DITA IME –NJË CIGARE. Intervistë me poetin e njohur VAID HYZOTI , SHBA. Intervistoi: Teuta Sadiku.

 

 

 

1- Çdo vëllim poetik të lë përshtypjen e një rikthimi fantastik në vendlindje. Por shija që të mbetet ,ndjesia e kthimit   në vendlindje kuptohet  që nuk  është  real dhe i vërtetë, pse edhe ndjenja përshkrimi janë fantastike, janë përmes ëndrrës dhe vegullimeve. Sa e  lehtë apo e vështirë  është   të bësh një udhëtim , një kthim fantastik në vendlindje, qoftë edhe në ëndërr  dhe kjo të bëhet temë e një poezie? 

 

 

Vdeksha po nuk erdha

 tek ty vendi im

Këto vite të shumta ,

I harruar  jam.

Por beben e syrit

S`mbylla asnjë natë,

Pa të futur brenda..

Se të kam aq larg

Dhe të rruaj me ëndrra.

Vdeksha, po nuk erdha.. ..

 

Më vjen mirë që hyre drejtpërdrejt në temë, pa përdorur klishetëe si , na thuaj diçka nga fëmijëria, shkollimi e të tjera. Për një emigrant si unë, që ka 22 vite pa u kthyer në vendlindje, në mungesë të një dokumentacioni të plotë lëvizës, kjo do përbënte dhe përbën shqetësimin e dhimbshëm në çdo fjalë. Vërtet nuk kam mundur të vij fizikisht, por asnjë sekond të vetme nuk ndihem larg vendlindjes. Ndoshta për faktin se kam ardhur në Amerikë në moshë pak a shumë të rritur (38 vjeç), kur formimin, shoqërinë e gjithçka e kisha të formuar ose kishte marrë një drejtim. Kjo me “urdhëron” të rikthehem gjithnjë e më shumë dhe më me ngulm atje. Një tjetër shtysë që e them me dhimbje) është një grusht dheu i munguar në varret e prindërve që nuk mund ta hedh. Më ka mbetur në dorë dhe ende e di që ata, të mirët e mi, e presin. Më ka çmendur çdo ditë ideja se në shtëpinë time në Tiranë kam lënë hijen time për një kohë kaq të gjatë dhe hija frymon kujtimeve. Pa folur më gjatë për mjediset shoqërore dhe letrare që këtu më mungojnë.

Atëherë, pse nuk kthehesh, do thuash ti dhe kushdo në mënyrë të vetvetishme. I kam këmbët me gurë të rëndë. Nuk po mundem t’i tërheq dot. Prisja rritjen e fëmijëve dhe shkollimin e tyre. I solla këtu të vegjël. Për të dy gjuhë e parë është anglishtja.Sado që u flasim shqip dhe kuptojnë, përsëri nuk mund ta ndërrojnë. Se shkolla dhe në tërësi Amerika ka një peshë më të madhe se zëri ynë. Kështu ata në këto kushte nuk mund të përshtaten lehtë për shkollim dhe  jetë  në Shqipëri.

Tashmë fëmijët u shkolluan dhe të dy kanë filluar punë, pas master-it. Ndërkohë një “gur” i rëndë, madje më shumë se sa e prisja është mbesa ime që ende nuk ka mbushur dy vjeç. Këto dhe probleme të tjera e bëjnë gati të pamundur ardhjen e shpejtë në Shqipëri…Eh, është një kohë biblike pa ardhur, por legjendat po përsëriten dhe në kohë moderne për ne shqiptarët…

 

2- Ju  i shkruani në gjuhën shqipe vëllimet me poezi, në një kohë që përreth jush flitet anglisht apo edhe gjuhë të tjera .

Si është të shkruash poezi në shqip edhe përreth  të flitet anglisht?A kini provuar të shkruani në anglisht poezi?

