KRITIKË MBI ROMANIN  “TRENI I JUGUT” I  KOSTANDIN VOGLIT.   Nga MIMOZA EREBARA 

 

Kostandin Vogli lindi në Shën  Vasil- Sarandë më 1941. Kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve për Pikturë. Ka hapur mbi 40 ekspozita dhe është vlerësuar me çmime. Disa nga titujt e librave të botuara prej tij: “Ura e prishur”-tregime, 2004, “çudia e ujqëve”-roman, 2011, “Masakra”- novelë, 2012 etj. Është vlerësuar me dy cmime të para nga “Klubi I krijuesve Jonianë” dhe Fondacioni “Lidia”. Jeton në Sarandë.

Një botim i Shtëpisë Botuese “Toena”-2015, romani “Treni I Jugut” i autorit Kostandin Vogli, përmban  303 faqe në formatin standard. Thelbi i këtij romani është kalvari i Luftës se Dytë Botërore.  Ngjarjet zhvillohen duke u zhvendosur në disa vende. Fillojnë me Shqipërinë, Greqinë dhe pastaj në kampet e punës në Gjermani.

Tema në fakt është e njohur- përndjekja e hebrenjve dhe komunistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore prej nazizmit. Janë me dhjetra botime me këtë temë, për të mos thënë më shumë. Por secila vepër ka origjinalitetin e vet dhe qëndron më vete  duke përçuar mesazhet e saj.

Në fakt e “pozicionuar” për të na dhënë  mesazhe të mirëlexueshme, ajo i ka imponuar autorit edhe strukturën  e vet.

Kështu, nga kjo pikëpamje dallojmë këtë strukturë organike:

Linja e parë, shtjellohet Lufta por kjo e zhvendosur në kampet e përqëndrimit.

Linja e dytë, përqëndrohet në evidentimin e qëndrimeve ndaj hebrenjve dhe komunistëve.

Linja e tretë, dashuria e dy personazheve kryesorë që mbartin dhe gjithë peshën e këtyre mesazheve.

Linja e katërt dhe më e rëndësishmja-  popujt janë njëlloj, kudo qofshin, përkatësisht kombësisë, janë qenie humane ndaj përçojnë humanitet.

Le t’i marrim me rradhë:

Mbi fakte të njohura  autori përqëndrohet vetëm në një aspekt. Jemi pothuaj pak më shumë se sa gjysma e kohës së zgjatjes së kësaj Lufte. Në Shqipëri ushtria naziste ka pushtuar vendin, ka djegur dhe ka masakruar kë ka gjetur përpara. Ka arrestuar komunstë e partizanë dhe i ka bërë gati për internime, ata që nuk i pushkatoi. Në Greqi po e njëjta situatë. Po atje edhe më tepër raprezalja  përqëndrohet edhe mbi hebrenjtë. Dihet që në Greqi ka shumë hebrenj, të vendosur atje prej shekujsh. Në Shqipëri situata ka qenë pak më ndryshe. Kishte hebrenj të cilët ka qenë të ardhur herët, por edhe gjatë Luftës erdhën shumë , sikur është fakt që Shqiptarët i fshehën nëpër shtëpitë e tyre, duke ua ndryshuar emrat, kështuqë zyrtarisht, për naziztët nuk kishte hebrenj të evidentuar. Posaçërisht ngjarja fokusohet në Janinë dhe në Bregdetin Jonian. Lufta është e shtrirë në të gjithë Europën por në fakt luftimet më të fuqishme bëhen në Lindje, me Ushtrinë e Kuqe të Bashkimit Sovjetik. Është momenti kur pikërisht kjo ushtri ka filluar të marrë revansh dhe të çlirojë territore pas territoresh, dhe nga ana tjetër ushtria naziste të mblidhet në vetvete dhe duke zbrazur të gjithë urrejtjen dhe zemërimin e humbësit. Kampet e famshme të përqëndrimit vazhdojnë të punojnë pa u ndalur. Fundi i vitit 1944 dhe muajt deri në 9 Maj të 1945 janë muajt ku egërsia naziste u zbraz  pa mëshirë. Mjafton përshkrimi i përditshmërisë në kampet e punës për të kuptuar këtë egërsi.

Narracioni është klasik – e gjithë historia tregohet përmes Martës dhe Gjergjit, dy personazheve kryesorë të romanit. Simbolika e trenit  kombinohet me simbolikën e dashurisë së dy të rinjve, njëri shqiptar e tjetra hebreje-greke.

