REXHEP POLISI: FLLAD PRANVERE, POEZI

 

 

DIELL I ÇORODITUR

 

Ky diell i çoroditur,

M’i grisi mendimet e më degëdisi larg…

Dikur rrezet e tij ngrohnin qënien time

Edhe pse i rrethuar nga akullnaja…

 

Deti që më përkëdhelte me dallgë

Tani gulçon fjalë të pakuptimta;

Deri në deje e ndjej tërbimin e tij

Dhe toka po më çahet nga hidhërimi…

 

LIQENI

 

Malli paska ngjyrën e pritjes,

Ngjyrën e pritjes në përqafim,

Shtrënguar duarsh buzë liqenit.

Aty valëvitet shpirti im…

 

Edhe pritja qënka e bukur,

Ashtu si dielli në perëndim.

Petalet e bardha çel zambaku

Liqeni valëvitet në përqafim…

 

KOHË E PA KOHË…

 

Më mbyti kjo kohë e pa kohë,

Ky shi që bie me ngashërim,

Mendime të lagura vërtiten

Në qiellin pa ngjyrë,

Ndërsa ajri mpikset në fytyrë.

Dy të moshuar

Rrufisin dhembjen

Në filxhanin e kafesë,

Rrethuar me gulçe gangësterësh.

Qelqi i avullt

Pasqyron portretin tim,

Ndërsa në tokën e lagësht

Dielli mezi mbushet me frymë…

As malet e lartë

Nuk paskan shpëtim

Nga ky rrethim…

  1. 5. 2023

 

UJVARË

 

Si ujvarë vjen

Në ëndrrat e mia,

Më flet për netët e gjata,

Për lumin që avullon

Mbi trupat tanë…

Pastaj me gjeste

Më tregon mëngjeset,

Ditët që marrin frymë

Në buzët e saj qershi

Dhe si vullkan

Në damarët e jetës

Shpërthen pasioni.

Më flet për trillet e saj

Që s’njohin limit…

Unë shoh si shformohet

Nata në agim,

Teksa ajo ikën si harrim.

Dal në rrugë dhe

E kërkoj

Në rrezet e diellit verbues.

Eci kuturu,

Përplasem me njerëz

Që mbi shpinë mbajnë

Rruzullin robërues,

Ndërsa Bota rënkon

Nën ritmin akrepave të orës…

 

FLLAD PRANVERE

 

Si fllad pranvere përkundet dëshira.

Një rrugë e gjatë më nis për te ti.

Rend pasioni në viset e pashkelura,

Rend, por nuk arritka dot në Veri…

 

Si fllad pranvere ike prej meje

Një ditë dimri. Ike në Veri.

Erërat frynin në të miat deje,

Prej qiellit tim nisi të bjerë shi…

 

Si fllad pranvere në qenien time

Erdhe dhe ike ditës me shi…

Unë, ndrydhur në gjëmime,

Pres agun që të më vijë…

 

NËNË

 

Malli për ty

Shkriu dëborën,

Pritja po më rrudh,

Një tufë manushaqe

Syçkat nxorrën,

E unë nxitova t’i puth…

 

RRUGËTIM

 

Shiu nuk ia shuan etjen

Tokës që digjet në përvëlim.

As lotët e tu nuk e tretin

Mallin që djeg vetë dashurinë.

 

Po këtë mbrëmje ku je?

Në ç’rrugë rrugëton.

Po fjalët që m’i the,

Në ç’ëndërr i belbëzon?

 

Ku janë thyer kristalet,

E syçkave të tu,

Ku është ajo dritë

E qiellit bardh e blu?…

 

SHËN NAUM

 

Sa herë

Iki prej teje,

Një copë liqen

Marr me vete.

E mbaj

Në retinën

E syve të mi

Për t’u kthyer

Sërish

Një çast

Tek ti…

 

DET QIELLOR

 

Vështrimi yt, det qiellor,

M’u shkri si borë në pranverën e syve,

Si shtangia e trishtë mbetur në dorë

Në hendekun e thellë mes ne të dyve…

Dhe koha ndali ritmin e saj,

Atë çast tërmet ra, e ndjeve dhe ti?

Ishte vjeshtë,

Ëndrrat tona lageshin në shi.

 

FLUTURA

 

Tek shëtisja i vetëm

Në qytet të largët,

Një flutur në gjoks më qëndroi.

Krahëshkruara duke rrahur krahët,

Vetminë ma largoi…

 

MUZG

 

Kur mbrëmja të vijë e qetë në muzg

E kur dielli të mbyllë synë e zjarrtë,

Atëherë unë dua ëmbël të të puth

Dhe të të përkëdhel me të miat fjalë.

 

Kur mëngjesi të vijë me pak vesë

E kur dita të çelë ashtu si përherë,

Si toka e zhuritur shiun do të të pres,

Bashkë të nisim udhën në pranverë…

 

***

 

Ti lodron e,

ngazëllehesh lumturisht,

Fluturon

Në të tjerë qiej,

Përhumbesh

Përmes kaltërsish,

Hapsirës pafund.

Pastaj kthehesh sërish

Më e lumtur se lumturia,

Strehë gjen

Në ëndrrat e mia…

 

AGONI

 

Nuk ka ajër në dhomën e akullt.

Fryma, mbetur pezull po lëngon.

Bota përjashta zvarritet e lagësht

Nën ritmin e shiut monoton…

 

LLAVË PËRVËLUESE

 

Tani jemi dy të huaj,

Dy të huaj që ecin

Në kahe të kundërta…

Asnjëherë nuk përballemi

Me diellin.

I shmangemi llavës përvëluese,

Ashtu si pandemisë

Që ka pushtuar rruzullin.

Tani jemi dy të huaj;

Ti në rrugën tënde,

Unë në udhën time,

Nuk mbajmë më maska

Në rrugët tona të gjata,

Veç dielli i dashurisë

S’na bën më me flatra…

 

PENDESË

 

Ku t’i çoj tani pendesat e mia,

Fjalët që belbëzonin fshehtas,

Ku t’i çoj puthjet e munguara

Që djegin brenda vetes?

 

Ku ta çoj mallin që zhurit

Sa herë më shfaqet imazhi,

Gishtat që dridhen në infinit

Mes flokëve të tu ngjyrë ari?!

 

Ah, të të shihja edhe një herë

Si atë ditë, me sytë e zemrës!

Si i magjepsur do të ta kisha ndjerë

Aromën e flokëve përmes ëndrrës…