike në këtë poezi arrihen të artikulohen me një leksik që është vjelë nga përditshmëria, duke qenë se vetëm ai vokabular arrin të kapë valencat kuptimore që bartin emrat e sendeve dhe dukurive me të cilat është rrethuar qenia njerëzore.

Pra, fjala është për një poezi të kohës dhe për kohën që artikulohet në mënyrë origjinale, gjë që mund të shihet edhe nga kontinuiteti i librave të tij pararendës të këtij autori.

 

 

***************************************************************

Ramadan MEHMETI

 

TEHU I HISTORISË

 

 

(Proza poetike)

 

 

AKULL NË TRU

 

 

Më kanë ngarkuar me peshën e një barre të padurueshme, të cilën as e sheh, as e ndien kush.

Thonë se paskam mëkatuar, se me ditë të tëra paskam dashur të orientohem humbëtirës përmes yllit tim.

Mandej, disi paskam ikur nga vetja e, lidhur me zinxhir prej kashte, paskam bekuar çdo mëkat që mund të shkruhet në pentagramin e shpirtit të zemrës.

Kam lavdëruar, apo jo përbuzjen e së përditshmes sonë të hallakatur, që na është bërë si halë në trurin tonë të vogël.

Edhe ky shesh me gurë, pa njerëz të devotshëm, është peizazh i pushtimit tonë nga vetvetja.

Në ferrin tim nuk ka vend për ferre të tjera, madje nuk e ndiej as mungesën e parajsës, sepse ajo do të tallej me mëshirë prej xhelati e me përbuzjen e së përkryerës tek ai njeriu i harruar, që kaherë është dukur në stërkalat, që sikur janë duke na u bërë akull në zemër e në  tru?

 

 

 

 

PLAGËT E MOTIT

TË PASHËRUESHËM

 

 

Lakoj emrin tim nëpër rasa e nuk kaloj dot provimin e pjekurisë. Mas emrin e mbiemrin me fjalët e humbura të motit.

Duke kërkuar Motin e Pashërueshëm luginave të lotëve e përrallave të jetuara, shndërrohem në ajër e mbetem plotësisht i humbur.

Askund nuk më del baraspesha e asaj bote mbushur etje, shpresa e mashtrim. Me sy të përlotur ballafaqohem me murin e pakalueshëm, Ndiej dhembjen e emrit të përtypur me atë dhëmbin e vetëm në gojën e mplakur të historisë.

Ec e ec e ec për të mos e ndier ndrydhjen e shpirtit e ftohtësinë rënduese. Nuk di si ta ndal dëshpërimin tek ngjitet kurrizit tim, derisa çakejtë m’i hanë edhe opingat e grisura. Më spërkasin në çdo hap me pështymën e tyre të pështirë e ma humbin kohën për ecje rrugëve që premtojnë.

Duan të mos kemi mundësi as të pastrojmë oborrin e fatit, i cili me shekuj ka mbetur i lënë pas dore.

 

 

 

O ZOT, MUND TË MOS KESH 

KOHË  PËR FALJE

 

 

Kurrkushi më thërret të shkojmë në kurrkund. Duke qeshur më thotë se mund të ulem në stom të durimit dhe për shtatëdhjetë e shtatë vjet të kërkoj ditën pa dritë. Nuk shoh gjë në atë asgjë dhe nga maja e strumbullarit bërtas:

O, kush më ka robëruar pllajën e mendjes?!

Kush nuk ka si të më japë përgjigje për pyetjen time, ku njeriun nuk e gjen as për be.

Mund edhe ta pyesësh nga je nisur, më vjen zëri i kurrkushit, por kurrkundi është gjithkund. Andaj vazhdo e ec rrugës deri te dhembja, po mos lëngo, se të vrasin ëndrrat. Mund ta marrësh edhe përgjigjen që me miliona vjet është duke u djegur vullkaneve të gjakut njerëzor, si mëkatarët e përjetshëm, në ditën e diel.

O Zot, sa shumë mëkatarë, sa shumë mëkatarë për t’ua falur mëkatet! Mund të mos kesh kohë për falje…

Askujt, madje as kurrkushit, nuk i bëhet vonë që pllaja e mendjes sime po digjet e kurrkundi po zgjerohet në asgjë.

