MANASTIR – PORTË E BEKUAR
Nga Zejnepe Alili Rexhepi
Si një djep i lashtë përkundur motesh
ku thuren ninulla e melodi shkronjash,
konak mendjendriturish, përtej shtigjeve
që përshkojnë Ilirinë, dheun e bekuar
me madhështi arbërore, si pjalmin e stinëve
në një simfoni paqeje akorduar.
Uratën tënde duam, të rihapësh zemërdlirësinë!
Manastir, qytet konsujsh e konakësh…
të puthim pragun, për atë shekull dijedritë!
Edhe kur të trazon ligësia, dot s’braktisesh,
as mposhtjen, as kangjellat s’i honeps
në fluturimin e lirë me krenari shqiponjash.
Mes ëndjesh e ëndrrash fanitesh
Abetare, në pafundësi shtegtimesh
e brezash, mbetesh relikt i paçmuar
mot e sot, kur dhe ime bijë të mban në duar.
Shteg më shteg përçon dritë fanari,
s’të pret udhën gjëmë mëkati, as acar janari.
Abetare, s’të ndalet prita! Je thesar, je vetë drita!
Teksa ndërrimi i stinëve ndër vite të rëndon,
pa të pyetur: sa ky mall peshon?
Shkronja të zjarrta vrullshëm derdhen,
mbi mijëra fjalë të heshtura historish
për triumfin e përgjakur në ëndje lirish
mes furtunash, ti kështjellë e zërit ilirik.
E pasfidueshme… edhe kur braktisëm atdhe,
si një tis trishtimi strukur në harrimin e moteve!
Ato luleqëndisma fjalësh e këngësh
që në elegancë vallesh i ngjizi origjina
me bardhësi e finesë shtigjesh udhëtuar.
Manastir, ti portë e bekuar!
ATDHE – FJALË E ZANAFILLËS
Gjurmë fjalësh zverdhur nga koha
në pergamenë gravuar më janë…
Harkut të At dheut…
as vaje, as gjëmë, nuk ia zhveshën shtatin,
as psalmet biblike dhe lutjet,
sa e sa doktrina…
s’na e shterpëzuan trungun…
(kur nga origjina ilire kullonte gjak
dhe gjak na duhej për Kanun).
Rrugëtime të gjata historish
ç’na i mbëltuan plagët
e At dheut kafshuar cep më cep:
në Manastir, Shkup, Prizren e gjetiu,
me gjuhën tonë mblatuar
si arbërishtja e fisme,
herë uratë e herë mallkim!
Historia copëzohet si koleksion ndjenjash
me rrëfimin e zogut të djegur nga shkul i diellit.
Koha zvarritet me hapa të lodhur
lë gjurmët e rënda
mbi të përgjakurat stinë,
fjalë të brishta e ngacmojnë harresën
në ngatërresë filli përkundur nga përgjumja,
historitë mbeten të pashkruara
për fatin shqiptar degdisur shtigjeve të vjetra!
Nuk di ta përshkruaj dhembjen me urtinë e moçme,
as të them pse orakujt na braktisën,
e tërbimin e kohës s’e ndalëm
kur strehë e ligësisë nënqeshej me ne,
shkronjat e kafshuara qarkonin hartën
dhe shpirtin ta brenin si krimba sizmografë,
po ato, të njëjtat dhembje të At dheut.
Gjurmë fjalësh zverdhur nga koha
në pergamenë gravuar më janë!
Ishte këngë legjendash
Hije që kundrojnë
mbi lugoret e absurdeve të kohës
ku luzmat e brengëmallit mozaik bëhen
për këtë dhe,
të përgjakurin Atdhe,
në ëndrra e krenari poetësh!
… Dhe nata sterrë u dergj në rrënkime
shikimi, veç hënën dëshmitare kishte,
po ajo nemitur në harresëdhimbje,
si një Promete, s’hesht para perëndish
Dhimbje, ti… që s’më ndahesh kurrë!
