KRIMET E KRYERA NGA GREKËT NË SHQIPËRINË E JUGUT. Nga Mit’hat Frashëri

 

Mit’hat Frshëri ka shkruar shumë libra dhe shkrime të ndryshme për historine e Shqipërisë; historianët Luan Malltezi dhe sherif Delvina kanë botuar ndërkohë mjaft prej tyre. Po botojmë me poshtë shkrimin  e Mit’hat  Frashërit “Epiri i Veriut” përgatitur për botim nga autorët e mësipërm. Shkrmi është dokument me vlerë për krimet e kryera nga grekët në Shqipërinë e Jugut (ose Epir, siҫ e quanin ata), në ngjarjet e vitit 1914.        

 

 

E P I R I   I   V E R I U T

 

 

 Korça dhe ngjarjet e vitit 1914

 

 

 

H y r j e

 

Në vijim të Traktatit të Londrës, nënshkruar më 13 maj 1913, i cili i dha fund luftës ballkanike, të gjitha trevat e kontinentit europian, të cilat ndodheshin në perëndim të vijës Enos – Midia, /dhe që / i përkisnin deri atëhere Perandorisë Osmane, iu dhanë, me përjashtim të Shqipërisë, aleatëve ballkanikë.

Nga dispozitat e të njëjtit traktat (art.3), Turqia qe detyruar që t’u linte Fuqive të Mëdha kujdesin që të caktonin kufijtë e Shqipërisë, si dhe të rregullonin situatën politike të ardhshme të këtij vendi.

Ambasadorët e Fuqive të Mëdha, të mbledhur në Konferencën e Londrës, duke ndjekur propozimet e Italisë dhe Austrisë, vendosën njëzëri  krijimin e shtetit të lirë dhe të pavarur të Shqipërisë, me një princ sovran, duke garantuar në të njëjtën kohë neutralitetin e saj ( 9 gusht 1913).

Duke vazhduar më pas në përcaktimin e kufijve shqiptarë, Ambasadorët fiksuan ato të veriut dhe ata të veri – lindjes deri tek liqeni i Ohrit; përsa i përkiste kufijve të jug-lindjes dhe atyre të jugut, meqënëse qeveria greke kishte ngritur në këtë drejtim pretendimet e veta, ambasadorët emruan një komision për të studjuar dhe zgjidhur  këtë çështje duke shkuar në vend, në përputhje me parimin e kombësive. Gjithsesi, pikat ekstreme, që i ishin caktuar Shqipërisë nga ky traktat ishin Kepi i Shtilit dhe Korça. (Seanca e 11 gushtit).

Duhet shënuar se Greqia në këtë kohë, i kishte pushtuar ushtarakisht këto treva që në kohët e luftës ballkanike.

Komisioni i caktimit të kufijve, pasi i kishte shqyrtuar me shumë kujdes, duke vajtur në vend kushtet etnike të këtyre lokaliteteve dhe pasi kishte konstatuar që këto treva, që përfshiheshin brenda dy pikave të caktuara nga ana e Konferencës, banoheshin eksklusivisht nga popullata shqiptare, ia bashkoi këto Principatës së Shqipërisë. (Protokolli i Firences, dhjetor 1913).

Pikërisht në këtë kohë, kur kishin marrë fund punimet e konferencës, qeveria greke u ftua nga kabinetet e Fuqive të Mëdha që të tërhiqte trupat e saj ushtarake / nga Korça / dhe  të zbrazte lokalitetet e njohura, që bënin pjesë në shtetin e ri.

 

 

 

 

 

 

 

 

                                                                                          

REVOLUCIONI “EPIROT”, NJË KAMUFLAZH GREK:

SHKRETIMI I SHQIPËRISË SË JUGUT DHE JUG – LINDJES NGA ARMATAT GREKE.

 

 I –  Zbrazja e Korçës nga ushtria Greke.

 

Pas ftesës kolektive të Fuqive të Mëdha, qeveria e Athinës vendosi më së fundi që t’a zbrazte qytetin / e Korçës /dhe një pjesë të rrethinës së tij.

Më 3 mars, koloneli Kondulis /Condulis/ i’a dorëzoi çelsat e qytetit të Korçës komandantit të xhandarmërisë shqiptare, majorit M.Araniti, pasi nënshkruan midis tyre protokollin përkatës. Megjithatë, oficeri grek nuk harrojë që të shihte në vartësi të tij të gjitha pikat strategjike dominuese të qytetit dhe këtë me një prapamendim.

