Letërsia fantastike si pasqyrë e realitetit. “Dituria” vjen me botime të reja
PËRTEJ PASQYRËS, ATY KU PUSHTETI FSHEH TË VËRTETËN
Në botën e Christelle Dabos, bukuria mund të jetë një maskë, ndërsa fantazia një mënyrë për të parë më qartë realitetin…
Në pamje të parë, Poli është një botë që të josh me madhështinë e vet. Pallate të jashtëzakonshme, sallone luksoze, ceremoni të organizuara me kujdes, familje të fuqishme dhe një shoqëri ku çdo gjë duket se i bindet me përpikëri një rendi të përcaktuar. Por, pas kësaj bukurie të ftohtë, fshihet një botë e mbushur me frikë, dyshime, rivalitete dhe lojëra pushteti. Në këtë univers, një buzëqeshje mund të fshehë një kërcënim, një gjest mirësjelljeje mund të jetë pjesë e një intrige dhe e vërteta mund të jetë gjëja më e rrezikshme për t’u zbuluar.
Pikërisht në këtë kontrast ndërtohet bota e Vizitores së pasqyrës, sagës së shkrimtares franceze Christelle Dabos. Me vëllimin e dytë, Të zhdukurit e Dritëhënës, lexuesi zhytet edhe më thellë në një univers ku fantazia, misteri dhe tensioni psikologjik ndërthuren në mënyrë të natyrshme. Ajo që në vëllimin e parë ishte një botë e panjohur për t’u zbuluar, këtu shndërrohet në një labirint ku çdo përgjigje ngre një pyetje të re.
Në qendër të kësaj bote është Ofelia, një heroinë larg modelit tradicional të personazhit të fuqishëm e të pagabueshëm. Një vajzë e re e rezervuar, e ngathët në marrëdhëniet shoqërore, shpesh e pasigurt dhe, në dukje, krejt e papërshtatshme për mjedisin ku është vendosur. Por pikërisht këto veçori e bëjnë të veçantë. Ofelia nuk mbështetet te forca fizike apo tek aftësia për të sunduar të tjerët. Ajo ka dhuntitë e saj të pazakonta, vështrimin e mprehtë dhe një këmbëngulje që nuk e braktis as kur rrethanat bëhen kërcënuese.
Në romanin Të zhdukurit e Dritëhënës, ajo gjendet gjithnjë e më e përfshirë në intrigat e oborrit të Polit. E rrethuar nga njerëz që nuk i zbulojnë kurrë plotësisht qëllimet e tyre, Ofelia duhet të mësojë të dallojë atë që thuhet nga ajo që fshihet, të kuptojë aleancat dhe të mos humbasë besimin te vetja. Ndërkohë, marrëdhënia e saj me Tornin mbetet një nga boshtet më të ndërlikuara të rrëfimit: një lidhje e ndërtuar mes mosbesimit, heshtjes, përplasjes së karaktereve dhe ndjenjave që asnjëri prej tyre nuk di t’i shprehë lehtë.
Por misteri i vërtetë i këtij vëllimi shkon përtej intrigave të pallatit. Libri i Farukut, kujdestarët e tij, zhdukjet dhe sekretet që lidhen me historinë e botës së copëtuar, e çojnë Ofelinë drejt një kërkimi shumë më të madh. Ajo që duket si një seri ngjarjesh të pavarura, nis të zbulojë lidhje të fshehta. Pas historive të familjeve dhe përplasjeve për pushtet qëndron një mitologji e errët, e cila përbën zemrën e vërtetë të sagës.
Kështu, në vëllimin e dytë nuk vazhdon thjesht aventura e Ofelisë. Në të zgjerohet horizonti i saj, por edhe i lexuesit, duke e bërë gjithnjë e më të qartë se misteri që duhet zgjidhur është shumë më i thellë se ai që shfaqet në sipërfaqe.
Në një intervistë për revistën letrare Focus Littérature, Christelle Dabos ka shpjeguar marrëdhënien mes Ofelisë dhe Tornit dhe mënyrën si i ndërton personazhet e veta. Shkrimtaren e tërheqin kontrastet dhe paqartësitë, personazhet që nuk mund të përkufizohen me një tipar të vetëm. Për të, një personazh bëhet interesant pikërisht kur nuk është tërësisht i parashikueshëm, kur brenda tij bashkëjetojnë cilësi që, në pamje të parë, duken të papajtueshme.
