Humanizmi mbi ligjin grek. Ngjarje e jetuar Jakup B. GJOÇA

 

Ishte dita e 20-të e reaminacionit të vëllait tim, Petros në spitalin Universitar të Janinës. Mbasdite, në orën 16 isha në zyrën e mjekut, që na jepte informacionin e përditshëm, kur dera u hap dhe një infermiere e ftoi mjekun urgjentisht të shkonte në METH (salla e reaminacionit) pasi sapo sollën me helikopter një të aksidentuar. Mjeku na tha me nxitim gjendjen e përditshme të ecurrisë të shëndetit të vëllait, që nuk kemi asnjë të re për vëllain dhe u largua. Unë shkova sërish në reaminacion, meqë kishim orarin e vizitave. Sa hyje në sallën e METH, në të djathtë, kishin sjellë një djalë të ri, dhe mbi të tre mjekë po e lidhnin me aparaturat e oksigjenit. Unë shkova të krevati I vëllait, Petros. Kur dola, krevati i të sëmurit që sollën ishte bosh, pasi e kishin çuar urgjentisht në sallën e operacionit. Pyeta dhe infermieret më thanë që është shqiptar 19 vjeç, që e sollën me helikopter nga Zaqinthoja. Kur i pyeta infermieret e METH nëse I riu shqiptar do të shpëtonte, ato ngritën supet, duke më thënë “Vështirë…”.

Të nesërmen mbasdite, djalin e kishin sjellë sërish në METH, kësaj here të mbuluar me fasho dhe të lidhur me aparatura. Në krah të tij nuk pashë asjë të afërm.

Kur mbarova kohën e vizitës te vëllai, sërish pashë të riun shqiptar, që nuk kishte asnjë të afërm.

Edhe disa ditë të tjera, nuk pashë asnjë të afërm te djaloshi shqiptar. Shkova te mjeku dhe i kërkova të mësoja për ecurinë e shëndetit të djaloshit 19 vjeçar.

-Nuk mund të të them asgjë. Duhet të lajmëroni të afërmit e tij. Gjendja nuk është shpresuese.- më tha mjeku, meqë tashmë më njihte.

Kërkova në drejtorinë e spitalit të dhëna për familjen e të riut. Por aty më thanë që edhe ata nuk kishin asnjë të dhënë për familjen e të aksidentuarit, veç emrin e mbiemrin, sa dokumenta shoqëruese i kishin sjellë. Ishte aksidentuar me motor në ishullin e Zaqinthos. Nuk kisha asnjë mundësi të pyesja për familjen e tij në Shqipëri, pasi çdo sekondë ne prisnim mandatën tonë…

Pas ditës së dhjetë, duke hyrë në sallën e METH, në krah të djaloshit shqiptar pashë një të ri, që rrinte pranë tij. E përshendeta me sy dhe shkova te vëllai, duke hedhur sytë vazhdimisht te krevatii shqiptarit të aksidentuar, për të parë shoqëruesin e tij. Kur mbaruam kohëvizitën e dal jashtë, kërkoj shoqëruesin e djaloshit.

-Çfarë e keni djaloshin e aksidentuar,- e pyes.

– Nip.

– Ku i ka prindërit?

– N ënjë fshat të Tepelenës.

– Përse nuk vijnë këtu prindërit e tij?

– Nuk kanë asnjë mundësi.

-Pse?

– Nuk marrin dot vizë.

– Ku janë tani?

– Në Gjirokastër. Kanë kaq ditë që lutin për vizë aty, po ngaqë nuk kanë lekë të paguajnë për vizë, nuk marrin dot.

– I lajmëron dot, që nesër në mëngjez, në orën 08 të jenë te pika e hyrjes greke në Kakavijë, me pashaportën, pa vizë?

– Po ata as pashaportë nuk kanë. U lajmëruan tani, e nuk kanë nxjerrë dot pashaportë. Pastaj, janë kaq të varfër, sa as lekë për pashaportë nuk kanë.

– Mirë, mirë, i lajmëro, që të jenë në orën 08 në mëngjez, te hurja greke e tëp resin.

– Çfarë do bësh ty? Atyre u kërkojnë mbi 3.500 euro secilit që t’u japin vizë, ose t’i sjellin këtu, pa vizë. Ku kemi ne kaq euro. Ti sa euro do, t’i sjellësh?

– Asnjë qindarkë nuk dua. Do shkoj të bisedoj me policinë greke. Tani ti shko te drejtori i pavionit dhe merr një raport mjekësor për nipin, që ta kem për dokument,- i them.