Në kohën e pushtimit, oficerët grekë kishin organizuar ushtarakisht atë, të cilën ata e quajnë “Hierolokitë”/(Legjioni i Shenjtë/, njerëz të rekrutuar me forcë nga popullata e krishterë shqiptare të krahinës të caktuara që të krijonin një farë lëvizjeje revolucionare kundër shtetit shqiptar, për të motivuar  ripushtimin e këtyre trevave nga trupat greke.

Megjithatë, grekët vetë nuk kishin shumë besim tek këta “hierolokitë”, sepse dyshonin dhe sigurisht me të drejtë, se  këta legjionarë shqiptare nuk do ta tradhëtonin atdheun e vet duke luftuar kundër bashkkombasve të tyre dhe kundër atdheut të tyre pavarësisht nga kërcënimet që u ishin bërë. Prandaj oficerët grekë kishin marrë edhe masa të tjera për t’a vënë në zbatim planin e tyre konspirativ kundër Shqipërisë.

Kështu ndodhi që duke përllogaritur operacionet e ardhëshmë, komanda greke, la në qytet, pas zbrazjes, një numër oficerësh, nën-oficerësh dhe ushtarësh, nën pretekste të ndryshme, dhe në krye të tyre / la / peshkopin ortodoks Gjermanos[1].  Të tërë këta kishin si mision të provokonin turbullira.

Po, megjithë veprimet konspirative që kishin si qëllim të dështonte që në fillim organizimi i shtetit të ri /shqiptar/; megjithë dëshirën e konspiratorëve, popullsia e priti kudo me entuziazëm gjindarmërinë shqiptare. Kështu punët filluan të ecnin mirë dhe popullsia e çliruar, filloi të merrej me punët e veta të zakonshme, duke marrë frymë lirisht.

Autoritetet shqiptare, nga ana tjetër, duke patur një besim të plotë në sinqeritetin e deklaratave të bëra nga autoritetet ushtarake greke dhe, duke mos dyshuar aspak një sulm nga ana e tyre, nuk kishin marrë asnjë masë mbrojtse kundër një eventualiteti të tillë. Gjindarmëria, shumë e rregjuar në numër, ishte shpërndarë nëpër komunat për të siguruar rendin dhe sigurinë publike, duke lënë kështu në qytet një numër shumë të vogël xhandarësh

 

 

 

II.- Venia në zbatim e lëvizjes.

 

Gjatë natës, ndërmjet datës 1 dhe 2 prillit 1914, shpërtheu lëvizja kriminale, të cilën armiqtë e Shqipërisë e quajtën Revolucion Epirot.

Nga njera anë ushtarët që kishin qëndruar në qytet në kushtet që thamë më sipër, të rrethuar dhe dhe të pasuar /shoqëruar/ nga disa keqbërës, bënë gjoja revoltë, nga ana tjetër dhe në të njëjtën kohë me ta, detashmente të ushtrisë greke, që ishin vendosur në afërsi të qytetit, të shtirur si revolucionarë epirotë[2], marshuan përpara, gjoja për të dëbuar s’andejmi autoritetet shqiptare dhe për të vendosur ato të Epirit Autonom.

Duke kuptuar menjëherë rrezikun, që u kërcënohej, po dhe duke mos pasur forca të mjaftueshme të armatosura për t’i bërë ballë kësaj situate kritike, autoritetet shqiptare u bënë thirrje alarmi banorëve të qytetit si dhe atyre të komunave pranë.

Në mëngjesin e 2 prillit, një pjesë e pararojës /greke/ kishte hyrë në qytet dhe me ndihmën e peshkopit dhe të ushtarëve grekë që ndodheshin aty, ia doli që të pushtonte pjesën veri – lindindore të qytetit, ndërsa një numër i përbërë nga më se 600 vetë me tre mitraloza, avanconin duke kaluar nëpër kalimet e fshatit Barsh, me qëllim që të pushtonte pjesën tjetër të qytetit.

Mbrojtësit që nuk bëheshin më shumë se 50 gjindarmë, të ndihmuar nga popullsia civile e armatosur shpejt e shpejt, nën komandën e komandantit, majorit trim holandez Snellen,/Snellen/ me ndihmën e disa shqiptarëve, u dolën përpara pushtuesve dhe gjithë së bashku, u hapën atyre zjarr si brenda qytetit ashtu dhe në rrethinat e tij.

