RRUMPALLË… Skice nga Tasim Aliaj

 

Zyra ku punoj ndodhet në katin e dytë të institucionit. Zakonisht bashkëpunëtoret nuk marrin ashensorin. Edhe unë nuk e marr. Hip e zbrit nëpër shkallë, më bën mirë për gjunjët. Kështu thotë dhe doktor Adhamudhi.

Në zyre kam një tryeze të madhe,e cila mund të kryeje disa funksione. Fjala vjen, me anën e një mekanizmi të thjeshtë, ajo kthehet në tryezë pingpongu. Por unë nuk luaj pingpong .Më pëlqen më shumë volejbolli.  Por kjo tryezë mund të kthehet në mensë për të ngrënë drekë a darkë. Gjë që e aplikoj shpesh me kolegët. Por më duket se së shpejti do ndahem edhe me zyrën, edhe me tavolinën. Bie era transferim. Me ngritje.

Pardje ishte në zyren time kryekujdestari i ministrisë tonë. Ai kërkoi të përditohej me praktikën e punes tonë, pasi kishte dëgjuar fjale të mira. Së pari, deshi të dinte diçka për sektorin që unë mbuloj.

-Po ja, – ia nisa, – unë mbuloj sektorin e shpërndarjes dhe të rishpërndarjes, atë të kuadrit, ose të burimeve njerëzore, si i thonë disa, degën e…

-Pa dale, dale, më ndërpreu kryekujdestari, po drejtori juaj di gjë për këtë ndarje pune?

-E nga ta di unë i varfëri? Drejtorin kam afro gjashtë muaj pa e parë.

-Si kështu?- u habit tjetri.

-Se ai bën edhe disa detyra të tjera veç drejtorllëkut këtu. Fjala vjen, ai është kryetar i Bordit të Gjuetisë së Derrit të egër. Më vrafte zoti në e kam gabim, po ky bord nuk ekziston fare. Pastaj kryeson edhe Agjensinë për Grumbullimin e Fazanëve në rezervatë gjuetie. Dihet që ne fazanë nuk kemi më, po rrogat paguhen njëlloj. Jemi shtet i pasur ne, kështu drejtori ynë merr shtatë e tetë, a nëntë a dhjetë paga mujore, që…

-Po ku gjen kohe ai të tërheqë gjithë këto paga?

-Se mos ka tjetër punë ai. Lëre pastaj, që pagat i vijnë me postën elektronike.

-Mirë, tani vijo me praktikën e punës tënde këtu.

-Po ja. Këtu puna më në përgjegjësi është shpërndarja dhe rishpërndarja e porosive. Se kështu, në shikim të parë, të duket punë e lehtë. Një fjalë goje, kur i thonë. Por, po të futesh brenda, të lot tepeleku, të lot.

-Po ty të ka luajtur gjë?- pyeti me ironi tjetri.

-Po nga ta di unë fukarai? Njerëz jemi. Ja, pardje më vijnë katër furgone me rrogoza nga Fabrika e Litarit në Rrogozhinë. Si t’ia bëja? Nuk më dukej korrekte t’i refuzoja. Mendo e mendo dhe më në fund ia lashë në derë Ministrisë së Kulturës….

–Si ,si, sa nuk uluriti tjetri, po ç`hyn këtu Mistria e Kulturës?

-E nga ta di unë fukarai, po kështu ma preu tepeleku. Se ja si bën vaki Ne kishim porositur një autobus turistik për personelin tonë, kur na dërguan një…autokombajnë…hë, të lutem, llafos zotrote, ç`dreqin do korrja unë me këtë alet?

-Dhe si ia bëre?

-Ia poftisa në derë Ministrisë së Jashtme, se kisha edhe një inat të vjetër me ata zotërrinj…

-Dhe more vesh se ç`bëri ministria e Jashtme me autokombanjën?

-Oh, fare lehteë. Ata ia rrasën atyre matufëve të Ministrisë së Bujqësisë, që siç dihet, as mbjellin e as korrin gjë, veç rrogave të majme.

Biseda jone zgjati mbi katër orë. Kryekujdestari mbeti shumë i kënaqur dhe premtoi që, këtë praktikë interesante pune ta përhapte edhe në dikastere të tjera të administratës shtetërore…e natyrisht, të më transferonte me ngritje në përgjegjësi…

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here