Të nesërmen, që në orën 7,30 u gjenda te drejtori i përgjithshëm i policisë greke për Epirin, në Janinë. Kërkova drejtorin ta takoja, ndërsa sekretarja e tij, më tha, që nuk mundem ta takoj dot, se është shumë I zënë me punë.

– I thuaj drejtorit, se jam gazetar shqiptar dhe duhet ta takoj patjetër,- i them sekretares, duke i dorrëzuar edhe indentitetin tim të gazetarit.

Pas 10 minutash, sekretarja më ftoi ta ndiqja pë rte zyra e drejtorit të policisë greke.

Sa hyra, vura re se drejtori i policisë ishte vetëm.

– Urdhëroni, uluni,- më ftoi drejtori i policisë, duke më treguar kolltukun përballë tavolinës së tij.

– Faleminderit, – i them duke u ulur.

– Më tha sekretarja që jeni gazetar shqiptar. Me se mund t’ju ndihmoj? Ka ndodhur gjë?

– Po, – i them prerë, duke e parë në sy.

– Çfarë? Unë nuk kam asnjë informacion, për ndonjë ngjarje të ndodhur,- m’u përgjegj drejtori i policisë, duke më parë në sy. Unë quhem Nikos Kacaros.

– Gëzohem zoti Kacaros. Nuk erdha për të marrë informacion, por për t’ju kërkuar një ndihmë drejpërdrejt juve.

– Ndihmë? Çfarë mund të bëj unë për ju?

Unë i zgjata raportin mjekësor të djaloshit të aksidentuar. Drejtori i policisë e lexoi dhe e la mbi tavolinë.

-Ju keni ndonjë informacion mbi aksidentin?

– Jo, jo. Unë erdha t’ju kërkoj një ndihmë.

– Ju dëgjoj.

– Djaloshi 19 vjeçar, siç e lexuat, ndoshta është në grahmën e fundit të jetës. Prindërit i ka në Kakavijë, të cilët kanë ditë që presin duke qarë, të vijnë e të shikojnë djalin e tyre, që u vdes. Ju lutem, ndihmojini prindërit të vijë e të shikojnë djalin e tyre, ende sa është gjallë.- ndërkohë, lotët më mbytën dhe zëri m’u shua.

– Të venë në konsullatë në Gjirokastër. Në një rast të tillë, nuk e besoj që të mos ndihmohen,- më tha drejtori.

– Kanë dhjetë ditë që luten te porta e konsullatës. Por nuk u japin vizë. Të tjerë, u kërkojnë mbi 3.500 euro për vizë për secilin nga prindërit. Ata janë të varfër, drejtor, aq sa as pashaportë nuk kanë.

– Po si mund të hyjnë në Greqi, pa pashaportë? Ju jeni gazetar, dhe e kuptoni ligjin.

– Drejtor, fatkeqësia e djalit të tyre 19 vjeçar, u erdhi papritur. Prindërit e tij janë nga një fshat i thellë i Tepelenës. U lajmëruan dhe kanë dhjetë ditë, që qajnë për të parë djalin që po u vdes në spital. Ndaj ju kërkoj ndihmën tuaj.

– Çfarë të bëj unë?

– T’i lejoni prindërit pa vizë të vijnë në spital, që të shikojnë djalin e tyre të aksidentuar.

– E kupton çpo më kërkon? Të shkel unë ligjin?

– Ndihmë ju kërkoj, drejtor. Ndihmo prindërit të vojnë dhe të shikojnë djalin që u vdes.

– Nuk mundem.

-Ju e keni në dorë.

– Si e kam unë në dorë? Ju jeni gazetar dhe besoj, se i kuptoni ligjet.

– Është një rast i jashtëzakonshëm. Ju kuptoni dhimbjen dhe ndihmoni prindërit.

– Nuk mundem. Nuk më lejon ligji.

– Ju jeni prind?

– Po, dhe çdo të më thuash me këtë pyetje?

– Ju më thoni si prind, apo si drejtor, që nuk ju lejon ligji që të ndihmoni prindërit e të aksidentuarit, që të vijnë nga Shqipëria në spitalin e Janiniës e të shikojnë, ndoshta për herë të fundit djalin e tyre 19 vjeçar?

– Ligji është ligj dhe nuk bën përjashtime. Kuptojeni mirë.

