FYTYRA E PRANVERËS
Plafi i borës
dora-dorës
zbuloi pllajat,
zhveshi majat.
Në lugina
e shpatina
ngjitet bari
si flakë zjarri.
Hapen bulat
si kësulat,
si kuleta
dhe del fleta.
Përmbi gema
që nxjerr pema
e kaçuba
lidhen ruba.
Ulet zogu
te çufrrogu,
mbushet pylli
tinguj fyelli.
Mbi petale
hedhin valle
bletë e flutura
krahëbukura.
Hapet qielli,
po qesh dielli:
shih ç’fytyrë
në natyrë!
Tiranë, 1960
1.Rubë:shami koke me ngjyra e me lule
2.Çufrrog: çerdhe zogu
SHFAQJE VJESHTE
Era i zhveshi plepat trupshigjetë,
Rrobat e rrapit degëmadh zverdhojnë,
Bari i rimë e ngre kryet përpjetë,
Fletëgjilpërat krenare blerojnë.
Gunën e zezë qielli prapë e vesh,
Me sy pellgjesh oborri u mbush
E nga murrlani të ngritura peshë
Enden gjethet si flutura në fushë.
Fjolla tymi oxhakët po nxjerrin
Si çibuku i një burri të moshuar,
Shtëllunga resh erërat po tjerrin.
Rosat sillen në shi pa pushuar,
Çadrat e zeza sikur ndjellin terrin,
Qerpikë strehësh rrinë duke lotuar…
Tiranë , 1960
DETI IM
Valët përplasen brigjeve të blera
Dhe në ranishte shkasin me tërbim,
Sa herë që kraharorin ta puth era,
Det, o deti im.
Me krahët e tu që rrokin fusha, male
Edhe brigjet tona pa mbarim,
Më përqafove dhe gëzim më fale,
Det, o deti im.
I shtrenjtë je, o det, për zemrën tonë,
Të falem ty me mall e përgjërim :
Muzgu po bie…U err…Po bëhet vonë,
Det, o deti im.
Durrës, 1961
O TROPOJË, VENDLINDJA IME
Male të larta që gërvishtin qiellin,
Pyje të virgjra me pishë, ah e lis,
Kroje të ftohta që rrallë puthin diellin,
Kulla të gurta në çdo katund e fis:
Unë të mbaj ty në mendime,
O Tropojë, vendlindja ime.
O Majë e Hekurave, bijtë e tu si hekur,
Të shkathët si dreri e të drejtë si pisha,
Me pushkë në dorë, trima të paepur
Përballë armiqve që erdhën si bisha :
Unë për ty kam adhurime,
O Tropojë, vendlindja ime.
Valbonë, o vashë e bjeshkëve thinjoshe
Që hedh valle në lugina e fusha
Te rrjedha jote e shpejtë, kaltëroshe,
Me freski jete shpirtin tim e mbusha:
Ti më jep sot frymëzime,
O Tropojë, vendlindja ime…
1961
VARGJET E PARA
Vargjet rrodhën nga zemra fëmijërore
Siç rrjedh uji i gurrës në luginë:
Ato ranë në letër si flokë bore,
Qenë si vjollcat e para që mbijnë.
Në livadhe, në thepa shkëmborë,
Thura vargje të shkurtra, të gjata:
M’i ritmoi veç dashi me këmborë,
Vetëm delet si kritikë i pata…
Vargjet që i hodha në fletore,
Qenë të mbushura me ndjenja fëmije:
Jo, nuk ndalet zemra njerëzore
Pa kënduar kur ka gaz e dhimbje.
1962
QYTETI IM
I rrethuar nga piramidat e majave të thepisura,
Nga mjekrat e pyjeve të blerta,
Rritet qyteti i nanuritur nga fëshfërima e blirëve,
Qyteti ku luleshpatoret çelin si ëndrrat tona.
Nuk fle qyteti im
Sytë e tij prej llambash elektrike
Si copa dielli të këputura në qiell
Përpëliten e xixëllojnë midis maleve…
Qyteti Bajram Curri, 1962
O DASHURI
O dashuri e arratisur
A mos je gëzim i ëndrrave që nuk i pashë?
A mos je aromë e luleve të vyshkura
Të një pranvere të hershme
A melodi e një kitare telkëputur
E një zemre me ndjenja të venitura?