“-Na iku gjumi, por na trego”- kjo është fjalia me të cilën fillon e gjithë ngjarja. Dhe më pas Marta fillon të tregojë me detaje  se si u arrestua, ndjenjat e saj e përjetimet në birucë e në takim me Gerhardin, kapitenin nazist të dashuruar me të. Në këto faqe, megjithë ngjarjen në vetvete, ndoshta duhej të kishte më shumë “ngjeshje” të lëndës. Është e kuptueshme që veçoritë e stilit klasik realist të cilin ndjek autori ia kushtëzojnë  në vetvete këtë qëndrim e trajtim, por në raste të caktuara,  është pikërisht ky stil që bëhet pengesë për të shijuar më shumë këtë ngjarje dhe këta personazhe. Marta dhe Gjergji gjenden në këtë situatë kundër dëshirës së tyre. Marta dhe Gjergji duan lirinë dhe dashurinë njerëzore, të dy, po sidomos Marta gjenden përpara  egërsisë naziste lakuriq, me asnjë armë , pos fuqisë së shpirtit të tyre. Në asnjë rast ata nuk e dinë nëse do dalin gjallë, por kjo nuk i pengon të ruajnë dinjitetin e tyre. Epike është qëndrimi i Martës përballë shefit të Gestapos. Epik janë edhe qëndrimet e të gjithëve në trenin që po i çon drejt zhdukjes, ku edhe në rastet e humbjes së dinjitetit njerëzor të detyrueshëm, ata e ruajnë atë si gjënë më të shtrenjtë.

Sa i përket linjës së dytë, kjo pjesë  është e mbushur me ngjarje që ndodhnin në kamp, duke ritheksuar në çdo rast egërsinë e nazistëve dhe qëndresën  njerëzore.

“Njëri guxoi të prekte telat. E ngriti pak dhe nxorri të dy duart jashtë tyre. Këputi një tufë lakra bashkë me bar, po pa asnjë paralajmërim u dëgjua një breshëri e shkurtër automatiku. Të gjithë ngelën të ngrirë. Ishte Arseni ai që kishte ngritur telat. Arseni i uritur nga Nivica. E panë të shtrirë me duar jashtë telave, ku në to po shtrëngonte tufat e lakrave. Nuk pipëtiu asnjë. Ushtarët e tërhoqën nga këmbët, ashtu siç kishte rënë me fytyrë mbi lakra. Gjaku i parë u derdh sa shkelën në tokën gjermane. Shumë pak gjak kishte Arseni.”(fq.59)

Mjaft të kujtojmë edhe rastin e vajzës e cila vdiq nga hemorragjia, apo  kur një grup vajzash u identifikuan si hebre dhe u nisën menjëherë me kamionë në kampet e shfarosjes. Askush nuk guxonte të pyeste apo të kundërshtonte. Nga një ferr në tjetrin, nga udhëtimi me tren në kamp.

“Më mirë të na kishin vrarë ditën e masakrës se sa kështu- tha Shqevi dhe zuri kokën me dorë. Të gjithë e panë në  sytë e thelluar ku nuk dallohej as e bardha.” (fq.58)

Mjafton të evidentoheshin si komunistë apo hebrenj dhe menjëherë o vriteshin në vend, o niseshin nëpër kampet e shfarosjes. Ngjarja e grupit prej dhjetra hebrenjve të kërkuar nga nazistët e kampit dhe që u fshehën paq nga ndihma e pakyrsyer e Ballkanasve (nënkupto- shqiptarë e grekë) është një nga ngjarjet që mbetet në kujtesë.

“Kuraja qenka bukë. Ne ishim të aftë të rronim me mendje.” (fq.66) Një gjendje që i ndoqi deri në fund, sepse dëshira për jetën i tejkalonte të gjitha vuajtjet shpirtërore e fizike.

Faqe të tëra ku autori përmes rrëfimit të Martës e Gjergjit tregon pothuaj me detaje jetën në kamp dhe pas kampit në kthim. Sepse ka një kthim. Lufta është në të mbaruar. Forcat Aleate kanë marrë kontrollin dhe të dënuarit nëpër kampet e punës të cilët ia arritën të dalin gjallë duhet të riatdhesohen. Një odise më vete edhe kjo. Një moment shumë i rëndësishëm historik për Shqipërinë e shqiptarët. Në një anë Lindja, më anë tjetër Perëndimi. Në një anë komunizmi, më anë tjetër, kapitalizmi. Personazhet gjenden në udhëkryq por të dashuruar më shumë se kurrë me  njëri- tjetrin.