– Nëse ju si prind, do të ishit në një rast analog për fëmijët tuaj, larg qoftë, por më falni që jua them, do të kërkonit respektimin e ligjit, apo ndihmë?

– Nuk mundem, më beso. Nëse dikush më raporton që lejon shqiptarë të hyjnë pa vizë në Greqi, do të më dënojnë edhe me burg.

– Kush do të dënojë për këtë rast?

– Ligji.

– Jo, zoti drejtor. Nuk të dënon askush. Se i pari, do jem unë mbrojtësi i të drejtës tuaj.

– Si do të më mbrosh ty?- thotë me një ton qesëndie drejtori i policisë.

– Unë para 6 muaj, kam bërë intervistë me ministrin tuaj të policisë greke, Hrisohoidhis për gazetën e përditshme shqiptare “Zëri i Popullit”, nga zyra e tij. Kam telefonin e tij,. Do ti shkruaj dhe do t’i them vetë, që ju me humanizëm ndihmuat prindërit që të shikojnë djalin e tyre të aksidentuar. Humanizmi është mbi ligji. Por edhe ligji bëhet për t’u shërbyer të mirës së njerëzve. Kur kjo e mirë e njeriut nuk parashikohet nga ligji, ia vlen ta shkelim këtë ligj të keq, për t’I shërbyer njeriut. Ja këtë do t’i them ministrit tuaj, si njeri, si gazetar, si emigrant.

– Nuk mundem….

– Zoti drejtor. Nëse fëmija vdes dhe prindërit nuk e shikojnë dot më gjallë, ngaqë nuk kanë lekë të blejnë një vizë, ngaqë ju nuk shkelni dot ligjin, do të flini dot i qetë, ju vetë? Do të përkëdhelni dot fëmijët tuaj, kur e dini, që ju, në emër të ligjit të keq, nuk lejoni sot 2 prindër të përkëdhelin djalin e tyre në shtratin e vdekjes? – edhe vetë u mbyta në lot. Isha mbarsur me emocione dhe më dukej sikur flisja për vëllanë tim, ndaj këmbëngulja….

– Pse m’i thua të gjitha këto….- dëgjova një zë të mekur, por nuk mudn të hidhja sytë nga folësi…

Kur dëgjoj papritur.

– Kush jeni ju?

– Unë jam Nikos Kacaros. Më raporto, nëse aty pranë keni….

– – Si quhen prindërit?- më pyeti drejtori i policisë..

I them emrat. Drejtori i përcolli ata emra folësit të tij në telefon.

– Dua të më raportosh për 2 minuta, nëse këta janë aty.

U binda që drejtori i policisë greke, Nikos Kacaros, foli me Kakavijën. U drodha nga një vajë gjaku që më dogji mishtë.

Zilja ra menjëherë.

– Do t’i lejosh të vijnë në Janinë, të dy. Menjëherë.

Ngrita sytë dhe e pashë drejtorin, ngaqë u gëzova.

– Po kush të tha ty, që t’u kërkosh pashaportë? Kush? Të jap urdhër unë. Merri të dy, në makinën e policisë dhe shoqëroi ti deri te mjeku në spital, ku kanë djalin. Dhe pastaj, të vish të më raportosh mua, këtu. Nëse ndokush rrugës të ndalon ty për ata që sjell pa pashaportë, u thuaj që kam urdhëruar unë.

Dhe papritur, drejtori i policisë gjuajti me grusht mbi tavolinën e tij, duke mbyllur me forcë edhe telefonin. Ndoshta zhurma e grushtit të drejtorit të policissë greke të Janinës mbi tavolinë u përcoll edhe përtej receptorit, te folësi, për ta bindur për urdhërin që iu dha.

U pamë sy më sy.

– Të falenderoj shumë, zoti drejtor- i thashë i mallëjgyer. Edhe vetë akoma nuk e besoja, çfarë arritëm.

– Ja, më thuaj, çfarë e ke ti djaloshin?

– Asgjë.

– Si asgjë?

– Asgjë, të panjohur më parë.

– E kupton ti se çfarë bëre me veprimin tënd?

– Ndihem, sikur ndihmova vëllanë tim.

– Jo, jo, nuke kisha për këtë. Guxove shumë. Rrezikove veten shumë.

– Si rrezikova veten shumë, zoti drejtor?

– Si erdhe ti, emigrant e më kërkove, mua drejtorit të policisë greke, të shkelja ligjin për të lejuar 2 shqiptarë të futen në Greqi pa vizë?