Në fërfëllimë flatrash, padiktueshëm
u ngjize ndjenjave të mia,
stuhish e erërash ngrihesh, lart
në re të zeza ngjitesh.
Sa droje kam për bukurinë tënde të përgjumur!
Si tinëzare e pafre mbi shpirt zbarkon…
Trazohen kujtimet e një legjende të lashtë…
Gjithandej nën gërmadha, ilirishtja rënkon
e ti, triumfalisht fatit i nënqesh
biografive të pashkruara ua sos durimin
kryqëzuar në të harruarat kohë trishtimi.
Ajo kohë zezonë, një ditë u rrënua e rra,
po aritmetika e djallit s’u mposht,
As vaji, as varri s’më tret dhimbjet,
në shpirt skalitur më janë.
Fiset pëshpëritin me duhmën e trazuar!
Të tjera kohë ishin,
të tjera kohë vijnë…,
o tokë ilire, e mbarsur në trishtime,
bijë e lindur për flijime Perëndish.
Lavdi për erëgjakun e dheut tënd,
Mall kam,
Kaherë ndiej mall!
Se e vogla zemra ime,
Ka dashuri të madhe për ty
Atdhe i të parëve të mi.
Dhimbje ti, që s’më ndahesh kurrë!
Ëndërr që s’perëndon
Nën vellon e kësaj vjeshte, lodhshëm frymon një qytet,
të lyera në bronz i ka heronjtë dhe historitë,
si relikte të gravuara horizontesh të përgjakura…
Sot…
Edhe qyteti im e bart dyzimin e viteve
kur koha e derdh ironinë mbi të,
zvarriten muzgjet nga frymëmarrjet rënduar…
Kush e di, se ku e ka portën marrëzia!?
Kjo vjeshtë e stërlodhur shpalos plagë të vjetra,
mbi dhembjet e gurëve që ruajnë luzma gjaku,
mbi dhembjet e kullave që ruajnë zjarre armësh.
Fjala…
ngujuar mbeti në altarë vdekjesh,
aty shteron imagjinata si ndonjë pellg i fjetur,
edhe dashuritë na braktisin, marrin arratinë…
Sa i gjatë bëhet rrugëtimi në errësirë.
Ritet e ditëve tona, në kujtesë i kanë flijimet
për këtë tokë qiellrrufesh, kufomash të pa numëruara,
nga vetë djalli që betohet mbi mëkatin.
Dhembja…
E skicon trishtimin në vaje të ngjirura
si dorëshkrimet që vlug zjarresh zgjojnë
në lakuriqësinë e muzeve të mjerimit.
Ç’faj kanë poetët që thurin ëndrra të përbotshme?!
Absurde kohësh ngrihen mbi stinët e mërguara,
portave të qytetit ku thyhen karvanë yjesh
fjala ndërroi jetë, pasha kumtin e poetit!
Diell…
për këtë tokë dhe lotin e syrit,
jetët e trazuara pushtohen nga lodhjet e së nesërmes,
në pritje të dritës, pulsojnë si dejtë e gjakut,
në tjera parakalime nisen me fatet e ngujuara.
Këtej…, shtigjet janë të errëta, ninullat të mekëta,
pesha e shekujve la dhjetëra okë dhimbjesh, kur
një udhëtare e pafre e pagëzuar…
Liri
me plagët e kohës rizgjon heshtje poetësh,
të paprekura në grimca harrese, rikthen ekuilibrin e humbur
me erën e ngrohtë që fryn kah dheu i premtuar
me ritmin e kohës të ecim, nën vellon e kësaj vjeshte.
Mall për baladën tonë
Seç ndiej mall,
kur muzgu në sytë e tu
s‘më sjell perëndim ndjenjash,
as tundimin tënd të shterur
rrugëve të palodhshme si lavjerës fati…
Ti udhëtar i regjur udhëtimesh pa mbarim
në dritëhëne, një cep yjësie shkëpute për mua
se në delirin e mallit afshndezur të prisja,
bukurezë feksja në kthinat e shpirtit tënd
magmë e bekuar perëndish, në ngjizje dashurish!
