VAJZA PREJ LETRE. POEZI NGA PIRRO LOLI

 

 

 

CIKEL POETIK

 

EROTIKA                                                    

 

                                                                             Nga PIRRO LOLI

 

 

 

 

ENIGMË

 

Pas gjethes së fikut

Nuk fshihej dora që këputi mollën

As buzët që ia thithën lëngun

As dhëmbët që e kafshuan

Poetët e kuptuan thelbin tragjik

Që e priste njerëzimin dhe nuk qëndruan

Krejt lakuriq si Adami e Eva.

Gjethen e fikut

e ngjitën në ballë…

Që dikush të zbërthente enigmën

Larg organeve mëkatare,…

Te rrudhat.

 

 

 

 

GRUAJA IME E PARË

 

I kishim dhënë falën njeri tjetrit

Dhe në gishtin e vogël lidhëm nga një manushaqe

Si unazë. Katër pesë vjeç ishim

Fshiheshim mes hijeve e shkurreve

Putheshim në faqe dhe

Në një jastëk bari na zinte gjumi.

Ajo kishte frikë nga mamaja

Unë i thosha ule kokën se na sheh ujku…

 

Nuk di pse u rritëm

Nuk e di pse u ndamë

Por dhe tani që jemi bërë gjyshër

Përplasim qerpikët

Dhe në gisht na çel një manushaqe

 

PËR TY

 

Ditën të bëj roje pranë fytyrës sate

Të ta ruaj ballin nga dielli

Dhe syrin nga bora.

 

Natën do hipi nëpër degët e hënës

T’i shfletoj të gjitha fletët e njoma.

E, pastaj tw ndez mjw cigare.

 

 

VIOLINA DHE HARKU…

 

Violina me harkun shaluar

Është femër seksi

Këndon,

Vajton

e klith në mijra zëra

 

Harku mashkullor

I lodhur

bije

Gjer te tingulli i fundit.

 

Përsëri violina mbetet e virgjër

E përsëri pret vuan hesht…

 

 

 

 

SHAKIRËS                      

 

Sonte

Shakira këndoi lakuriq

Krejt lakuriq.  Sytë i vesonin

dhe nga qerpikët shpërthenin copa yjesh  e vezullimesh

Një gji i kërcente si i marrw

tjetri hidh e prit në duar spektatorësh

 

Një nepërkë e hollë i niset nga mesi

Dredhon  e i zgjatet mbi flokë.

Zgjohet shejtani nga gjumi

Dhe në çdo shkarje të belit

telat e kafazit një nga një i këput.

Yjet përplasen E digjen.

të dehur zezojnë zezakët

 

 

por  zog …

 

   SEKSDORË

 

Kujtesë e duarve këtej ka filluar

Shkallë shkallë për të ngjitur tek ty

Dritare eksplorimi

E njohin shpatullat e ngrohta

Dhe kofshët prej shkume

 

Bëni pak vend në ëndrrat e tua

Kjon dorë  zog prej ajri të kaltër

Që qarkullon nëpër trupin tënd

Syth tinzar që lulëzon mes gjinjve të ngrohtë

Miliona sekonda të shuara

Mishrash të bardha

 

Këmbëngullse e stërvitur

Flutur shëtitse

Nëpër palca lulesh

 

E i këputen gishtat

E lodhur bije

Në fund të cermonisë

Kur shega përskuq flamurin

E një beteje të hunbur

 

     ASAJ TË PANJOHURËS…

Trëndafil i errët

Të pjerrta rrugët për tek ty,

Bo(h)çe e huaj që s’pranon të çelë.

Aroma ma kafshon buzën me

Tërbimin e gjëmbit të zi.

Mërmërijnë burbuqet ilegalë

E hesht si nata në mesnatë.

 

Gërmoj një grimë qiell të panjohur

Një diell që gjëmon në tjetër planet

E qafën thyen tek një mjellmë

 

Të errta qelqet e qënieve tona

Të lutem mos çil

Lermi mua kurthet e natës

Më prit  t’i thyej gjunjët në të pjerrtën rrugë

Je tjetër heshtje Tjetër mjegull

Që as shpresë as gënjeshër s’më jep

KUTIA E ZEZË

 

Shumë herë kam rënë me vetminë time

nëpër  shpella të thella

pa adresë.

Pemët më rmbrojtën mes gjethesh,

Shiu më gjeti në një re të errët

Zogjtë më kapën në ajër

Buzëqeshja më gjeti mes shokësh.