1962
NJË SHISHE ME UJË TETOVE
Mora një shishe me ujë Tetove
Për ta sjellë në Tiranë
E di se ky ujë nuk do të ma shuajë etjen
Për mbrëmjet kur tufat e zogjve fluturonin mbi qytet
Si të qenë vargjet e poemave të Naim Frashërit
E di se ky ujë nuk do të ma shuajë etjen
Për fshatrat që natën shndërroheshin në yjësi dritash
Që prushërinin në faqet e malit
E di se ky ujë nuk do ta ma shuajë etjen
Për polifoninë shumëgjuhëshe të poemave
Të poetëve të ardhur nga vende të largëta
E di se ky ujë nuk do të ma shuajë etjen
Për viset e saponjohura të gjeografisë së shpirtit tim
Për të cilat do të më marrë malli
Këtë shishe me ujë Tetove
Do ta ruaj si të ishte mbushur me një ujë magjik
Për të shuar një mall që fjalët nuk e shprehin dot…
21.10.2019
NOKTURN
Amaltesë, mbesës sime
Në mes të natës erdhi një zog i panjohur
E çukiti hënën
Zog mos ma merr hënën time
I tha qielli
Mos më lër të zbrazët
Si zgavrën e një syri të kërryer
Por zogu e bëri veshin të shurdhër
Ai e mori hënën në sqep
Dhe iku
Qielli vuri kujën
Për hënën e humbur
Për ta ngushëlluar
Një buf i solli njërin nga sytë e tij
Por ai nuk e pranoi
Ai nuk e pranoi
Syrin që tri Gorgonat
Ia huanin njëra-tjetrës
Ai nuk e pranoi as syrin e vetëm
Të marrë nga balli i Polifemit
Dua vetëm hënën time
Ulërinte qielli
Dhe shkulte flokët e zjarrtë
Të yjve të këputur
Dua hënën time
Hënën që e çukiti zogu i panjohur
E mori në sqep
Dhe iku
Qiell pusho së ulërituri
Mësohu të rrosh pa hënën e humbur
I tha universi i pafundmë…
2019
IMAZH
Sot pashë kabinat e një teleferiku
Të ndalura në mes të udhës
Për shkak të një defekti elektrik
Ato merimanga vigane
Të paralizuara të kacavarura në tela
Nuk mund të lëviznin përpara as të zmbrapseshin
Të uleshin në tokë as të fluturonin përpjetë
Ato rrinin pezull
Midis tokës e qiellit
Ato kabina më sollën ndër mend
Jetët njerëzore të ndaluara në mes të udhës
Nga fati i keq nga aksidentet nga sëmundjet
Me gjithë ngjashmërinë që ekzistonte midis tyre
Unë e dija se jetët njerëzore
Të ndalura në mes të udhës
Nuk mund të bënin përpara aq lehtësisht
Siç ndodh me kabinat e një teleferiku
Kur vjen përsëri rryma elektrike
Imazhin e kabinave të ndalura në mes të udhës
Nuk e shpika unë
Atë ma huajti vetë ekzistenca
Me atë imazh ndërtova këtë poemë
2019
DISQET FLUTURUESE TË ËNDRRAVE
Disqet fluturuese të ëndrrave
Pa dyshim janë të ndryshme përnatë
Siç janë të ndryshëm
Udhëtarët dhe bagazhet
Që ato shkarkojnë gjatë ndalesës së tyre
Kur ulen në aeroportet e hirta e të shkreta
Të trurit tonë që fle
Ndoshta ato disqe fluturuese
Janë të domosdoshme për ne
Sepse ato na sjellin
Diçka që na mungon
Diçka që nuk mund ta marrim me mend
Që ka lidhje me dëshirat tona të groposura
Apo diçka që shkon përtej vetëdijes sonë
Thonë se një disk fluturues i tillë
I solli Dante Aligerit
Vizionin e Komedisë Hyjnore
Servantesit i solli personazhin e Don Kishotit
Shekspirit i solli skenat e tragjedive të tij
Së paku nuk e luan topi
Se tabelën “Klasifikimi periodik i elementeve”
Ia solli Mendelejevit një natë
Një disk fluturues i tillë:
Nga ku?
I dërguar nga kush?
Dhe me ç’qëllim?
Kur zgjohemi në mëngjes
Dhe hapim sytë
Disqet fluturuese të ëndrrave
Janë ngritur nga aeroportet e trurit tonë
Duke lënë aty vetëm vegime të capërluara
Si rrënoja qytetesh të lashta
Të shkatërruara nga tërmeti
Vegime që rrinë pezull në retinat tona
Fjolla mjegulle që shprishen nga era
Besoj se në çastin e fundit të jetës
Shpirti që ndahet nga trupi i njeriut
Hipën në diskun fluturues të një ëndrre
Që e shkëput nga toka
Për ta shpërngulur përngaherë
Në një planet të panjohur…
2019
FALIMENTIM
Bllokut me çeqe të shpresave
Nuk i ka mbetur pa u grisur
Asnjë fletë e vetme
Për të blerë me të
Disa grimca ardhmërie
Vlerat e rreme
Lavditë e falsifikuara
Kanë përmbytur tregun
Ndërsa në lumin vërshimtar
Të ideve të reja
Gjithnjë e më pak ka
Grimca ari të së vërtetës
I shushatur i çorientuar
Nga një rrëmujë e tillë
Njeriu nuk ka zgjidhje tjetër
Veç të presë
Periudhën e uljes së çmimeve
Të mirëqenies së premtuar
Nga qeveritë
Dhe të mrekullive të ofruara
Nga ekranet televizive
Por të gjitha TV-të e botës
Japin lajmin e tmerrshëm
Të shoqëruar nga tingujt e kobshëm
Të trumbetave të Jerikosë:
Banka Qendrore e Drejtësisë
Dhe e Lumturisë Universale
Sapo shpalli falimentimin!