 

 

 

 

 

ZANA E MALIT

NË FILL TË LAHUTËS

 

 

Është lodhur tejvdekjes lahutari, e në fill të lahutës harkohet shpirti i tij, tek dëgjohet një gjëmë burri, duke vajtuar fatin e motrës së Avdisë, për të mos dalë as dushku e bari, për të mos vallëzuar as Zana e Malit.

Ju udhëtarë të vonuar, keni marrë vajin në buzë e jeni shtrirë në tavernën e pikëllimit, ngritur keni ato pak kupa të mbushura deri në fund, për ta pirë edhe fatin e ndrydhur me dhëmbë, kur edhe gota mund të pëlcasë nga mërzia…

Në këtë natë të vonshme drithëroni, vetëm heshtja po e ha vetveten, e lumturia e mjerë po i jepet ujkut, pa frymën e lahutarit.

Lahuta po e gjëmon dhembjen e saj.

Vonë është për të qarë e për të vajtuar, janë edhe shumë rrugë të gjata për të bërë, deri te rruga nga shkon e nuk kthehesh, sepse hedh veten në do themele të gurta e ngjitesh në do flamuj valëvitës, ku përjetësia flet e flet me gjuhën e heshtjes.

 

 

 

I PLAGOSURI PA PLAGË

 

 

E zeza i erdhi me ëndrrën që nuk e pa, me vajin që nuk e vajtoi, me shkumën që nuk shkumoi dhe vrarëlia nuk i dhembi, sa gazi i atyre buzëve që e shikonin me qesëndi.

Shkurt fjala, ai ishte i plagosur, e plagë kund nuk kishte, ai ishte i mallkuar, e kush nëmur nuk e kishte, së paku jo me zë; ai ishte njeri me dukje, e panjeri në brendi.

Ai ishte e nuk ishte.

Asnjëherë nuk e kishte pohuar ose mohuar qenien, e nuk kishte folur as për mosqenien. Nuk i kishin thënë as të tjerët se nuk e donin e kush afër kurrë nuk i kishte qëndruar.

Ndoshta pse ai ishte lindur ogurzi, mendonte si ogurzi e tashmë kishte vendosur që edhe të vdiste si ogurzi.

Mjerë për të e për rrënjën e tij!

 

 

 

 

 

 

ËNDËRRA E NATËS

 

 

Çdo natë flas me rrugët, me sheshet. Flas me vështirësi të paparë, ashtu në heshtje. Me zë të ulët lutem për veten time, për ty, lutem dhe për këdo që më vete në mendje. Mundohem të jem në unison me ligjet fizike, të mos krijoj reaksion ndaj vuajtjes, sepse kjo do të ishte e tmerrshme.

Pastaj, për të mos më dëgjuar ora me tingëllimën e saj dhe për të mos më tërhequr vërejtjen se po nuk i kuptova, edhe në këtë kohë, si po vajnë gjërat, të mos ndodhë kjo e të jetë një ditë e ogurit të zezë e harresës.

Nuk dua të jetë një ngatërrim i ditës së re me natën e re…

Mendimin për këtë natë, e cila qëkur ka vdekur në qenien time, po, e mikloj, në kuptimin e punës së mundimshme që bëj, duke ia rrënuar dheun nën këmbë dhe, prandaj, si nëna fëmijën e posalindur, shteroj shpirtin e më vijnë dhe më shumë fuqi.

Mendoj mëkimin e fëmijës, ndërsa shoh kodrën e lartë, e cila vazhdon të afrohet pranë dritareve të mia. Sytë e saj, ngjitur për dritare, më tmerrojnë.

Nuk e dua verbërinë dhe heshtjen që këto nuk shihen mirë ose nuk shihen akoma fare.

 

 

 

 

 

TE MOÇALET E VJETRA

 

 

Te Moçalet e Vjetra mungon lashtësia. Kthehet në kohë një njeri i afërt me jetët tona të egra, që lodruan fushave të mbjella me lulediellin e pikëlluar të një kohe shtrigë. E koha nuk më përkrahu as për histori, as për tragjedi.