Kjo zgjedhje ndihet në të gjithë sagën. Personazhet e Dabos nuk ndahen lehtë në të mirë dhe të këqij. Ata mund të jenë njëkohësisht tërheqës dhe të frikshëm, të brishtë dhe të ashpër, të besueshëm dhe të dyshimtë. Edhe marrëdhënia mes Ofelisë dhe Tornit i shpëton skemës së zakonshme romantike. Të dy janë karaktere të mbyllura, që e kanë të vështirë të komunikojnë dhe të kuptojnë njëri-tjetrin. Ndjenjat e tyre nuk shfaqen si një premtim i lehtë lumturie, por si një proces i ngadaltë zbulimi, ku afërsia nuk e përjashton konfliktin.
Ky interes për kontradiktat njerëzore është një nga cilësitë më të spikatura në veprën e Dabos. Ajo nuk kërkon t’i bëjë personazhet të pëlqyeshme me çdo kusht. Përkundrazi, u lejon të mbeten të ndërlikuara, të gabojnë, të fshehin dhe të ndryshojnë. Në këtë mënyrë, lexuesi vihet jo vetëm përballë pyetjes se çfarë do të ndodhë më pas, por edhe përballë dilemës se kujt mund t’i besojë.
Ndoshta një nga zbulimet më interesante që Christelle Dabos ka bërë në intervistat e saj është mënyra si e lidh botën fantastike të Polit me përvojën e përditshme njerëzore. Në një intervistë për revistën Lecture Jeune, autorja ka sqaruar se oborri i Polit mund të shihet si një pasqyrim i marrëdhënieve që krijohen në fëmijëri dhe adoleshencë: grupime, hierarki, rregulla të pashkruara, reputacione që ndërtohen ose shkatërrohen dhe sisteme pushteti që nuk janë gjithmonë të drejta. Kjo ide i jep romanit një dimension që kapërcen kufijtë e letërsisë fantastike. Oborri është një shoqëri e vogël, por brenda tij gjenden të përqendruar mekanizma që i njohim mirë: dëshira për t’u pranuar, frika nga përjashtimi, gara për ndikim, nevoja për të qenë pjesë e një grupi dhe tundimi për të bërë kompromis me veten në këmbim të sigurisë.
Në këtë mjedis, Ofelia është një e huaj. Ajo nuk zotëron kodet e shoqërisë ku ka hyrë dhe nuk di të luajë sipas rregullave të saj. Por pikërisht kjo e bën figurën e saj më domethënëse. Ajo duhet të gjejë vendin e vet, pa humbur vetveten. Një sfidë që nuk i përket vetëm një heroine fantastike. Një përvojë njerëzore e njohur për këdo që është gjendur në një mjedis ku pranimi kushtëzohet nga përshtatja dhe ku ruajtja e individualitetit kërkon guxim.
Në këtë kuptim, Të zhdukurit e Dritëhënës nuk është vetëm një roman për sekretet e një bote të imagjinuar. Është edhe një histori për pushtetin dhe mënyrën si ai ndikon te marrëdhëniet, për maskat që mbajmë, për besimin dhe vështirësinë për të ruajtur pavarësinë në një botë që përpiqet të të përcaktojë.
Një nga arritjet e Christelle Dabos është se ajo nuk e përdor fantazinë si një arratisje të thjeshtë nga realiteti. Bota e saj është e pazakontë, por emocionet dhe konfliktet që e përshkojnë janë të njohura. Pas pallateve, familjeve të fuqishme dhe mistereve që lidhen me Librin, qëndrojnë pyetje shumë njerëzore: çfarë na bën të besojmë te dikush? Sa mund të sakrifikojmë për t’u pranuar? A mund të ruajmë lirinë tonë në një mjedis që kërkon bindje? Dhe sa herë e ngatërrojmë pamjen me të vërtetën?
Titulli Të zhdukurit e Dritëhënës e vendos lexuesin përballë një bote ku edhe vetë e vërteta duket sikur ka humbur në një rrjet pasqyrimesh. Në këtë udhëtim, Ofelia orvatet jo vetëm të zbulojë sekretet e të tjerëve, por i duhet të kuptojë edhe botën ku jeton dhe vendin e saj në të.
Me një univers të ndërtuar me kujdes, personazhe që i shpëtojnë çdo përkufizimi të lehtë dhe një intrigë që zgjerohet nga faqja në faqe, Christelle Dabos dëshmon se letërsia fantastike mund të jetë njëkohësisht argëtuese, kërkuese dhe reflektuese. Ajo na kujton se pamja më e bukur mund të fshehë një të vërtetë të errët dhe se, ndonjëherë, për të parë më qartë botën, duhet të guxojmë të shohim përtej pasqyrës.
Vizitorja e pasqyrës 2. Të zhdukurit e Dritëhënës nga Christelle Dabos, përkthyer në mjeshtërisht në shqip nga Lorena Dedja, vjen për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese DITURIA, si pjesë e projektit “Histori që frymëzojnë dhe lënë shenjë”, me mbështetjen e programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian.


