2019
LIBRI I KOHËS
1
Unë përfytyroj sikur ditët dhe netët
Janë faqet e një libri të pamatshëm
Që një dorë e padukshme ia kthen fletët
2
Dikush përkulet
Dhe lexon faqet e hapura të këtij libri
Që është duke u shkruar
3
Sekondat që rrjedhin pikë-pikë
Janë boja që qarkullon
Në venat e radhëve të këtij libri
4
Vallë a jemi ne personazhe që lindin
Që rrojnë rropaten vdesin
Siç vendos autori i këtij libri?
5
Vallë a janë dy persona të ndryshëm
Apo është i njëjti person
Ai që e shkruan dhe ai që e lexon këtë libër?
6
Vallë a i shërben për t’u argëtuar
Apo për të shprehur diçka të pakuptueshme nga ne
Atij që e shkruan këtë libër të pafundmë?
7
Terri dhe drita
A mos janë dy anët e tehut të një thike
Që i pret faqet e këtij libri?
8
Dielli hëna dhe yjtë
A mos janë shenja që dikush i vë
Midis faqeve të këtij libri?
9
Para syve të mi rri hapur Libri i Kohës
Ku faqet e ditëve dhe të netëve
Shfletohen rregullisht…
2019
TOKA KA ETHE
Toka ka ethe
Në kohën që unë i them këto fjalë
Ato nuk janë aspak një metaforë
Në kohën që unë i them këto fjalë
Tokat dridhet vërtet
Nga zjarrmia që ka në trup
Diku
Në thellësi të pambërrijtshme
Magma e zjarrtë
Vlon
Llëkét
E bën tokën që të dridhet
Si në ethe
Kjo gjë më shtyn të mendoj
Se edhe toka është e gjallë
Në mënyrën e saj
Është e gjallë dhe vuan
Si një njeri që ka temperaturë të lartë
Vuan toka
Nga zjarri që ia përvëlon rropullitë
Dhe për t’u lehtësuar
Dridhet
Dridhet
Dhe këto lëkundje sizmike
Ua përcjell maleve pllajave
Rrënjëve të bimëve
Dhe këmbëve të mia…
2019
DRITARET E NDRIÇUARA
Në mes të natës
Afrohem te dritarja dhe hap perden
Për të vështruar dritaret e ndriçuara
Që luzmojnë në terr
Prapa atyre dritareve
Përfytyroj burra gra dhe fëmijë
Të llahtarisur nga lëkundjet e tërmetit
Të kërcënuar nga lëkundje të reja të paparashikueshme
Që mund t’ia behin nga thellësitë
Ata që rrojnë prapa atyre dritareve të ndriçuara
Jam i sigurt që përjetojnë e mendojnë
Atë që përjetoj dhe mendoj unë këtë natë
Ndonëse ata njerëz për mua janë të panjohur
Dhe me gjasë do të mbeten të tillë
Në këto çaste ata i ndiej të afërm
Ekzistenca dhe prania e tyre më jep siguri
Duke vështruar ato dritare të ndriçuara
Më duket veteja si një lundërtar
Që qëndron në këmbë në një anije
Në fajkat e së cilës përplasen tallazet
E një deti të tërbuar:
Ai ngre kokën lart dhe vështron qiellin me yje…
2019
SHKËMBI I KRUJËS
Një kartolinë me kështjellën e Skënderbeut
Që ngrihet mbi shkëmbin e Krujës
Qëndron në një tryezë
Në dhomën time në Paris
Ullinjtë shumëshekullorë që i rrethojnë
Numërojnë tespihet e rrathëve të tyre
Duke soditur këtë kartolinë
E ndiej se edhe rrënjët e shpirtit tim
Janë ngulur rreth shkëmbit të Krujës
Ushqehen
Nga i njëjti truall
Në këto çaste më vijnë në mend
Fjalët hyjnore të Krishtit:
“Ta ndërtojë kishën e tij mbi gur”
Kishën e shpirtit tim
Dhe të fjalës sime njerëzore
Unë e ndërtoj mbi shkëmbin e Krujës
2O19