Unë përsëri vrapova me gjokun e azdisur e me mërinë për zinë e madhe, që nuk na iku nga vatrat, as kur akulli mbulonte shtrojat prej kashte. Diku kërkonim shpëtim. Shikimi i kësaj ure të moçme sikur na lidhte me botën e më nuk na trembte heshtja e shekujve të rrethuar me pakohë.

Ndoshta për këtë munguaka ajo dashuri për njeriun e ikur nga shpina e kalit të bardhë, që po e rrënuaka urën nga poshtë.

Dashuria për atë urë më bën të jem përgjithmonë brenda kështjellës sime të brejtur nga vitet, ku vjeshta çmendurisht shkund gjethet e njoma nga pema…

 

 

 

 

 

HESHTJA E VDEKSHME

 

 

Një zë i panjohur këlthiti: zgjohuni, po djegin Ilirinë! Shkrumbi mbulon botën tënde dhe e kupton se nuk ka pikë kuptimi të njohësh botët e tjera.

Del e ulërin si ujk i plagosur.

Mandej e merr vrapin.

Asaj rruge nuk i shkon heshtja, as ajo mangësi e erës së ftohtë. Në mend ke zjarrin tek djeg fëmijë e pleq, tek shuan zemra të dashuruara. Mbase janë lotët që djegin e dhembin padurueshëm.

E ti nuk je në atë kohë.

As nuk je në kohën e sotme.

Provon të frymëzohesh për jetë, kur të ndalin edhe ajrin.

Kot merr rrugë të gjata, pasi heshtja e vdekshme të shtohet rendjeve e shpresës, për të shpëtuar, për të arritur diku.

Nga lodhja e pikëllimi vajton brendia jote e kthyer në diçka pa emër, ku vallëzojnë shtriga e ku këndohet lavdia e atyre që ndihen heronj, sepse të vranë.

Mbyll sytë e ndien se te ti është kthyer e padurueshmja, pafuqia për t’u ballafaquar me fuqinë e tyre kafshërore.

Vazhdon të shkosh diku mes heshtjes e lodhjes, pa të bërë më përshtypje emri që do të kesh analeve. Tashmë je një me kujtimin, vetëm me harresën ke luftë.

 

 

 

 

 

VRASËSIT E ETUR

 

 

Vijnë e shkojnë kujtimet e takimeve, duke u endur kopshteve të mallëngjyera, kurse vrasësit e etur edhe më shumë shpejtojnë të kthehen te vendi i krimit.

Kështu më tha thika e ngulur në gjoksin tim të pafajshëm, derisa mundohesha ta ndalja atë dorë që po priste fytin e po kafshonte zemrën, andaj isha gati i ndjerë.

Ç’mallëngjim i trishtuar do të vinte pas meje, kur të më shtronin arkivolin e ftohtë, mendova tek po hyja në kopshtin e harruar, ku ditët thyheshin në mesditë e netët vdisnin në muzg.

Mbi hijen e trishtimit po merrnin banjë dielli ëndrrat mallëngjyese të shpirtit të vetmuar.Tani asgjë më s’kishte mbetur nga shpresa e shpëtimit, derisa mallëngjimi hante copën e vet të trishtimit.

 

 

 

 

KANIBALËT E ZGJUAR

 

 

Të kërkosh njeriun me qiri në dorë e në pikë të ditës, qenka si të kërkosh një gjilpërë të humbur në pyll e si një pikë uji të derdhur në liqen.

Lodhesh duke e kuptuar se sa vështirë qenka ta gjesh veten në tufën njerëzore e le më të tjerë.

Nisesh pa ecur e ecën pa u nisur në rrugët e mjegullta të mendjes, duke e ditur se më nuk ka mbetur asgjë në grushtet e guximit tënd të pashprehur. Me dhembje e kupton se ka arritur ora kur as dora e djathtë nuk i beson së majtës.

Tashmë e di se kanibalët janë zgjuar nga varret e kohës së akullnajave dhe hanë mishin e vet në sofër.

Si duket, parajsa është mbushur me aktorë të rremë të besimit dhe ferri vajton fatin e vet për të nesërmen.