 

…Jam pacient i ri nga një vend i largët

Dhe më japin të plotësoj një formular spitali

Nëna dhe babai  nga çfarë sëmundje vuanin

Marr një pikëlot tek syri

Shkruaj  nga malli…

 

Po, në shqip shkruaj sepse ndihem më komod. Jo vetëm për gjuhën, por poezia nuk shkruhet nga unë. Shkruhet vetvetiu. Dhe më vjen vetëm në shqip. Edhe në komunikimin e përditshëm në punë (në një front desk) hera -herës harroj dhe u them mes të tjerave ndonjë fjalë shqip. Në fillim ishte e vështirë, se erdha këtu pa ditur asnjë fjalë anglisht. Punoja me italianë dhe në bisneset e tyre meqë njihja gjuhën. Por eshte domosdoshmeri dhe e perditshme anglishtja. Në  Neë York fliten 180 gjuhë. Mbase 80% flasin keq dhe me akcent anglishten. Por kjo nuk përbën humor tek askush. Amerika është komb emigrantësh. Kur provoj të shkruaj anglisht shkruaj unë dhe mbase imazhet vijnë më mirë, por ndjenja mungon. E përsëris:Në shqip poezia më shkruan mua. Dhe mbase e keni parë dhe vërejtur që poezia ime rreh nga ndjenja.

 

3- Tema e emigrimit, e emigrantit është një temë  shumë rrahur nga ju në poezi.Një temë  e cila e bën  çdo lexues të  adhurojë poezinë tuaj, jo vetëm se ka elementë autobiografikë, por është një vërtetësi e dhënë aq bukur artistikisht. Është pikërisht fakti i dhimbjes personale frymëzimi juaj , apo  është përsosmëria, aftësia juaj,  e një  poeti të  afirmuar  tashmë të trajtoni këtë temë kaq delikate dhe ta ngrini në art dhimbjen ?

 

….Në çdo derë që trokas

Më kërkojnë biografinë

Nga vij , ku shkoj ,a kam një gram shkollë…

Plotësoj me zë çfarë harroj me shkrim,

Të gjej një punë,të përsos një strehë

Të kem një zë dhe unë tek të gjallët

Bota biografinë vetëm në letër e sheh

Brenda meje bota nuk mi sheh varret .

 

 

Besoj se e kam provuar hidhësinë e emigrimit me tërë peshën e saj shtypëse.Ia kam ndjerë dhe vazhdoj t’ia ndjej dhimbjen akoma. Mbase vitet duhen shumëzuar për dy me trishtimet  që më dhanë.Unë nuk e di a jam i afirmuar apo jo. Madje do të thosha se pas vitit 1986, kur përfundoi maratona  e botimit të vëllimit të pare “Zërat e ditës së re” e vendosa të mos botoja më (jo të mos shkruaja dhe të grisja),se shkruaja dhe grisja gjithnjë, pa u nxitur të botoj qoftë dhe një cikël të vetëm. Poezitë e vëllimit të dytë  “Qyteti i të marrëve” në Neë York 2006 erdhën si nxitje nga Petraq Risto që e takova  këtu dhe më tha që ka nje shtepi botuese “Globus R” dhe më premtoi  botim të lehtë, pa fitim. Ia nisa i dyzuar me veten se po shkelja një vendim. E përgatita brenda javës. Shumë poezi i mbaja mend, se isha mirë me kujtesën, ndonëse pas të hedhurit në letër i kisha grisur. Është një vëllim që dhe sot e mbaj të ngrohtë për dhimbjen, lirizmin dhe emigrimin e trishtë…Petraq Risto, Ilirjana  Sulkuqi, Albana Melyshi, Roland Gjoza ( me të cilin banonim në të njëjtën lagje për 10 vite  rresht  e  kam patur ndër miqtë më të afërt, në saj të njohjes së hershme) e mjaf të tjerë më grishën të shkruaj dhe të botoj.

Nxitje u bë dhe shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia që e drejtonte miku im i rrallë Llazar Vero. Atje kam parë ndër grupimet e rralla të shqiptarëve intelektualë ose jo, ku festa e promovimeve ua kalonte shumë të tillave që bëheshin herët në lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve. Madje llogari pse nuk punoja më kërkonte gjithnjë miku i jetës sime, i paharruari Betim Muço që jetonte në Maryland.

 

4- Poet lind apo bëhesh .Në poezinë  tuaj ndjehet dhimbja e përshkruar në  gjithë thellësinë e saj ,po aq sa ndjehet edhe e qeshura e çuditshme deri në tallje me veten, me poetin. Kush është mendimi juaj.

….. Parkuar  pranë pallatit tim kjo taksi  e zezë

Unë pas xhamit  bëhem më i sterrtë

Babai im nuk është më

Unë smund ta përcjell

 

Taksia pret dikë

ta çojë në aeroport 

 

S`e di a duhet të përgatitem për në morg….

