Mark Simon: Një zonjë e fisme ecën serbes, ese

 

(Shënime rret librit me proza poetike “Ngjyrën e zezë nuk e deshta” të shkrimtares Sete Juniku Dula, Botim i Shtëpisë Botuese MUZGU)

 

Një grua zonjë dhe e fisme ecën serbes, mes për mes bulevardit virtual të letërsisë. Ka hedhur në krah një çantë me plot dhjetë libra që ajo ka shkruar gjatë gjithë këtyre viteve. Dhe aty ka  vetëm nga një kopje prej këtyre librave, mbasi kopjet e tjerë kanë mbaruar, janë  marrë dhe kanë mbërritur te lexuesit, që ia duan aq shumë  krijimtarinë kësaj shkrimtareje me kapele të zezë, të quajtur Sadete Juniku Dula.

Ndër ato libra, njërit nuk i është tharë akoma as boja e shtypit, dhe është vepra e saj më e re, më e fundit: “Ngjyrën e zezë nuk e deshta”, me proza poetike shumë të veçanta, interesante, shkruar me kujdes, nostalgji dhe dashuri së bashku, me një zemër të butë, që drithëron herë për njerëzit që s’janë më, herë ështëe përmalluar për vendet dhe viset që ka shkelur, diku e ngre zërin për problemet, shqetësimet dhe hallet që ka shoqëria, apo diku tjetër, në shkrimet e saj fine, të brishta dhe delikate përshpërit me një zë të ëmbël dhe të butë për njërëzit që ka pranë dhe që aq shumë kjo grua fisnike i do.

Sadete Juniku Dula është si ato pemët e mëdhaja dhe rezistente, mbi të cilat kanë kaluar suferina dhe shqota, furtuna dhe dimra, erëra dhe rrebeshe, por dhe pranvera të bukura dhe lulëzime të hareshme, gjeshe të harlisura dhe këngë bilbilash mbi degët e saj. Dhe ashtu si pemët e mëdhaja të pyllit, që kanë brenda trungut të tyre rrathët, që tregojnë vitet dhe historitë, ashtu dhe kjo prozatore interesante është e mbushur plot kujtime, ngjarje, histori, përsonazhe, detaje, ndodhi, dhe që e bëjnë këtë Autore një ditar të gjallë që duhet shfletuar përditë, ngaqë prej saj ke se çfarë të mësosh vazhdimisht.

Ka në ato rradhë libri mbrëmjet e vallëzimit, është Drita Bakija, lagjia në Gjakovë, vëllezër e motra, programe recitimi dhe fiskulture, Qemal Juniku, Esat Valla, Sadete Kupa, Sadete Juniku. Eshtë aty dhe Torta e Tinës, Albana nga Prizreni, Nora nga Gjakova.

Njw vend tw veccantë kujtimesh zenë dhe motra e Sadetes, Gjylymsere Juniku Xharra si dhe motra e ndjerë e Fadilit, Atifete Dula, (të dyja këto vajza për katër vite studiuan dhe jetuan në familjen e Fadilit dhe Sadetes). Ndjehet ankthi i viteve “Sa shpejt kalojnë vitet” dhe “Yjet vallëzojnë si fëmijët në lojë”. Kujton zërin e ëmbël të Mukadezit, Fitnete Rexhës, Tingujt e Besa Arllatit, Gongje Caushit, Mandushi, Muhamedija, Remzija, Dushi i Rokes, etj.

Sadete Juniku Dula kujton me nostalgji të ëmbël për vendet e dikurshme, rrugët, shtëpitë, natyrën, që duken përherë më të bukura nëpër kujtime se sa në realitet. Kjo Autore ka mall për vendlindjen, që i vjen si një një thirrje e brendshme, për tu kthyer dhe një herë aty ku e filloj jetën,  Gjithë prozat me këtë profil malli  shquhen me dëshirën për të gjetur rrënjët, ndjesia se ajo vazhdon të jetë pjesë e atij vendi, e gjuhës dhe e zakoneve, si dhe e njerëzve të atjeshëm.

Janë atje dhe Ulqini, Prizreni, “Endërr apo e vërtetë” (tri Kalatë), Fishta, Prizreni, Gjakova, Prishtina. Diku shquhet dhe proza “Vendlindja”, ku Autorja afrohet te piktura e Gjakovës, apo diku, e shkruar me shumë emocion për përngjasimin e famshëm mes Lumit Krena dhe Lumit Sena. Pak më tutje shkruan pastaj për Tiranën, foto që  i dërgoi shkrimtares dhe dy pika loti.

Në këto proza të mrekullueshme dhe tronditëse njëkohësisht vihet re një dashuri e thjeshtë dhe e thellë, e qëndrueshme, një trishtim se ai vend nuk është më si dikur. Në librin e ri të Sadetes ndjehet idealizmi i kujtimeve, vendet e së kaluarës marrin një dritë poetike, bëhen më të bukura dhe më të pastra në kujtesë. Kujtimi i vendlindjes dhe vendeve të tjera që ka shkelur Sadete Juniku Dula, na krijojnë një qetësi ngushëllimi dhe stabiliteti apo dhe dëshirë për rikthim në ato vende dhe vise.