 

 

 

 

 

 

RRËSHQITJA E HISTORISË

 

 

Edhe aty ku duhej të merreshin vendimet e urtarëve, historia po rrëshqiste nën sytë e lahutarëve të verbër, kurse majat e bjeshkëve po rëndoheshin nga bora që me kohë bëhej akull. Rrethi i acartë shtrëngohej, e dhembja rritej në pritje të ditës së re.

Shpirti përpëlitej si një dallgë e blertë magjike, kur e kërkuara po e shtynte të rrëshqiste mbi syprinën e ngrirë të asaj feste mortore. Malli po endej rrëmbyeshëm dhe po i merrte të gjitha stinët, për të rrëfyer kohën e mjerë që po rrëzohej humbëtirës.

Me besimin e plotë në zemër, shtoheshin pritjet e gjata të jetës parajsore, e në atë sofër mortore po thuheshin lutjet e pakuptueshme në një gjuhë belbëzimesh, si kërkesë për ta harruar përgjithmonë vuajtjen e dhembjen shpirtërore. Në dritën e mëngjesit të hershëm të asaj feste të shfrenuar, fati dhe mëkati u bashkuan duke ecur nëpër rrugën e harruar qëkur.

 

 

 

 

TRYEZA E MISHTARIT

 

 

Jemi shtruar në tryezën e mishtarit, po piqemi në hellin e padukshëm e po përvëlohemi dhembjesh nëpër terrin që nuk e shohim.

Po cakërrohen gotat e po na e pinë edhe pikën e fundit të ndjenjës së mbetur gjallë.

Po mundohen të na e kafshojnë edhe pulsimin e zemrës e të na lënë pa indin e lidhjes me botën e njerëzve, duke u munduar të na bindin se kafshëria e tyre është vlera e vetme e kësaj që quhet jetë e ardhmëri.

Po na e grimcojnë edhe identitetin, të na e marrin, ndërrojnë e shesin edhe shpirtin e përvuajtur e të vdesim duke na parë të tjerët, ashtu, hije, pa asnjë kuptim.

Gjymtyrët janë mpirë nga ankthi i thikës mbi qafë, e nën ne po rrjedhin rrëkeve të purpurta, që sikur dalin nga damarët e stërngopur me etjen e tyre satanike, përderisa kemi lejuar të jemi pre e ujqërve të malit.

Vajtojmë pse nuk jemi bërë si një lis i vetmuar me degë shumë, për t’u tundur nëpër erërat e tërbuara të kohës e për të mos e njohur rrëzimin.

Ndoshta jemi ngutur diku e engjëjt e rrugëve të gjata më nuk na e kanë besën.

Çka mund të pritet nga kafshët e natës, që s’më njohin gëzimin, nga ata që as dëshpërimin e as ngadhënjimin nuk i ruajtën për vete?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

************************************************************************

 

Jasmir MORINA

Jasmir Morina lindi në Kamenicë (Kosovë) më 29 gusht 1978.

Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, kurse studimet për Inxhinieri i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2008, Jasmir Morina ka marrë titullin Master i Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.

Jasmir Morina është prozator, poet, piktor dhe eseist.

Me krijimtari letrare ka filluar të merret nga viti 1994.

 

Deri më tani ka botuar këta libra:

 

  1. Bota e zjarrit, Rozafa, Prishtinë, 2016
  2. Hëna nuk gënjen, Rozafa, Prishtinë, 2017
  3. Hani i zbrazët, Rozafa, Prishtinë, 2017
  4. Antihistori, Rozafa, Prishtinë, 2018

Kjo është vepra e tij e pestë.