 

“Poet lind apo bëhesh”-pyetje e dëgjuar shpesh. Unë nuk e di a jam poet akoma. Do besoja se jam lexues “i talentuar” i poezive të bukura. Shqipëria dhe bota ka shumë poetë të mrekullueshëm .Nuk dua të përmend emra se nuk do mjaftonte e gjithë gazeta Nacional t’i mbante. Padyshim unë kam ata të veçuarit e mi. Neruda është në krye të listës.Vërtet  kam shkruar herët, por nuk kam dashur t’i përkushtohem letërsisë. Në shkollën e  mesme pëlqeja më shumë stereometrinë për nxitje të përfytyrimeve. Mbase pse kisha profesor I.Gashin ndër të rrallët metodiste shqiptare dhe tepër i ditur.Por botoi i ndjeri Vath Koreshi në “Drita ” një cikël timin me poezi  dhe i kishte pëlqyer dhe Dritëro Agollit, i cili  në shkrimin e tij  për ditën e poezisë me titull ‘Nga vjen poezia” më përmendte dhe mua dhe kjo ishte “mbleseria” nga komiteti egzekutiv të më  çonin për letërsi në fakultetin  Filologjik.

Më konkretisht në lidhje me pyetjen në se bëhesh poet apo  lind. Unë që 16 vjeç kam dalë nga shtëpia e prindërve me shkollë apo me punë,pra  jam rritur me shokë. Poezia është një impuls i brendshëm shpirtëror dhe njerëzor. Mund të krijojmë metafora e të flasim me gjuhë idiomatike, por të pambrujtur me shpirt, nuk mund as ta cikim poezinë. Mbase duhet thënë  se poeti është qenie e ndjeshme dhe e formuar (“e bërë”) nga jeta dhe formimi. Mbase kjo është arsyeja  se në gjykimin e sotëm habitem pse libraritë rrudhin buzët të pranojnë vëllime poetike. Se poezinë po e shkruajnë të gjithë dhe grami po mbyt dhe ato që kanë vlera; ndërkohë dhe as në Turqi nuk shihen e ndiqen me aq pasion telenovelat turke. Kujtoj se në vitin e parë të gjimnazit kur lexova “fshehtazi” “Ura e psherëtimave” e quaja librin më të madh të botës dhe isha krenar.Sot përqesh veten.Në se  jeton në kuptimin e vërtetë të fjalës , në  se ndjen dashuri e dhimbje të thellë,  poezinë e ndjen edhe pa qenë poet .

 

5- Çfarë është ajo që ju shtyn të shkruani  nga takimi dhe njohja me tipa e karaktere  të ndryshëm,që nga bosa, biznesmenë, lypsarë, surrogate ,emigrantë.Dëshira  për t`u bërë zëri i tyre, apo gjendja ,egzistenca e poetit  brenda jush ?

 

 ..fëmijët e tu në rrugë ecin zbathur

Pangopësi e tyre në shpirt të dhemb

 dhe pranove të bëhesh surrogate

ti falësh një vezë  të mitrës tënde

që fëmijët të ngopur të flejnë në mbrëmje

 

Ta dija  se çfarë më shtyn të shkruaj, cilat tipa, cilat shtresa shoqërore,  cilat lule , do i ndiqja. Sa më shumë të lexosh dhe sa më aktiv të jesh në jetë me njohje dhe lëvizje e di që fiton ngacmimet e fillon të shkruash. Dhe unë nuk e kërkoj por mjaft ngjarje i përjetoj. Dikur në adoleshencë vuanim për një përkëdhelje dashurie  t` ia falnim ” asaj”, ndërsa sot vuaj  më  shumë të ndihem  i vlefshëm për familjen,  fëmijët e mi, të përjetoj dhe vuaj për një jetë që më duket se ka shkuar fare kot, të  shmall mallin e malltë për njerëzit e mi që i kam larg, të vuaj për vendet dhe ditët që kam lënë pas. Ja  që vjen një kohë e gjithçka  rend marramendshëm. Dhe pengjet  e dashurisë  (jo vetëm dashurore), njerezore po vargohen pambarimisht.

 

6- Në se do ju jepej mundësia të ndryshonit diçka në sallonet poetiko-letrare ,apo çmimet në konkurse e festivale  në  faqet elektronike,  rrjetet sociale shqiptare, çfarë do ndryshonit?

 

….Se poezitë nuk shkruhen veç me letër e me penë

Apo në tastierën e internetit

Ato ndihen në fërshëllimën e erës

Shkruhen në ajër

Me mollza gishtash

Me ngashërim të zemrës….

