ETNIA   IME. POEZI NGA FERIK FERRA

 

FLAMURI

 

 

Porsi fleta  e Ejllit t’Zotit

Po rrehë flamuri i Shqypnisë.

Fishta

Çajnë plagët

shekujt e Prometeut,

kohët,

mëndafshin e gjakut.

 

Në rrethinat e vdekjes

kulari i zgjedhës

mbi çdo lëkurë të mbetur,

në troje.

 

Rrjedhin ditë e natë

sytë e lirisë,

ferrin e dimrit

që s’ka të mbaruar.

 

Hapin krahët e qiellit

fletët e Shqiponjës,

majën e shtizave

nga majat në majë.

Bretkun e dritës kuq e zi,

fshehin hekur e plumba,

brezat shlodhin fletët e engjëjve

petkut të temperuar në gjak.

 

Tiranë, 28 nëntor 2010

 

 

 

 

KOMBI

 

Kombi, mjalti që rrjedh në gjuhën e nënës,

kombi, trëndafili i gjakut midis shpatës e plumbit,

kombi, mishi i gurit në shpirtin e qiellit,

kombi, besa e lidhur në rrjedhat e ditës.

 

Kombi, gjahu i pëlqyer nga thikat e kohës,

kombi, kafshatë e ngjyer në njelmin e lotit,

kombi, durim i shtyer tej cakut të ferrit,

kombi, brilant i këputur në lotët e mërgimit.

 

Kombi, bardhësi e rrëmbyer në majat e kreshtës,

kombi, bukuri e grabitur në qiellin e vajzave,

kombi, kërthndezje e rimtë n’durimin e Prometheut.

 

Kombi, tjetër gur peshe mbi shpinën e Anteut,

kombi, gjithë kohrat kërkoi ku gjindej liria,

kombi, i rrallti metal që s`e bren përjetësia.

Tiranë, 12.09. 2004

 

 

 

LIRI

 

Liri, trëndafila gjaku nëpër deje,

liri, shtrat ku prehen kockat e hapsirës,

liri, fli e gjetur n’kosën e një preje,

liri, vetëm emër n’rërën e shkretëtirës.

 

Liri, gjah i shqyer n’lic të dashurisë,

liri, kokërr ligji brilant i lëmuar,

liri, ëndërr jete n’qelinë e selvisë,

liri, n’shpella t’vdekjes hyrje e ndaluar.

 

Liri, shtyje dritën deri në humnerë,

liri, merrma shpirtin burgosma në erë,

liri, shtoji rrezet nëpër sytë e bjerrë.

 

Liri, prekim qiellin gjasme gjëra mrekujsh,

liri, shtrydhin jetën në ëndërra dishepujsh,

liri, që s’të kapim nëpër britma shekujsh.

Tiranë, 31 gusht 2007

 

 

 

NATË ILIRE

 

Mbi Tarabosh shuen muzgu flakë e hire,

në terr përzihen të butat rreze hane,

e mbi liqe veç nji lundricë ardiane

heshtjen ia përkëdhel natës ilire.

 

Qyteti fle i ndem në myshqe e fire,

lëkundet mbi shpinë të ujnave, ia kande,

malet të ulen shesh mbi zaje rane

presin si në andërr agimin e endire.

 

Rozafa përmbi ujna feks kësaj nate,

lëpin me vravashka valët e prarueme,

valët që çohen shpejt si maja shpate[1].

 

Mandej ngadalë me duert e saj të irnueme,

të bardhët gjinj letshëm i qet prej tisit,

që t’ia thëthijnë me et pinjojt e fisit.

1954

 

 

 

USHTARI I PANJOHUN

 

Kryq duert mbi cyrylat e jetës

të priti nana ditë e natë varun në ankth,

heshtja kishte përpi grykat e hekurta,

mejdanet vetëm ty s’tu gjet emni.

 

Ata vazhdojnë të presin nanat e gjithë kombeve,

të kthehesh nga luftënat që s’kanë të mbarue,

futun në të gjithë kohnat,

gjaku të rrjedh pa pushim

duke njomun monumente e sheshe,

që ngrijnë trupin tand ushtar i panjohun.