 

 

 

 

 

 

PLASJE BLU

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DRU I JETËS

 

 

Hardhi e egër, natës (s)i dua krisjet

Si në dru të vjetër mbuluar me myshk

Bota zë e mplaket me ngadalë

Po mëkatet mbesin që të gjitha

Nën brishtësinë e quajtur fjalë

 

Hardhi e egër, natës i dua hënë të besimit

Si në dru të vjetër mbuluar me myshk

Krishtin do gozhdoj ende yni mëkat

Nën torturat çnjerëzore gjë pa u parë

Nga ne mizorisht tradhëtuar

 

Hardhi e egër, kudo ku jam, të dua ty

Si në dru të vjetër mbuluar me myshk

Ç’soj jete nga brenda brejnë djallëzitë

Palosur e shqyer deri në plandosje

Si sharrë e mprehtë e druvarit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

TELLALLËT

 

 

Këtu tellallët kacavirren, si ballamarë në porte

Dhe mbajnë tellallët këtu ca duar të gjata

Të mbledhin, ku nuk shihet, sy të të përgjumurve

Veshë të të vdekurve

Supe të mëngjër, këmbë të djathta…

Fronet e vjetra të sundojnë

Të paduruarit e rinj

Fronet e reja të nënshtrojnë

Viktimat e vjetra

Këtu tellallët janë fisnikë

Me trupin karrike

Nuk e di kujt i besohet një fat,

Po u mblodh

Me lopatë, mistri

Dhe u ngjesh në trup të kujtdo

Jeta qenka një thes i madh

Si një kor për muzikë

I mbajtur mirë me priftërinj

Nën uniformë biologjike

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

USHTAR

 

 

Kur do hysh në pyllin e dendur

Me degët e shtrira, kudo si fjalë

Ushtar

 

Mos u frikëso, rrugën pashë, thuaj,

Tutje tret, kthim universi, si dëfton

S’gjen dot

 

Edhe në baltën e arave qullur

Kur të hysh, jo stepje, po ec

Koha vret

 

Trishtimi, s’të përket ky risk

Ushtar i fundit, tillë shiqipeje tokë

Plisi të rri mbi kokë

 

E nëse të përgojojnë me fjalë, me dorë

Hovin mbaj, për stoli të shumta

Ke mendjen ti

 

Furtunë e jetës të shpie në përrua

Atje lisi i bregut, bukë triumfi

Ushtar, kurorë mbi vend

 

 

 

 

 

KUSH MË SJELL GAZ

 

 

Përse nuk mbajnë ngjyrën blu

Kënetat e mëkatit

Përse nuk mbajnë ngjyrën kuq

Sytë e mëkatarit

Përse nuk mbanë ngjyrën bardhë

Truri i xhandarit

Përse nuk mbajnë ngjyrën zi

Poetët e oborrit

 

Mos, o perëndi këtu të lulëzojë veç vdekja

Në mijëra ngjyra të bukura e më të bukura

 

VEGIM

 

 

Ëndrrat përfundojnë në çast

Kur pas gjumi hapim sytë

Me djersën e fohtë në natë

Nga soj trishtimi vegullues

 

Mendimet vijnë palë-palë

Zënë e mbushin çdo qelulë

Të trurit tim lodhur paksa

E këmbët heqin zvarrë.

 

Peshë e tyre, pa habi rëndon

Mbi trupin ca dhe të kërrusur

Si zor duron brishtësi e tij

Peshë që dridh terezinë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VALË KOHE

 

 

Nën këndin e ngushtë të ngjarjeve

Aty ku ndërhynë gjithkush që has

Yni projeksion i jetës është

Në katër kuadratet e mundshme

 

Në rrethin magjik të krijuar

Vrapojmë si kuaj zbutur nga barra

E në ëndrrë prapë këkrojmë dalje

Që pa dyshim e pikasim tutje

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MBRESË

 

 

Të moçme kureshtjet, sytë plot jetë

Në pamje pikasur, apo nuk thura

Shqetësimin tutje pse ma flake,

Natës së humbur, çkopsitur ëndrra

 

Cili piktor më shqepi tërë gjumin

E fjongëza të bardha s’më la rrëmeti

Derisa hapat e mi po të arrinin

Derisa duart më zurën shkumë deti

 

Ki kujdes, s’qëndron mënjanë

Asgjë në fusha e qafa mali

E gjatë rruga gjer në pakthim

Vjollca, drita… gjë nuk shmangim

 

 

 

 

 

 

 

 

FYELLI

 

 

Zëri im si nga erë me fërfëllim

Këngën më të gjatë agut nxjerr

 

Në shtrat zemre, si kor, mbështeta

Trupin tërë thirrje zjarr palosa

 

Për atë që iku, tashmë tretur

Lotin vara në krah dallëndysheje

Porsi rreze, lart-lart, shpëtim jete

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ÇUNI DHE BUSTI

 

 

Ҁuni ballë busti zë e vëzhgon

Me kujdes, ballin, syrin, hundën e tij

“Si të miat” , thotë me habi ca

E në shtëpi nënën kërkon me vrap

 

“Nënë, busti në shesh qyteti në mua ngjanë

Di kush është apo emrin si e ka?”