 

Kuptohet se do mbetemi vetëm tek “Nëse`’, se jam i pafuqishëm.Çfarë do ndryshoja.Të parin falsitetin.Lavdinë false. Siç thotë në një poezi Petraq Risto, gradat e kësaj lavdie janë të akullta dhe shpejt shkrijnë. Por duhet ngrohtësia njerëzore ta mbështjellë njeriun të shohë vetveten më te vërtetë. Është dhimbje dhe turp i pafalshëm për të gjithë se vetëm kur iku në amëshim e qamë dhe njohëm meritat poetike të Frederik Reshpjes, bie fjala.Sa pak flitet në ditët e sotme  për  poetët e vërtetë  e  me vlera  të cilët janë akoma  gjallë. Nuk është  se nuk i  lexojnë apo nuk ua kuptojnë  vlerat , por kanë frikë t `i përmendin  se mos u humb madhështia e tyre. Një tjetër që do bëja “nëse…”  do ta nxirrja nga moda të vargëzuarit, gjithashtu do ringjallja e do i jepja emër kritikës letrare. Ajo është pothuajse e mbaruar. Dhe hithrat rrëzë mureve  i shet për tulipan hollandes. Në një shkrim të dikurshëm të  Klara Kodrës viheshin pikat mbi “i” përse nuk mund të ecë kritika. Dhe e di që nuk do të ecë për një kohë të gjatë. Kemi një shtet  që kulturën, artin  e ka  lëndë plotësuese në shkollë. Asgjë nuk bëhet.Konkurset dhe çmimet vjetore janë gjithnjë të përfolura.Shpejt do vijë koha të jepen çmime për vepra të pashkruara mjafton  autori t`i ketë thënë  një njeriu “me peshë” kur ka qene i dehur se ëndërron të shkruajë  aksh vepër. Shumica e shkrimtarëve dhe poetëve  mendojne se  shkruajnë kryevepra  dhe vetëm kryevepra.Këto do t’i zhdukja “nëse…”

Në do të kisha fuqi nuk do lejoja asnjë botim me pagesë. Shkrimtarët shtrydhen  për t`u  majmur  botuesit. Ndërkohë kush ka mundësi ekonomike  dhe dëshirë për lavdi të madhe  boton 10 libra në vit! Vetë nuk jam nxitur të botoj. Vërtet  nuk kam harxhuar asgjë nga botimet e mia të pakta (8 libra gjithsej në tërë këto vite), se i jam mirënjohës botuesve të mi Ristos dhe Rexhep Shahut te “ Klubi I  poezisë “, por e di që kanë gjetur sponsor  dhe libri me ato pak kopje dhe shumë njohje të mia ka ecur..

.

7- Proza apo poezia,cila nga këto është më e preferuara  për ju.

 

 

…Erdha në Nju Jork për rritjen e tim biri.

Erdha ,

ndonëse e kisha lexuar disa here porosinë e Markesit

latinit të çmendur pas të vërtetave e magjive

se në ktë qytet vine ata që vendosin për të vdekur…

 

Në Amerikë nuk je kurrë me kohë të mjaftueshme edhe nuk punon rregullisht. Në  Neë York të bësh një pazar të rënde do harxhosh një gjysmë dite. Zakonisht dy-tre orë në ditë t’i merr udhëtimi vajtjeardhje nga puna. E përmend këtë fakt sepse  rrallë gjen përqëndrimin të ulesh të punosh gjatë në prozë, sidomos në prozën e gjatë.Gjithnjë “e lë për nesër” dhe nuk di kur do të vijë e nesërmja. Poezia shkruhet shpejt. Në rrjetet sociale e hedh si synops. Kam miq që me flasin sinqerisht dhe nuk më ngjyejnë me mjaltë. Janë pak të tillë, por që u besoj dhe kur flasin dhe kur heshtin. Ndonëse kam dy  libra në prozë ndonëse tregimin e shkurtër e pëlqej shumë, por shkruaj më shumë poezi, se e shkruaj ” në këmbë”.

 

8-  A ka ndonjë poet a shkrimtar që ka ndikuar  në jetën  apo dhe krijimtarinë tuaj, për sa i përket poezive të shkruara me aq dhimbje , për nënën, babain, vajzën, djalin ,gruan .Siç thotë dhe miku juaj Roland Gjoza, vargu tënd  del  gati  nga një dhimbje për vdekje.

 

….Oh,nëna ime , thirra dhe unë I tronditur

Ende pa u çliruar nga pesha e ëndrrës.