 

Kur të bije përsëri do fshihem

thellë e më thellë

Por Kutinë e zezë

Vetëm disa nga ato sykaltërat do ma gjejnë…

 

 

 

GJUHA E MOLLËS  

Paske një nepërkë pikalore

Që ruan majtas e djathtas sisëve të tua

Që nuk më lë t’i bije pianos

Brinjëve të holla,

Dua tw ngjitem nw majwn e majws

T’ia pres kokwn nepwrkws pikalotre

Tw marr frymw  nw aromwn e gjinjve

Ta kapwrcej kufirin e gjirit…

 

Ti mw the,  mwsoje gjuhwn e mollws

Qw nepwrka pikalotre

të flerë në folezën e vet.

 

 

 

 

 

 

 

 

SHIU ËSHTË NDRYSHE

 

Ajo ishte e brishtë si shiu

Flokët e zinj i vareshin mbi gjinj si ujëvarë.

U nisa nëpër shi.

Bëra rrugë të gjatë nëpër ahe e shkurre

Gjer te gjunjët e saj

Që shkëlqenin nga shiu.

 

Në kthim gjurmët e mia monotone i kish mbuluar shiu

Nga retë kishin rënë sy  kureshtarë

Që lëviznin si peshq  dhe ngrinin kokën

Mbi pellgje shiu.

 

ENIGMAT E NJË HETIMI

 

Rene` Chari poeti i shquar francez

Mbyti të vëllanë dhe,

Qetë qetë i tha hetuesit:

E vrava se nuk donte të flinte me dritare hapur(!!)

 

Hetimi zgjati me vite.

Diçka u sqarua kur e motra bukuroshe

u paraqit vullnetarisht…

Në çastin kur vëllai ynë po jepte shpirt

Arriti e më tha:Në xham të dritares, shikoja ty kur flije

Shikoja si farfurinin kofshët e bardha

Në xham…

 

 

 

 

 

  KU T’I GJEJME TRENDAFILAT?

 

Trendafilat jetojnë pak dite

Petalet shpejt u vishken u thahen

E trishtueshem bien  përdhe

 

Por jo aromat dehëse, jo.

Unë i di vendet e fshehta – veç gjithnjë Të freskët,

flakërojnë në buzët e vashave – por

të përjetshëm,

në shpirtin e poetit janë atje ,

as vyshken as thahen

se çelin në plagë.

 

 

ATO TË GJITHA

 

Të gjitha ndukin nga e njëjta furkë

Si e Penelopës.

Ngeshur me leshin e butë

Tjerrin e tjerrin fill të leshtë e të pambuktë

më të gjatë se meridianët

Planetin butësisht

e lidhin këmbë e kokë.

 

Endin  qilima  shumëngjyrash

Për dhomën e gjumit

Ku këmbën thyejnë burrat besnikë.

 

TATUAZH DASHURIE

 

Kaprolli i brishtë

përplasi brirët mbi një kryq vetëtime

Zigzaket e zjarrta copa copa

Ranw në tokë.

 

 

Dikush foli për marrëzi kaprolli

Dikush për akt  heroik

Dikush për brirë të fortë

 

Në brinjën e kaprollit vetëtima kish stamposur

Fytyrën e një drenushi

si tatuazh hyjnor.

 

Drenushi buzëqeshte në gjumë

 

VAJZA PREJ LETRE

 

Ajo ishte  vajzë prej letre. E palexueshme.

E bardhë shkruar me të bardhë.

Nuk e dija

Që kodi i leximit ishte puthja  në kërthizë.

Sytë e saj  shkrepën

Dhe m’u hodhën në qafë.

 

Pasdita e Adamit ishte e qetë

Flokët e saj

mbanin erë mollë…

 

 

CAST ZAMBAKËSH…!

 

U këput kopsa e jakës së kaltër

Si petale trëndafili

ra fustani i heshtur në parket.

 

Kur sythet e gjinjve filluan të kërcejnë

mbi pëllëmbën e dorës sime,

Faqet e mureve u mbushën me zambakë

Dhe yjet e qeshur

çelën në xham

 

PËR GRUAN TIME

 

Unë asnjëherë nuk i kam falur trëndafila gruas sime

As për Shën Valentin ,

Por,

Që të mos më humbiste mes shoqesh,

Në gushë

I vara një kumborë të argjentë.