Banorët e pjesës së pushtuar, të terrorizuar dhe kërcënuar me vdekje prej tyre, qenë detyruar me forcë / nga grekët / të armatoseshin dhe të luftonin përkrah bandave greke kundër vëllezërve të tyre.

Gjatë kësaj periudhe pushtimi, shumë shqiptarë u martirizuarn. Kryeprifti rumun Harallamb Ballamaçi, themelues dhe kryetar i komuniteteve rumune në Shqipëri, bashkë dhe me vëllanë e vet Sotir Ballamaçi si dhe shumë nga paria e Koçës, dhanë jetën pasi u nënshtruan torturave, që u ngjanin atyre të kohës së inkuizicionit. Mënyra barbare, me të cilën u masakruan këta fatkeqë është përshkruar nga shumë dëshmitarë okularë si dhe prej përfaqësuesve të komuniteteve rumune, në një raport, që i iu dërgua qeverisë Rumune në Bukuresht.

Meqë shqiptarëve filluan tu vinin ndihma nga ana e fshatrave pranë, autoritetet ia dolën t’i luftonin me sukses këto banda kriminelësh dhe pas  luftimesh të përgjakshme që vazhduan plot 5 ditë, sulmet armike filluan të sprapseshin plotësisht dhe përfundimisht. Gjatë këtyre luftimeve të fundit shumë nga djemtë trima të Shqipërisë derdhën gjakun e vet në mbrojtje të atdheut të tyre, madje dhe majori trim Shellen u plagos lehtë.

Për të kuptuar se kush janë këta epirotë, të cilët luftonin gjoja për autonominë e vendit të tyre, ne do të themi në anekse, pohimet e disa prej tyre që mbetën  të burgosur në duart xhandarëve dhe vullnetarëve shqiptarë.

 

_____________

 

 

Të tërbuar nga dështimi i këtij sulmi, imperialistët grekë dhanë urdhër, që sulmi të përsëritej në një drejtim tjetër.

Kështu, bandat greke filluan të sulmonin lokalitetet e vendosura në jug të qytetit. Kësaj radhe, qe rrethina e Kolonjës, që u bë teatri i vandalizmit të tyre.

Banorët e kësaj krahine rrokën armët për të mbrojtur vatrat e tyre dhe luftuan me trimëri të madhe, po, duke, mos qenë të organizuar mirë ushtarakisht, për mungesë armësh të mjaftueshme, nuk mundën të qëndronin gjatë kundër pushtuesve, që kishin mitralozë si dhe pjesë të ndryshme artilerie dhe municione të mjaftueshme, të dhëna nga depot e armatimit të mbretit Kostandin.

Ata luftuan heroikisht duke kontestuar / kundërshtuar/ avancimin pëllëmbë për pëllëmbë drejt atdheut të tyre. Por, pas luftimeve të parabarta, pas rënies…. së fshatit Shalësi e rrethe, krahina e Kolonjës ra e tëra në duart e pushtuesve.

Gjatë kësaj kohe, tërë fshatrat, gjithsej 180, dhe qyteti i Leskovikut, u dogjën,  pas plaçkitjes së popullsisë që përbëhej nga pleq, gra dhe fëmijë, të cilët nuk kishin patur kohë që të iknin e të strehoheshin; gjithë vendi qe përfshirë nga flakët.

Me datën 3 maj 1914, grekët sulmuan linjën e fundit të mbrojtjes, lokalitetet Shalësi dhe Butka, dhe megjithë luftimet e forta për dy ditë e dy net, sulmuesit e pabesë, megjithse eprorë në numër, qenë sprapsur e tërhequr përfundimisht dhe detyruar që të ktheheshin në brendësi të kufijve të tyre, nëpërmjet malit të Gramozit duke shkatërruar çdo gjë në rrugën e tyre.

Ashtu si gjithmonë, brendësia e tokës greke qe vend strehimi i tyre. Ata u  riorganizuan aty dhe kompletuan efikasitetin e tyre me ushtarë të tjerë ose brigandë të rekturtuar gjithandej duke parashikuar sulme të tjera.