 

Tiranë, 08. 08.2005

 

 

 

MALLI ARBRESH

 

Amza e krypës

lëmuar në tehun e buzëve,

trojet e atdheut këputen,

në rruzujt bezhë.

 

Larg

shumë larg,

mjegullat e Arbërisë

tisi i purpurit të kaltër mbi,

për të mos t’i parë më kurrë

as në pasqyrën e sferës së lotve.

 

Nata pa yjet e vendlindjes

fshehur pas gishtave të diellit,

tjera fusha e monopate shtrirë

bujaria e dherave të huaja.

 

Nëna gjuhën në shekujt e djepit

shpirtin kohrave të reja,

flaka e Prometheut Arbresh mbetur,

tkurrjeve të historisë.

 

Amanetin e gjyshit biri

nipat me fytyrë kah trojet e atdheut,

aty ku ngre gishtat dielli

mbi tastierën e qiellit,

harkun e notave të dritës

në zemrat tona.

 

Tiranë, 10 maj 2012

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NANË TEREZA

 

Skeletet dergjen hijeve të agonisë,

plagët kullojnë tej kapërcyllit të mugët,

tamthat godisin fort kohën e rrugët,

shthurun çdo shteg djerrit të vorfënisë.

 

Në pellg të syve s’endet pikë loti,

çerja që zverdh përkulet nën kumë,

hijet zatetin zgavrat valë e shkumë,

e oqeanit s’kam çajnë zaje koti.

 

Klithma e mbytun leht’ e kip të zezën,

drita është larg diku pas shpinës së qiellit,

dhe zani në përçart thërret Nanë Terezën:

 

“Më jep forc o Zot, ta shtyj tutje mandatën,

plagët t’i thajmë me mrekullinë e këndellit,

të dritës sate hedhur përmbi natën.”

 

Tiranë, shtator 2001

 

 

 

 

KOMBI

 

Kombi, mjalti që rrjedh në gjuhën e nanës,

kombi, trandafili i gjakut midis shpatës e plumbit,

kombi, mishi i gurit në shpirtin e qiellit,

kombi, besa e lidhun në rrjedhat e ditës.

 

Kombi, gjahu i pëlqye nga thikat e kohës,

kombi, kafshatë e ngjye në njelmin e lotit,

kombi, durim i shtye tej cakut të ferrit,

kombi, brilant i këputun në lotët e mërgimit.

 

Kombi, bardhësi e rrëmbyer në majat e kreshtës,

kombi, bukuri e grabitun në qiellin e vajzave,

kombi, kërthndezje e rimtë n’durimin e Prometheut.

 

Kombi, tjetër gur peshe mbi shpinën e Anteut,

kombi, gjithë kohnat kërkoi ku gjindej liria,

kombi, i rrallti metal që se bren përjetësia.

 

Tiranë, 12.09. 2004

 

 

 

 

 

GENTIANA[2]

 

Majës së Veleçikut

shtrinë hënën mbi borë rrezja e floririt,

shtëllunga nate nëpër këmbët e malit,

mbetur mbi rrafsh gjuhë të vogla flake

në buzët e djajve

që përqeshin vorrin e grabitjes,

duke lodhur klithmat

në shkretëtirën e hapësirës ilire.

 

Nata ngjiret pellgjeve të buta

me dhimbjen e ujit

e sytë e kthyer prapa

për të ndjekur vijën e gjakut,

që vazhdon të rrjedhë plagëve

të palidhura me myshkun e lules,

tash mbetur atje larg

në malet e fushat ilire

për kohrat që do të bijnë

brezat  t’ardhmes ,

në rrjedhën e gushës së përjetësisë,

trëndafilin e gjakut

plagëve të pafundme t’Ilirisë.

 

Tiranë, 25 shkurt 2007

 

 

 

 

LAHUTA

 

Flakët përcjellin në fyt t’vravashkës natën

mbi balkua të avujve tingujt ngrijnë me dritë,

lëkurë e hark prej gojës s’pellazgut zëri.