 

Ajo shpesh i kujton lëndinat me vesë

E vrapon si drenushë e plagosur.

 

Në injë

Ka gjurmët e mamuzeve të mia

Dhe shpesh qan, këndon, hingëllin

 

Nëpër turma grash të bukura

Akoma

Kumbora e argjentë tringëllin….,

 

MARRËVESHJE ME NJË MINUTË HESHTJE

 

Vitin e parë

Dhe hija e saj më dukej ndryshe.  Të dhjetë gishtat

Më përkëdhelnin  lodronin mbi mua , zhyteshin

si në një liqen të kulluar

dhe më betoheshin vertikalisht.

Por,

Gishtat e saj me thonj e pa thonj u shumëfishuan

kapriciozë trazonin cep më cep ditët e mia.

100 gishta

Më hapnin kanale mbi të pjerrtat e mia

Dhe shpërthenin ujëvara të ftohta.

 

Asnjë herë nuk e ngrita flamurin në gjysmë shtize

Por më duhej t’i çliroja në heshtje ditët e mia.

T’i kuroja plagët.

 

Të dy

u mësuam të mbajmë nga një minutë heshtjeje

për çdo gisht të prerë

 

 

RRUDHAT

 

Më tepër ato që kam lakmuar

Kanë lënë shenja rrudhash  tek unë:

ca vajza brune dhe bjonde

një kumbull në oborr

që vishte përvit fustan nusërie.

 

Dhe librat.

Të gjitha ato që akoma s’ kam shkruar.

 

Mespërmes ballit tim të lartë

Më e trasha rrudhë,

gruaja ime.

50 vjet martuar fshehur nën lëkurë.

 

PARA DHE PAS MARTESE

 

           (Variacione)

1.Dy copa mjegulle me njera tjetrën u bashkuan

Njera me të bardha tjetra me të zi.

Kashta e Kumtrit u hedh kokrra orizi Por,

Një yll, nuk e di

Pse  i vrejti vetullat

E një tjetër ma shkeli me sy.

 

Era e vjeshtës trazon gjethe e re shiu

Nëpër degët e dimrit

Cicërojnë zogj vetëtimash..

 

***

  1. Ata qeshnin, grindeshin e putheshin

si të gjithë çiftet e dashuruar. Ai i thoshte se

është si një glob drite

që ndriçon vetëm atë.

Ajo ia kthente se

është  top sheqeri që ëmbëlson vetëm ty.

 

Të dy qenë të tretshëm. Por nuk mbanin  mend

Cili filloi të tretej së pari,

globi i dritës apo topi i sheqerit.

 

Nëpër xhamet e dhomës së gjumit

Nata rridhte me litarë shiu të ftohtë.

 

***

  1. U këput kopsa e jakës së kaltër

Lehtë lehtë ra fustani i heshtur në parket

Kur sythet e gjinjve filluan të kërcejnë mbi duar e tij,

Faqet e mureve u drithëruan. Befas u mbushën me zambakë.

Dhe yjet e qeshur

çelën në xham.

***

  1. Ata qeshnin, grindeshin e putheshin

si të gjithë çiftet e dashuruar. Ajo:

Ti je  si një glob drite

që i ndriçon të gjithë.

Ai: Ti e dashur je një top sheqeri

që shkrihesh vetëm me mua.

Të dy qenë të tretshëm.

Por nuk mbanin mend kush filloi të tretej i pari, globi i dritës apo topi i sheqerit.

***

  1. Dy pulëbardha të kapërthyera

Klithën në ajër.

Tre-katër pendë mëndafshi

Si puthje të lehta

Ranë e qwndruan mbi  ujë si petale.

Qeshën valëzat vesh më vesh

Diçka i pëshpëritën njera tjetrës

 

Femra ra si shigjetë në shkumë

E deti u mbush me zambakë të bardhë.

 

  1. Ishim çift i bukur të dy

Që ecnim në dorën e njeri tjetrit.

Unë të quaja nepërkë pikalore

Ti më thoshje gjarpër i bukur me zile.

Me dredhka ecnim te njeri tjetri si çdo gjarpër i bukur

Nuk i pamë gjysmë rrathët që linim pas.

As kur u bashkuam.

Kur gjarpëri u pre në mes

ne vazhduam të skiconim përsëri rrathë

por më të vegjël , natyrisht …

Unë kurrë nuk e kuptova

Në ç’pjesë ishtë helmi,

Në kokë a në bisht…