Ja se ç’telegrafonte dhe konstatonte në këtë çast, në adresë të ministrit të tij në Durrës, z.Mikel Sturdza, atasheu i legatës, dërguar aty për të bërë një anketë në vend:

“Kam nderin të ju komunikoj ç’ndodh në teatrin e operacioneve që ushtria greke, mbështetur nga artileria, po marshon drejt qytetit të Korçës. Tashmë 18 fshatra të Kolo- njës po digjen para syve të mij. Kështu, popullsia shqiptare muslimane dhe kristjane, po strehohet ndër radhët tona. Në rast se grekët, arrijnë të futen në Korçë, parashoh masakra të mëdha; me këtë rast, ju lutem që të më komunikoni se deri kur do të jetë e nevojshme prania ime këtu”.

I nderuari Aubrey Herbert, anëtar i parlamentit anglez; duke qenë informuar teleg-grafisht mbi barbarizmat e kryera këtu, e ka paraqitur çështjen në fjalë përpara parla- mentit të tij, ku dhe ka kërkuar që një komision ankete të dërgohet këtu.

Nga ana tjetër, popullsia e këtushme. i është drejtuar Komisionit të Kontrollit Ndërkombëtar,  me lutje që të vijë në vend, të shohë vetë faktet kriminale të bandave greke dhe të ndërhyjë për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje kaq tragjike.

Pas këtyre ngjarjeve, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në Shqipëri dhe Zografos, që ishte vegla kryesore e politikës imperialiste greke, ranë dakord për t’i dhënë fund kësaj çështjeje, nëpërmjet rrugës së pajtimit.

Gjatë mbrëmjes së datës 6 maj 1914, Ministria e Brendëshme dhe ajo e Luftës, i telefonin autoriteteve të Korçës mbi mbi marrëveshjen e arritur në mes K.I.K / Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit/ dhe zotit Zografos, duke urdhëruar në të njëjtën kohë dhe ndërprerjen e armiqësive që nga data 7 maj në mesditë.

Po gjatë natës 6 maj, aty nga ora 7, bandat greke të riorganizuara e të përforcuara kaluan sërish kufirin me një numër prej më se 2000 vetësh, nën komandën e Kretiotit Ysontos Vardas, duke sulmuar në befasi postën tonë kufitare të fshatit Nikolicë, që ndodhet 10 kilometra në J. L. të qytetit.

Kjo luftë e filluar krejtësisht në baza të pa barabarta përsa i përket numrit të luftëtarëve është përballuar nga ana e shqiptarve me një heroizëm të rrallë dhe, pas një beteje të përgjakshme prej plot 8 orësh, armata e M.Vardas, plotësisht e mundur, qe detyruar që të tërhiqej në mënyrë krejt të parregullt.

 

 

Epirotët

 

Nga ana tjetër, qeveria greke, nëpërmjet gojës së vetë M. Zografos, deklaronte  haptas se në realitet, ai nuk interesohej fare se ç’pësonte popullata vendase. Ja pikërisht se ç’kishte thënë Zografosi parisë shqiptare me rastin e një banketi të dhënë më 1913 në Janinë, ndërkohë që ishte vetë, prefekt i këtij qyteti:

“Të mos ushqeni asnjë iluzion, zotërinj, edhe sikur Fuqitë e Mëdha do të na detyronin të zbraznim Epirin, ne nuk do të linim prapa asgjë veç tokë të rrafshuar.”

 

 

Armëpushimi ka filluar në mesditë të datës 7 maj 1914, po, zona asnjanëse nuk ka mundur të fiksohej në mënyrë të përshtatshme, pa ndërhyrjen e K.I.K /Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit/ për shkak të qëndrimeve kokëforta të treguara nga oficerët grekë.

Me qëllim që të vendoset mirë identiteti i këtyre oficerëve, do citojmë këtu raportin e zotit Mit’hat Frashëri, i dërguar i qeverisë shqiptare për caktimin e zonës as- njanëse, dërguar autoriteteve të tij:

“Në lidhje me misionin që pata nderin të marr nga ju, u nisa me z.Xh.Ypi, kryetar i Gjykatës së Korçës, për të takuar komandantin holandez, Werhulst me qëllim të shkonim e të takonim oficerët epiriotë dhe të fiksonim zonën asnjëanëse në frontin  e Kolonjës.

Komandantin Werhulst e gjetëm në çadrën e tij në lartësi të fshatit Chiari (Shalsi) dhe së bashku vajtëm në fshatin Vodicë, ku kemi marrë kontakt me oficerët epiriotë. Pas  dy orësh diskutime, ja dolëm të fiksonim zonën asnjanëse”. Komandanti holandez, Werhulst, na jep hollësira në raportin e tij përkatës:

“Kam nderin të ju lutem të merrni dijeni mbi vërejtjet që vijojnë:  

Të dy ushtarakët që bënë marrëveshjen me ne ishin oficerë grekë me uniformë      të ushtrisë greke; asnjeri nga këta nuk fliste shqipen dhe na deklaruan se ishin grekë nga origjina.