– Nëse ju nuk do ta kishit bërë këtë, ju garantoj, që tani do t’i kisha telefonuar ministrit tuaj e to t’I kërkoja ndihmë atij, duke thënë që ju nuk donit. Kam bindjen time, që ligji nuk mund të pengojë asnjë prind të shikojë fëmijën që i vdes për një copë vizë.

– Po prindërit e tu a e kanë parë djalin e tyre?

– Jo, jo.

– Ku janë ata?

– Atje në Delvinë.

– Po përse nuk më kërkon ndihmë për prindërit e tu?

– Sepse vëllai im ka ne, vëllezërit pranë. Djali tjetër nuk ka asnjë keto momente prane. Mendojeni, që askush nuk mund të pyesë mjekun për shëndetin e tij. Sa e rëndë është.

– Do të duash ndihmë për prindërit e tu?

– Nuk e di. Ndoshta më vonë, do të vijnë edhe ata. Por, nuk vij më te ju, të kërkoj të shkelni ligjin.

– E thoni, tani…

– Jo, zoti drejtor, jo. Prindërit e mi, do vijnë kur vëllai të jetë mirë, por do vijnë me vizë. Të falenderoj veçse, për çka bëre sot.

Prindërit e djalit, i shikoja sa herë në sallën e METH, dhe shpehsherë i ndihmoja në përkthimin me mjekët. Sa herë, ata rrinin tërë kohën atje në korridor, duke fjetur mbi stola, duke pritur pas derës së METH.

Më vonë, kur djali doli nga METH dhe vajti në pavion, të dy prindërit i rrinin te koka djalit të tyre, 24 orë. Mjekët, sa herë i pyesja për shëndetin e djalit, më thoshin që prindërit e tij, me përkujdesin, por e ndihmonin shumë rehabilitimin e shëndetit të djalit.

Pas dy muajsh, shkoj te dhoma e djalit. Kur, çuditërisht, pashë aty edhe drejtorin e policisë, civil, që rrinte në një karrike përballë prindërve.

Prindërit sa me apnë, erdhën dhe më përqafuan. Në fillim, kujtoja, mos drejtori i policisë erdhi, që të merrte prindërit, meqë ishin pa vizë.

– Të falenderoj, që erdhët, deri këtu, zoti drejtor- iu drejtova atij.

– Edhe unë gëzohem, që shoh, që djali tani flet e përmirësohet. Kam pyetur vazhdimisht mjekët dhe jam informuar.

– Prindërit të falenderojnë pa masë. A e dini, që edhe mjekët më kanë thënë, që pa prindërit, djali nuk mund të përmirësohej?

– Ama, edhe ty bëre shumë.

– Asgjë nuk bëra. Ju jemi mirënjohës humanizmit tuaj, zoti drejtor. – I them unë. Nëna e djalit, i përkëdhelte shpatullat me dashamirësi drejtorit të policisë greke, për t’i shprehur mirënjohjen, edhe pse nuk kuptonte asnjë fjalë nga bashkëbisedimi ynë.

– Mua të më falni, – u them prindërve dhe ndahem me mirënjohjen time edhe me drejtorin e policisë greke të Epirit, Nikos Kacaros.

Gëzohesha për përparimin e shëndetit të djaloshit, që në fillim edhe mjekët i kishin hequr çdo shpresë jete. Njëfarësoj, në shpirtin thellë, ndjeja edhe një zili, pse vëllai im, ende nuk kishte asjë përmirësim… Sa do të dëshiroja, qoftë edhe një lëvizje të gishtit, sikur të bënte vëllai, qoftë edhe sikur një herë, një sekondë, të hapte sytë e tij….

E megjithatë, sa herë shkoja te djaloshi, kaq më shumë shtohej edhe shpresa ime për vëllanë tim, Petron se edhe vëllai im, do të përgënjeshtronte çdo prognozë të mjekëve, sikurse edhe djaloshi shqiptar, dhe një ditë edhe ne, sikundër prindërit e tij, do ta gëzonim sërish vëllanë tonë, do të na fliste, e ne do ta përqafonim prapë vëllanë, midis nesh… Ai djaloshi 19 vjeçar, që edhe u ngrit, edhe ecte, edhe fliste, na jepte gjithmonë shpresën, se duhet të luftonim me përkujdesje për vëllanë tonë, kundër çdo prognoze që na thoshin përditë mjekët, që ta mbanim në jetë…

 

Shtator 2002

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here