Dalim kështu në linjën e tretë të romanit– atë të dashurisë mes Martës dhe Gjergjit.

Më shumë se dashuri mes të rinjsh autori e shfrytëzon për të krijuar simbolika  të pastra paqeje e bashkëpunimi sepse në thelbin e tij ai beson dhe e qëmton fuqishëm faktin se  njerezit së pari janë qenie njerëzore e humane, e pastaj kanë dallimet e kombësive. E meqë jemi menjëherë pas përfundimit të një lufte të egër e që zgjati shumë e mbi të gjitha me miliona të vrarë, mesazhi merr një dimension tjetër. Jo pa qëllim Gjergji është shqiptar. Shqipëria në atë kohë kishte zgjedhur- do bashkohej me kampin socialist. Dhe e dimë nga historia që kjo nuk u prit fare mirë nga Anglo-Amerikanët dhe aleatët e tjerë perëndimorë. Gjergji në këto kohë beson fuqishëm në idetë e tij, sepse ato i japin kuptim edhe vuajtjeve në kamp. Nga ana tjetër ai nuk mund të anashkalojë dashurinë e tij, e cila shkon për Martën, që simbolikisht përfaqëson edhe grekët (armiqtë e shqiptarëve), nga ana tjetër hebrenjtë (miqtë e shqiptarëve). Në fakt e gjithë marrëdhënia e tyre vjen përmes një narracioni të shtruar, sikur i gjithë romani, me tone të qeta dhe pa shumë figura, me fjali të thjeshta, të drejtpërdrejta. Por kjo nganjëherë e dëmton  tekstin, sepse e vonon veprimin dhe vetitë e karakterit të personazhit tregohen prej vetë atyre, në vend që të zbuloheshin nga ngjarja pak nga pak. Autori është një njohës shumë i mirë i ngjarjeve të kohës, janë ngjarje që kanë ndodhur me të vërtetë dhe atij nuk i ka mbetur veçse ti sistemojë ato e të na i sjellë përmes këtyre personazheve. Një kohë që gjërat i ka të ndara prerë: e mira dhe e keqja – të cilat nuk kanë asnjë shans të bashkëjetojnë. Bardh e zi janë edhe karakteret e personazheve. Përveç dy kryesorëve janë edhe bashkëvuajtësit e tyre në kampin e punës, e nga ana tjetër janë nazistët.  Por mesa duket duke u nisur nga mesazhi qëndror i humanitetit e paqes recioproke mes kombeve, autori ndalet jo pak në punën një mujore që të dënuarit bëjnë nëpër shtëpitë e fshatarëve gjermanë të mbetura pa krahë pune. Ngjyrat e ngrohta, idilet dashurore mes kombësive të ndryshme dhe respekti i ndërsjelltë, po më shumë i gjermanëve të cilët me përulësinë e humbësit falën respekt e mirënjohje, të gjitha këto i shërbejnë këtij qëllimi e mesazhi qëndror.

“E dinin dhe e dinin mirë, se nuk ishte një udhëtim turistik. Ishte një udhëtim nga një çlirim skllavërie….Kujtoi dhe iu morën mend.”(fq.97)  – kështu vazhdon romani, përmes rrëfimit të Martës. Treni shfaqet përsëri. Po kësaj here jo drejt vdekjes, por drejt jetës. Ishte koha kur “kokat si si kafka iriqësh” po mbusheshin me flokë. Dhe ashtu sikur flokët, po mbushej edhe shpirti i tyre me dritë dhe me shpresën  se liria ishte aty me ta.

 Në linjën e katërt.