            Përkthyesi i tyre, që u njoh nga z.Xh.Ypi, është një person i quajtur Sterios nga fshati grek Seskaqi (Liscaci) që është në rrethinat e Kosturit. Është detyra ime t’ju raportoj këtë fakt me qëllim që të bindeni edhe një herë se cilët janë këta që luftojnë për atë kauzën e quajtur Epirote.

Nga gjithë këto fakte del se shqiptarët e Shqipërisë së Jugut apo të Epirit të Veriut, sikundër duan ta quajnë në gjuhën e tyre diplomatike fqinjët tanë “të mirë”, duke parë se ç’lloj rreziqesh ishte vendi ynë i posaçliruar dhe që për mungesë mjetesh ushtarake, qeveria nuk mund t’i jepete fund kësaj situate të urryer, i shtyrë nga patriotizmi i tyre rrokën armët duke sakrifikuar jetën e tyre si dhe pasurinë duke mbrojtur me trimëri  tokën e të parëve të tyre.

 

________________

 

Pas përfundimit të armëpushimit, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit filloi kontaktet zyrtare në emër të qeverisë shqiptare me M. Zografos për të zgjidhur këtë çështje.

Gjatë kësaj kohe, popullsia e Korçës pasi kishtë marrë vesh pretendimet e M. Zografos, i dërgoi qeverisë shqiptare protestën telegrafike të mëposhtme, të nënshkruar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Kishës Ortodokse:

 

“Ne, të nënshkruarit, përfaqësues të shqiptarëve ortodoksë të Korçës, paraqesim me respekt homazhet e popullit tonë. Ne, duke parë të botuar në shtypin e huaj, se qeveria greke, nën pretekstin e kishave dhe të shkollave tona ka shfaqur pretendimet e saj që të përzihet në punët e vendit tonë. Nëse ky fakt konfirmohet, ne, qytetarët e Shqipërisë së pavarur, protestojmë me të gjitha forcat tona kundër çdo qëndrimi drejtuar sovranitetit të atdheut tonë.

            Nga ana tjetër, ne deklarojmë se do ta paraqisim vetë në shtetin tonë nëse do të paraqitet ndonjeherë nevoja dhe nuk do të lejojmë kurrë që një qeveri e huaj të ndërhyjë në emrin tonë ndër problemet që mund të cënojnë sadopak pavarësinë morale e politike të kombit tonë në përgjithësi dhe të komunitetit tonë ortodoks në veçanti”.

           

Kështu, më 9 maj 1914, një telegraf iu dërgua me këtë rast qeverisë/shqiptare/ me mocionin vijues, të votuar në një mbledhje madhështore të mbajtur në Korçë:

           

“Ne, shqiptarët ortodoksë, banorë të qytetit të Korçës si edhe ata të fshatrave rreth e qark, të mbledhur në një mbledhje, protestojmë me të gjitha forcat tona, kundër përzierjeve të huaja në punët e brendshme të atdheut tonë, me ç’rast, nën pretekstin e mbrojtjes së kristianëve ortodoksë të vendi.t provokojnë turbullira dhe trazira me qëllim që t’u shërbejnë interesave politike të vendit të tyre.

Si qytetarë shqiptarë, ne deklarojmë se për të kënaqur nevojat tona shpirtërore dhe rituale, ne, nuk do t’ja lejojmë asnjë të huaji që të përzihet në punët tona të brendshme, fakt ky që do të përbënte një cënim të rëndë të sovranitetit moral dhe politik të kombit në tërësi.

            Kështu që, ju lutemi shumë, që të keni mirësinë e të refuzoni pretendimet e paraqitura prej grekëve në emrin tonë; Ne dëshirojmë që kishat dhe shkollat tona të mbeten krejtësisht dhe domosdoshmërisht institute kombëtare.

            Ne ju sugjerojmë në mënyrë solemne se të gjitha ngatërresat, që kanë ndodhur aktualisht në Shqipëri, nuk janë vepër e banorëve të kranihës, po me siguri të provuar edhe nga ju, po janë vepër kriminelëve të trupave të rregullta të ushtrisë greke.