Kur nata zbret altareve të paprekura,
ti i lodhur kthehesh nga rruga e gjatë
me dhembje ngarkuar,
as violina si rinis tingujt, zemërmekur tretet,
si një velencë mjerimi pushton mallin tim, për ty…
Në humbëtira vitesh, zjarrmojnë të përndezurit yje
në përplasje stinësh ngatërruam rrugë,
kujtimet palosen, me nxehtësi puthjesh
mbi gjurmë stinësh pa kthim
fati ynë degdiset, baladave të pashkruara.
Ode për gruan shqiptare
Sytë e tu përgjakur, në përgjërim derdhur
shtigjeve të një kohe të trazuar…
Eh, sa të venitej jeta në përkalimet e ferrit
lulkuqe e vaditur në gjak,
në uri rritur…
I patretur të mbeti kujtimi,
sonatë këngësh të anatemuara…
Je krenare për vete dhe origjinën!
Në imazhe historish përvijuar,
gjaku rubinor shtatin ta përshkonte
si rrëketë e mallit ndezur,
me lavdinë që s’vdes kurrë!
O grua – mbretëreshë
as në drithërimat e stinëve, Teutë
s’pushove së ëndërruari Ilirinë…
Sibilë legjendash në vargje poetësh.
Urtinë s’e mësove nga librat!
E bekuara Nënë Gonxhe…
në bibliotekën me traditë të fisit
zemërdritë me prehje mirësie
farfuritëse ishe, fjalëfloriri lyer
shpërndaje dromca shenjtërie
rrugëtimeve të përbotshme…
Ti, dashuri e përbetuar e botës!
E mbi plagët e fashitura të kombit
t’i njohëm gjurmët Florë Brovina,
kur qiejt mëkatuan e përdhosej trualli
në brengë malli të mbërthente dhembja
edhe kur zgjuar të mbante etja
dhe rënduar të ishte fjala,
kurrë s’e njohe thyerjen…
Ti, urtake kohësh të trishta!
Ecejakeve të përgjakura shekujsh
tri ikona madhështish skalitur
në muzeun e lavdive, simfoni të reja
dashurish kombëtare…
në kalendarë të vjetër botës i përcillen!
Lotët e tharë e buzët purteke, trishtohen…
kur mbi kullat tona përvajshëm lëshohen murgëzat…
tok me blanat e gruas shqiptare
si një melodi e moçme isopolifonish,
kur ëndrrat u gremisën në labirinte ligësish.
I patretur kujtimi të mbeti,
si sonatë me anatemim këngësh…
Mbete krenare për vete dhe origjinën!
E njëjta hënë
Një natë…
dhimbje rigonte nga shpirti i hënës.
Yjet u shembën mbi kështjellën tonë…
kur një zë nëne,
midis dhimbjesh shpërndau gjëmë ninullash,
për ta sfiduar botën shterpe,
që e përdhosën gjakpirësit e kohës,
pastaj shkruajtën libra mashtrimesh.
Është “gjaku që nuk falet”,
Ajo, e shenjta tokë e ngjizur në madhështi.
Zot, le të vdesim për të!
Koha I flet kohës
Harresa është vdekja e kombit
dërrmuar historive të moçme,
si zinxhir i rëndë mbi qenësinë shqiptare.
Po Zoti a vështron tek e vërteta
dhe gjykimi për lirinë, kur
shekulli i mesëm i rrëfehet shekullit plak
a edhe ti si unë,
i paske rrënjët në gjak?!
Epitafet janë të shkruara në gjuhë arbërore,
prandaj për turk, grek as sllav…
nuk ka vend në këngë, as në varg,
përpos në trishtime historish
si përbindësha në soj e katandi,
pastaj, ironia e kohës bëhet
metaforë e fatit të popullit tim,
çetë profetësh që i binin qark atdheut
për liri – doktrinë e Ilirisë.


