 

Lëndinave t‘Jutbinës bredh Muji me Agët,

t’banë e përjetshme prej qafës diellit ardhur,

n’genin ilir mbin rrënja e gurit jetën.

 

Ajkuna gërryen me tehun e rrezeve të hënës,

në kupë t’lahutës varrin e Omerit,

të gjallë me e qitë për me e çetue me zana.

 

Prej gurrave t’argjentit vjen Tanusha,

yje e ylberë veshë kurmi i dashurisë,

e hije lisat shtrijnë deri n’Krajli.

 

Nuk ndalet gjoku i Gjergj Elez Alisë,

me thundrat zhytë në gjakun e Balozit,

mejdanët nëpër kohëra i stolisë.

 

Mbushur kupa e lahutës me qumësht t’Rozafës,

vocrrakët thithin knellin e ardhmërisë,

pas vijnë stuhitë themele e mure ngjitë.

 

Njat Kapitolit mbrrin Pirro i Epirit,

legjionet fikin dritën e lavdisë,

i idhët triumfi nëpër shekuj ngjitë.

 

Në diell e hënë po ngrin frotë e Azisë,

shpirti merr arratinë udhëve të qiellit,

kur ndesh në Skënderbeun e lavdinë.

 

Mbledhur kupë e lahutës për teli e harku,

gjaku kullon mbi velin që hedh nata,

coptuar trojet, mjergull po i bjen drita.

Tiranë, janar 2002

 

 

 

 

 

 

 

ULQINI

 

Kurrize kodrash

kate të bardha ulen deri në det,

ullij e pisha mbi valë

gërshetë valësh rreth gurëve të kështjellit,

që shtyjnë kohën pas shpinës së mureve.

 

Qielli i ulur mbi fron të maleve,

malet ilire mbuluar me vello të pafund nusesh,

ku fshihet Jutbina

e krushqit e ngrirë në Lugjet e Verdha.

 

Trokut të bjeshkëve Muji

rroket të shkrijë argjendin e nuses

në ngrohtësinë e tbanës.

 

Në horizont dielli i ftohur ikën,

një barkë peshon qiellin

me ujin e detit.

 

Ulqin, 5 shkurt 2006

 

 

 

 

DIALOG NË LUGJET E VERDHA

 

Nëm ashtin hanë, afromi rrezet sysh

që kobin ta gërmoj me duert e mia,

zambaku shpirt tash njom kopshtin e natës

për mue s’ka ag se diellin ma kanë çjerrë,

e vajin e nanës qyqet e kanë ngjirrë.

 

Ashtin ,o hanë afromi orë e zana,

t’i çojmë pahirë rrgallet në curra e maja,

i dalë Omeri t’çetoj n’krajli e lugje,

lotët t’i fshehin nëpër degë e hala,

le të treten bulat përmbi vllaj t’blerimit,

hyjzit mbi petka t’ia mbërthejnë këtij trimi.

 

O ashti i hanës, oh, zgjeroje vorrin

se s’dahem djalit për pa mu shkim drita,

rrahen Omeri e nana rijnë nën pisha.

Mos gjetshi paqë, o ju Lugjet e Verdha.

kur troku i Mujit e i Agve të bjerë mbi male

do të çohen ahat me i përshkue e pyjet

nën kambë patkoj me u vu hanën e yjet.

 

Çohu Ajkunë se s’luan hana prej vendit,

zambakun tonë e shtriftë dielli ndër rreze,

sa nana kanë qa djemt lulishten kosa

e vdekjes nata me mantelin hedhun,

ka për të mbulu mbi gropa t’atdhmënisë.

 

Sa nana do të qajnë djemt, o rreze e bukur,

sa trëndafilë çajnë dhëmbët e lukunisë

e amanetin tonë të përjetshëm le t’ia varim

gjerdan mbi gushë e qafë rrezes s’lirisë.

Tiranë, 14 prill 2003

 

 

 

NATA PA AGIM

 

Vdesin mejdanet në trëndafila t’plagëve,

argjendi ngrinë në gurrë rrjedhën e gushës,

në burg të myllit ndryhet pushi i diellit,

agimin nata vret me ardhje t’fundit.