            Oficerët holandezë, si edhe ne nga ana e jonë, kemi prova të padiskutueshme si dhe të mjaftueshme për të vërtetuar thëniet tona”.

 

Dhe vijojnë nënshkrimet e anëtarëve të komisionit ortodoks të mitingut në fjalë, gjithsej së bashku 19 anëtarë.

Më datë 22 maj 1914 delegatët e qytetit dhe të krahinave të Korçës i dërguan qeverisë së tyre telegrafin që vijon:

 

“Të nënshkruarit qytetarë shqiptarë të Korçës dhe të rretheve të saj, duke pas marrë njohuri se anëtarët e Komisioni Ndërkombëtar të Kontrollit, duke u kthyer ne Korfuz, kanë biseduar mbi propozimet e z.Zografos, propozime këto që përmbajnë privilegje mbi Shqipërinë e Jugut dhe që kanë prirje të paragjykuara dhe shume fyese ndaj atdheut tonë, i refuzojmë ato, sepse janë të tëra shumë të rrezikshme për atdheun tonë. Ndaj, ne jemi të mendimit se është detyra jonë patriotike të ju lutemi që këto propozime t’i hidhni poshtë me përbuzje, sepse ju sigurojmë që ne jemi gati të gjithë, që të sakrifikohemi për të mbrojtur nderin, prestigjin si dhe interesat tona kombëtare”

.

Me gjithë protestat e banorëve ortodoksë shqiptarë (në emër të të cilëve flitet pa pas marrë aspak pëlqimin e tyre), Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit ka pranuar, në emër të qeverisë shqiptare, të gjitha këto propozime të formuluara /nga Zografos/ me bindjen që kjo situatë mizerable do të merrte fund. Ai e ka nënshkruar marrëveshjen e Korfuzit. Dhe  vetë z.Zografos nuk e priste fare sanksionimin e një fitoreje kaq të shpejtë sepse roli i tij me cilësinë e tij si Epiriot që pretendonte të ishte, duhet të kishte marrë fund pikërisht, sapo të ishte firmosur marrëveshja në fjalë. Kështu del se i vetmi qëllim që fshihte lëvizja epiriote ishte që nën maskën e saj të mos kishte qenë arritur marrëveshja.

Në fakt, qëllimi i lëvizjes së propozuar nga z.Zografos ishte krejt një gjë tjetër nga ai i propozuar gjoja se qëllimi nuk ishte veçse ai i arritjes së disa privilegjeve mizerabël për popullatën shqiptare-ortodokse. Ky qëllim i z.Zografos ishte që të mund të zgjatej situata anormale deri kur Fuqitë e Mëdha, të kllaposura në një rrugë të gabuar, do të vendosnin t’ja jepnin Greqisë mandatin që ajo të ndërhynte për të rivendosur rendin në këtë vend.

Dhe shihet qartë që kjo ndërhyrje nuk ishte veçse hapi i parë i këtij aneksimi kaq të dëshiruar.

Në fakt, interesi i patronëve të z.Zografos, kërkonte që kjo çështje të mos zgjidhej në këtë mënyrë. Për këtë qëllim ai vuri në përdorim një manovër tjetër. Kështu ai organizoi shpejt e shpejt e me ngut të madh Komisionin Kombëtar Epiriot, nën prektekstin se gjoja po kërkonte të realizonte për shqiptarët ortodoksë të Korçës disa privilegje mizerabël. Në të vërtetë, me këtë manovër, ai kërkonte që ta zgjaste sa më shumë këtë situatë mjerane, deri sa Fuqitë e Mëdha, të mashtruara rëndë nga ai, të vendosnin që t’ja jepnin Greqisë mandatin për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit tonë, për të rregulluar rendin atje. Por ky mandat ndërhyrjeje, që ai kërkonte nga Fuqitë e Mëdha, nuk ishte tjetër, veçse hapi i parë drejt atij aneksimi të tij kaq të dëshiruar.

Kështu, megjithë protestat e banorëve shqiptarë ortodoksë dhe fare pa pëlqimin e tyre, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, gjoja duke pranuar se po vepronte në favor e në emër të Qeverisë Shqiptare, i bindur se po punonte drejt dhe se po i jepte fund njëherë e mirë kësaj gjendjeje mizerabël,  ai e nënshkroi marrëveshjen e Korfuzit.

