Në këto ditë të vështira, kur dhuna po merr përmasa shqetësuese, duhet të tregojmë gjakftohtësi, maturi dhe përgjegjësi qytetare. Shqipëria ka nevojë për qetësi, dialog dhe gjetjen e gjuhës së përbashkët, jo për përplasje, urrejtje dhe shkatërrim.
Unë jam me Shqipërinë! Jam për dialogun dhe mirëkuptimin. Jam kundër dhunës, kundër djegies, kundër shkatërrimit të bizneseve dhe kundër hedhjes së gurëve ndaj policisë. Por jam edhe kundër çdo përdorimi të tepruar apo të pajustifikuar të forcës nga policia. Ligji duhet të zbatohet nga të gjithë dhe të gjithë duhet të mbrohen prej tij. Policët janë vëllezërit tanë, bijtë e këtij vendi. Studentët janë fëmijët tanë, shpresa dhe e ardhmja e Shqipërisë. Pse duhet të përballen me njëri-tjetrin? Kundër kujt luftojnë shqiptarët? A nuk kemi të gjithë të njëjtin Atdhe? A nuk duam të gjithë një Shqipëri më të mirë?
Unë e dua Shqipërinë pa dhunë, pa gjakderdhje, pa thyerje xhamash, pa shkatërrim dyqanesh, pa policë e studentë të plagosur. Asnjë kauzë nuk fiton vlerë kur shoqërohet me shkatërrim dhe asnjë pakënaqësi nuk zgjidhet duke shtuar plagët e shoqërisë. Në demokraci, pushteti fitohet me votë, jo me dhunë. Kundërshtari politik nuk është armik dhe protesta duhet të jetë një e drejtë qytetare, jo një arsye për të shkatërruar pronën dhe për të rrezikuar jetën e njerëzve.
Unë e dua Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Dhe sot, kur e ardhmja europiane kërkon përgjegjësi, institucione të besueshme dhe kulturë demokratike, është momenti të tregojmë pjekurinë tonë si shoqëri. Europa nuk është vetëm një objektiv politik; ajo është edhe standard drejtësie, respekti për ligjin, dinjiteti njerëzor dhe barazie para tij.
Unë e dua Shqipërinë më të bashkuar, më të drejtë dhe më të fortë. E dua pa korrupsion, pa hatërmbetje e tarafllëk në administratë, pa nepotizëm dhe pa mllefe që na ndajnë nga njëri-tjetri. E dua me institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave të ngushta.
E dua Shqipërinë me pensionistë të respektuar, që të mos e kalojnë pleqërinë mes varfërisë dhe shqetësimit për bukën e gojës. E dua me studentë dhe të rinj që të kenë mundësi të studiojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, pa u detyruar të emigrojnë për të gjetur një jetë më të mirë.
E dua Shqipërinë ku puna të shpërblehet me dinjitet, ku të ardhurat e një ministri dhe ato të një punëtori të mos pasqyrojnë një hendek të pajustifikueshëm shoqëror, ku askush të mos pasurohet në kurriz të qytetarëve dhe ku askush të mos ndihet i pavlerë për shkak të varfërisë.
E dua Shqipërinë me një drejtësi të fortë, të pavarur dhe të barabartë për të gjithë, jo me dallavere, ndikime dhe standarde të dyfishta. E dua një vend ku ligji të mos njohë emra, poste, pasuri apo lidhje, por vetëm të drejtën dhe përgjegjësinë.
Kjo Shqipëri nuk ndërtohet me gurë, zjarr e shkatërrim. Ajo ndërtohet me mendje të kthjellët, me guxim qytetar, me dialog dhe me përgjegjësi nga të gjithë: nga politika, institucionet, policia, studentët dhe çdo qytetar. Prandaj, le të ndalemi e të mendojmë. Le të mos lejojmë që zemërimi të na verbojë dhe përplasjet të na largojnë nga ajo që na bashkon. Të kërkojmë llogari, të protestojmë, të kundërshtojmë padrejtësitë, por pa humbur respektin për jetën, ligjin dhe dinjitetin njerëzor.
Unë e dua Shqipërinë ashtu siç na e lanë amanet të parët: të lirë, të pavarur, të bashkuar dhe me dinjitet. E dua një Shqipëri ku fëmijët të kenë të ardhme, të rinjtë të kenë shpresë, të moshuarit të kenë siguri dhe çdo qytetar të ndihet i barabartë para ligjit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Nuk është pronë e një partie, e një qeverie apo e një grupi njerëzish. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët dhe kemi detyrimin ta ruajmë, ta përmirësojmë dhe t’ua dorëzojmë brezave të ardhshëm më të mirë se ç’e gjetëm.
Më shumë dialog, më pak urrejtje! Më shumë drejtësi, më pak korrupsion! Më shumë përgjegjësi, zero dhunë!
Rroftë Shqipëria e lirë, demokratike dhe europiane!


