“Kur u ndodh në krahët e Hermanit, Gjergji ndjeu njëfarë emocioni. Një ish-partizan me një ish- ushtar gjerman…..Ata i kishin ndihmuar këto vajza dhe shumë të tjerë fëmijë, pleq, e plaka që vinin për të kërkuar jetë nga robërit e tyre…”(fq.157). Është me të vërtetë emocionues ky fakt. Veç edhe faktit tjetër që në mesin e tyre është edhe Marta e cila edhe pse prej gjermanëve humbi të gjithë familjen e desh u vra edhe vetë, pa folur për kalvarin e vuajtjeve në kamp, i ndihmon me përkushtim këto fëmijë e plaka të cilat kanë mbetur keq e mos më keq. Një veprim i jashtëzakonshëm që  buron prej një besimi po aq të jashtëzakonshëm. Është ai besim që e mbrojti kur nuk kishte asgjë. Është ky besim që i mbrojti të gjithë hebrenjtë të cilët ia arritën të dalin gjallë nga kjo kasaphanë. Marta ashtu sikur të gjithë bashkëkombësit e saj ishte e përgatitur të priste edhe “ndëshkimin”, por nuk e tradhëtoi për asnjë çast atë. Në fakt ky është edhe një nga tiparet qëndrore të besimit hebraik dhe të qëndresës  hebraike ndër shekuj. Dhe le të kujtojmë se këta shekuj kanë qenë tejet “bujarë” për të zhdukur këtë komb, por koha tregoi se nuk ia dolën. Nuk mund të ndodhte një gjë e tillë për sa kohë ekziston brenda zemrës së secilit hebre ky besim. Nën një linjë tjetër jepen edhe marrëdhëniet tejet të diskutueshme politikisht, ato mes shqiptarëve dhe grekërve. Në roman ata janë gjithnjë bashkë, të grupuar nën emrin Ballkanas, ku iu bashëngjiten edhe kroatë, boshnjakë. Por peshën e marrëdhënieve dhe personazhe të cilët janë protagonist në ngjarje janë pothuaj vetëm shqiptarët e grekët. Edhe kjo nuk është bërë pa qëllim. Sigurisht është një simbolikë e trajtuar me kujdes e dashuri, sepse në përfundim megjithëse “…por do keni kujdes nga provokimet. Ne si popuj, të dy palët jemi shkrepse. Ndizemi shpejt.”(fq. 175), por marrëdhënia e tyre është e shkëlqyer. ASNJË POLITIZIM MES TYRE. Popujt në të gjithë globin flasin vetëm një gjuhë- PAQE E DASHURI.  Kjo nga ana e saj vjen si një mesazh plus në roman për kohët në të cilat jetojmë dhe ku armiqësitë e mbjella nga politika dhe makutëria e politikanëve i bën  njerëzit armiq me njëri- tjetrin, kur në fakt historia njerëzore gjithnjë dëshmon të kundërtën. Fakti që Marta jetonte në Janinë dhe nuk kishte kurrfarë pengu, marrëdhëniet e saj me shoqërinë e saj, po ashtu edhe në momentet më të vështira të saj, kur ajo u përball me humbjen e familjes së saj, ishte familja greke, fqinjë me ta që e strehoi dhe e mbajti si vajzën e vet. Asnjë mëri as për Gjergjin kur mësuan se ishte shqiptar, por vetëm merak prindi që Gjergjin të mos e gjente gjë në detyrat e tij të vështira dhe të arrinte të bënte të lumtur atë, Martën, hebrejen, që ata e quanin përfundimisht vajzën e tyre.

E këto padyshim që janë mesazhe shumë të fuqishme, tek të cilat duhet të kthehet vëmendja e shoqërisë sonë të politizuar keqas.

Epilogu si pjesë e strukturës romanore është interesant. Detaji-simbol : “Një gjemb teli më kishte shpuar në gisht, por nuk e kisha ndjerë. Pak gjak e kishte skuqur telin. Më duhej që edhe pas 64 vitesh, ta lija një njollë gjaku në ato tela me gjemba të mallkuara.” (fq.302) Na kujton se e kaluara nuk duhet harruar , kurrë, sepse popujt që harrojnë vuajtjet e tyre dhe krimet që janë bërë mbi ta, janë të destinuar të zhduken dikur.

Si përfundim i këtyre mendimeve, libri lexohet me ëndje sepse ngjarja të tërheq drejt njohjes së personazheve dhe jetës së tyre. Është një “bashkëjetesë” mes kujtimeve dhe realitetit të përditshëm. Intesiteti i vuajtjeve i përcakton të jetojnë në këtë mënyrë, madje edhe të qajnë. Shpresa vjen prej dorës që zgjatet për të fshirë ato lot. Po për  të vdekurit?  A qajnë?

“Të derdhje lot ishte privilegj, sepse trupi i tharë nuk prodhon as lot. A qajnë kufomat? Kufomat vetëm ngërdheshen”.

Ndërsa të gjallët dëshmojnë.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here