Ç’është e vërtetë z.Zografos nuk e priste fare një sukses kaq të shpejtë e të dëshëruar. Në fakt, kjo tregonte qartë se ky mandat ndërhyrje ne punët tona të brendshme nuk ish tjetër veçse hapi i parë i z.Zografos, drejt këtij aneksimi kaq të dëshëruar prej tij.

 

—————-

 

Gjatë kësaj kohe, në saj të masave të marra, u bë i mundur qetësimi që sillte me vete normalizimin e tregtisë dhe të bujqësisë, të cilat kështu filluan aktivitetet e tyre.

Një farë mjeku, z.Kristidhi, që erdhi që nga Manastiri me ftesën tone, na siguronte se kishte konstatuar që në Korçë gjendja ishte krejt ndryshe nga ajo, që ishte thënë nga fqinjët tonë, duke shtuar se ai preferonte të jetonte më mirë në Korçë se sa në Manastir.

Autoritetet shqiptare, duke parë se veprimtaria e zografistëve,  megjithë firmosjen e aktit përkatës, qenë të detyruar të merrnin masat e duhura për të shmangur një pushtim të ri nga ana e bandave, që nuk pushonin së organizuari në tokën greke.

Njeriu nuk do mund të formonte një ide mbi gjendjen e vështirë që i ish krijuar shtetit të ri nga fqinjët e tij grekë. Ata nuk i vriste ndërgjegja fare mbi mjetet e paligjshme që ata përdornin kundër tyre, me qëllim që ta pengonin e ta paralizonin që në fillim zhvillimin e tij të lirë, organizimin si dhe përpjekjet e qeverisë për të nisur një qeverisje të mbarë.

Në hapat e tij të parë, ky shtet i vogël qe i detyruar që të dobësonte ekonominë e tij për të mbajtur një ushtri, për ta përtërirë atë me blerje të reja armësh e municionesh me qëllim që të mbronte pavarësinë e saj të fituar pas kaq vuajtjesh shekullore, në vend që këto para të përdoreshin për begatinë e vendit.

 

 

       SHKELJA E ARMËPUSHIMIT NGA ANA E EPIRIOTËVE

 

Ajo çka autoritetet shqiptare kishin parashikuar me kohë nisi të bëhej realitet.

Më datën 20 qershor 1914, autoritetet shqiptare muarën një ultimatum nga ana e kapitenit kretez, Tonton Vardas. Me anë të këtij ultimatumi, kapiteni në fjalë i njoftonte autoritetet shqiptare që t’ja dorëzonin atij qytetin brenda një afati prej 48 orësh.

Në marrëveshje me komandën holandeze të Gjindarmërisë, /dhe komnadantin e forcaveholandeze z./ M.Snellen, autoritetet /shqiptare/ derguan një delegacion të përbërë nga togeri holandez Malengrott dhe sekretari  Prefekturës, Lutfi Zavalani, tek kryeplaku i fshatit Qyteza, ku ndodhej kuartieri, për t’i kërkuar atij shpjegime mbi shkaqet, që e kishin shtyrë atë, për të shkelur marrëveshjen e armëpushimit.

Si përgjigje z.Vardas, deklaroi se ai nuk donte të diskutonte fare / për këtë problem/, por / shtoi se / me të mbaruar afati i caktuar nga ana e tij, në rast se autoritetet shqiptare nuk u konformoheshin njoftimeve të mësipërme, ai do t’u jepte urdhër trupave të tij ushtarake që të marshonin përpara dhe të pushtonte si qytetin ashtu edhe rrethinat e tij.

Dhjetë orë para se të mbaronte ky afat, ai u dha urdhër bandave të tij që të na sulmonin.

Këto sulme u zbrapsën nga forcat tona vullnetare, disa herë të mira dhe në disa pika të ndryshme, po më në fund, pas dy ditë luftimesh të ashpra dhe jo të barabarta, një kundër dhjetë, vullnetarët qenë të detyruar të tërhiqeshin duke lënë pasuritë e tyre në dorë të pushtuesve dhe vetë të tërhiqeshin nëpër male në brendësi të tokës shqiptare, e cila u kishte shërbyer si fortesë gjatë kohëve të ndryshme të historisë, kur atdheu i tyre i pushtuar, qe detyruar të luftonte për të ruajtur pavarësinë e tij.

Tërheqja ka filluar më 24 qeshor 1914, duke u nisur drejt perëndimit të qytetit.