E gjora nënë, në çast mendoi, u hodh e tha

-Yt atë është, bir, po, ta them, forcë s’kam

 

Tërhoqi fëmijën ëmbël, me sa mallë

Do ia thotë të tërën, sapo të lëshojë shtat.

Ndërrimi i kohëve ka çmimin e lartë

Nga punë e zemra të mëdha vete larg

 

 

 

 

 

 

 

KËSHTU DETIN NUK DUA TË SHIKOJ!

 

 

Nuk dua ta shikoj detin, kur shoh të flenë

Vashat në plazh, djemtë rërës kot luajnë

 

Më mirë pulëbardhat që fluturojnë lart

Dhe gruri që piqet rradhë-rradhë

 

Më mirë të mos i shoh zhelet e vetmuara

Kur valët blu rrëmbimthi marrin sytë e mi

Dhe në anë të anës fluturim bartin

 

 

 

 

 

 

 

MESHË

 

 

Kudo takon pjesë toke

Si të grirë nga jashtëtokësorë

Lule të mbetura përgjysmë në lulëzim,

Pemë gjysmë të thara

Buste të glasuar

Me shkronja, numra të ngrënë

Një lojë – tmerr e shtrenjtë dhe lojtarë

Sikur luftojnë, humbin, fitojnë

Tërë kohën nëpër rrugë

Mbledhje e festa

Të shndërruara në kuzhina të rëndomta

Të shndërruara në tufë

Pantallonash e fustanash

Ah, seç mesha

 

 

KUDO QË SHKOJ

 

 

Këmbëzbathur tret rrugëve pa skaj

Dheun e shkrifët kap ngado tokës time

 

Ec përmbri varresh të gjyshër-stërgjyrshërve

Si lule zjarr i mbaj në gji e diçka më shtyp

Dhe krah më jep njëkohësisht

 

Lakuriq notoj, dhemb gjaku i të parëve

Të tjerëve dhe moshatarëve të mi

 

Notoj, dhemb gjaku i tyre, tashmë i tharë

Pluhurit harlisës të kaq harrese

 

Shpesh kureshtja qark më vret nga pak

Ta gris, copë, plafin e bardhë të shpirtit

E futem brenda, gërmoj gjatë, sa gjatë

Si dhelpër e uritur, mallin plak kapërdij

E nis të ulurij mbi Tomor, ujk i vetmuar

 

Këmbëzbathur tret rrugëve pa skaj

Dheun e shkrifët kap ngado tokës time

 

Ec bri përmbri varresh të gjyshër-stërgjyshërve

E këmbët, uroj, t’më jipen përpara tutje, tutje

 

 

 

 

BRENDA ZJARRI

 

 

Vullnet i hyjve mbjell e korr ngjyra, zëra

Tokash e njerëzish për këta filma…

Rëra që djeg me turfullim të shkretëtirës

Pikë mbi të ujë, volia ju vjen

Të zinjve të dritës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

TI, BLERIM I BUNGUT

 

 

Nata i ka vënë shenjën blerimi të bungut

Të mos mbetet dru i fortë tutje në këmbë

Po kësaj jete i erdhi në ndihmë gjithmonë

Toka kuq larë, shtëpitë rrënuar, dielli i madh

Nuk do të mbetet kurrë, drita pa triumfuar

Kurrë, log lulesh me erë malli sheshit pa dalur

Bënë nxehtë a ngrinë acar

Mrekulli, kur zhduken pamjet, si bisha me krah

Të fushave humbur në flakë

Mrekulli, kur vdesin plumbat e ata litarë

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here