 

Qiellin e syve të vashave t’Jutbinës,

nuk do ta lidhin n’varg inxhitë e lotve

e mbi mëndafshin e kurbave të bardha

duart e t’ardhmes do të vjelin bukurinë.

 

Balozit n’sy ia thamë rrezet e dritës,

pishat e malit në vravashka ndezun

terrin e shpirtit netëve do t’ia djegin

e mbi këto kulla që po i le, o motër,

nip stërnipat n’lahutat e malësisë,

do t’ia thonë kangës së Gjergj Elez Alisë.

Tiranë, 28 nëntor 2006

 

 

YJET E JUTBINËS

 

“Un’ Tanushën vetë e kam pa…”

 

Në ç’qiell me vajza e rrëmbeve yllin

n’kto sy t’qëndisun me varguer brilantësh,

dallgët e arit t’flokve deri n’bel,

mëndafshi i borës përmbi shpat  t’lëkurës,

pellgu me perla nën push kajrafili,

ballin si hana kur veton mbi male

cilës krahinë në botë ia pake dritën?

 

Kjo vajzë që rrezja e dritës e ka zili

e lulet ia çojnë ernat me puhiza

i bajnë hije lisat e zogjt se ndalin

dridhjen e gushës pash me melodi

shtratin e ngjeshun futun në selvi,

Tanusha asht qe nuse i zbardh Jutbinës.

 

Bir’ duert e mija do ta kthejn n’perri

kto formë që ngrihen në liri t’pengueme

e ai tërmet i leht natën mbi kullë,

djepat me nipa do t’mi mbushë ndër mote,

sonte me kangë e valle le t’i shkyj tupanat,

në jetë të jetve gjith kët’ bukuri,

lahutat do ta këndojn në kulla e tbana,

e do ta shtyjn deri larg në përjetsi.

 

Tiranë, dhjetor 2006

 

 

 

 

 

NINA NANA

 

Nina nana djepin t’përkundë hana

rrezja e dritës mbi pallate e tbana,

jepi o mal hua petkun e borës,

jepi o gji ngadalë prekjen e dorës,

jepi o diell buzqeshjen tande n’maja,

jepni o lule ngjyrë e erë ndër vllaja,

jepi o zanë çurkimin e bylbylit,

jepi o qiell në sy bishtin e yllit,

jepi o pyll të plotë shtatin e lisit,

jepi o tamel në shpirt trimninë e fisit,

jepi mendjen t’kthjelltë si ujë burimi,

jepi nusen t’veshun n’petk florini,

jepi zemrën t’bardhë si shkuma e valës.

Ky asht, bir, në shpirt bekimi i nanës.

 

Tiranë, 28 shkurt 2009

 

 

BRILANTI I DHIMBJES

 

 

Kush e solli Dorutinën

Mbi kryqin e duarve

lotët këpusin brilantin e dhimbjes

mjegullës së syve,

ku feks petku i gjumit të përjetshëm

që fsheh gjëmën e helmit.

 

Tërmetin e besës,

dënesat e nënës

e shkundin në thundrat e kalit,

ngarkuar me mykun e vdekjes

e kurmin e bijës.

 

Kristalet e shpirtit

thërrmohen duarve të ëndrrës,

ku çastet e kaltërta

lulen e dritës së syve

e grabisin në kopshtin e amanetit,

për ta sjellë në pragun e lotve.

 

Lotët që s’u thanë kurrë

hapësirave të kohës.

 

Tiranë, 29 tetor 2006

 

 

 

LEGJENDA E VERIUT

 

 

Me ruba mjegullash

lidhën shtegun e ballit

kreshtat e maleve

që shtyjnë kufijtë e qiellit

në pambarim të territ.

 

Përkundin curra e drunj

me duer t’thellimit,

akullin e dritës

veshë me petk të natës.

 

Kulla e tbana mbrenda vathës së gjakut

n’shpirtin e diellit ku vravashkat  djegin

natën epike me gishta t’lahutarit.