Gjithë këtë emocion Autorja e përmbledh dhe në prozën “Dallëndyshja”, e cila e  merr  lulen me sqepin e bukur, dhe shkrimtarja jonë e pyet këtë dallëndyshe se “Ku po shkon?” Një pyetje që i ka ardhur natyrshëm edhe poetit të madh Filip Shirokës, para njëqind vitesh kur Ai e nisi dallëndyshen për në vendlindje e tij. Eshtë dhimbje dhe mall i madh vendlindja në ndërgjegjen emocionale të shkrimtarëve. 

Nëpër libër, në këtë ditar të mrekullueshëm me proza poetike, dallohet tej përtej malli i mungesës për ato që s’janë më, të shkruara me një farë ndjenjë boshlleku për ata që ka humbur, dëshirën për t’i patur përsëri, dhimbje dhe trishtim,

Sadete Dula ka një ndjeshmëri të jashtëzakonshme. Shpirti i saj fërgëllon si shelgu mbi ujë, kur kujton njerëzit që kanë ikur dhe kanë lënë aq mall dhe fisnikri mbi tokë.

Fadili (“Kur foto flet”) është kryefjala e dhimbjes së saj. E madhe mungesa e tij përjetim i humbjes shpesh i qetë por i thellë, nostalgjik, dhe rikthim i kujtimeve të bukura, momente të përbashkëta që marrin një dritë më të butë në kujtesë,  dashuri të përjetshme, që vazhdojnë me kujtimet dhe mbajtjen në shpirt, vetmi, ku shquhet  ndjesia e mbetjes pa të e një njeriu që e ke pasë pjesë të rëndësishme të jetës, dhe mirenjohje për të. Kjo autore ka një kolanë kujtimesh dhe dhimbjesh dhe për të tjerë të afërt, ka falenderim për ato që s’janë më, është plot me mendime për jetën dhe fatin, qetësi dhe reflektim mbi atë kohë, kur ato ishin gjallë.

Ka kujtime për Ramë Smajlaj, Bajrushin dhe Mendushen, Daja Adem Bishtazhinin, Masarin, Motrën e madhe Kimeten, Bakriu i Qarshisë së Vogël, mungesa e Fadilit dhe përqafimi i Tinës, Besi që thoshte se “Isha halla më demokrate”. Diku shëndrit me dhimbje të zezë vargu “Dhe Odisea 20 vjet pa Penelopën”

Mbi gjithë këto proza kaq të ndjeshme për këto humbje të mëdha,  shkrimtarja Sadete Juniku Dula na sjell dhe tekstin “Flutura gri”, (Se më shkon mendja tek ti). Kjo flutur që sillet në ajër si shpirt i dikujt që nuk është më në jetë, por që vjen herë pas here ndër të gjallët.

Sadete Juniku Dula shquhet për butësi dhe përkdhelje shpirtrore, ndjenja të ngrohta, siguri ku ka një strehë familje ku njeriu kthehet, përkatësi, ndjesia se i përket dikuj, besim, mbështejet, ideja dhe ndjesia e njerëzve të dashur që janë përherë pranë, përrreth, në çdo rrethanë, gëzim dhe vështirësi, sakrificat dhe përkushtimet, dashuri që e jep pa llogari, shpesh pa u shprehur me fjalë të mëdha, mirënjohje, për kujdesin, kujtimet dhe dashurinë e marrë për shumë vite, gëzime të thjeshta që vijnë nga gjërat e vogla, një bisedë, një tavolinë, një kujtim, mall (kur janë larg apo mungojnë), një ndjesi që lidh dashurinë me kujtimin dhe mungesën. Përsonazhe që ia kanë mbushur jetën me të mira, ngrohtësi dhe dashuri Autores, ka kudo nëpër libër. Fatbardha, (“Dhurata”), Gjyshja dhe mbesa Diara, (“Largësinë nuk e desha kurrë”), Shahin Dula dhe libri i 8-të, Burimi dhe Vetoni, “Sa shumë presim nga ti Rea jonë”, “Diara studente që na gëzon”, të gjithë fëmijët.

Janë gjithë ato njerëz që, si një ansambël mirësie e duan Sadete Juniku Dulën, po aq sa dhe kjo i don dhe vlerëson, madje dhe duke shkruar për to dhe duke i përjetësuar nëpër faqet e librave të bukur të saj.

Dhjetë librat e kësaj autoreje, përveç se janë një kontribut i vyer për letërsinë e prozës poetike, mbi të gjitha janë një kolanë e letërsisë memuaristike, një muze kujtimesh, një panteon me emra të familjes Dula dhe akoma më gjërë, të gjithë të bekuar dhe të nderuar.