Eksodi i popullatës civile kishte filluar prej kohësh. Që nga lartësitë e vendit të zinte syri fshatra të vendosura në jug të qytetit të pushtuar nga bandat. Mëse 50.000 njerëz pleq, gra dhe fëmijë shiheshin tek endeshin maleve për të shpëtuar jetën e tyre përpara furisë së këtyre vandalëve, që kishin për mision që të shfarrosnin racën shqiptare.  Qindra nga këta vdisnin çdo ditë prej urisë, prej lodhjes si dhe privimeve të shumta, pasi kishin humbur ndër beteja të ndryshme anëtarët më të dashur të familjeve të tyre, si dhe gjithçka që ata posedonin. Rruga që nga Korça në Vlorë ishte një shteg  mjeran për këta refugjatë të mjeruar, faji i të cilëve ishte vetëm e vetëm sepse ishin shqiptarë.

Kështu, programi kriminal i qeverisë së qytetëruar të Athinës, shpallur nga z.Zografos që nga Janina, sikundër e kemi deklaruar me kohë qe zbatuar në mënyrë fare të pamëshirshme.

Pas pushtimit të këtyre trevave, bandat greke kanë kryer mizori dhe barbarizma të denja për fiset e egra të kontinenteve të tjerë.

Nëpërmjet anekseve mund të shihet mirë një tablo e tmershme sa besnike dhe e stërholluar e krimeve të kryera në mes të shekullit XX përpara syve të botës së qytetëruar.

 

_________________

 

Përsa kemi përshkruar e paraqitur deri tani del qartë se:

 

  • – Grekët kanë përgatitur dhe vënë në zbatim në vitin 1914, me mjete fare të paligjshme, shumë lëvizje kriminale nën formën e gjoja të revolucionit, me qëllim që ta pengonin që të fillim krijimin dhe konsolidimin e Shtetit Shqiptar.
  • – Qëllimi i burrave politikanë të shtetit grek, nuk ishte tjetër veç e atij që ta shkatërronin Shqipërinë, të shfarrosnin popullsinë, apo që ta vinin nën sundimin e tyre, që të mund të zgjeronin shtetin e tyre me aneksimin e tokave shqiptare.
  • – I ashtuquajturi Revolucion Epiriot, nuk ishte veçse një kamuflazh kurse në të vërtetë shkatërrimi i Shqipërisë së Jugut është bërë nga ushtarakë si dhe nga banda kriminale të qeverisë greke.
  • – Bandat e subvencionuara nga Komitetet e Athinës, që ndihmonin ushtarët grekë, ishin rekrutuar në fakt ndër keqbërësit e së drejtës komune. Janë pikërisht ata, që u lëshuan mbi popullatat e mjera, duke i masakruar ato pa kurrfarë mëshire /si/ dhe duke shkatërruar gjithçka që u dilte përpara gjatë rrugës së tyre. Këto banda mjerane, nuk treguan kurrfarë mëshire dhe nuk falën asnjeri.
  • – Në kundërshtim me pohimet e armiqve të tyre, shqiptarët myslimanë e krishterë shqiptarë, kanë luftuar krah për krah, të ushqyer me një hov patriotik të lëvduar me qëllim që të ruanin të paprekur vatrat e tyre si dhe atdhenë e tyre të përbashkët.

 

Po, populli shqiptar, ka luftuar përmes shekujsh dhe i ka zbrapsur gjithmonë pushtuesit e huaj nga atdheu i vet, ka derdhur fisnikërisht dhe pa kurrfarë kursimi gjakun për ta ruajtur të paprekur lirinë e tij, gjuhën, zakonet e veta, karakterin e tij kombëtar.

Ndaj për këtë arsye, ky popull sot me shumë të drejtë kërkon me këmbëngulje dhe me zë të lartë, përpara popujve të qytetëruar që ndaj tij të bëhet drejtësi, që toka e tij e larë me shumë gjak ndër shekuj, banuar prej tij që në agimin e jetës njerëzore t’i bashkohet definitivisht Shqipërisë së lirë dhe të pavarur.

 

[1] Roli që luajti peshkopi grek është përshkruar nga komandanti i holandez Shellen, i gjindarmërisë shqiptare, në raportin e tij telegrafik, që i pat dërguar ministrit

[2] Ky transformim ishte i thjeshtë. Shapka që mbanin ushtarët grekë, hiqu shenjat e gradave, ku dukeshin qartë si të shkulura rishtas, dhe uniforma mbetej e njëjtë, ajo greke, që ishte.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here