 

Legjendat enden luginave t’Jutbinës,

lugjeve t’verdha,

n’pikllimin e Ajkunës kah vajton Omerin,

e hanës që bredh mbi bula t’verdha loti.

 

Trokama e Agëve

nuse bjen Tanushën prej krajlisë,

çetinë me yje n’krahë t’lisit Halil

e nuk ka fund jo nata e krahaqafës.

 

Revanin msyjnë n’kalin e kohës shekujt,

dhe qiellin bosh e mbushim me fushqeta

duert tona, duert e njeriut.

Veriu mbetë

n’legjendat e veriut…

 

Tiranë, 17 qershor 2006

 

 

 

 

 

DHIMBJA E LIRISË

 

Për gjashtëqind vjetorin e lindjes.

 

Krahët kullojnë liri (e maja e shpatës)

mbas kryqit, vringëllimet coptojnë diellin,

rrëke mejdanesh, engjëjt ngushtojnë qiellin,

kopsitur yjet mërtisur hieja e natës.

 

Copëra rrezesh nëpër buzë t’krajatës,

përcjellin brezat dhimbjen e lirisë,

vdekjen përkundin djepat e Arbnisë,

kurmet e heshtave mbijnë fushës e Krastës.[3]

 

Krahë hapur presin në ankth Kancelaritë,

në dhambët e kohës përzihen gjaku e dheu,

malet përballë i kthyen mbrapsht stuhitë.

 

Trokun e shekujve ndëgjon Skënderbeu,

rrugën biblike ku dhembin liritë,

që përjetsia e kthen në forcë Anteu.

 

Tiranë, 15.09.2005

 

 

 

 

 

SHPATAT*)

 

Shpatat

qiellin në majë,

kokën e gjedhit përkrenarja,

shekujt kan humbur të zotin

e e kan futur heshtjen

në kutinë e qelqit.

 

Bredhin vrullin tehët

rreth qafës së huaj,

kush futi duart

në çerdhen e lirisë.

 

Lëmuar

nën vështrimin e syve shkëlqimi

nuk e len kohën

të flerë asnjë çast.

 

Kristale drite pa fund

nuk ka vend për terrin e vdekjes,

brenda gjashtë faqeve me xhama

historia e lavdia bashkë

shplodhin përjesinë.

 

Vienë, 30 dhetor 2009

 

*) Armët e Skënderbeut nisin hyerjen në muzeun e armëve në Vienë.

 

 

 

 

SHKAMI I VAJËS *)

 

Nëntëdhjetë yje

hedhin qiellin e bukurisë

nga shkëmbijt e hapsirës

në lirinë e vdekjes.

 

Droja **) ujëzon trëndafil

purpurin e gjakut drejt detit,

të vajzave,

të nuseve,

të nënave,

robina munguar

në duart e erosit të huaj.

 

Prekin gurët e shkëmbinjve

gjamën e maleve të Skënderbeut,

ernat sjellin mote

e qielli kullon

në Shkamin e Vajës,

lotët e dhimbjes

që asnjëherë në shekuj

nuk i shterri koha.

Tiranë, 18 mars 2010

 

*)Shkami i Vajës (Shkami i Vajit) në rrugën Krujë –Burrel, ku u flijuan vajza e gra për të mos rënë në duart e armikut pas rënies së Krujës në duart e turqve.

**) Droja: lum i vogël nën Shkëmbij të vajit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRTEJ URËS

 

 

Mbeçë more shokë mbeçë…

 

Ishuj të vegjël gjaku

shekuj grimcash në akullin e gishtave,

shtat i dërrmuar

në copëra brinjësh

e avuj trëndafili.

 

Ashkla zjarri

nga shkëmbi i kuq i qiellit

mbi limonin e kokave të ngrira.

 

Sipër harqeve të Urës së Qabesë

orlat kryqëzojnë rrathët e kaltër,

duke i ndjerë sqepët

futur në gostinë e fundit.

 

Çojani nënës

rruzujt e mi të hapësirës,

se njelmi i lotve

ia ka shuar dritën e syve.

