IRMA KURTI, Itali: IKU NJË VIT I PAJETUAR

 

I mbrapshtë dhe tepër i vështirë. Italia dhe në veçanti Bergamo, qyteti ku unë jetoj, në muajt mars – prill ishte një nga zonat më të prekura dhe me vdekshmëri tepër të lartë nga Covid 19. Mbyllur për shumë muaj brenda katër mureve të shtëpisë, nën trysninë e vazhdueshme të televizionit e mediave italiane, me marrjen e vazhdueshme të lajmeve të trishta për miq dhe të njohur që iknin pa kthim, personalisht kam përjetuar një periudhë me ankth dhe shqetësim, me frikën e një të nesërmeje të pasigurtë, ndërsa dëgjoja në sfond sirenat e vazhdueshme të alarmit të ambulancave. Jam përpjekur çdo ditë të gjeja ekuilibrin e humbur në mënyrë krejt të papritur e të rrufeshme në një kohë kur, për fat të keq, jetët njerëzore dukej sikur ishin shndërruar në shifra. Kjo situatë pak a shumë mbetet e tillë edhe tani.

Siç më ndodh rëndom në drama e dhembje të madhe, të shkruarit mbetet terapia ime më e mirë, ngushëllimi dhe forca, shpresa dhe drita në fund të tunelit. Këtë vit botova  pesë libra në gjuhën shqipe dhe italiane, por mungesa e kontaktit me lexuesit, e pamundësisë për të ndarë me ta emocionet dhe sfidat e një botimi, mbetja pezull e veprimtarive kulturore dhe artistike e zbehu rëndësinë e tyre.

 

Çfarë prisni nga viti që vjen?

 

Kthimin. T’i kthehemi jetës së përditshme, atyre veprimeve që i konsideronim të vogla dhe pavlerë më parë, por që na kanë munguar së tepërmi në këtë vit të gjatë dhe të pajetuar, që na dha mbi të gjitha mundësinë për të reflektuar: një përqafim me miqtë, një shëtitje në park duke thithur me tërë mushkëritë ajrin e pastër. Kthimin në bankat e shkollës, në sallat e kinemasë dhe të teatrit, në biblioteka dhe vende publike ku mund të ndajmë së bashku bukurinë e një poezie, të një libri, të një filmi. Me pak fjalë, daljen nga kthetrat e pandemisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here