Se jam kaq larg për vite e vite

Jam fëmija I përmallur

Për varrin e nënës….

Për prindërit e fëmijët  kanë shkruar gjithë poetët e botës. Nuk mund të bëj përjashtim se vepra e Eseninit, si tek shumica e moshatareve te mi, ka lënë gjurmë tek unë. Librin me lirika të tij e mësova përmendësh thuajse krejt në gjimnaz.Që atëherë nuk e kam lexuar më. Në fakultet u ndjeva  inferior me shumë shokë që kishin lexuar autorë që atëherë as i njihja. Kisha në kurs Ardian Vehbiun e Shaban Sinanin që ishin nga të rrrallët. Me një autorizim “shoqëror” m`u dha e drejta të lexoja në Bibliotekën Kombëtare dhe librat ” e verdhe’.Dhe  gjatë  vitit të parë  në fakultet e detyrova veten të lexoja së  paku 1000 faqe letërsi tinës të tjerëve. Jo se isha ziliqar për njohuritë e shokëve, por ndihesha ngushtë dhe shihja si guak të tjerët. Gjithsesi libri i parë që kam lexuar në jetë nga autorë   të njohur ishte “Princi dhe i varfri” i Mark Tuenit dhe mbase  ka qenë startim për t`u bërë  sadopak poet I  dhimbjes njerëzore . Dhe kur këto dhimbje I përjeton dhe i ndjen fort në shpinë  këtu në emigrim, atëherë poezia u shkrua vetë.

 

9- Lirikat e dashurisë  nuk janë të pakta në vëllimet tuaja  poetike.  Si perceptohet  dashuria nga ju ,  një  forcë jete  si  njeri në radhë të parë e pastaj si muza tuaj në poezi , apo një dëshirë e preferuar  e  lexuesve tuaj të shumtë.

…Një jetë- të krijoja ty.

Dhe mbete portret I pambaruar.

Çdo burrë paska detyrë të vështirë,

Të krijojë një femër-gjysmën e botës së tij,

Të bindë veten se në jetë,

Ka dashuruar….

Nëse do ishim të sinqertë me veten, më shumë se 90%  të kohës së të përjetuarit të njerzve, ështe dashuri. Nuk flas  vetëm për  dashurinë  ndaj femrës ,flas që dhe dhimbja, dhe kujdesi për fëmijët e shqetësimi e meraku i përjetshë për ta, dhe të  ikurit, dhe përmallja etj, janë  dashuri, qoftë si elegji, qoftë si baladë, qoftë si psherëtimë. Është e vërtetë se në librat e mi ka shumë poezi dashurie. Sepse  dua të hyj apo, më saktë, të shkoj tek njeriu. Se dua te shoh njeriun e të shfaqem me astaret e shpirtit të kthyer. Se nëse nuk ndjejmë dashuri , nuk jemi më njerëz. Ndaj është i njëjti pasion rinor në këto krijime.

 

 

10- Planet tuaja për botim të ri janë së afërmi , në prozë apo poezi.

 

Dil nga fshehtësia ,shfaqu , lermë  të lexoj prapë

Buzët më djegin akoma,

Përsëri lënë shenja ..

Me të drejtën e autorit poezitë dua  të marr,

Në mos  të krijoj tek ty,

Poezi të reja.

 

Plane? Hahaha…unë nuk bëj kurrë plane për botim. Mbase nuk botoj më asnjë vëllim. Nuk them që nuk shkruaj. Nuk them se jam konfort me cikle në shtyp apo poezi në rrjetet sociale, kryesisht në facebook. Nuk them se gjithçka shkruaj ia vlen të botohet. Por shkruaj dhe  hedh shënime  çdo ditë tashmë. Kur më premtohet botim nga miq  a sponsor, mbase botoj.Ftoj miqtë e mi poetë dhe si teknikë e njohës të kompjuterit ,(vetë kam një injorancë jo të pakët) .Librin e fundit “Dita ime-një cigare ma përgatitën për  botim Sulkuqi, Risto e Berki. Shkruaj tregime  dhe poezi. Mbase pse kam shkruar ndër  vite shumë recensione për miq krijues, do të doja ta botoja një përmbledhje. Por ana teknike dhe botimi me pagesë  ma pengojnë dhe ma humbasin dëshirën.

Gjithsesi, mbase si gjithnjë rastësia do të sjellë për mua lajm të saktë botimi.

.

 

Teuta Sadiku për gazetën Nacional.

Amerikë-Tiranë  .Prill 2020.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here