 

Zemrën nisjani të dashurës

e shihni se do të rrahë përsëri

ashtu siç rrihte,

kur s’kishte gjumë nata

e hëna perëndonte

midis dallgëve të trazuara të dashuris sonë.

 

Duart çojani djalit,

se përsëri gishtat e mi do të shkrijnë

për të ndjerë prekjen e gishtave të tij,

midis kaçurrelave e buzëqeshjes së vogël,

që s’ka dorë veç hyjnores

ta qëndisë.

 

Armët nisjani Atdheut,

se i duhen për lirinë e munguar-

një ditë ajo do të zbresë

siç po ulet sot

mbi këto shkretëtira pafund të Arabisë,

këtu ku po shuhem unë,

larg, shumë larg

përtej Urës së Qabesë.

 

Tiranë, 10 nëntor 2006

 

 

 

 

ÇAMIKO*)

 

Zambakun e qefinit

çelur në hapësirat e dritës

pret të lëkundë

me përdredhjen e vdekjes

krahu i rrapit të Janinës.

 

Ngrirë bisqe e degë gjethet

diellin kan fshehur,

petkun e hijes mbledhur grusht

n’zgurdullimin e pupilave të dritës

që pret festën e vdekjes.

 

Para syve të komitit laku

me nyjen e frymës së fundit

ku era pret në puhinë e mortit

dëshirën e fundit.

 

Ai ngre sytë drejt qiellit

për të hedhur mbi blunë e kupës

palat e fustanellës e hapat e Çamikosë,

për të mos shkelur mbi yjet

që s’dihet se ku jan futur.

 

Lart,

shpirtrat e Pirros e t’Aleksandrit

në shtrethet e qiellit soditin:

“Piriken” para gjakut të luftës

vdekjes o ngadhnjimit,

që shekujt e përcollën

deri në dëshirën e fundit të komitit.

 

Fale , o zot bukurinë e trimit,

vajza atit i lutet

komandantit të mortit,

vdekja nuk i rrodhi mbi qerpikë,

po me trup e shpirt,

ai u nis drejt qiellit

me dëshirën e fundit të ngadhënjimit

fale!

 

Tiranë 22 tetor 2009

*) Çamiko: Vallja çame e Osman Takës.

 

 

 

 

MUJO ULQINAKU

 

Valët përplasin anijet e huaja në breg,

urdhna jeshil e tyta të gjata në ag,

djersë në faqe e kondak.

 

Motorrët bubullojnë në qiell e bombat mbi tokë,

kuadratet renditen shpejt mbi platform,

gishtat mblidhen kruspull në çark.

 

Rreshtat ngjeshin platformën me duar e me kokë,

valët zmbrapsen të lyera me gjak,

Mujo detin përzien me kondak.

 

Urdhrat klithin fort mbi uniform,

coptojnë bombat e tytat mbi platform:

atdheu hesht, atdheu truppakë.

 

Mujoja kohnat ndan mbi kondak,

kohnat që digjen e shkrijnë nën duvak,

kohnat që lindin e rrjedhin në çark.

 

Tiranë, prill 1976

 

 

 

 

ORA E LIRISË

 

Lëndina gjaku

kullojnë rrjedhat ujë, lot e trëndafil,

fyti në lakun e katërmbëdhjetë qindvjetave,

sytë veshur me vdekjen e lirisë,

këputur drita hapsirave ilire,

qefinët varur në gozhdën e drejtësisë,

në veshin e shpirtit të nënave

këngën e qyqes,

hija e petkut të mortit

mbi pajën e nuseve e t’çikave.

 

Mbrumur me përjetësi eshtrat e Dardanisë,

katërmbëdhjetë qindvjeta,

e pakthyeshme rruga

deri në ditën e orën e lirisë.

 

Tiranë, 16 shkurt 2008

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

URA ME TRE HARQE

 

Dhomën e Shën Mërisë

lënë hapat e shejtit,

duke shkelur qiellin

mbi shpinën e pellgut,

ku rrjedhin amën e përjetësisë

gjijt e Enkelanës.

 

Lëmojnë gjumin gurët

urës me tre harqe,

vaun e ngushtuar

në qindra gushë bilbilash

vonuar në rrjedhë.

 

Larë në kulloshtrën e hënës

fërkuar shtatin me copa yjesh,

Drini ngjesh nën urë

brezin e diellit.

 

Petkun e qindvjetave

argjentin në bel

shtërnguar deri në gjak

deri në këputje.

 

Dallgë trishtimesh

agimit perëndimit

rrjedhat Ilire.

 

Shën Naum, 10 gusht 2010

 

 

 

Poezia nga Ferik Ferra

 

GRUMBULL NJERIU

 

Grumbull njeriu

në krye të rrugicës nana

ulun mbi dy e tre copa kartoni

dorën e shtrime përpara;

veshun me lëkurën e diellit dora

e rrypin e qiellit mbi kry,

midis dy mureve të lagjes,

ku njerzit që grahin hapat

për të dalë në rrugën tjetër,

vehten ngushton heshtja,

dora zgjatet mbi leveren dalë boje

pret kosa në gropën e grushtit;

“Zoti tëdhashtë dy- tre monedha!”

për të përtrypun bukën tonë

të përditshme sod,

kur diku larg,

rrëshqitje fishekësh e fluturime gjylesh

që gërvishin e rrënojnë shtëpija,

hurdha gjaku e njerëz që marrin rrugat,

buzë të verdha që çurlikojnë

nga kthetrat e shkëlqimit të politikës.

 

Tiranë 06.12. 2024

 

 

 

 

 

PERÇJA E FLORINIT

 

Në kopshtin e qiellit mbjellun me yje,

u këputën trandafilat e fundit, perëndimi

duert e muzgut e ulën diellin

nën valët blu të detit,

ku priste hana nervoze vonesën,

për t’i hudh  në fytyrë perçen e florinit

e rreze natës në rrugën e përjetshme.

 

S’paska fund pikëllimi për ne o Hanë!

shpata e shigjeta ende kullojnë gjak

murit të muzeve.

Shtati i gjeneralëve në mermer betejat.

luftë, luftë përsëri,… luftë

sa herë jan’ përlye me gjak rrezet tona,

Leka vdekjen e re

në brigjet blu të emrit tijë

peshojnë fitoret e Pirros në proverb.

 

Skënderbeu 25 mburoja

derës Ballkanit,

rrugët e gjata

larg, deri në portat e ftofta të rrozullimit

rrezet e fundit në Shën Helenë.

 

Vdekjen në mendjen time për vdekjen tande

asht mbushun qielli me flutura hekuri

që s’ulen mbi lule po mbi koka pallatesh

dy lufta botnore i kullojnë jargët të tretës

për ta fashitun jetën në çdo anë

në uzinat sekrete gurgullon langu i vdekjes.

 

Diell i dashtun ngrohtësija jote

do ta zbojë vdekjen në mendjet njerzore

njerzit e duen jetën se thithin ajri

të rijt e të rejat do t’i kryqëzojnë buzët

do ta ngjeshin fort njeni- tjetrin

lamshin e bukur do ta ndrisin rrezet tona.

 

Po e dashtun Hanë

po të shterret langu i vdekjes

në uzinat sekrete e mendjet e verdha

në rrugën tonë të kahershme.

 

Tiranë, 27 .06. 2023

 

 

 

 

 

OBORRI ME TRANDAFILA

 

Gurët randojnë burgun e heshtjes

dy katet e komshiut të katërçipta,

çatinë e zbritën në dysheme

gjylet e dikurshme,

për ta pasun në pronësi muzeu i luftës.

 

Muret bosh drejt qiellit

dyshemeja,

prej nga dalin hapsinat e oborrit,

e zbardh rrafshi me pluhën

e guralecë të vegjël.

 

Gardhi i vjetër

rrethon kopshtin përballë

ku mugullon gazi i gjelbërimit

me trandafila e druj drejtë qiellit.

 

Pesë gjashtë para adoloshentë

djem e vajza,

turren, mbas gazit të jetës

zanet që u shuhen në hapsinat gjeometrike,

fshihu mos u duk,- loja kukamçeftit,

nën harkun e diellit

futun nëpër skutat për t’u fshehun

deri sa ai hark i afrohet detit.

 

Dora e vajzës ma t’gjatë

kap nji trandafil i dalun këndej kopshtit

në cakun e oborrit përmbi gardh,

e e vendos majtas në tufën e flokëve

perëndeshën e bukurisë kadife

duke e sjellë bashkë me rendin

përgjatë gjithë oborrit, para e mbrapa

për të gjetun të fshehunit e lojës,

që mbajnë frymën nëpër skutat zhdukë

kah me njanin sy kontrollojmë fshehjen tonë,

e me syun tjetër kundrojmë oborrin

ashtu mbushun plot me trandafila kadife.

 

Tiranë, 10 qershor 2022

 

 

 

 

 

MONALIZA

 

Qielli ia përthyu shpinën dritës

duert e agimit

veshën muret e sallës së Luvrit

me buzëgazin e rrezeve,

ku po gërvishtin pasthirrmat tona

këputjen e frymëmarrjes në mahnitje.

 

Kuadri varun në dritaren e hapsinës

n’elegancën e petkut të zi buzëqeshja

e zonja

palosë duert njana mbi tjetrën

mënjanue në nji cep të heshtjes.

 

Mbas krahëve të saj

qëndisë pamjen Vinçi,

me brezin e gjelbërt mbi rrafsh

e ujnat e shkëlqimit pranë qetësisë

në horizont rrugës që humb

rrugës para gjashtëqind vjetësh përshkue.

 

Shikojnë sytë fluturimin e përjetshëm të kohës

buzëqeshjen e shpirtit midis buzëve të mbylluna,

në kindet e qerpikëve deri,

sytë që miklonin yje në gjerdanin e qiellit,

kur buzë mbi buzë petalet njomnin

florinin e hanës

Komçën e diellit në tunelin e shekujve që shkuen.

 

Përvijime formash mahnitse ngjyrat,

ku dora e mjeshtrit hyjnor ravizoj mbi kuadër

Monalizën.

Buzëqeshja e antivlerave t’shëmtimit,

në perfeksionin e syve t’harmonisë

kah fluturon pa ndalim nëpër kohna,

dritën e jetës ajo buzëqeshje,

kur kushedi se në ç’erna endet pluhni i saj

ndërsa ajo nuk lëviz nga kuadri

në dritaren e përjetshme të hapsinës enigmën.

Milano, 8 gusht 2021

 

 

 

 

 

RRUGA

 

Vdesin gjethet

në fluturimin e zverdhun të stinës

këputjen transparente të erës

heshtin drujtë e rrugës trotuareve.

 

Mantelin e gjelbërt

kujtimet e prandverës që shkoj

shtyjnë hapat kah shkojnë e vijnë

nën koka njerëzish trotuareve të rrugës.

 

Ngrohtësija e rrezeve të dritës

kur drita ngatrrohet nëpër ritme të ngadalta,

mbi sheshet e dy anëve

rrugës së makinave e çlidhin

herë mbas here vrullin

e syve të timonit.

 

Endin hapin mbi shtrojen e pllakave

dy të moshue eleminën e moshës

n’kujtimet e veta varun diku

mbi harkun e shpinës.

 

Disa metra para tyne

nji djalë e nji vajzë puthen

ngjeshin njani- tjetrin

nga gjunjët deri tek buzët

lirshëm në sytë e mexhilizit.

 

“Ç’bahet ma tutje në këto raste, o mik?

pyet elemnija e hapave.

 

Mos i kujto ato llafe turpe

tjetri i thotë,

kur pjerrtas i shkojnë sytë tek çifti,

nëpër jargët e gojës fjalët

pengojnë trafikun e rrugës.

 

Ecim … ecim … edhe pak ecim

deri këtu ka ardhë Skënderbeu

fusin turinjtë e rrugës nëpër rrudha

ngadalë mezi kthejnë gjysmën e harkut,

ku kërcasin trotuarit ngjeshjen e rrugës,

gjethet muzikën e vjeshtës.

Tiranë, 11 Nandor 2022